Po, ndryshoj !
Kur dal për herë të parë para foltores për të bindur publikun para meje, unë jam duke provuar informacionet e nxëna nga shtëpia, shkolla, mejtepi i xhamisë, mësimet edukative etj... të cilat për mua përbëjnë esencën e artë pa të cilën s’mund të hedh asnjë hap.Ato janë rrënjët e fuqishme, të cilat lidhin dhe mbajnë pemën me dheun, duke ia përforcuar identitetin, ashtu siç janë shtyllat e besimit dhe të islamit, parimet e moralit dhe bazat ligjore. Ato janë konsoliduar nga konsensusi dhe miratimi me unanimitet i dijetarëve të çdo kohe, gjë e cila e ka ruajtur kompaktësinë e sheriatit dhe u ka kursyer mundin studiuesve të mëvonshëm.
Menjëherë pas këtij masivi çështjesh statike dhe të pandryshueshme, vjen qarku i çështjeve dytësore, çështjeve të cilat kanë qenë objekt debatesh, pajtimesh e mospajtimesh ndër shekuj. Duke filluar nga gjenerata e parë e më pas.
Çdo shoqëri ka programet e saj të cilave u besojnë ndonjëherë dhe verbërisht, ku hyjnnë gjykime juridike (fikhut) të shkollës përkatëse, për shembull të medh-hebit hanbeli.
Ekziston dhe një lloj tjetër gjykimesh të pranuara nga njerëzit, si një lloj kulture sheriatike, ku hyjnë gjykimet e imam Ibnu Tejmies dhe Ibnul Kajjim, ku shumë studiues i mbyllin kërkimet duke u dhënë të drejtë këtyre dy figurave.
Në raste të tilla, pakkush merret me faktin nëse gjykimi i tyre përkon me gjykimin e shumicës apo jo. Në fund të fundit, ky është tregues i madhështisë së këtyre figurave dhe imamëve, pasi dominon gjykimi i tyre edhe pse mund të bie ndesh me gjykimin historik dhe dominant.
E nëse gjykimi i tyre mbështetet dhe nga gjykimi i dijetarëve si Ibnu Baz apo Ibnu Uthejmin, askujt nuk ia mban të dalë, të paktën haptazi, me një gjykim tjetër.
Që këtu, janë përhapur dhe kanë dominuar gjykime si shkurtimi i namazit dhe mos agjërimi sado të zgjasë udhëtimi, edhe pse bie ndesh me gjykimin e katër imamëve. Po kështu, pavlefshmëria e divorcit gjatë të përmuajshmeve, përjashtimi i kamatës për floririn e stolive etj... çështje të cilat bien ndesh me mendimin e katër medh-hebeve tradicionalë.
Ibnu Tejmije është pyetur në moshë të re për një çështje të caktuar dhe është përgjigjur se është haram, duke pretenduar se është mendim unanim. Por, gjatë viteve të mëvonshme e ka lejuar duke shkruar dhe një material prej 150 faqesh në librin “Tefsiri i ajeteve problematike”, ku e hedh poshtë gjykimin e tij të parë.
Edhe në libra të tjerë, Ibnu Tejmije i korrigjon mendimet dhe gjykimet e tij pa u ndjerë në siklet.
Mendimet e tij të mëparshme, ai i kishte bazuar në mendimet e dijetarëve dhe medh-hebeve të ndryshme, pra nuk i kishte mendime dhe gjykime të bazuara në studime dhe ixhtihadin e tij. Kurse gjykimet dhe mendimet e reja bazoheshin në kërkimet dhe hulumtimet e tij, jashtë atmosferës në të cilën ishte rritur dhe edukuar.
Duket qartë që faza moshore ushtron ndikim të madh, ashtu siç ndikon dhe komunikimi me njerëzit, konstatimi i halleve dhe nevojave të tyre, prezantimi me situatën e tyre sociale, kushtet e tyre personale etj... Karakteri i Ibnu Tejmijes ishte formuar në rrethanat aktuale. Ai e perceptonte drejt parimin e dobisë sheriatike dhe atë të drejtësisë nën dritën e ndryshimeve dhe zhvillimeve të reja.
Ibnu Tejmije ka qenë më objektiv se Ibnu Hazmi, gjë të cilën e shohim tek paraqitja e mendimeve të ndryshme, argumenteve të tyre dhe zgjedhjen e mendimit që i duket më i përshtatshëm dhe më pranë argumentit. Herë pas here, e shohim ti japë të drejtë një mendimi të Ebu Hanifes në praktikat e përditshme, Malikut në çështjet e pastrimit, apo Shafiut në një mesele tjetër, duke bërë çmos që të mos e cenojë autoritetin e këtyre imamëve.
Ibnu Hazmi ka qenë fakih, studiues dhe muxhtehid i aftë, por ai tregohej shumë i ashpër me kundërshtarët në mendim, të cilët rrallë herë i arsyetonte. Ai ishte fanatik ndaj mendimeve dhe gjykimeve të veta, ndonjëherë dhe të çuditshme.
Ibnu Hazmi nuk i njeh gjykime të tjera përveç atyre që ka konfirmuar në librin e tij “El-muhal-la”.
Nuk mund të rri pa e thënë që imamë e dijetarë të mëdhenj, nga e njëjta shkollë, madje nxënës të Ibnu Tejmijes, nuk ndoqën linjën e tij gjer në fund. Ata i refuzuan disa gjykime të tij dhe nuk e përtypnin dot guximin e Ibnu Tejmijes në përvetësimin e disa mendimeve dhe parapëlqimin e disa të tjerave. Ndër nxënësit e tij më të pikasur është dhe imam Ibnu Rexheb El-hanbelij, shkencëtar hadithi, usulist dhe fakih, i cili hoqi dorë nga fetvatë sipas gjykimeve të Ibnu Tejmijes. Për këtë shkak, disa nga nxënësit e tjerë të Ibnu Tejmijes dhe simpatizantët e tij, e patën bojkotuar.
Ibnu Rexhep i qe kthyer konsideratës për katër medh-hebet, ku shkroi dhe një broshurë ku thoshte se dalja jashtë kontekstit të katër medh-hebeve është haram. Gjithashtu, pati shkruar dhe një broshurë tjetër ku kundërshtonte gjykimet e Ibnu Tejmijes në disa mesele.
Një ditë, harxhova disa orë nga koha ime duke shëtitur në internet sa në një faqe në një faqe tjetër, nga ato që identifikohen me shejh Ibnu Tejmijen, por edhe të tjera që e kundërshtojnë. Koka po më sillej vërdallë nga betejat virtuale të cilat qëndrojnë në këmbë që prej qindra viteve dhe asaj gjuhe plot fanatizëm, përjashtim të tjetrit dhe opinioni të keq. Atë çast e kuptova se moralet dhe virtytet e tjetrit provohen në momente krize dhe kundërshtie.
Gjatë leximit, ndjeja se pretendimi për gjakftohtësi, neutralitet dhe nxjerrja në pah e të vërtetës, ishte nga të dy palët. Të gjithë e akuzonin njëri-tjetrin për fanatizëm të verbër, e në të njëjtën kohë arsyetonin dhe gjenin kushedi sa justifikime për veten.
Më pëlqeu një thënie e Ibnu Rexheb, i cili tregonte se Ibnu Tejmije, pasi ishte mbyllur në burgun e kalasë në ditët e fundit të jetës së tij, kishte thënë:”Jam penduar që e kam humbur kohën për gjëra të tjera e nuk jam fokusuar në kuptimet e Kuranit.”
Periudha e fundit e eksperiencës dhe jetës së tij, është thelbi i një mundi dhe “xhihadi” të gjatë. Unë e quaj qëllimisht si eksperiencës, pasi ishte e tillë sepse frymëzohej nga shpallja hyjnore, duke ua përmbledhur të kuptuarit të gjithë pasuesve dhe ithtarëve, nëpërmjet mekanizmave të reja të tij, qëndrimeve, opinioneve dhe mendimeve në çdo stad të jetës. Ai kurrë nuk pretendoi se është i pagabueshëm, pasi ishte thjesht një i gjallë i cili akumulonte dije dhe përvojë. Në fund të fundit, nuk ishte veçse një i sinqertë në kërkim të së vërtetës.
Thuhet se Aristoteli ka thënë:”Mësuesi im Platoni është shumë i shtrenjtë për mua, por e vërteta është më e shtrenjtë.”
Kurse imam Dhehebiu është shprehur:”Shejhul islam është i shtrenjtë, por e vërteta është më e shtrenjtë.”
Ndoshta, Dhehebiu e ka marrë këtë nga pishtarët e mësuesit të tij Ibnu Tejmijes, i cili nuk reshti asnjëherë nga korrigjimi dhe reflektimi ndaj mendimeve e gjykimeve të tij, derisa u pendua ngaqë e kishte humbur kohën në gjëra të tjera përveç studimit të thellë të Kuranit.
Një korrigjim i vogël nga ana e Ibnu Tejmijes, bën diferencim dhe dallim të madh. Ndërkohë që shumë të tjerë kalojnë nga një skaj në një tjetër, ose fshihen mes kallaballëkut, e askush nuk pyet për ta.
Po, ndryshoj sepse në fund të fundit jam bir i këtij dheu dhe pemës së tij të parë! Unë zhvillohem sepse balta dhe dheu janë poshtë meje. Vetëm kur të zhytem poshtë dheut e baltës, do të ndërpritet procesi im i të ndryshuarit. Atëbotë do të jem ngushtësisht i lidhur dhe peng i veprave të mia.
Po, unë ndryshoj sepse përvoja e pjekur nuk ndodh menjëherë, sa çel e mbyll sytë. Unë vazhdoj ta pasuroj eksperiencën time, atë eksperiencë për të cilën po shpenzoj jetën dhe kohën time, po atë e cila po paguan çmimin kur lexova mbi jetëshkrimin e të tjerëve.
Po, unë ndryshoj sepse horizonti të cilin synoj dhe rend drejt tij, vazhdon të jetë larg meje. Sa më shumë i afrohem, aq më shumë më duket se largohet dhe ikën prej meje.
Po, unë ndryshoj edhe pse jam mbi të dyzetat, ashtu siç ndryshoja kur ishte tek të njëzetat. Përndryshe, ku qëndron vlera e të gjashtëdhjetave, ku do të dallonte zjarri i rinisë nga urtësia e pleqërisë?
Po, unë ndryshoj, sepse kam mësuar të jem tolerant dhe ti justifikoj të tjerët, ndërkohë që nuk jam tolerant me veten për të reflektuar ndaj mendimeve dhe bindjeve të mia, duke i peshuar me peshoren e të vërtetës dhe duke i korrigjuar kur lipset.
Po, unë ndryshoj sepse nuk e shenjtëroj veten dhe nuk i mohoj gabimet, të metat dhe mangësitë e mia, të cilat më duhet ti përndjek gjer kur të më vijë vdekja. Ka syresh të cilat i njoh mirë dhe u dorëzohem, por ka dhe të tjera të cilat më stolisen dhe i shoh si vlera. Më vonë, ndjej që Zoti më pajis me aftësi të ndryshme, për ti zbuluar dhe mënjanuar nga jeta ime.
Po, ndryshoj sepse nuk ngopem me ato që kam arritur dhe vazhdoj ti kërkoj Zotit më shumë. Mund të më lëvdojë një simpatizant për një vepër, ashtu siç mund të më shajë një kundërshtar për të njëjtën vepër, apo për një tjetër.
Po, ndryshoj sepse shoh që ndryshimi nuk është gjë tjetër veçse një reagim normal i natyrës njerëzore, e cila në fakt haset në të gjithë universin përreth.
Vetë qielli i ndryshon retë e tij
Lumi e ndryshon ujin
Toka ndryshon koren
Pemët ndryshojnë gjethet
Kurse dielli çdo ditë ndryshon horizontin e tij
Po, ndryshoj sepse sipas meje, ndryshimi përbën dallimin mes imazhit fotografik të ngrirë i cili na rrëfen një moment historik dhe mes imazhit të gjallë që pulson jetë.
Lexoj një pasazh të vjetër të shkëputur tridhjetë vite më parë, mbi fytyrën e re të cilit pikas rrudhat e ditëve dhe viteve të shkuara. E kur shoh një pasazh të shkëputur nga aktualiteti, pikaset kollaj gjallëria, energjia dhe identiteti i çastit, i cili i fsheh gjurmët e kohës.
Po, ndryshoj sepse po kontribuoj në ndryshimin e të tjerëve dhe ndikimi tek ta, ndërkohë që edhe ata më ndryshojnë dhe ndikojnë tek unë. Qoftë dhe një ditë nuk kam menduar se misioni im duhet të ndjekë një linjë të vetme. Mesazhi im është informues, zbret nga maja për ata që jetojnë poshtë. Të gjithë jemi njëlloj. Të gjithë kanë mundësi të jenë të dobishëm, ashtu siç jemi të gjithë të nevojshëm për të përfituar. Do e ndërpres procesin e ndryshimit vetëm kur të kem mbërritur në stacionin e përsosmërisë, në arrifsha ndonjëherë. Veç, o Zot na ruaj nga përsosmëria e mendjemëdhenjve, arrogantëve dhe iluzionarëve për shkak të dijeve apo pasurive të tyre, të cilët besojnë se kanë arritur kulmin, duke harruar:” për t’ua shtuar besimin...” (Fet’h, 4) “O Zoti im, shtoma dijeninë!” (Taha, 114)
Po, ndryshoj sepse unë përfaqësoj vetëm veten time, nuk përfaqësoj sheriatin dhe as ithtarët. Përkushtimi im ndaj vlerave të larta, më imponohet për përgatitje më të thellë, për ndryshim dhe kërkim të lartësive.
Po, ndryshoj sepse unë nuk jam fanatik dhe nuk imitoj veten. Unë nuk linda perfekt dhe mangësitë do më shoqërojnë gjithmonë. Ndonjëherë, kam qenë i sigurtë se kam pasur të drejtë në një rast, por duke u rritur kam kuptuar gabimin dhe kam pasur guximin ta korrigjoj.
Po, ndryshoj sepse jam rob i të Vetmit dhe Madhështorit, i cili e ka sanksionuar ndryshimin dhe betohet në agimin, natën dhe errësirën e s aj, hënën teksa rritet e zvogëlohet etj... Vetëm Ai është perfekti absolut, larg çdo mangësie dhe ndryshimi. “Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme.” (Rahman, 29)
Po, ndryshoj sepse jam pasues dhe ithtar i atij Profeti, i cili kur betohej për një sjellje dhe më pas konstatonte se një sjellje tjetër ishte më e hairit, e shpaguante betimin dhe vepronte më të mirën.
Po, ndryshoj sepse shoh që kibla ndryshoi nga Kudsi drejt Qabes, shtëpitë ndryshojnë, marrëdhëniet ndryshojnë, dhe ligjet ndryshojnë. “Ndoshta Allahu do të lidhë miqësi midis jush dhe atyre me të cilët keni qenë armiq.” (Mumtehine, 7) “Për çdo varg (Kurani) që Ne e shfuqizojmë apo që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të.” (Bekare, 106)
Meka ishte një realitet krejt i ndryshëm nga ai i Medines. Etapa e profecisë ishte e ndryshme nga ajo e katër kalifëve. Imam Shafiu i Egjiptit ishte i ndryshëm nga ai i Irakut. Urdhrat e Sheriatit ishin para ndalesave, shpërblimi para ndëshkimit, mëshira para dënimit, premtimi para kërcënimit.
Po, ndryshoj sepse ndryshimi është pjesë e strukturës njerëzore, e cila lind, dobësohet, lëviz dhe vdes. “Allahu është ai që ju ka krijuar juve të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur.” (Rum, 54)
Po, ndryshoj sepse ixhtihadi është një burimi i realiteteve të ndryshme në trashëgiminë e fikhut tonë të lashtë, si dhe burim i gjykimeve më të reja të fakihëve dhe kolosëve të fikhut. Nëse gjithçka rreth teje ndryshon, kurse ti qëndron statik si Sfinksi, kur të zgjohesh dikur, do e ndjesh veten krejtësisht të vetmuar.
Po, ndryshoj sepse gjithmonë kam nevojë për udhëzim me energji të reja për çdo kohë dhe sipas transformimeve të fundit. Për këtë qëndroj i përhumbur gjatë namazit të natës, duke u lutur me përgjërim dhe duke i kërkuar të Plotfuqishmit udhëzimin në rrugën e drejtë.
Po, ndryshoj sepse të mësuarit është një proces që më ndihmon në llogoret e jetës, më ndihmon të ambientohem me të renë dhe të dobishmen, të përftoj të mirën dhe të distancohem nga e keqja.
Po, ndryshoj sepse ndryshimi është kapërcimi nga imitimi tek autonomia dhe ixhtihadi, edhe pse në çështje dytësore. Jam mësuar ti bluaj mirë mendimet e mia, por edhe ti korrigjoj, pa pyetur fare për kundërshtarët apo simpatizantët. Si ata dhe këta, do të vazhdojnë të më shoqërojnë duke mos mu ndarë, njëlloj si hija. Gjithmonë përpiqem të mbaj një numër të mjaftueshëm prej tyre, edhe pse është më i madh se nevojat e mia.
Po, ndryshoj sepse dua ta kontrolloj dhe vëzhgoj veten time më shumë sesa vëzhgoj të tjerët. Më lipset të prezantohem me mangësitë e mia, para se të prezantohem me mangësitë e të tjerëve. E vë veten para përgjegjësisë, para se ti vë të tjerët. Përvojat e jetës, me të mirat e të këqijat, me ëmbëlsitë dhe thartësirat, më nxjerrin nga ngushtësia në gjerësi, nga vdekja në jetë. Ato më ndihmua të dalloj shkëlqimin e fytyrave dhe besoj se duart e zgjatura meritojnë të shtrëngohen.
Feja hyjnore është rrënja statike, kurse praktika, mendimet dhe gjykimet e mia janë degët që ngrihen lart në qiell, të cilat lëkunden nga erërat sa majtas djathtas, e megjithatë nuk e shkëpusin lidhjen me rrënjët dhe trungun. Mendimi njerëzor është në proces zhvillimi.
Sa herë që dashakeqët më hedhin shkopinj nën rrota, shpejtoj për më shumë istigfar duke kërkuar ndihmën e Zotit dhe duke pëshpëritur:”Hasbi Allahu ve ni’mel vekil” dhe “La haule ve la kuvete il-la bil-lah”.
Krenohem me faktin që gjëja më e shenjtë dhe e pandryshueshme për mua është besimi i thellë tek Zoti i Dashur, i Dhembshur dhe i Plotfuqishëm. Përkujtimi i Tij më shton energjitë, kurse mirënjohja forcën. Hallet e mia i qaj me Zotin, të cilin e lus me përgjërim dhe përhumbje. Thellë në zemër më është ngulitur bindja se Ai më dëgjon dhe më sheh, se e di çdo të fshehtë timen, qëllimet dhe nijetit e mia. Që këtu, bëj çmos që mendimet e mia të këqia, mashtrimi dhe urrejtja, të moz lëshojnë rrënjë në zemrën time. Kurse gjuhën e cila nxjerr në pah fshehtësitë e ndërgjegjes time, e ruaj se mos prek dinjitetin e ndonjë myslimani, të minojë ndonjë strukturë të ngritur nga Zoti, shpreh gaz për një fatkeqësi të dikujt apo të thotë diçka të papëlqyer.
Po, ndryshoj sepse e di që Zoti qëndron mes robit dhe zemrës së tij dhe tek Ai është kthimi përfundimtar.
Përktheu: Elmaz Fida