Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo ankthit

Në dy elementët e parë të lumturisë, kërkohej prej nesh veprim dhe aktivitet, ndërkohë që në elementin e tretë kërkohet pasivitet. Kjo, pasi në këtë element hyjnë të gjitha barrierat për një jetë të lumtur. Këtë element e kemi titulluar “Shpirt i pastër nga përbërësit që e turbullojnë lumturinë.”
Kush janë përbërësit që e turbullojnë dhe e pengojnë lumturinë tonë?
Ankthi është një prej tyre, urrejtja, dashakeqësia, zilia, nevrikosja etj... Bazuar në këtë, e kemi ngjyrosur me të kuqe këtë element, pasi përbën rrezik dhe kërcënon jetën tonë të lumtur. Ajo është e ngjashme me sinjalistikën rrugore për ndalimin e qarkullimit të makinave në një kah të caktuar, e cila përbëhet nga një rreth me ngjyrë të kuqe dhe një vijë të bardhë në mes. Që sot, pasi ta kesh lexuar këtë temë, sa herë të kalosh rrugëve dhe të shohësh shenjën e lartpërmendur, kujto që për një jetë të lumtur, ndalohet stresi, urrejtja, zilia etj.
Turbulluesi më i madh i lumturisë, është sëmundja e kohëve moderne, stresi dhe ankthi. Të shumtë janë njerëzit që ndihen të stresuar për shkak të të ardhmes së tyre dhe të fëmijëve. Për shkak të stresit njerëzit e shohin të ardhmen si të frikshme dhe të errët.
Një miku im punonte në një kompani të madhe dhe serioze. Kur ndodhi kriza ekonomike, ai filloi të stresohej se mund të dëbohej nga puna. Mandej qarku i stresit dhe i ankthit filloi të zgjerohej duke përfshirë dhe familjen e fëmijët, pasi mendonte se me çfarë do t’i ushqente. Ai vetë tregon: “Një ditë, gjatë orarit të punës dhe për shkak të stresit u shemba përtokë. Kjo ma shtoi dhe më shumë stresin, pasi tashmë kisha frikë edhe nga vdekja. Sa herë shkoja në shtëpi, i përqafoja fëmijët dhe qaja me dënesë, ngaqë më dukej se do të ndahesha prej tyre. Kush do të kujdesej për fëmijët e mi? Si do të mbijetonin në këtë botë gjithë probleme? Më vonë, fillova t’i kërkoj gruas që të zhvendoseshim ose në shtëpinë e prindërve të mi, ose në shtëpinë e prindërve të saj, pasi ndihesha i pasigurt në shtëpinë tonë. Performanca ime në punë pësoi rënie, pasi më dukej sikur po mbytesha. Gjendja filloi të rëndohej dhe gati po kaloja në depresion. Më në fund, iu drejtova një doktori të besueshëm dhe ia përshkrova gjendjen time. Ai më tha: “Ose zgjidh ilaçet, ose të tregoj një mënyrë e cila në fakt është një lloj ibadeti (adhurimi), i cili ta largon këtë gjendje.”
Nëse në fillim, thamë që për të jetuar i lumtur, i duhet thënë “jo” stresit dhe ankthit, për ta shmangur, ne ofrojmë mënyra mbrojtëse prej tij. Jo vetëm shmang dhe mbron veten nga ankthi e stresi, por edhe adhuron Zotin, shpërblehesh, fiton kënaqësinë e Zotit dhe në fund jeton i lumtur.
Adhurimet ndahen në dy kategori: Adhurime që kryhen me anë të gjymtyrëve, si falja, agjërimi, haxhi etj... dhe adhurime që kryhen me zemër.
Adhurimet që kryhen me gjymtyrë, si namazi, përfundojnë me të dhënë selam dhe shpërblimi ndërpritet po aty. Ndërkohë që me adhurimet e zemrës, ti shpërblehesh edhe kur fle gjumë.
Unë njoh shumë njerëz të cilët jetojnë në ankth. Sa herë që udhëtojnë me aeroplan, ata përjetojnë gjendje ankthi dhe stresi të papërshkrueshme. Kam një mik nga Aleksandria, i cili është në gjendje ankthi nga cunamet. Që kur ndodhi cunami në Azi, ai është në ankth nga një cunam imagjinar që mund të godasë Aleksandrinë.
Ka nëna të cilat janë në ankth për të ardhmen e vajzave të tyre të cilat akoma janë në tetëvjeçare, kur do të martohen, me kë do të martohen, a do të kenë probleme me bashkëshortin dhe a do të divorcohen si shumë të tjera etj...
Ka shumë njerëz që ma pohojnë se ndihen sikur po vdesin, janë të stresuar për punën, për martesën, për fëmijët, çfarë do t’u ndodhë në jetë, janë të stresuar për vdekjen dhe çfarë do t’u ndodhë pas vdekjes, çfarë do t’u ndodhë në varr etj...
Të tjerë, me t’u lajmëruar në media mbi një sëmundje si gripi i derrave, fillojnë të përjetojë ankth dhe frikë se mund të preken çdo çast nga kjo sëmundje.
Ka vajza të reja që janë në ankth se nuk po gjejnë një djalë të përshtatshëm për bashkëshort, dhe për pasojë nuk do të kenë fëmijë dhe do ta kalojnë jetën të vetmuar dhe të mërzitur. Por edhe nëse martohen, për shkak se 40 % e martesave përfundojnë me divorc, e shohin veten të divorcuara menjëherë pas martese dhe e zhysin veten në një humnerë plot ankth e stres.
Yjet e artit, të muzikës dhe të sportit përjetojnë ankth dhe stres më shumë se kushdo tjetër. Ruajtja e famës është një sëmundje më e rëndë se pasioni për ta arritur atë. Përhapja në masë e operacioneve plastike, për të ruajtur format e trupit është bërë e frikshme. Të gjithë kanë frikë se mos humbasin bukurinë dhe për pasojë famën dhe burimin e të ardhurave.
Në përgjithësi, ankthi dhe stresi akumulohen në pavetëdijen tonë, e cila i shndërron në realitet. Pavetëdija beson gjithçka që i pasqyrohet dhe e përjeton atë. Ajo nuk bën dallime mes realitetit, imagjinatës dhe iluzionit, përderisa ti ia pasqyron dhe i beson.
Shumë sëmundje, si ulcera, rënia e flokëve, paaftësia seksuale, rrudhat etj... e kanë burimin tek stresi dhe ankthi. Vetë doktorët pohojnë se 70% e të sëmurëve të tyre, mund të vetëkurohen nga sëmundjet, nëse largojnë stresin dhe ankthin. Stresi të mban në tension, gjendje e cila ndikon në nervat e stomakut, duke penguar aktivitetin e tyre normal. Kështu shkaktohet ulcera, por dhe sëmundje të tjera me burim stresin. Njeriu nuk sëmuret me ulcera për shkak të ushqimit që konsumon, por për shkak të stresit që e gërryen. Por ka dhe sëmundje që nuk kanë burim stresin dhe ankthin, por që rëndohen për shkak të tij.

Stresi dhe ankthi e gërryejnë shëndetin tënd gradualisht. Kinezët e lashtë, përdornin tortura vdekjeprurëse për të burgosurit e tyre. Xhelatët e tyre, prangosnin të burgosurit dhe u vendosnin mbi kokë një enë e cila pikonte ujë. Me kalimin e ditëve, pikat e ujit u ngjanin goditjeve të një çekiçi të fortë, dhe i burgosuri çmendej dhe më pas vdiste. I tillë është dhe ankthi e stresi.
Përse të zgjedhim udhën plot gropa, shkurre e ferra dhe të mos zgjedhim rrugën e shtruar dhe të drejtë? Përse të zgjedhim udhën e stresit e të ankthit dhe të mos zgjedhim atë të qetësisë shpirtërore dhe të adhurimit të Zotit?
 
Cila është zgjidhja atëherë?
Stresi dhe ankthi nuk mund të zhduken nga jeta e njeriut, por mund të reduktohen në maksimum, me qëllim që njeriu të jetojë i qetë dhe i lumtur.
Psikologët, nga ana e tyre kanë ofruar zgjidhje të ndryshme, të cilat do i cekim shkurtimisht.
1 – Jeto të sotmen dhe harroje të nesërmen. Mos i lejo retë e të nesërmes që të pengojnë rrezet e diellit të sotëm. Kur pyeten të burgosurit të cilët kanë kaluar me dhjetëra vite në burg, si kanë duruar, ata përgjigjen: “Jetonim për atë ditë.”
2 – Mendo dhe llogarit më të keqen që mund të ndodhë. Kështu, nëse të ndodh e ke pritur dhe llogaritur, në të kundërt do të jesh i lumtur.
3 – Llogaria me letër dhe laps. Sipas psikologëve, 80% e atyre gjërave që na shkaktojnë ankth dhe kemi frikë se mund të ndodhin, nuk do të ndodhin. Dhjetë për qind e fatkeqësive që u kanë ndodhur të tjerëve, na zhysin në ankth dhe stres nga i cili nuk dimë si të shpëtojmë.
 Zgjidhja hyjnore
Adhurimi, i cili na mbron nga ankthi e stresi quhet: Të mendosh mirë për Zotin. Cili është mendimi yt për Zotin? A mendon se do të të falë, do të të nderojë, do t’i mbulojë të metat? Nëse përgjigja është po, dije se ashtu do të ndodhë. Nëse mendon se Zoti do të të ndëshkojë, do të të turpërojë, do të të demaskojë etj... ashtu do të ndodhë.
Zoti i lartësuar thotë në një hadith kudsij: “Unë jam tek pritshmëria e robit prej Meje, prandaj të presë robi Im ç’të dojë prej Meje. Nëse pret nga Unë diçka të mirë, e meriton. Nëse pret nga Unë diçka të ligë, e meriton.”
A është e mundur të presim veç të mira prej Zotit? Nëse po, dije se do shpëtojmë nga dhimbjet dhe ankthi dhe do të shpërblehemi për këtë adhurim. Meqë nuk kemi lënë gjë pa provuar, për një jetë të paqtë dhe të lumtur, përse të mos e provojmë dhe këtë? Unë për vete e provoj çdo orë e çast dhe ndihem i lumtur e i qetë.
Të mendosh mirë për Zotin, është radhitur tek adhurimet, pasi nëse e adhuron Zotin duke menduar dhe pritur mirë prej Tij, kështu ti ke njohur Zotin. Le të presim gjëra të mira prej Zotit, pasi Ai është i Gjithëmëshirshmi, i Dashuri, i Dhembshuri, Ai që ka në dorë gjithë të mirën, kurse e liga nuk është atribut i tij.
Çfarë mendoni dhe prisni ju vëllezër dhe motra nga Zoti? Nëse prisni që Zoti do t’u ndihmojë ta kaloni me sukses krizën ekonomike dhe jeni optimistë, ashtu do të ndodhë. Nëse prisni që menjëherë pas përfundimit të studimeve të gjeni një punë të përshtatshme, ashtu do të ndodhë. Nëse të martuarit presin një jetë familjare të qetë dhe të paqtë dhe bëjnë çmos për ta arritur këtë, ashtu do të ndodhë.
Aktiviteti i shejtanit të mallkuar nuk është i fokusuar vetëm në devijimin e njeriut nga rruga e drejtë në rrugën e gabuar dhe kështu të fitojë zjarrin e xhehenemit. Ai kërkon që njeriu të vuajë edhe në këtë botë, pasi ai e urren njeriun. Një nga format që përdor për t’ia nxirë jetën njeriut është dhe ankthi e stresi.
Profeti (a.s.) ka thënë në një hadith: “Mendimi i mirë për Zotin, është pjesë e adhurimit të saktë.”
Xhabir ibnu Abdilah tregon: “E kam dëgjuar Profetin (a.s.) tre ditë para se të vdiste të thotë: “Askush prej jush të mos vdesë, veçse duke menduar mirë për Zotin.” Këto ishin fjalët e fundit që kam dëgjuar nga i dërguari i Zotit (a.s.).”
Ti o vëlla dhe oj motër nuk ke nevojë për qetësues dhe antistresantë. Ajo për të cilën kemi nevojë në çaste ankthi dhe stresi, është që të ulemi me veten dhe ta adhurojmë Zotin me zemër, duke menduar dhe pritur veç të mira prej Tij. Në çaste të tilla, ne duhet të presim prej Zotit që të na ndihmojë, të na marrë për dore dhe të na prijë rrugën, të na ndriçojë rrugët e kësaj bote dhe të na dhurojë xhenetin në ahiret.
Të mendosh mirë për Zotin dhe të presësh prej Tij të mirën, është si ilaçi që mbyll plagët dhe shëron sëmundjet. Kurrë mos e harroni hadithin e Profetit (a.s.) që transmeton nga Zoti, i cili thotë: “Unë jam tek pritshmëria e robit prej Meje, prandaj të presë robi Im ç’të dojë prej Meje. Nëse pret nga Unë diçka të mirë, e meriton. Nëse pret nga Unë diçka të ligë, e meriton.”
Të mendosh mirë për Zotin (në arabisht dhanne) vjen me dy kuptime: I pari, shpreh siguri dhe bindje, ndërkohë që i dyti shpreh dyshim dhe skepticizëm. Të dy këto kuptime janë përmendur në Kuran, sipas kontekstit. Kështu, nëse kur mendon mirë për Zotin e bën me besim dhe bindje, do të ndodhë ashtu siç e mendon dhe e pret.
Të kesh mendim të mirë për Zotin, kërkon të paraprihet nga diçka, sipas pritshmërisë. Nëse mendon se Zoti do ta pranojë pendimin, duhet të jesh penduar më parë. Nëse mendon dhe pret se Zoti do ta pranojë lutjen, duhet të jesh lutur më parë. Nëse mendon dhe pret që Zoti të të japë sukses në punë, duhet të punosh fillimisht.
Mendimi i mirë për Zotin pasohet nga lumturi, optimizëm, shpresë dhe moral të lartë. Mendimi i mirë për Zotin të bën ta duash Atë, të miqësohesh me Zotin dhe t’i shtosh veprat e tua të mira. Mendimi i mirë për Zotin e lufton stresin, ankthin dhe dëshpërimin. Mendimi i mirë për Zotin të shton buzëqeshjet, heq rrudhat e fytyrës dhe shmang sëmundjet psikike.
“Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Al Imran, 26)
Psikologët thonë se truri i njeriut prodhon çdo ditë gjashtëdhjetë mijë ide të ndryshme, pozitive apo negative qofshin. Nëse idetë negative janë dominuese, mendja jote i ngjan një ene të mbushur me përzierje të dëmshme. Idetë e dëmshme janë të tilla si ankthi, stresi, dëshpërimi etj...
Por nëse këtyre ideve negative u shtojmë mendimin e mirë tek Zoti dhe pritshmëritë pozitive, menjëherë raportet fillojnë të ndryshojnë. Mendja jonë i ngjan një parcele, të cilën nëse e mbjellim me trëndafila, do të prodhojë trëndafila, nëse e mbjellim me bimë narkotike do të prodhojë bimë narkotike. Psikologët thonë se mendimet e këqija, nëse nuk luftohen dhe nuk u bëhet rezistencë, i ngjajnë një fushe plot mina dhe barëra të dëmshme. Me të ardhur një mendim i keq në mendje, luftoje dhe largoje menjëherë, qoftë me optimizëm apo me një mendim të mirë. Unë e them diçka të tillë nga eksperienca ime personale.
Zoti thotë në Kuran: “Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.” (Teube, 118)
Këta të tre që nuk iu bashkëngjitën ushtrisë myslimane, u penalizuan për këtë, megjithatë mendonin mirë për Zotin dhe Ai nuk i zhgënjeu.
Që të mendosh mirë për Zotin, duhet të plotësohet një kriter i rëndësishëm: Të jesh aktiv dhe të bësh gjithçka që ta arrish synimin.
Lidhur me kategorinë e njerëzve që kanë mendim dhe pritshmëri të pavërtetë për Zotin, në Kuran thuhet: “Kurse grupi tjetër kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët.” (Al Imran, 154)
 Shembuj njerëzish të cilët kanë pasur mendim të mirë për Zotin
Në çastet më kritike, Profeti (a.s.) demonstronte mendimin dhe pritshmëritë më pozitive prej Zotit të lartësuar. Kur Profeti (a.s.) u nis për në Medinë bashkë me mikun e tij Ebu Bekrin, kurejshët iu qepën pas. Ata nuk lanë vend pa i kërkuar, derisa mbërritën në shpellën Theur, ku ishin fshehur. Ebu Bekri, i frikësuar në kulm pasi i shihte përreth shpellës, i pëshpërit Profetit (a.s.) në vesh: “O i dërguari i Allahut! Nëse ndonjëri prej tyre do të shihte në drejtim të këmbëve të tij, do na dallonte.” Profeti (a.s.) ia kthen i bindur në ndihmën dhe përkrahjen e Zotit: “O Ebu Bekr! Çfarë  mendon për dy persona, të cilët kanë të tretë Zotin?”
Me këtë, sikur Profeti a.s i thoshte:”O Ebu Bekr! Ne kemi dalë për hatër të Zotit. Përse të mendojmë se Ai do na braktisë dhe do na lërë në duart e kurejshëve?!
Po ti o vëlla dhe oj motër, çfarë mendon për Zotin dhe çfarë pret prej Tij? Nëse keni pasur mendim jo të mirë, përse të mos e ndryshoni tani? Përse të mos startojmë një fillim të ri me Zotin? Përse të mos e luftojmë stresin dhe ankthin me këtë adhurim?
Sa herë që të ndihesh në ankth dhe stres për të ardhmen, lexo hadithin:
“Unë jam tek pritshmëria e robit prej Meje, prandaj të presë robi Im ç’të dojë prej Meje. Nëse pret nga Unë diçka të mirë, e meriton. Nëse pret nga Unë diçka të ligë, e meriton.”
Gjatë rrugëtimit për në Medinë, Profetit (a.s.) dhe Ebu Bekrit u qepet nga pas Suraka ibnu Malik, që t’i dorëzonte tek kurejshët. Sa herë që Suraka bëhej gati t’i gjuante me shigjetë, Profeti (a.s.) lutej dhe kali i tij shembej për tokë. Duaja me të cilën lutej Profeti (a.s.), është shumë e dobishme, prandaj mësoje dhe përsërite sa herë të gjendesh në situata të ngjashme.
“O Zot, na ruaj nga e keqja e tij me ç’të duash dhe si të duash. Ti je i fuqishëm për gjithçka që dëshiron!”
Enes ibnu Nadr, ishte një nga shokët e Profetit (a.s.) dhe i përkiste njërës prej familjeve më të fisme në Medinë. Ata ishin të pasur dhe kishin shumë skllevër. Motra e Enesit, Rebia, kishte një shërbëtore, e cila një ditë e zemëron shumë. Rebia nuk e përmbajti dot zemërimin dhe e goditi në fytyrë dhe si pasojë i thyen një dhëmb. Shërbëtorja shkon menjëherë tek i dërguari i Zotit (a.s.), duke i kërkuar të vendoste drejtësi. Me të mësuar si qëndronte puna, Profeti (a.s.) tha: “Po, e drejta duhet vendosur në vend. Rebias i duhet thyer dhëmbi, siç theu dhëmbin e kësaj vajze.”
Enes ibnu Nadr, i shtangur tha: “O i dërguar i Allahut! Të thyhet dhëmbi i Rebias?!” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “O Enes! Ajo duhet të ndëshkohet, pasi kështu e kërkon e drejta.” Enes pyeti sërish i habitur: “O i dërguari i Allahut! Të thyhet dhëmbi i Rebias?!” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Po.”
Enesi vajti tek shërbëtorja të cilës iu thye dhëmbi dhe i propozoi një shumë të majme, që të tërhiqej nga e drejta e saj, por ajo nuk pranoi. Enesi i kërkoi që ta falte, por ajo sërish nuk pranoi.
Enesi vajti sërish tek i dërguari i Zotit duke iu lutur, por Profeti (a.s.) i konfirmoi se dhëmbi i Rebias duhej thyer, ashtu siç theu dhëmbin e shërbëtores. Atëherë Enes ibnu Nadr thotë: “Jo për Zotin, nuk do të thyhet dhëmbi i Rebias!” Me këto fjalë, ai nuk sfidonte Profetin (a.s.), por thoshte që Zoti nuk do ta lejonte diçka të tillë.
Në ato çaste, vjen shërbëtorja dhe i thotë Profetit (a.s.): “O i dërguari i Allahut! E kam falur Rebian.” Profeti (a.s.) buzëqeshi dhe tha: “Ka robër të Zotit, të cilët kur i bëjnë rixha Zotit, ua çon rixhanë në vend.”
Gjatë konfrontimit me çifutët e Hajberit, njërit prej shokëve të Profetit (a.s.) iu nda hisja e tij nga plaçka e luftës, por ai refuzoi t’i merrte duke thënë: “Unë nuk e kam ndjekur Profetin (a.s.) për gjëra të tilla, por e kam ndjekur të më rrokë shigjeta këtu (dhe bëri me shenjë fytin) dhe të më dalë këtu (pas shpine).”
Një ditë më pas, e gjejnë të vrarë me një shigjetë e cila e kishte rrokur në fyt dhe i kishte dalë tek shpina. Kur e pa Profeti (a.s.), i habitur i pyeti shokët e tij: “A ai është?!” Shokët iu përgjigjën: “Po o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) u tha: “U tregua i sinqertë me Zotin, dhe Zoti ia realizoi atë që deshte.”
Gjithçka që të presësh prej Zotit, do të të jepet. Nëse do të presësh të mirën, do të jepet dhe e kundërta, nëse do të presësh të ligën, do të të jepet.
Atëherë, përse duhet të keni frikë nga e ardhmja, o vëlla dhe oj motër? Përse duhet të merrni qetësues dhe ilaçe kundër stresit? Përse të mos provoni ta adhuroni Zotin me këtë ibadet?
I patëmeta je Ti o Zot! Nëse të adhuroj me këtë ibadet, më fal lumturi në këtë botë, kënaqesh me mua dhe në fund më fal xhenetin.
Zubejr ibnu Avami ishte biznesmen tokash, blinte dhe shiste troje. Një profesion i tillë, herë e bënte milioner dhe herë të tjera e zhyste në borxhe. Një ditë para betejës Xhemel, ai e ndjeu se mund të vdiste. Ajo që e shqetësonte ishte se kishte për të shlyer dy milionë derhemë të marra borxh për blerjen e një trualli. Prandaj thirri djalin e tij Abdullahun, të cilit i tha: “O biri im! Unë e shoh veten të vrarë në këtë betejë. Nëse vdes, m’i shlyej borxhet, pasi Zoti nuk do të më falë derisa të shlyhen borxhet e mia.”
Abdullahu i tha: “O baba! Por unë nuk kam haber nga shitblerja e tokave.”
Zubejr i tha: “O biri im! Kërkoji ndihmë Padronit tim për shlyerjen e borxhit!” Abdullahu e pyeti i habitur: “Padronit tënd?! Kush qenka ky?!” Zubejr iu përgjigj: “Allahu i lartësuar. Ai më ka mësuar që sa herë mendoj mirë për Zotin, ma realizon qëllimin. Sa herë që zhytesha në borxhe, ngrihesha në mesnatë dhe i lutesha me fjalët: “O Padroni i Zyberit! Shlyeja borxhin Zyberit!” Për Zotin, o biri im! Nuk kalonin tre ditë dhe borxhi i Zyberit shlyhej.”
Tregon Zyberi: “Babai vdiq në betejë ashtu siç pritej. Unë u rreka t’i shlyej borxhet për tre ditë, por dështova. Atëherë thashë me vete: “Duhet t’i kërkoj ndihmë Padronit të Zyberit!” Në mes të natës, u ngrita dhe u luta: “O Padron i Zyberit! Shlyeja borxhet Zyberit!” Për Zotin, të nesërmen vjen Hakim ibnu Huzami, i cili më tha: “Dua të blej filan truall të Zubejrit!” Unë e pyeta: “Sa jep?” Ai u përgjigj: “Tre milionë dërhemë.”
Pasi shleva borxhin që më porositi babai, thirra mes njerëzve: “Kujt i ka mbetur babai im borxh, le të vijë të marrë borxhin!”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush thotë kur del nga shtëpia: “Me emrin e Zotit, i jam mbështetur Allahut. Nuk ka forcë që më shtyn drejt të mirës dhe që më ndalon nga e liga, përveç Zotit.” Melekët i thonë: “Je udhëzuar, je mjaftuar dhe je mbrojtur.”
Ebu Derda e citonte sa herë që dilte nga shtëpia këtë lutje, i bindur në atë që kishte dëgjuar nga Profeti (a.s.). Një ditë, dikush i thotë: “O Ebu Derda! Shko te shtëpia pasi po të merr flakë!” Ebu Derda u mendua pak dhe i tha: “Jo, nuk po merr flakë.” Burri i tha: “Po të them që e gjitha lagjja ka marrë flakë.” Ebu Derda i tha: “E gjithë lagjja po të digjet, shtëpia ime nuk digjet.” Burri e pyeti: “Mos ishe te shtëpia tani?!”
Ebu Derda iu përgjigj: “Jo, por i dërguari i Zotit (a.s.) më ka mësuar të them një lutje dhe jam i bindur se kushdo që e citon para se të dalë nga shtëpia, do të udhëzohet, mjaftohet dhe do të mbrohet.”
Aq sa të presësh prej Zotit, aq do të marrësh prej Tij. Përse duhet të përjetosh ankth dhe stres për të ardhmen tënde atëherë?
 
Tregon Sehl El-Kati: “Një natë pashë në ëndërr Malik ibnu Dinarin, pas vdekjes së tij dhe e pyeta: “O Malik! Çfarë bëri Zoti me ty?” Ai u përgjigj: “Unë dola para Zotit me gjynahe të shumta, por që i fshiu mendimi im i mirë për Zotin.”
 
Vahshij që kishte vrarë Hamzanë, xhaxhain e Profetit (a.s.), i shkruan një letër të dërguarit të Zotit ku e pyeste nëse Zoti ia pranonte pendimin. Profetit (a.s.) i shpallet ajeti: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë.” (Nisa, 48) Por Vahshi thotë: “Unë kam frikë se mund të mos jem nga kjo kategori.” Mandej, Profetit (a.s.) iu shpall ajeti: “ Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija me vepra të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan, 70)
Vahshi tha: “Unë nuk kam vepra të mira që Zoti të ma pranojë pendimin.” Atëherë Profetit (a.s.) i shpallet ajeti:
“Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer, 53)
Atëherë Vahshi pranoi Islamin dhe u pendua.
 
Sado të shumta dhe të rënda qofshin gjynahet e robit, e kanë një fund, ndërsa mëshira e Zotit është e pafund. Nëse dyshon se Zoti mund të mos t’i falë gjynahet, kjo është njëlloj sikur të besosh se gjynahet e tua janë më të mëdha se mëshira e Zotit.
Kurrë mos u frikëso për të ardhmen... Shpeshherë, Zoti të mbyll një derë me qëllim që të hapë dyer të tjera. Ibnul Kajjim ka thënë: “Boshatise mendjen tënde nga preokupimet për të ardhmen. Kjo, pasi risku dhe jeta janë dy miq që nuk ndahen. Përderisa ke jetë të garantuar, ke edhe risk të garantuar. Nëse Zoti me urtësinë e tij ta mbyll një portë risku, të hap me mëshirën e tij porta të tjera më të dobishme.”
Embrioni në barkun e nënës e merr ushqimin të gatshëm nga nëna, nëpërmjet kërthizës. Kur lind, fëmija qan pasi e humbi burimin e ushqimit me të cilin ish mësuar. Por Zoti që i ndali një burim ushqimi, i ka përgatitur dy burime të tjera ushqimi, nëpërmjet qumështit të nënës. Pasi mbush periudhën e mëkimit dhe nëna e shkëput nga ushqimi me qumësht, fëmija përsëri qan pasi humb burimin e ushqimit me të cilin ish mësuar. Por Zoti i hap katër burime dhe rrugë të tjera furnizimi, dy ushqime dhe dy pije. Dy ushqimet janë bimët dhe mishi i kafshëve, kurse dy pijet janë qumështi i bagëtive dhe uji.
Kur i vjen vdekja njeriu përsëri qan, pasi i humbet të mirat me të cilat ish mësuar. Por nëse ka qenë njeri besimtar, Zoti do t’i hapë tetë dyert e xhenetit.
 
Shpeshherë, duke pasur frikë dhe ankth për të ardhmen, njerëzit zhyten më shumë në gjynahe dhe gabime të rënda. Ajo ishte një grua e martuar me një burrë, të cilin e donte shumë dhe Zoti u kishte falur dy fëmijë të mrekullueshëm. Jeta e tyre vazhdonte e qetë, plot dashuri, adhurim për Zotin, edukim të fëmijëve me besim dhe morale të larta etj... Por papritur shfaqet një fantazmë nga vitet e shkuara, vitet para pendimit dhe udhëzimit, shfaqet një shejtan me formën e njeriut. Ajo kishte pasur marrëdhënie me këtë burrë para martese dhe para se të pendohej. Gjithçka ishte harruar pasi ishte martuar dhe kishte filluar një jetë të re. Personi me të cilin kishte qenë e lidhur, filloi ta kërcënonte se do ta demaskonte nëse nuk kthehej sërish tek ai, pasi siç pretendonte e donte. Ai i dërgonte foto kompromentuese herë pas here, si formë shantazhi që t’i bindej. Shpeshherë i dërgonte mesazhe dhe fjalë të ëmbla, të cilat ajo ia kishte thënë asokohe. E gjendur në një stres dhe ankth të rëndë, e frikësuar nga skandali para fëmijëve dhe të shoqit, ajo vendos të dorëzohet, por në një çast i kujtohet Zoti. Ajo vetë ka treguar: “Menjëherë e mblodha veten dhe thashë: ‘Ti tashmë je penduar dhe ke startuar një jetë të re, me besim tek Zoti. Unë do të përballem me këtë problem dhe jam e bindur se Zoti nuk do të më braktisë.’ Menjëherë vajta te burri im dhe i tregova gjithçka. Në fillim, ai u nevrikos dhe u mërzit shumë. Çdo natë unë qaja me dënesë dhe e lusja Zotin të më qëndronte pranë dhe të më ndihmonte. Mendimi dhe pritshmëritë e mia nga Zoti ishin shumë të mëdha. Kaloi një javë dhe burri nuk fliste fare. Një ditë, befas më tha: ‘Ulu! Unë kam besim te ti dhe në sinqeritetin tënd me Zotin. Përderisa Zoti i fal robërit e tij për të kaluarën, përse mos të fal unë?!’ Ai mori fantazmën në telefon dhe i tha: ‘Unë jam burri i filanes dhe di gjithçka ka ndodhur. Nëse do të telefonosh sërish apo do ta ngacmosh në çfarëdo rruge, dije se do të njoftoj policinë dhe do të kesh punë me ligjin.’ Që atë ditë fantazma u zhduk.” Nëse nuk do të ishte mendimi i mirë te Zoti, unë do të kisha rënë pre e presionit dhe e shantazhit.”
 
Si ta përsos këtë adhurim?
Me qëllim që të kesh mendim të mirë për Zotin, ushtrohu me tre gjëra:
E para, përkujtoje Zotin sa më shumë. Hadithi që kemi përmendur në fillim të kësaj teme, ka dhe një pjesë të dytë, të cilën ne nuk e kemi cituar akoma. Hadithi i plotë është:
"Unë jam tek pritshmëria e robit prej Meje, prandaj të presë robi Im ç’të dojë prej Meje. Nëse pret nga Unë diçka të mirë, e meriton. Nëse pret nga Unë diçka të ligë, e meriton. Unë jam me të sa herë më përkujton.” Nëse e përkujton Zotin shpesh, do të thotë që ke mendim të mirë dhe pret gjëra pozitive prej Zotit.
E dyta, shkruaje këtë hadith në një letër dhe vendose në dhomën tënde që ta lexosh sa më shpesh dhe ta kesh parasysh. Të gjithë këto fjalë që themi, nuk kemi synim thjesht gjëra emocionale që t’ju qetësojmë përkohësisht dhe mandej t’i ktheheni sërish ankthit dhe stresit. Jo për Zotin. Unë dhe grupi i punës me të cilët bashkëpunoj, po përpiqemi t’ju ofrojmë receta të dobishme dhe zgjidhje alternative për ankthin dhe hallet tuaja. Nëse ilaçet të mpijnë dhe të qetësojnë përkohësisht, adhurimet dhe ibadetet shërbejnë për të të dhënë forcë për më shumë sukses.
E treta, kujtoji të mirat që të ka dhënë Zoti në të kaluarën. Kur profeti Muhamed (a.s.) u stresua dhe u mërzit ngaqë Xhibrili (a.s.) nuk po i shfaqej sërish, ngaqë mendonte se mund ta kishte braktisur Zoti, atij iu shpall surja Duha. Në këtë sure, Zoti i kujton Profetit (a.s.) të mirat dhe përkujdesin hyjnor gjatë viteve të kaluara. Zoti thotë në Kuran: “Se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)! Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë, e, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur. A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë? A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi? A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?” (Duhan, 3-8)
Ai që është përkujdesur në këtë formë në të kaluarën, do të përkujdeset edhe në të tashmen. Kurrë mos i harro të mirat dhe begatitë e Zotit në të kaluarën tënde. Ato janë burim energjie për të ardhmen.
“Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën e cila ta rëndonte tepër kurrizin, dhe ta ngritëm lart emrin?! Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë - vjen lehtësimi! Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” (Inshirah, 1-8)
“Dhe kujtohuni kur ishit pak në numër, ishit të dobët në tokë e kishit frikë se njerëzit (mosbesimtarët) do t’ju gllabëronin! Ai ju strehoi dhe ju forcoi me ndihmën e Tij e ju dha shumë të mira, që ju ta falënderoni.” (Enfal, 26)

Kij mendim të mirë për Zotin dhe beso se Ai do t’i pranojë lutjet tuaja. Tregon Ebu Hurejre se i dërguari i Zotit (a.s.) ka thënë: “Mos thotë askush prej jush “O Zot më fal mua nëse do, o Zot më mëshiro mua nëse do!” Por luteni Zotin me vendosmëri, pasi asgjë nuk është më e madhe se Zoti.”
Tregon Ubade ibnu Samit se i dërguari i Zotit (a.s.) ka thënë: “Nuk ka mysliman mbi faqe të tokës që i lutet Zotit për diçka, veçse Ai do ia japë atë, ose mund t’i largojë një fatkeqësi ekuivalente me lutjen e tij. Kjo, përderisa nuk lutet për diçka të ligë ose shkëputje të lidhjeve farefisnore.”
 
A mendon dhe pret që Zoti t’u përgjigjet lutjeve të tua? Dije se Zoti ka premtuar se agjëruesit i pranohet lutja në kohën e iftarit. A beson dhe mendon se Zoti do të gjejë një punë të përshtatshme? Dije se me të filluar të kërkosh dhe të interesohesh, do e gjesh atë. A pret dhe beson se Zoti do të gjejë një njeri të ndershëm o motër për të kaluar jetën me të sipas vullnetit dhe ligjeve të Zotit? A pret dhe mendon se Zoti do të të ndihmojë të jesh i suksesshëm me mësime? Hidh hapin e parë dhe do të shohësh ndihmën e Zotit në çdo hap.


 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free