Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jo urrejtjes

Gjatë jetës, njeriu është i detyruar të kontaktojë dhe të fërkohet me shumë njerëz. Kjo gjë shkakton mllefe, urrejtje, zili dhe inate. Shkaku i këtyre sëmundjeve kthehet te diversiteti. Zoti i lartësuar, kur i krijoi njerëzit i krijoi të ndryshëm nga njëri-tjetri. Madje, jo vetëm njerëzit, por kudo që të hedhësh sytë në univers, dallon shumëllojshmëri dhe diversitet. Bota e bimëve, e zogjve, e njerëzve dhe gjithçka tjetër është plot diversitet. Ne si njerëz kemi pamje të ndryshme nga njëri-tjetri, fytyra të ndryshme, shenja gishtash të ndryshëm, aroma të ndryshme, zëra të ndryshëm, ngjyra të ndryshme etj… Nga ky diversitet lindin dhe fërkimet mes nesh, gjë e cila shkakton urrejtje, zili dhe dëshirë për ta hequr qafe tjetrin. Një njeri që jeton me këto ndjenja është e pamundur të jetojë i lumtur.
Duke u bazuar në diversitetin që na karakterizon, në këtë temë ne do të bëjmë thirrje për mirëkuptim, për t’i thënë “jo” urrejtjes dhe mllefit, ta pranojmë tjetrin ashtu siç është, pa e lënduar dhe pa e urryer. Kjo nuk do të thotë të pajtohemi me tjetrin në gjithçka. Jo. Unë do të vazhdoj të kem mendimin tim, por zemrën do ta pastroj nga zilia, mllefi dhe urrejtja për kundërshtarin. Nuk ka përse t’i dua të keqen, ta nëpërkëmb dhe ta ofendoj dikë me të cilin ndaj mendim të ndryshëm.
Mua më vjen shumë keq kur shoh njerëz, të cilët ndajnë mendime të ndryshme me të tjerët dhe shfrytëzojnë kanalet satelitore jo për të shprehur mendimin e tyre, por për të sharë të tjerët, për t’i ofenduar dhe për të dëmtuar imazhin e tyre. Kush mendon se kështu mund t’i sjellë lumturi vetes dhe të tjerëve e ka shumë gabim. Në emisione të tilla debati, vetëm villet vreri e mllefi i akumuluar.
Ka shumë të tjerë që përdorin internetin për të sharë, për të ofenduar dhe për të mallkuar të tjerët. Forumet në internet, facebook dhe faqe të tjera të ngjashme, janë kthyer në faqe ku villet vrer për të tjerët, të cilët janë të ndryshëm.
Diversiteti është një nga ligjet universale dhe të luftosh një ligj të tillë tregon mendjelehtësi dhe papjekuri. A është e mundur që mendimet tona të ndryshme, kundërshtitë dhe mospajtueshmëritë të mos na çojnë në urrejtje ndaj njëri-tjetrit? Vetëm nëse e arrijmë këtë mund të garantojmë një jetë më të lumtur mbi tokë.
Me qëllim që diversiteti të mos shkaktojë urrejtje, luftëra e përçarje, profeti Muhamed (a.s.) na ofron pesë rregulla esencialë. Ato u përngjajnë pesë pishtarëve për një jetë pa urrejtje, mllef e inat për tjetrin që është i ndryshëm. Këto rregulla na ndihmojnë që me tjetrin që është ndryshe nga ne, jo vetëm të mos mbajmë mëri e të mos vjellim vrer, por edhe të jetojmë si miq.
Dallimet dhe kundërshtitë fillojnë që në familje, mes burrit dhe gruas, mes fëmijëve dhe prindërve dhe shtrihen mes komshinjve, punëdhënësve e punëmarrësve, myslimanëve dhe jomyslimanëve etj…
Nëse do t’i respektojmë pesë rregullat e vëna nga Profeti (a.s.), do të shohim që personat me të cilët kemi mospajtime dhe kundërshti, nuk do të na irritojnë aq shumë sa më parë. Këto rregulla janë:
 
1 – Shihe diversitetin si vlerë dhe jo si një e metë. Për këtë lipset të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Nga eksperienca ime, sa herë që nuk pajtohesha me dikë, ndihesha i tensionuar dhe irritohesha. Më vonë, fillova t’i ushqej vetes që diversiteti është vlerë dhe jo e metë. Ekzistenca e mendimeve të ndryshme, është dobiprurëse dhe jo e kundërta.
Unë dhe gruaja ime kemi mendime të ndryshme mbi formën e edukimit të fëmijëve tanë, të Aliut dhe të Umerit. Gruaja ime kërkon prej tyre disiplinë në çdo gjë, të ushqehen me orar, të flenë me orar etj… ndërkohë që unë personalisht kam një orientim tjetër. Unë besoj se duhet të ndihen të pavarur, të mendojnë lirisht, të kenë kohën e tyre, të mos u kërkohet disiplinë me qëllim që të mendojnë lirisht dhe të kenë kreativitet etj…
Një dallim i tillë mes nesh, shpeshherë bëhej shkak i mosmarrëveshjeve dhe i konflikteve familjare. Më vonë, filluam të kuptojmë se ndërthurja e dy metodave, do t’u bënte më shumë dobi fëmijëve tanë. Nëse nga bashkëshortja ime do të merrnin disiplinën dhe nga unë lirinë për kreativitet, do të pajiseshin me aftësi të pazakonshme.
Kur unë dhe bashkëshortja u pajtuam me këtë, për Zotin ndryshoi gjithçka mes nesh. Që atëherë ne ndihemi rehat si me njëri-tjetrin, ashtu dhe me fëmijët.
Një i ri ka mosmarrëveshje me babanë - të themi – për përdorimin e internetit. Sa herë që babai e sheh duke përdorur internetin, nevrikoset dhe e kritikon, pasi mendon se është humbje kohe. Ndërkohë që i riu e sheh internetin si diçka themeltare për t’u aftësuar. Në pamje të parë duket sikur mes tyre nuk mund të gjendet gjuha e përbashkët. Por nëse të dy do ta konsiderojnë internetin si diçka që mbart vlera, por duhet disiplinuar koha, atëherë mosmarrëveshjet do të shuheshin mes tyre.
Dy ortakë në një kompani, kanë këndvështrime të ndryshme mbi komunikimin me vartësit dhe punëmarrësit. Njëri është i rreptë me punonjësit dhe kërkon prej tyre disiplinë, ndërkohë që tjetri përdor shpërblimet dhe stimujt për të rritur rendimentin. Nëse të dy do të bashkëpunonin, do të arrinin rendimente dhe rezultate shumë të larta në punën dhe aktivitetin e tyre.
Unë nuk e kuptoj përse disa njerëz nuk e pranojnë diversitetin. Imagjinojeni për disa çaste sikur të gjithë njerëzit të merrnin pamjen, tiparet dhe veshjet e tua. Vallë si do të ndiheshe pas një jave? Ta them unë, do të çmendeshe fare. Prandaj, diversiteti është vlerë dhe mirësi prej Zotit.
Tre ngjyrat kryesore janë e kuqja, e gjelbra dhe bluja. Të gjitha ngjyrat e tjera burojnë nga kombinimi i këtyre të triave. Nëse këto të tria nuk do të përziheshin me njëra-tjetrën, ngjyrat do të ishin shumë të varfra. Me t’u përzier dhe me t’u shkrirë, ato na ofrojnë një diversitet ngjyrash mahnitëse.
Dy shokë të Profetit (a.s.) ishin në udhëtim e sipër. Gjatë rrugës, atyre u mbaron uji dhe nuk kishin me çfarë të merrnin abdes. Kështu, morën tejemum dhe u falën. Para se të hynte koha e namazit tjetër, ata gjetën ujë. Njëri prej tyre vendosi të merrte abdes dhe të përsëriste namazin që kishte falur me tejemum, ndërsa tjetri refuzoi. I pari e përsëriti namazin, kurse i dyti jo. Kur shkuan te Profeti (a.s.) dhe i rrëfyen gjithçka që kishte ndodhur, Profeti (a.s.) i tha të parit: “Ke fituar shpërblimin për dy namaze.” Kurse të dytit i tha: “Ke vepruar konform sunetit tim.” Pra, të dy kishin vepruar drejt, pasi Profeti (a.s.) u tha fjalë vlerësuese të dyve.
Është normale që sa herë që të mos pajtohesh me njerëzit përreth, të ndihesh i pezmatuar dhe i irrituar. Kjo, nëse nuk e sheh diversitetin si vlerë dhe mirësi. Që sot, ndryshoje mënyrën e të menduarit dhe shihe diversitetin si vlerë. Unë nuk të them të heqësh dorë nga mendimi yt dhe të bësh lëshime, por tento të gjesh hapësira të përbashkëta.
Nëse ke mospajtime dhe kundërshti me dikë, të paktën bëje me dhembshuri dhe mëshirë.
 
2 – Peshoji njerëzit me të mirat dhe të metat e tyre. Nëse dikush është sjellë keq me ty, ka thënë diçka jo të hijshme që të ka vrarë, apo ka mendim të ndryshëm me mendimin tëndin, mos u nxito ta paragjykosh dhe ta injorosh. Unë të këshilloj që kur t’i radhisësh të metat, menjëherë pas tyre të fillosh t’i radhisësh vlerat dhe avantazhet e tij.
Ebul As ibnu Rebia, ishte burri i vajzës së Profetit (a.s.). Ai refuzoi të përqafonte Islamin dhe mori pjesë në betejën e Bedrit kundër myslimanëve dhe vetë vjehrrit të tij. Megjithatë, kur u zu rob nga myslimanët, Profeti (a.s.) tha fjalë vlerësuese.
”O ju njerëz! Nga ky person nuk kam parë asnjë të keqe si dhëndër. Ai ka qenë i sinqertë në ato që më ka thënë. Sa herë më ka premtuar diçka e ka mbajtur fjalën.”
Kur Aisheja u akuzua për çështje nderi nga mynafikët, një ndër ata që kontribuuan në përhapjen e kësaj akuze ishte dhe Hasan ibnu Thabit, poeti i Profetit (a.s.). Kjo, edhe pse ishte shok i Profetit (a.s.). Disa kohë pas vdekjes së Profetit (a.s.), Urve ibnu Zubejr (nipi i Aishes) e sheh Hasanin rrugës dhe nga inati që nuk ishte shuar akoma, niset t’i hidhet sipër. Aisheja që u ndodh aty pranë ndërhyn dhe i thotë: “Mos Urve! Është e vërtetë që ai foli keq për mua asokohe, por Hasani ka dhënë kontribut të madh në mbrojtjen e të dërguarit të Zotit.”
Peshimin e të mirave dhe të të metave të tjetrit, duhet ta zbatojmë fillimisht me familjet tona. Vetë Profeti (a.s.) na këshillon që: “Një besimtar nuk grindet me një besimtare (gruan e tij). Nëse tek ajo urren një sjellje, do t’i pëlqejë një sjellje tjetër.”
Peshojini njerëzit me të mirat dhe të metat e tyre dhe përderisa të mirat janë më shumë, tregohuni zemërgjerë dhe babaxhanë.
 
3 – Sa herë të keni mospajtime me njerëzit, hetoni hapësirat e përbashkëta me ta. Gjatë rinisë time, nuk gjeja diçka që të më bashkonte me babanë. Unë isha i ri, kisha ambiciet dhe shqetësimet e moshës, ndërkohë që babai ishte i moshuar dhe interesohej për gjëra krejt të ndryshme. Të gjendur në një situatë të tillë, filluam të kërkonim diçka të përbashkët, derisa zbuluam interesin për futbollin. Kështu, filluam të ndjekim kampionatet e ndryshme të dy bashkë.
Nëse një nënë ka mospajtime dhe kontradikta me vajzën e saj, le të kërkojë diçka të përbashkët me të. Nëse të dyjave u pëlqen psonisja, le ta bëjnë bashkarisht këtë. Nëse kërkon të gjesh një hapësirë të përbashkët, heto se çfarë i pëlqen tjetrit. Prandaj, me të përfunduar së lexuari këtë temë, heto mbi të përbashkëtat me një person me të cilin ke mospajtime dhe kundërshti. Ajo hapësirë e përbashkët që do të zbulosh dhe do ta shfrytëzosh, do t’i shuajë shumë probleme mes jush. Unë uroj që diçka të tillë ta bëni fillimisht me familjarët tuaj. A është e logjikshme që të kesh mosmarrëveshje me vëllamë tënd? Nëse me vëllanë u ndajnë 99 gjëra, patjetër që do të gjendet vetëm një element që ju bashkon. Përse të mos e bëjnë të njëjtën gjë prindërit me fëmijët e tyre? Nga konsulencat me të rinjtë, shumë prej tyre më pohojnë se ndihen të braktisur dhe të vuajtur, pasi prindërit nuk i kuptojnë, nuk tregojnë interes për ta dhe nuk i ndajnë shqetësimet dhe ambiciet me ta. Gjëja më e dobishme është që me tjetrin të ndani ambiciet, t’i ofroni ndihmën dhe përkrahjen tuaj, të interesoheni për të etj...
Shumë vajza më thonë: Nuk kemi askënd që të na përkëdhelë, nuk kemi askënd me të cilin të qajmë hallet dhe që të na dëgjojë.
Kundërshtitë dhe mospajtimet shkaktojnë vuajtje dhe irritim. Me qëllim që ta reduktojmë nivelin e vuajtjeve dhe të jetojmë më të lumtur, ne duhet të respektojmë këto pesë rregulla për të cilat po flasim.
Zoti e ka krijuar këtë botë shumë të bukur dhe tërheqëse. Ai nuk dëshiron që ne të vuajmë dhe të jetojmë në stres dhe ankth. Ajo që ne duhet të bëjmë, është që të aftësohemi për misionin mbi tokë dhe të dimë si të reagojmë në çaste të caktuara dhe me njerëz të caktuar. Unë po përpiqem që t’ju ofroj çelësa profetikë, për të shuar divergjencat dhe mospajtimet mes jush.
Kurejshët patën krijuar një aleancë, me të cilën synonin t’u vinin në ndihmë dhe të përkrahnin njerëzit, të cilëve u bëhej padrejtësi. Edhe pse pas profecisë, Profeti (a.s.) thoshte: “Nëse kurejshët do të më ftonin në një aleancë të tillë, do t’u përgjigjesha.”
Pra, nëse më ftojnë në hapësirat e përbashkëta, unë e anuloj situatën e luftës me ta.
Hixhreti i Profetit (a.s.) u realizua në sekret të plotë. Vetë kurejshët donin ta kapnin Profetin (a.s.) dhe kishin caktuar një shpërblim të majmë. Kallauzi i Profetit (a.s.) përgjatë hixhretit ishte Abdullah ibnu Urejkit, një pagan. Si është e mundur që për një çështje kaq sekrete, Profeti (a.s.) të kërkonte ndihmën e një idhujtari?! Po. Përderisa gjenden hapësirat e përbashkëta, nuk prish punë. Ai ishte njeri i besueshëm dhe Profeti (a.s.) kishte besim të plotë tek ai. Ndërkohë sot dëgjojmë zëra të thonë: “Unë nuk i kam besë një jomyslimani te pasuria ime”. Ndërsa Profeti (a.s.) i besonte jetën një idhujtari. Në rrethanat më të vështira për të, Profeti (a.s.) gjente hapësira të përbashkëta edhe me idhujtarë si Abdullah ibnu Urejkit, duke e pranuar si kallauz.
 
4 – Nëse ke mospajtime me dikë, mos e thyej dhe mos kërko ta heqësh qafe një herë e mirë. Nëse je i suksesshëm, lëri dhe të tjerët të jenë të suksesshëm. Nëse jeton, lëri dhe të tjerët të jetojnë. Diçka e tillë pasqyrohet qartë në gjithë jetën e profetit Muhamed (a.s.). Kur myslimanët morën Mekën, tashmë kishin në dorë kurejshët, të cilët për dy dekada me radhë i kishin torturuar dhe u kishin shkaktuar shumë vuajtje. Në një çast, vjen Abasi, xhaxhai i Profetit (a.s.) dhe i thotë: “O i dërguari i Allahut! Ma jep çelësin e Qabes mua, që t’i privojmë Benu Shejbet nga ky nder. Profeti (a.s.) ia ktheu: “Jo o Abas! Çelësi do t’u mbetet atyre sërish.”
Me këtë, sikur Profeti (a.s.) thoshte: Unë nuk kam ardhur ta thyej tjetrin, ta shkatërroj dhe ta asgjësoj përfundimisht. Profeti (a.s.) nuk i besonte idesë se kush nuk është me mua është kundër nesh. Ka të tjerë që mendojnë se kush nuk qëndron në krah me të, është kundër vetë vullnetit të Zotit. Njerëz të tillë keqpërdorin fenë për të triumfuar ndaj kundërshtarëve të tyre.
Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli im dhe i profetëve para meje, i ngjan një burri që ka ngritur një shtëpi, përveç një tulle të cilën nuk e ka vendosur akoma. Unë jam ajo tullë dhe unë jam vula e të gjithë profetëve.”
Profeti (a.s.) nuk i zhvlerëson të tjerët, pasi i përkasin një kohe dhe populli të ndryshëm. Jo. Mbi themelet e tyre, ai ndërton pjesën që i përket të ndërtojë.
Në një hadith tjetër, ai thotë: “Unë jam dërguar që të plotësoj moralet më të larta.”
Pra, ai e pranon që para tij ka pasur profetë të tjerë, të cilët kanë hedhur bazat e moraleve. Ai thotë se është plotësues i moraleve dhe jo themeluesi i tyre. Që të ndriçojë pishtari yt, nuk është e thënë të shuash pishtarët e të tjerëve.
Kur Umer ibnul Hattabi mori çelësin e qytetit të Kudsit (Jerusalemit) i kërkuan të falej në kishën e Ringjalljes, por ai refuzoi me pretekstin: “Kam frikë se brezat që do të vijnë, do të thonë se këtu është falur Kalifi Umer, do ta shembin kishën dhe në vend të saj do të ndërtojnë xhami.”
 
5 – Mos akuzo, mos shpif, mos fyej dhe mos shaj. Nëse je i vendosur t’u shkosh deri në fund divergjencave dhe mospajtimeve me tjetrin, të paktën ruaj gjuhën.
Suhejl ibnu Amr ishte shumë orator dhe shfrytëzonte çdo çast që t’i fyente dhe t’i përbuzte myslimanët. Ai kapet rob nga myslimanët në betejën e Bedrit. Umer ibnul Hattabi, me ta parë mes robërve i thotë Profetit (a.s.): “O i dërguari i Allahut! Më lejo t’ia shkul dhëmbët Suhejl ibnu Amrit, që sa herë të na shajë, të bëhet gazi i botës.”
Profeti (a.s.) ia ktheu: “Jo o Umer! Ndoshta vjen një ditë, ku ti do ta lëvdosh për qëndrimin që do të mbajë.”
Kalojnë vite, vdes Profeti (a.s.), shumica e fiseve arabe braktisin Islamin dhe kurejshët mendojnë të njëjtën gjë. Në këtë kohë, ndërhyn Suhejl ibnu Amr dhe u thotë: “O banorë të Mekës! Ju ishit të fundit që e pranuat Islamin, prandaj mos u bëni të parët që e tradhtoni atë! Në të kundërt do të bëheni gazi i arabëve!” Kështu, ai u bë shkas që kurejshët të mos e braktisin Islamin. Kur e dëgjon këtë Umeri, i rrjedhin lot pasi i kujtohet fjala e Profetit (a.s.) dhe thotë: “U vërtetua fjala e të dërguarit të Zotit (a.s.).”
Nëse Profeti (a.s.) do t’i kishte sharë dhe ofenduar kurejshët, Halid ibnul Velid nuk do ta kishte pranuar Islamin, po kështu Amr ibnul Asi etj... Edhe pse mes Profetit (a.s.) dhe mekasve zhvilloheshin luftëra, ai nuk i shante dhe nuk i ofendonte.
A është e mundur ta përmbash veten dhe të mos shash, të mos i ofendosh dhe fyesh të tjerët? Kjo, edhe nëse të shajnë dhe të ofendojnë ata të parët. Thuhet që kur minjtë organizohen në tufa dhe rrekeshin të sulmonin skifterin, ky i fundit nuk hynte në luftë me ta, por thjesht fluturonte më lart. Kështu, nëse të shajnë bëhu si skifteri, thjesht fluturo më lart, demonstroji aftësitë e tua, tregoju sa i suksesshëm je.
Disa njerëz i justifikojnë sharjet dhe fyerjet që u drejtojnë kundërshtarëve me pretendimin se po mbrojnë të drejtën dhe të vërtetën. Imam Malik ka thënë: “Nëse sheh dikë që pretendon se mbron të drejtën dhe shan e ofendon, dije se ka nijet të çalë. E drejta nuk ka nevojë për gjëra të tilla. Vetë i Drejti absolut këshillon që debatin me të tjerët ta zhvillojmë në formën më të mirë.”
Pasi të lexosh këtë temë, ulu dhe shkruaj emrat e personave me të cilët ke mospajtime. Mandej, secilin prej tyre trajtoje me një nga rregullat që cekëm.
 


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free