Korrupsioni në Islam
Allahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (El – Bekare, 188)“O ju që besuat, mos e hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete, dhe mos mbyteni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtetë, Allahu është i mëshirshëm për ju.” (En – Nisaë, 29)
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut të Madhërishëm i cili nëpërmes hallallit na ka bërë të pavarur nga harami. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përpos Allahut i Cili ka premtuar atij që është i devotshëm që do t’i jepë zgjidhje nga çdo situatë dhe e furnizon nga nuk shpreson siç vërteton Kur’ani fisnik: “. . . e kush iu përmbahet dispozitave të Allahut, atij i hap rrugë dhe e furnizon atë nga nuk e kujton fare . . .” (Et – Talakë, 2 – 3)
Të ruhemi nga koprracia, sepse kjo i shkatërroi popujt para nesh. Allahu i Madhërishëm, ndalon marrjen e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë, përveç asaj që vërteton Sheriati, sikurse transaksionet ekonomike të lejuara, këmbimit të drejtë të mallit dhe mjeteve, dhuratave, si dhe mënyrën e obliguar të ndarjes sikurse zekati, furnizimi i familjes, kthimi i borxhit, etj.
Marrja e pasurisë së njerëzve pa mbështetje të sheriatit, shkakton padrejtësi dhe armiqësi. Për këtë Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:”Nuk lejohet pasuria e muslimanit përveç kur ai i jepë vullnetarisht.” Gjithashtu thotë: “Jeta e juaj, pasuria dhe nderi juaj janë të ndaluara mu sikur që është e shenjtë kjo ditë e juaja, në këtë muaj tuaj dhe në këtë qytet tuaj.”
Është obligim i atij që u janë besuar udhëheqja e muslimanëve të kryejë obligimet kolektive në mënyrë të përkryer. Ky është emanet dhe për këtë do të pyetemi Ditën e Gjykimit. Është obligim me iu përmbajtë kohës së paraparë për kryerjen e punës.
Obligim është me qenë i drejtë në mesin e njerëzve duke ia dhënë secilit të drejtën e tij.
Duhet me qenë i ashpër për përdorimin e forcës por edhe i butë pa treguar dobësi.
Të punësuarit nuk duhet t’i nënshtrohen të fuqishmëve, duke nënçmuar të dobëtit.
Udhëheqësi i besimtarëve, Omer ibnul – Hattabi r.a. i ka thënë njërit prej mëkëmbësve të tij:”Shikoji njësoj njerëzit rreth teje, që të shikojnë dhe të cilët i gjykon në mënyrë që kryeparët mos të dëshirojnë padrejtësinë tënde, ndërsa të dobëtit të humbasin shpresën në drejtësinë tënde. Ruhu zemërimit, brengës, tiranisë, shqetësimit të njerëzve dhe debatimeve të ashpëra. Allahu obligon gjykimin me drejtësi, e për këtë ekziston shpërblimi dhe kujtimi i bukur në këtë botë. Qëllimet që janë të sinqerta dhe anojnë kah drejtësia, qofshin edhe kundër tij, Allahu do t’i mjaftojë ndaj njerëzve tjerë. Ai i cili zbukurohet me atë që nuk i takon, Allahu do ta poshtërojë. Allahu nga robërit pranon vetëm veprat e sinqerta.”
Puntor! Dije që nga ti është blerë aq kohë sa fiton nga paga mujore. Nga ti është blerë punë që kryen në punë të caktuar. Për çdo minutë që kalon jashtë punës që je i obliguar merr pasuri të palejuar. Me çdo punë jashtë punës obligative ke thyer emanetin dhe premtimin dhe për këtë do të përgjigjesh Ditën e Gjykimit. Çdo para që ke marrë nga njerëzit për t’iu kryer punët paraqet ryshfet, korrupsion dhe padrejtësi. Dëgjo se çfarë thotë Pejgamberi s.a.v.s.:”Allahu e ka mallkuar atë që jep dhe merrë ryshfet.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Hakimi dhe Ibn Hibbani nga Ibn Omeri r.a.).
Et – Taberaniu me varg transmetuesësh të mirë, gjithashtu nga Ibn Omeri transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Edhe ai që merrë edhe ai që jep ryshfet janë në zjarr.”
Ahmedi nga Theubani r.a. transmeton: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. e ka mallkuar atë që jep, atë që merrë dhe atë që ndërmjetson në marrjen e ryshfetit.” Et – Taberaniu me varg transmetues të mirë nga Ibn Abbasi, transmeton:
“Ryshfeti në pushtet është kufër, dhe marrje e padrejtë e pasurisë së njerëzve.”
El – Hakimi nga Ibn Abbasi transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kush mbi vete merrë përgjegjësinë për dhjetë veta dhe gjykon si ju përgjigjet atyre, do të vijë Ditën e Gjykimit i prangosur. Nëse është i drejtë, nuk merrë ryshfet dhe nuk sillet si tiran, Allahu do ta lirojë. Nëse gjykon jo sipas asaj që Allahu ka shpallur, merrë ryshfet dhe tregohet i njëanshëm, dora e majtë i lidhet me të djathtën, dhe do të hudhet në xhehennem, ndërsa thellësia e tij arrin pesëqind vjet.” Në hadithe gjithashu përmendet:”Secili trup i rritur me ushqim nga pasuria e palejuar është më afër zjarrit.” dhe “Në Xhennet nuk do të hyjë trupi i rritur me furnizim nga pasuria e palejuar.” (Ibn Hibbani)
Ryshfeti është i ndaluar sipas konsenzuesit të gjithë muslimanëve, pa marrë parasysh a ka të bëjë me gjykata ose me shërbimet në institucionet shtetërore dhe joshtetërore.
Përhapja e ryshfetit në shoqëri është shenjë i përhapjes së parregullsisë dhe padrejtësisë. Ryshfeti shkakton krim dhe armiqësi. Asnjëherë ryshfeti nuk është përzier me një punë e që nuk e ka prishur, ose ka hyrë në ndonjë sistem e që nuk e ka rrënuar.
Nuk përhapet ryshfeti në një popull e që në vend të sinqeritetit nuk vie humbja, mashtrimi në vend të besimit, frika në vend të sigurisë dhe padrejtësia në vend të drejtësisë. Me ryshfet të drejtat e huaja anashkalohen dhe dobitë kufizohen. Ryshfeti është motiv për mëkat dhe armiqësi, me te i jepet përparësi përtacëve, ndërsa largohen të pastërtit. Me ryshfet nga e vërteta bëhet e pavërteta, ndërsa nga e pavërteta bëhet e vërteta. Përshkak të ryshfetit sa të drejta janë privuar dhe ndera janë rrënuar, pandershmëria ka përparuar, ndërsa i ndershmi është nënçmuar?! Ryshfeti është një epidemi infektuese.
Sa njerëz të devotshëm janë nënçmuar dhe të drejtat e tyre janë privuar përshkak të nëpunësve të korruptuar? Sa provime nga studentët nuk janë dhënë sepse nuk kanë dhënë ryshfet? Sa diploma janë dhënë e bartësit e tyre asnjëherë nuk kanë parë fakultetin? Sa mëkatarë kanë pasur përparësi mbi të tjerët ngase kanë dhënë ryshfet, kanë infektuar shoqërinë me papastërti dhe kanë merituar mallkimin dhe hidhërimin e Allahut. Pejgamberi s.a.v.s. ka mallkuar tre veta që marrin pjesë në ryshfet:”Ai që jep, ai që merrë dhe ai që ndërmjetson.” Ky mallkim është përshkak të pasojave të kobshme që sjellë ryshfeti për mbarë shoqërinë. Dëmi i ryshfetit është gjithëpërfshirës, ndërsa epidemija e tij pandërprerë përhapet.
Për këtë disa dijetarë mendojnë se ryshfeti më tepër ndalohet se pasuria e arritur nëpërmes prostitucionit. Të gjitha këto tregojnë përbuzjen dhe dëmin e madh të ryshfetit.
Islami ndalon ryshfetin në çdo formë qoftë edhe me emra tjerë pa marrë parasysh a quhet shpërblim, dhuratë ose ‘bakshish’. Emërtimet nuk e ndryshojnë esencën, sepse nëpunësi është i obliguar të kryejë punën e tij që i ka dhënë punëdhënësi.
Le t’i frikësohemi Allahut dhe të largohemi nga këto sëmundje të rrezikshme duke luftuar me tërë qenien tonë ryshfetin dhe korrupsionin për të pasur individ dhe shoqëri të shëndoshë dhe begati e furnizim të këndshëm nga Allahu i Madhërishëm.