Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Beqaria ne Islam

S'ka murgëri në Islam

Në një anë Islami nuk lejon lidhje gjinore të pakufizuara dhe për këtë ndalon prostitucionin dhe çdo gjë që shpie në të, mirëpo në anën tjetër, lejon të kundërtën, gjegjësisht thërret në martesë dhe ndalon heqjen dorë dhe tredhjen.

Nuk i lejohet muslimanit të aftë për martesë ta refuzojë aktin e tillë me pretekst se i përqëndrohet vetëm Zotit, adhurimit të Tij dhe murgërimit e largimit nga kjo botë.

Pejgamberi a.s. ua ka potencuar disa sahabëve të tij të cilët anonin nga murgërimi, se kjo mënyrë trajtohet si devijim nga rruga e Islamit dhe si refuzim i Sunnetit të Pejgamberit a.s. Në këtë mënyrë ai i eliminoi mendimet e tilla të krishtera nga rrethi Islam.

Ebu Kulâbe thotë se disa sahabe të Pejgamberit a.s. dëshironin ta refuzojnë këtë botë, t'i braktisin gratë e tyre dhe t'i qasen murgërimit. Pejgamberi a.s. foli fjalë të rrepta e pastaj tha:

"Ata (popujt) para jush u shkatërruan nga murgërimi, ishin të vrazhdë ndaj vetes dhe Zoti u bë i vrazhdë ndaj tyre. Disa prej tyre ende gjenden nëpër manastire e faltore. Adhuroni Zotin, mos i shoqëroni asgjë, shkoni në haxhxh e umre, bëhuni të drejtë dhe çdo gjë do të jetë e drejtë për ju! " (Transmetim i Abdurrezakut, Ibn Xheririt dhe Ibn Mundhirit.)

Për shkak të tyre u shpall ajeti:

"O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që per ju i lejoi All-llahu (i bëri hallall), dhe mos e teproni se Alllahu nuk i do ata që e teprojnë (i kalojnë kufijtë e dispozitave të Zotit)". (Mâide, 87)

Nga Muxhahidi transmetohet se disa njerëz si Uthman ibn Madh'uni dhe Abdull-Ilah ibn Amri dëshironin të heqin dorë nga kjo botë, të tredhen dhe të veshin tesha të papërpunuara. Për ta u shpall ajeti i lartpërmendur dhe ai që vijon. (Tefsiri i Ibn Xheririt)

Buhariu transmeton se një grup i sahabëve shkuan te shtëpitë e Pejgamberit a. s. për t'i pyetur bashkëshortet e tij rreth ibadetit të tij. Kur i dëgjuan, menduan se përgjigjja është e pamjaftueshme dhe thanë: "Si mund të krahasohemi me Pejgamberin a.s. kur atij Zoti ia ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshme!" Njëri prej tyre tha se do të agjërojë tërë jetën, tjetri tha se do të lutet tërë natën kurse i treti tha se nuk do të martohet asnjëherë. Kur e dëgjoi këtë Pejgamberi a.s. ua sinjalizoi gabimin dhe u tha:

"Unë e njoh më mirë se ju Zotin dhe më shumë se ju prej Tij friksohem, mirëpo natën e kaloj në lutje e gjume, agjëroj, ha dhe martohem. Ai që largohet nga Sunneti im, nuk ka lidhje me mua (nuk më takon mua!) ".

Sa'd ibn Ebi Vekkasi thotë se Pejgamberi a.s. e ka refuzuar murgërinë e Uthman ibn Medh'unit, dhe sikur të lejonte, të gjithë ne do të tredheshim.

Pejgamberi a.s. u thotë të gjithë të rinjve:

"O ju të rinj! Ai që mund të kujdeset për gruan le të martohet, ngase kështu i mbyll shikimet dhe mbron veten." (Transmetim i Buhariut)

Nga këto hadithe disa dijetarë e obligojnë martesën për çdo musliman që ka mundësi për të, kurse disa të tjerë e kushtëzojnë për atë që s'mund të qëndrojë e ta mbrojë veten.

Nuk i takon muslimanit të mos martohet nga frika prej rizkut të paktë apo prej përgjegjësisë por obligohet të përpiqet, të punojë dhe të presë begatinë nga Zoti, të cilën ua ka premtuar të martuarve që dëshirojnë të jenë të pastër e të dëlirë. Në këtë kontekst, Zoti i Madhëruar thotë:

"Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) dhe robërit e robëreshat tuaja qe janë të ndershëm e të ndershme. Nëse jeni të varfër, Allahu ju begaton nga mirësia e Tij, Allahu është bujar i madh, i gjithëdijshëm ". (Nur, 32)

Pejgamberi a.s. thotë:

"Zoti e ka bërë hak t'u ndihmojë tre personave: të martuarin që dëshiron të mbrohet, robin që ia mundëson zotëriu i vet të paguajë e të fitojë lirinë dhe luftëtarin në rrugën e Zotit " (Transmetim i Nesaiut, Tirmidhiut, Ibn Maxhes dhe Hakimit.)
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free