Me të njëjtën peshore
Një fukara, i shiste një tregtari çdo ditë gjalpin që prodhonte e shoqja. Gruaja e tij, i jepte gjalpit formën e një topi një kilogramësh. I shoqi e shiste çdo ditë gjalpin dhe me paratë plotësonte nevojat e shtëpisë. Një ditë, tregtari dyshoi në peshën reale të gjalpit dhe me ta peshuar, zbuloi se topi i gjalpit ishte vetëm 900 gram, pra mungonin 100 gramë të tjera. Kjo e bëri të xhindosej. Të nesërmen, me të shkelur fshatari në derën e dyqanit i tha plot inat:”Nuk blej më gjalpë prej teje o mashtrues i dreqit. Deri tani me ke shitur gjalpin për një kilogram, ndërkohë që ishte njëqind gramë më pak.”Shumë i prekur nga ajo që i dëgjonin veshët, fshatari i varfër i tha:”Në fakt, ne zotëri, nuk kemi peshore në shtëpi. Gjalpin e peshojmë me një kilogram sheqer të blerë tek dyqani juaj.”