Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sistemoje jetën tënde 2

42 pyetjet sistemuese të jetës tënde

Nga: dok. Tarik Suejden

(pjesa e dytë)

6. Cilat janë ato punë që kur i kryej, më japin kënaqësi?

Koment:

Cilat janë ato punë, të cilat më lumturojnë kur i kryej, më bëjnë të ndihem i gëzuar, i qetë dhe të ndjej kënaqësi?

Shumë prej njerëzve shkojnë me pahir në punë dhe dëshirojnë që sot të ishte ditë pushimi. Po përse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse ata e urrejnë punën e tyre dhe ndihen se janë të imponuar ta bëjnë këtë punë. Një person shkon në këtë punë vetëm për shkak të parave që merr, jo sepse ai e dashuron punën e tij, jo sepse ajo i dhuron kënaqësi.

Gjithsesi është e pamundur, që njeriu të dojë çdo gjë. Më lejoni t’ju jap një shembull mbi këtë fakt.

Një nga problemet e edukatorëve me adoleshentët është, se disa herë ata ushtrojnë presion mbi çështjen e studimit të mësimeve të shkollës, por adoleshenti bëhet edhe më neglizhues, fle shumë, rri zgjuar deri natën vonë, etj.

Nëse ne do mendonim mbi çështjen në fjalë, atëherë do të konstatonim, se adoleshenti ka gjërat e tij të cilat i dëshiron, që i dhurojnë kënaqësi kur i kryen dhe që është i gatshëm të kërcejë nga shtrati i gjumit, që ato të mos i shpëtojnë. Ti si edukator që je, si prind dhe kujdestar, lypset që të dish ato gjëra, që fëmija yt adoleshent i ka për zemër, përndryshe nuk ke do të arrish ta orientosh saktë atë. Jo vetëm kaq por nëse vazhdon kështu, ti ke për ta ndrydhur dhe ai do të jetojë një jetë me pahir. Ne duhet medoemos t’i kuptojmë këto çështje, përndryshe do dështojmë me fëmijën tonë adoleshent. Përpiqu t’i shfrytëzosh gjërat, që fëmija yt adoleshent i ka për zemër dhe shfrytëzoi ato, për të arritur përmes tyre tek mbjellja e principeve humane dinjitoze, mbi të cilat jeton njeriu i denjë.

Ndodh që njeriu ndonjëherë e shtyp veten dhe bën gjëra, të cilat nuk i pëlqejnë, por ai i bën këto, pasi përmes tyre ai arrin tek gjërat që pëlqen. Ndonjëherë më duhet të studioj, të lodhem dhe të bëjë provimet saktë, përse? Përgjigja është: Sepse kësisoj do të siguroj një dëshmi, që m’i hap rrugët për të realizuar çfarë kam për zemër dhe për të jetuar siç dua, si dhe për faktin se nëse nuk do të studioj dhe lodhem tani, ndoshta kurrë nuk do arrij të bëj jetën që synoj dhe kam për zemër.

Prej këtu le t’ia drejtojmë vetes sonë këtë pyetje:

Cilat janë ato punë, që më dhurojnë kënaqësi kur i kryej?

Problemi i arsimit tradicional është, se ai nuk e ndihmon nxënësin të zbulojë që në hershmërinë e tij pasionet dhe talentin që posedon.

Në Amerikë ekziston një sistem i arrirë arsimor. Në arsimin e mesëm, sidomos në fundin e tij, nxënësit i jepen lëndë apo subjekte të shumta e të larmishme, sikurse administrim, politikë, psikologji etj, lëndë akademike që përbëjnë profilet e kësaj jete, të cilat në fakt nxënësit nuk i nevojiten, por që ekspertët e arsimit i quajnë “lëndë eksplorimi”. Ato janë të tilla që kur personi i studion, e sheh veten nëse ato i pëlqejnë apo jo?

Nga ana tjetër, në arsimin tradicional nxënësi del nga shkolla e mesme i çorientuar, duke mos ditur se cilin profil të zgjedhë. Dikush i thotë: “Studio për politikë”, tjetri i thotë: “Studio për media”, i treti i thotë: ‘Studio për marrëdhënie ndërkombëtare”, një tjetër i thotë: “Studio për inxhinieri mekanike...”. Kjo e bën nxënësin të jetë i lëkundur në zgjedhjen e tij.

Të gjithë atyre të rinjve, të cilët i dëgjojnë këto fjalë, të cilët ende s’e kanë vendosur profilin e tyre, sidomos atyre që ende janë në shkollën e mesme, unë u drejtohem me këto fjalë: “Bëni kujdes të shtrenjtit e mi! Njerëzit, edhe ato që janë më të afërmit tuaj, do t’ju orientojnë dhe propozojnë gjërat, që duan për veten e tyre. Ata që të thonë administrimin, psikologji, etj, ta thonë këtë, sepse ata vetë i duan këto profile. Bëni kujdes të mos bëheni kopja e tyre, por të zgjidhni profilin, që ju vetë pëlqeni për veten tuaj”.

Kemi të bëjmë me disa parametra, që duhet të kihen parasysh, kur bëhet zgjedhja e profilit të studimit:

Së pari: Zgjidh vetëm atë profil, studimi i të cilit të dhuron kënaqësi, pasi njeriu nuk ka për të qenë novator, përveçse nëse profilizohet në profilin dhe punon në punën, që ai ka për zemër.

Së dyti: pra kushti i dytë nga radhitja por jo nga rëndësia, është që të studioni në atë lëmi apo profil, i cili u mundëson shanse më të mira punësimi pas studimeve.

Po japim shembullin e një studenti që jeton në zonat shkretinore, i cili shkon në Amerikë dhe kryen studimet për inxhinieri pyjore. Ai kthehet më pas në vendin e tij, por ku do punojë ai me profesionin që ka marrë? Ç’dobi do t’i bëjë ky profilizim? Ndoshta studimet i kanë dhuruar kënaqësi atij, por çfarë pune do të bëjë ai pas studimeve? Prandaj njeriu duhet të mendojë fillimisht mbi shanset e punësimit në lëmin ku ka për zemër të punojë pas studimeve dhe vetëm pas kësaj le të vendosë të studiojë në të.

Nëse personi është në fillimin e studimeve të tij dhe zbulon, se ai po studion në një profil që nuk e ka për zemër apo siç i thonë që nuk e tërheq, nuk e gjen vetveten dhe s’i jep entuziazëm, atëherë më mirë le ta ndryshojë atë sa s’është vonë.

Ndodh qe personi po punon në një lëmi që i pëlqen dhe kjo është gjë e mirë. Mirëpo pas kryerjes së profilizimit, ai punon në një profesion që nuk e ka për zemër, nuk e tërheq, nuk e gjen vetveten dhe s’i jep entuziazëm. Ky është një problem shumë serioz për të ardhmen e tij. Prandaj njeriu duhet të mendohet mirë që në hapat e parë të profilizimit të tij. Por nëse unë për shembull pasi plotësova studimet në inxhinieri, zbulova dhe u binda, se ky nuk është profili i duhur për mua, është gabim që të vazhdoj të specializohem më tej në të.

Nëse një pjesë e jetës sime shkoi në mjerim, nuk kërkohet prej meje që në pjesën e mbetur të jetës sime, unë të mbetem i mjeruar.

Apeli që jehojnë këto fjalë është: Parashikojini dhe rishikojini profilizimet, se cilat janë ato subjekte, që realisht na vijnë për shtat. Pyete veten: “A e kam unë për zemër profilizimin aktual ku po studioj, a më pëlqen profilizimi të cilin e kam kryer tanimë, a më dhuron kënaqësi puna ku po punoj?”

Jeta është shumë e bukur dhe shumë tërheqëse për atë që e jeton saktë atë.

Kur unë punoj vetëm për para dhe jetoj një jetë, që nuk më dhuron kënaqësi, kësisoj unë jam shndërruar në një rob, që lirinë e tij ia ka shitur parasë. Nëse dua të jem një njeri i denjë, unë kurrsesi nuk duhet ta shes lirinë dhe mendjen time. Mendja ime s’është për tu shitur, kapacitetet e mia nuk janë për shitje, liria ime s’është për shitje, unë vetë zgjedh të punoj në atë punë, që mua më dhuron kënaqësi dhe argëtohem me punën time, sepse unë e dashuroj atë dhe e kam shumë për zemër.

Ndërsa personi i cili punon vetëm për para dhe jeton një jetë që s’i dhuron kënaqësi, ai s’është gjë tjetër, veçse një i burgosur.

Nëse personi thotë: “O vëlla! Unë jam i detyruar të jem kësisoj, kam familje dhe fëmijë për të mbajtur, nuk mund ta ndryshoj rrjedhën e jetës”, unë i them atij: “Në rregull, unë jam i ndjeshëm mbi gjendjen tënde, por ja për hatër, po të jap 5 vjet kohë që ta ndryshosh lëmin e punës tënde dhe pastaj të bësh atë punë, që të dhuron kënaqësi. Nëse për 5 vjet nuk arrin ta transformosh jetën tënde dhe ta rikonstruktosh konstruktin e jetës tënde, kjo gjë e ka emrin paaftësi.

Mos u ngujo, bëji një llogari vetvetes, kapaciteteve të tua, prirjeve të tua, arritjeve të tua dhe mendo gjithmonë mbi to. Punën që nuk dëshiron ta bësh, mos lejo të jetë profesioni yt i jetës, mos studio dhe as mos puno në atë profil, që s’të dhuron kënaqësi dhe ku nuk e gjen vetveten.

7. Sipas këndvështrimit tim, cilat janë pikat e mia më të forta?

Koment:

Secili prej nesh ka kapacitetet dhe aftësitë e tij. Nuk është e arsyeshme, që një njeri të jetë i tëri i zhytur në të meta, por është e sigurt, se njeriu krahas të metave të tij, ka edhe tiparet dhe kapacitetet e tij dalluese, që përbëjnë pikat e tij të forta.

Pyetja këtu qëndron: “Cilat janë këto aftësi, karakteristika, cilat janë këto pika të forta që unë posedoj?”

Dëshiroj që secili nga ne, , të jetë i kthjellët në maksimum, për t`i dhënë një përgjigje kësaj pyetje. Kjo përgjigje duhet të jepet midis teje dhe unit tënd. Këtu s’ka vend për modesti. Përgjigju kësaj pyetje brenda vetes dhe pa u trembur se po bie në egoizëm, pasi vetëm kështu do arrish t’i evidentosh pikat e tua të forta.

Njeriu që s’i di pikat e tij të forta, nuk ka për të shënuar arritje.

Le të sjellim shembullin e doktor Ali Hamedit, një intelektual i madh islam, Zoti e begatoftë, i cili ka shkruar sa e sa literatura, mëse tridhjetë libra, ndoshta kanë arritur në dyzet të tillë apo edhe më shumë. Lusim Allahun t’ia begatojë atij kohën, punën dhe përpjekjen e tij, t’ia dëlirësojë qëllimin e tij dhe këto vepra ta bëjnë atë kryelartë në Ditën e Gjykimit. Kjo ndodhi me të, sepse ai i mësoi pikat e tij të forta dhe i shfrytëzoi ato, i njohu kapacitetet e tij, i shfrytëzoi më së miri ato dhe ndërtoi mbi to.

Shkruaj së paku tre pika të forta të tuat.

_____________________________________________________________________

_____________________________________________________________________

_____________________________________________________________________

Nëse mund t’i përgjigjesh aty për aty kësaj pyetje, kjo është vërtet një mirësi dhe begati, por nëse jo, duhet medoemos të relaksohesh, të ulesh, të meditosh dhe të mendosh thellë, në përgjigje të pyetjes strategjike të sistemimit të jetës: “Kush jam unë”, përmes përgjigjes që i jep pyetjes: “Cilat janë pikat e mia të forta?

8. Si t’i shfrytëzoj pikat e mia të forta në shërbim të realizimit të projekteve të mia?

Pa koment:

9. Sipas këndvështrimit tim, cilat janë pikat e mia të dobëta?

Pa koment:

10. Cilat janë shkaqet e pikave të dobëta të pranishme tek unë?

Pa koment:

11. A ka ndonjë metodë për kurimin e pikave të dobëta të pranishme tek unë (si për shembull në lidhje me: studimin, eksperiencën dhe mësimin e vetes me disa temperamente apo karakteristika)?

Pa koment:

12. A mundem unë të vendos një plan kohor për kurimin e pikave të mia të dobëta?

Pa koment:

13. Cilat janë ato cilësi që më pëlqejnë mua së tepërmi tek të tjerët?

a. Nga personalitetet historike:

b. Nga personalitetet bashkëkohore:

Koment:

Do vijojmë bisedën tonë me parimet themelore, të cilat kontrollojnë sistemimin e prioriteteve. Lypset që përgjigjet e tua t’i përcaktosh në detaje.

Nuk ka dyshim në faktin, se në rastin e çdo njeriu kemi të bëjmë me njerëz ndikues dhe mbresëlënës, të cilët i pëlqejnë shumë atij. Nuk është e logjikshme, që asnjë nga njerëzit të të mos bëjë përshtypje, pasi ekziston medoemos dikush ose disa persona, të cilët të bëjnë përshtypje. Këta njerëz mund të kenë jetuar shumë kohë përpara, por mund të jenë edhe bashkëkohorë.

Pyetja lidhur me ata që të bëjnë përshtypje, qëndron në faktin, se çfarë gjëje të bën përshtypje tek ata. Pra cilat janë moralet, kapacitetet, atributet apo tiparet e gjendura tek ata, të cilat ty të bëjnë përshtypje dhe të pëlqejnë?

Përgjigja e dhënë prej teje duhet të jetë e detajuar dhe e orientuar.

Është e vërtetë se atributet, për të cilat po bëjmë fjalë, janë atribute që gjenden tek të tjerët, por të gjitha studimet konfirmojnë, se njeriu pëlqen tek të tjerët ato gjëra që pëlqen tek vetja e tij. Pra teksa unë po të pyes, se ç’të pëlqen tek të tjerët, në realitet po të pyes se ç’të pëlqen tek vetja jote. Që njeriu ta zbulojë veten e tij, atij i duhet që të mendojë mbi të tjerët, për shembull të thotë: “Po, mua tek ky person më pëlqen fakti, se ai është i përmbajtur dhe nuk mërzitet”. Kjo gjë bart kuptimin, se ti vetë e do këtë cilësi, megjithëse ajo edhe mund të jetë por edhe mund të mos jetë e pranishme tek ti.

Një tjetër pyetje që del në këtë kontekst është: A ka mundësi njeriu që t’i fitojë apo t’i bëjë të vetat ato atribute, që nuk janë të pranishme tek ai?

Rregulli i ndërtuar mbi studime të shumta thotë, se: “Nëse mosha e njeriut kalon shtatë vite, ndryshimi i atributeve dhe tipareve bëhet shumë i vështirë dhe sa më shumë që njeriu shtyhet në moshë, aq më shumë vështirësohet ndryshimi i karakteristikave të tij”. Prandaj edukimi më i rëndësishëm dhe më i thellë është ai, që merret në shtatë vitet e para të jetës së njeriut. Gjatë këtyre viteve ndërtohen moralet, vlerat, parimet, raportet dhe personaliteti.

Kthehemi sërish tek subjekti ynë. Kur ne mendojmë mbi atributet apo cilësitë që na pëlqejnë tek të tjerët, ne në realitet mendojmë mbi cilësitë që na pëlqejnë, disa prej të cilave janë të pranishme në personin tonë dhe disa jo. Sa i përket cilësisë së papranishme tek ne, është e mundur që ne ta fitojmë atë, edhe pse vështirësia e një diçkaje të tillë vjen në rritje me rritjen e moshës së personit. Gjithsesi ky ndryshim nuk është i pamundur, paçka se ai ka nevojë për përpjekje dhe zell të madh.

Prej këtu na lejoni që pyetjen në fjalë ta ndajmë në dy pjesë:

Së pari: Cilët janë ata persona, të cilët të kanë bër përshtypje? Shkruaj tre persona nga historia njerëzore.

_____________________________________________________________________

_____________________________________________________________________

_____________________________________________________________________

Këtu kisha një ndërhyrje. Unë nuk e vë në dyshim faktin, se profeti Muhamed a.s. dhe të gjithë profetët e tjerë janë njerëzit më impresionues, janë modelet tërheqëse, janë njerëzit e kompletuar. Në fakt unë këtu e kam fjalën për figura të tjera njerëzore jashtë profetëve. Pra je i ftuar që jashtë profetëve, të kërkosh për një personazh, i cili me siguri ka karakteristikat e veta.

Kur të rinjtë muslimanë të shprehen mbi personazhet historike njerëzore, që ata kanë për zemër, dëgjojmë emrat e mëdhenj të shokëve të profetit a.s si: Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata). Nëse do të pyesnim se përse të rinjtë muslimanë janë lidhur me këto personalitete; përgjigja është sepse këta burra ishin personalitete, që posedonin: fuqi, rigorozitet, entuziazëm, zell, kundërvënie ndaj së kotës; atribute këto që janë shumë të dashura për të rinjtë.

Në periudhën e rinisë dhe entuziazmit, njeriu lidhet me një gjë të caktuar dhe ndoshta kur piqet më tej, ai fillon të mendojë realisht mbi modelin që përkon me të, por në një dimension më të gjerë.

E pra pyetja ku po duam të arrijmë është: Cilat nga atributet e atyre që pëlqen, të përshtaten dhe përkojnë me ty, pra me natyrën tënde?

Pra mendo rreth personazheve, që ti i admiron nga historia, qoftë ajo e kaluar apo qoftë bashkëkohore. Pastaj duam që të mendosh tre personazhe nga historia bashkëkohore, të cilët janë ende gjallë, që i njeh drejtpërsëdrejti ose ke lexuar apo dëgjuar për ta?

Përgjigja që do t’i japësh kësaj pyetje ka për të na ndihmuar që të futemi më në thellësi në realitetin e asaj që ti do, në thellësinë se “Kush je ti?”

Pjesa e dytë e pyetjes është: Përse të kanë bër përshtypje këto personalitete? Cilat janë ato cilësi të pranishme tek ata, që të bëjnë ty t`i admirosh këta personazhe? Cilat janë atributet spikatëse, që të tërheqin te çdonjëri prej tyre? Cilat janë atributet e përbashkëta tek të gjithë ata që të pëlqejnë ty? Përgjigjet mbi këto pyetje janë tejet të rëndësishme, pasi ato do të na sjellin cilësitë më të afërta dhe më adekuate të personalitetit tënd. Ke për të gjetur se të gjithë ata kanë gjëra të përbashkëta, si për shembull, që të gjithë kanë qenë të paepur, janë përpjekur, kanë qenë dijetarë, mendimtarë, janë shquar në donacion dhe bamirësi. Nëse midis tyre ka pasur gjëra të përbashkëta, kjo ka për të të ndihmuar ty që ta njohësh lëmin që të përshtatet, gjë që konsiderohet një zbulim shumë i rëndësishëm për ty, pasi disa herë njeriu i përgjigjet gabim pyetjes se: Cili është lëmi, të cilit unë dua t’i përkushtohem në jetën time?

Prej paradokseve që do të gjesh është, se disa njerëz janë persona elastik dhe tolerantë, ndërsa në listën e atributeve dhe personave që ata pëlqejnë, do të gjesh atribute dhe personazhe të luftës dhe aksionit. Një person i tillë në brendinë e tij është i lidhur me aksionin dhe vetëmohimin, kurse haptazi ai reflekton elasticitet; prandaj ky person duhet t’i ribëjë mirë llogaritë dhe ta rishqyrtojë vetveten. Dikush mund të shkruajë tek këto personazhe një profesor të tijin në universitet... Kjo zbulon, se ai pëlqen diturinë përkatëse, ndaj ky person duhet ta rishqyrtojë mirë orientimin e tij kah dituria.

Ne njerëzit posedojmë dy imazhe: një imazh tonin me të cilin paraqitemi para njerëzve, por imazhi ynë i dytë i vërtetë, është ai që zbulohet përmes këtyre pyetjeve që u përmendën, të cilat e ndihmojnë personin të arrijë të zbulojë lëmin apo profilin, në të cilin ai mund të jetë novator.

14. Kush është personi, me të cilin ke kontaktuar dhe ka pasur ndikimin më të madh në jetën tënde?

Koment:

Në këtë përgjigje nuk duhet të më thuash një personalitet të historisë, as të më japësh figurën e profetit a.s, e cila nuk ka dyshim se ka pasur ndikimin më të madh në jetën tonë. Këtu unë kam për qëllim një person bashkëkohor, që ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë tek ti. Mundet që të kesh të bësh me personazhe të përafërt me njëri-tjetrin, por ajo që duhet të bësh, është që të zgjedhësh vetëm një. Mendo mirë për të. Ai mund të jetë profesori, prindi, një i afërm, një shoku yt, një dijetar apo një politikan i madh dhe i shquar, me të cilin ke kontakte të drejtpërdrejta.

Pra në përgjigje duhet shkruar një person të vetëm.

15. Përse ky person ndikoi kaq fuqishëm në jetën tënde?

Koment:

Cili është ndikimi që pate prej këtij personi, pra ndikimi që ky person la në jetën tënde? Çfarë përfitove prej tij? Përse pikërisht ky person është ai, që ndikoi tek ti në mesin e të gjithë njerëzve të tjerë? Nëse një person shkruan prindin e tij, duhet që të shkruajë edhe arsyen përse ndikoi tek ai prindi i tij dhe jo një i afërmi i tij, pra përse ky dhe jo ai tjetri? Nëse do të thellohesh në përgjigjen e këtyre pyetjeve, në realitet ti ke për të zbuluar veten tënde, kapacitetet e tua, madje edhe objektivat e tua, prioritetet e tua dhe lëmin që përkon me ty.

Ne do ta shtjellojmë edhe më tej këtë, por ne duam që njeriu ta kuptojë veten e tij, pasi sa më i qartë të jetë ai me veten e tij, aq më i aftë do të jetë për të përcaktuar një plan dhe për të sistemuar prioritetet e tij në jetë.

Shumë prej njerëzve ndoshta po u përgjigjen këtyre pyetjeve dhe po mendojnë mbi to për herë të parë në jetën e tyre.

Nëse duam të vijojmë më tej me sistemin e jetës sonë, duhet medoemos që t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve të parashtruara.

Nëse ti thjesht i lexon këto pyetje, atëherë nuk do të kesh dobi prej tyre. Ajo që lypset të bësh, është që të qëndrosh, mendosh, meditosh thellë dhe të shkruash. Nuk mjafton vetëm të mendosh, por pasi të mendosh thellë, duhet që këtë mendim ta konvertosh në shkrim. Pra duhet medoemos që të përgjigjesh dhe duhet medoemos që kjo përgjigje të jetë me shkrim.

Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve esenciale e bën njeriun të mendojë dhe po qe se ai mendon, nuk ka dyshim se do të arrijë në përfundimin, se në arenën e jetës gjenden në të vërtetë njerëz, të cilët kanë pasur një ndikim të madh tek ai. Sa më tepër që njeriu mendon, aq më tepër kthjellohet dhe kristalizohet thjerrëza e sistemimit të jetës së tij.

Pasi t’i ketë dhënë përgjigjen e detajuar dhe të duhur këtyre pyetjeve, njeriu arrin ta definojë dhe shquajë më thellësisht kuptimin mbi veten dhe jetën e tij.

 (vijon...)

Perktheu: Altin Torba
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free