Historia e Profetit Musa a.s
Një ndër historitë më të shquara dhe madhështore që rrëfen Kurani fisnik, është ajo e profetit Musa a.s, një nga pesë të dërguarit e vendosur. Historia e këtij profeti legjendar ceket në shtatëdhjetë e tre vende në Kuran.
Gjatë koleksionimit të ngjarjeve dhe radhitjes së tyre kam ndeshur shumë vështirësi. Kjo, pasi të gjithë ata që kishin shkruar dhe komentuar historinë e Musait a.s, nuk kanë ndjekur një rend kronologjik të saktë të ngjarjeve. Por edhe kur ndjekin një rend kronologjik të saktë, hapërdahen me rrëfenja izraelite, duke u larguar nga thelbi i historisë. Këto rrëfenja është mirë dhe duhet të mbahen larg historive të profetëve të Zotit, me qëllim që ta kuptojmë sa më drejt Kuranin famëlartë.
Gjatë gjithë punës time për këtë histori dhe të tjera, jam rrekur që ngjarjet t'i lidh me Kuranin fisnik, pasi ai përbën referencën origjinale për histori të tilla. Ai është e vërteta që nuk cenohet aspak nga e padrejta dhe kota.
Prej nesh kërkohet që ta lexojmë dhe ta përjetojmë Kuranin fisnik. Përjetimi i Kuranit ndodh kur ne e lexojmë me përkushtim dhe meditojmë rreth asaj që lexojmë. Nëse lexon por nuk e kupton atë që lexon, e ke të pamundur edhe përkushtimin dhe meditimin mbi konceptet që ceken në Kuran. Për këtë, në historinë e Musait a.s unë i jam referuar kryesisht Kuranit, me qëllim që të na lehtësohet të kuptuarit e tij.
"Ta Sin Mim. Këto janë vargjet e Librit të qartë! Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë." (Kasas, 1-3)
Ajetet e Kuranit përmbajnë kujtesa dhe këshilla për besimtarët, kurse për jobesimtarët e devijuar nga udha e Zotit, përmbajnë paralajmërime.
Profeti Musa a.s është nderuar nga Zoti, pasi i ka folur direkt dhe pa ndërmjetës. Thotë Zoti i lartësuar:"Trego në Libër edhe për Musain! Njëmend, Ai ishte i përzgjedhur ishte i dërguar dhe profet." (Merjem, 51)
Musai a.s ishte i përzgjedhur prej Zotit dhe në shërbim të Tij, larg cytjeve dhe tundimeve të shejtanit.
Musai a.s ishte biri i Imranit, biri i Kahit, biri i Lavit, biri i Jakubit, biri i Ibrahimit a.s.
Natën që u ngjit në qiej, profeti Muhamed a.s u takua edhe me Musanë a.s, të cilin e përshkruan:"Musai a.s ishte shumë zeshkan dhe i bëshëm..."
Lidhur me fuqinë dhe forcën e tij fizike, thuhet se ishte ekuivalente me atë të dhjetë burrave. Gjithashtu, thuhet se Musai a.s vuante nga belbëzimi.
Këtë fakt e përmend dhe faraoni, i cili u drejtohet këshilltarëve duke stigmatizuar Musanë a.s:"Vallë, a nuk jam unë më i mirë se ky i mjerë, i cili mezi mund të shprehet?" (Zuhruf, 52)
Megjithatë, kjo e metë nuk e pengoi të zgjidhej si i dërguar i Zotit dhe profet, madje të renditet tek pesë të dërguarit e vendosur.
Edhe vetë Musai a.s e pranon këtë të metë në të folur, ku thotë në një ajet:
"Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur." (Kasas, 34)
Bijtë e Israilit (Jakubit a.s) u shpërngulën nga Palestina dhe u vendosën në Egjipt, në kohën e Jusufit a.s. Historianët thonë se kur hynë në Egjipt ishin vetëm tridhjetë e gjashtë persona. Gjatë qëndrimit të tyre, ata u shtuan dhe u shumuan, saqë kur e lanë Egjiptin me Musanë a.s, ishin gjashtëqind mijë frymë.
Sunduesi i Egjiptit asokohe quhej faraon, siç quhej Nexhashij sunduesi i Abisinisë, çezar sunduesi dhe sovrani i Romës dhe kisra sunduesi i Persisë. Faraoni që sundonte Egjiptin në kohën e Jusufit a.s quhej Rejjan ibn Velid. Edhe pse e dinte se Jusufi a.s nuk kishte të njëjtën fe, madje ishte i huaj, ai i kishte lënë dorë të lirë të administrojë mbretërinë e tij, pasi kishte besim në aftësitë e Jusufit a.s. Gjatë jetës së Jusufit a.s, bijtë e Israilit jetuan si mbretër në Egjipt.
Pas vdekjes së faraonit Rejjan, në fron erdhi Kabus ibn Musab, i cili njihet si zullumqar dhe qafir. Ai u soll shumë keq me bijtë e Israilit, të cilët i keqtrajtoi dhe i shtypi. Pas faraonit Kabus, në fron erdhi Velid ibnu Musab, vëllai i tij, gruaja e të cilit ishte Asija bintu Muzahim. Thotë profeti Muhamed a.s lidhur me Asijen:"Nga burrat janë përsosur shumë syresh, por nga gratë nuk janë përsosur veçse katër:"Asija, gruaja e faraonit, Merjeme bintu Imran, Hadixhe bintu Huvejlid dhe Fatime bintu Muhamed."
Fillimisht, faraoni deshi ta marrë me forcë si skllave, por babai i saj e kundërshtoi me pretekstin se ishte e vogël. Faraoni i tha:"Jo, nuk është e vogël." Babai i Asijes i tha:"Atëherë jepi dhuratën martesore!" dhe faraoni pranoi. Babai vajti tek Asija dhe i tha:"Faraoni dëshiron të martohet me ty." Asija e pyeti:"E si të martohem me një qafir?!" Babai iu përgjigj:"Atëherë do të marrësh më qafë veten dhe familjen tënde."
Kjo e bëri Asijen të pranojë të martohet me faraonin, pasi kishte refuzuar të shkojë tek ai si skllave. Edhe pse jetonte me faraonin qafir, ajo ishte besimtare.
Faraoni Velid ibn Musab ishte tiran me gjithë kuptimin e kësaj fjale. Zullumet e tij ishin të panumërta, saqë filloi të pretendojë se ishte zot.
“O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!" (Kasas, 38)
“Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24)
Kështu, ai pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore, si ato të Zotit të lartësuar dhe të Gjithëpushtetshëm.
"Ne do të të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë. Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës." (Kasas, 3-4)
Ai i kishte ndarë egjiptianët në shtresa, ku shtresa më e ulët ishin pikërisht bijtë e Israilit, të cilët i kishte shndërruar në skllevër të tij. Ata i përdorte në punët më të rënda, kurse gratë i përdorte si skllavet e tij.
Bijtë e Israilit ishin në pritje të realizimit të profecisë sipas së cilës do të shfaqej dikush nga familja e faraonit që do i shpëtonte. Disa mendojnë se këtë profeci e kishte parë vetë faraoni në ëndërr. Ai kishte parë një zjarr të madh që dilte nga Jerusalemi dhe mbërrinte në Egjipt, ku digjte gjithçka përveç zonës ku banonin bijtë e Israilit. Menjëherë ai kishte mbledhur fallxhorët dhe magjistarët për ta pleqëruar këtë ëndërr. Ata i thanë se sipas ëndrrës, tek Bijtë e Israilit do lindë një foshnje, i cili do të rrënojë pushtetin e faraonit.
Menjëherë, ai nxjerr një dekret sipas të cilit duhej të vritej çdo foshnje mashkull që lind tek Bijtë e Israilit. Asokohe, Haruni kishte lindur dhe i shpëtoi këtij vendimi. Kurse nëna e tij, ishte shtatzënë me Musanë a.s.
Sipas urdhrit të faraonit, gratë shtatzëna duheshin lënë të qeta derisa të lindnin. Nëse lindnin meshkuj, të porsalindurit ekzekutoheshin në çast, në të kundërt jo.
"ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë."(Kasas, 3-4)
Faraoni dërgonte mami në lagjet e Bijve të Israilit, për të kontrolluar gratë shtatzëna dhe ato që kanë lindur. Nëse ndonjëra prej tyre nuk tregonte se kishte lindur ndonjë foshnje dhe zbulohej, vritej mamia.
Gjatë kësaj kohe, nëna e Musait a.s e kishte mbajtur të fshehtë shtatzëninë e saj. Ajo nuk shfaqej para njerëzve, por edhe kur shfaqej, bënte gjithçka që mos i dukej barra. Ajo arriti të mos bie në sy derisa lindi. Kur pa se i porsalinduri ishte djalë, ajo e pati të vështirë ta mbajë të fshehtë. Gjatë tentativave për ta mbajtur të fshehtë, Zoti e frymëzoi që ta hedhë në lumin Nil.
"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (Kasas, 7)
Një i ditur, El-asmeij, dëgjoi një ditë një skllave duke recituar vargje poezie plot elokuencë. Ai i tha:"Sa fjalë madhështore!" Skllavja iu përgjigj:"Jo. Nuk ka fjalë më madhështore se ajeti:"Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do të ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.”
Aty përmenden dy lajme të reja, dy urdhëresa dhe dy sihariqe.
Kontrollet e ushtarëve të faraonit u shtuan në shtëpitë e Benu israilëve, gjë e cila e detyroi nënën e Musait a.s të veproi sipas frymëzimit. Ajo e mori, e vendosi në një sënduk dhe e hodhi në lumin Nil. Vajzës i kërkoi ta ndjekë përgjatë bregut derisa të qëndrojë në ndonjë vend.
"Ajo i tha motrës së Musait: “Shko pas tij!” E motra e vrojtonte atë nga larg, pa u parë nga të tjerët." (Kasas, 11)
Sënduku ku qëndronte Musai a.s qëndroi në bregun ku ndodhej pallati madhështor i faraonit. Patjetër që diçka ndodhte me vullnetin dhe dëshirën e Zotit të lartësuar.
"Por atë e mori nga lumi familja e Faraonit, me qëllim që një ditë ai të bëhej armik dhe t’u sillte mjerim atyre, sepse Faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre kanë qenë gjynahqarë." (Kasas,
Në rrëfenjat izraelite thuhet se Asija e dalloi se foshnja rrjedh nga Benu Israilët, por këtë e mbajti të fshehtë ndaj faraonit dhe të tjerëve. Ndërkohë që në fakt, të gjithë e kuptuan se ai ishte prej Benu Israilëve. Vetë Asija ishte sterile, e paaftë për të lindur dhe kur e pa foshnjën e porsalindur u gëzua dhe u lidh pas tij.
"Gruaja e Faraonit i tha atij: “Ky (djalë) është gëzim për mua dhe ty, prandaj mos e vrisni, sepse mund të jetë i dobishëm ose mund ta birësojmë”. Por ata nuk e dinin se çfarë po bënin." (Kasas, 9)
Faraoni iu përgjigj të shoqes:"Ky është gëzim për ty dhe jo për mua." Thotë profeti Muhamed a.s:"Sikur të kishte thënë është gëzim edhe për mua, nuk do ishte ndëshkuar." Dhe në fakt, Musai a.s ishte gëzimi më i madh për Asijen.
Ndërkohë, nëna e Musait a.s ishte shumë e shqetësuar në lidhje me atë që e priste foshnjën e saj të dashur.
"Ndërkohë, zemra e nënës së Musait u bë si të ishte e zbrazët. Edhe pak dhe çdo gjë do të zbulohej, sikur të mos ia kishim forcuar Ne zemrën, që të bëhej besimtare e vërtetë." (Kasas, 10)
Ajo ishte indiferente ndaj gjithçka tjetër, sikur asgjë nuk ekzistonte. Nga meraku dhe shqetësimi ishte gati të dalë rrugëve të vajtojë dhe ta publikojë se e hodhi djalin e saj. Por Zoti i kishte premtuar se do ia kthejë të porsalindurin që të qetësohet. Ky ishte sihariqi i parë.
Në pallatin e faraonit, Musai i porsalindur refuzonte të pijë qumësht nga të gjithë mëndeshat që i ofruan. Shërbëtorët dolën me të porsalindurin në treg, me shpresë se mos gjejnë ndonjë mëndeshë të re të cilën do e pranojë. Por i porsalinduri vepronte në atë mënyrën sipas urdhrit dhe vullnetit të Zotit.
"Ne bëmë që ai të mos pranonte asnjë mëndeshë. Kështu, e motra i tha atyre (që kishin birësuar Musain): “A doni t’ju gjej një familje, e cila do të kujdeset për të, duke e edukuar me kujdes?” (Kasas, 12)
Shërbëtorët e pyetën motrën e Musait a.s:"Po ti ku e di se do të kujdesen dhe do e edukojnë siç duhet?!" Ajo u përgjigj:"Ata janë një familje e varfër dhe nevojtare, nëse e dinë se ky i porsalindur vjen nga pallati i faraonit dhe për këtë do të shpërblehen, do të bëjnë gjithçka për t'u përkujdesur për të. Në këtë shtëpi, ndodhet një grua e mirë, gjirin e të cilës nuk e ka refuzuar asnjë i porsalindur."
Shërbëtorët pranuan të shkojnë në shtëpinë e kësaj gruaje dhe me t'ia afruar Musain, filloi të pijë nga gjiri i nënës së tij. Kur dëgjoi mbi këtë Asija, kërkoi të takohet me të dhe i kërkoi të qëndrojë në pallatin e faraonit që të mëkojë Musain. Por e ëma refuzoi me pretekstin se kishte fëmijë të tjerë në shtëpi për të cilët i duhej të kujdesej. Atëherë Asija pranoi që ta marrë Musain në shtëpinë e saj të thjeshtë, bashkë me shumë dhurata. Vetë nëna e Musait a.s u nderua si askush tjetër, saqë edhe komandantët e faraonit i bënin dhurata të shumta, pasi ajo shihej si kujdestarja dhe dadoja e djalit të faraonit.
"Kështu, Ne e kthyem atë te nëna e vet, që ajo të gëzohej e të mos pikëllohej dhe që ta dinte se premtimi i Allahut është i vërtetë; por, shumica e njerëzve nuk e dinë." (Kasas, 13)
Musai a.s u rrit mes shtëpisë së prindërve të tij dhe pallatit të faraonit. Kur mbushi moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, ai dallohej për urtësi dhe mençuri.
"Dhe, kur ai arriti moshën madhore dhe pjekurinë e duhur, Ne i dhamë atij mençuri dhe dituri. Kështu, i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë punë të mira." (Kasas, 14)
Disa interpretues të Kuranit mendojnë se Musait a.s iu dha profecia në këtë moshë, por ky mendim nuk është i drejtë. Në këtë moshë, Musai a.s ishte në fenë e Benu Israilëve, fenë e gjyshërve të tij Jusufit a.s, Jakubit a.s dhe Ibrahimit a.s.
Një ditë, Musai a.s lëvizte rrugëve të qytetit, në një kohë kur njerëzit e tjerë ishin mbyllur në shtëpi. Disa mendojnë se ishte koha e pushimit të drekës dhe disa të tjerë thonë se ishte në mbrëmje. Thotë Zoti lidhur me këtë ngjarje:
"Një herë Musai hyri në qytet, pa u vënë re nga banorët e tij. Atje pa dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga të vetët, kurse tjetri ishte nga kundërshtarët. Ai i grupit të vet i kërkoi ndihmë kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra me grusht atij, duke e vrarë." (Kasas, 15)
Një egjiptian dhe një izraelit po ziheshin dhe superioriteti i egjiptianit dukej qarë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe e goditi me grusht egjiptianin, gjë e cila i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme. Musai a.s asokohe gëzonte shëndet dhe fuqi të pakrahasueshme me bashkëmoshatarët e tjerë. Me një grusht të vetëm, ai e çoi në botën tjetër egjiptianin. Musai a.s nuk synoi ta vrasë, por thjesht ta largojë nga izraeliti të cilin po e dhunonte. Kur pa çfarë ndodhi, Musai a.s mbeti gojëhapur dhe tha:"Kjo është punë e djallit! Ai është armik i betuar i njeriut dhe ngatërrestar i hapur!" (Kasas, 15)
Ai ia atribuoi shejtanit faktin që nuk e kishte marrë në konsideratë fuqinë e tij. Nga vetë fjalët, kuptohet që Musai a.s e njihte shejtanin, ngatërresat dhe armiqësinë që i kishte shpallur racës njerëzore.
Musai a.s u pendua dhe u bë pishman për atë që sapo kishte ndodhur.
"O Zoti im! Njëmend, Unë i kam bërë keq vetes, andaj më fal!” Dhe Ai e fali. Pa dyshim, Ai është Falësi e Mëshirëploti." (Kasas, 16)
Meqë ishte një gjynah që ndodhi pa dashje dhe në gjaknxehtësi e sipër, Zoti ia fali.
"Musai tha: “O Zoti im! Falë të mirave që më ke dhënë, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqijve!” (Kasas, 17)
Meqënëse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u betua se kurrë nuk do të bëhet dorë e kriminelëve dhe njerëzve të ligë.
Edhe pse Zoti ia fali këtë gjynah, Musai a.s u frikësua nga ndonjë hakmarrje, pasi sapo kishte vrarë një egjiptian. çfarë duhej të bënte?
Të nesërmen në mëngjes, teksa ecte plot kujdes Musai a.s përballet me të njëjtën skenë dhe me të njëjtin izraelit që kishte ndihmuar një ditë më parë duke u ngatërruar me një egjiptian tjetër. Thotë Zoti në Kuran:
"Teksa Musai ecte në mëngjes i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të ndodhte, kur ai që të djeshmen e kishte thirrur në ndihmë, e thirri sërish në ndihmë. Musai i tha: “Ti qenke tamam një ngatërrestar i hapur!” (Kasas, 18)
Megjithatë i erdhi keq për izraelitin dhe u turr t'i vijë në ndihmë. Në atë çast, egjiptiani i frikësuar i tha:
"Dhe, kur deshi të sulmonte atë që ishte armik i të dyve, ai i tha: “O Musa, a do të më vrasësh edhe mua, siç vrave atë tjetrin dje?! Ti dëshiron vetëm që të bëhesh dhunues në tokë e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që ndreqin e vendosin drejtësi”. (Kasas, 19)
Pra, duket që lajmi se Musai a.s kishte vrarë një egjiptian ishte përhapur tashmë në qytet dhe të gjithë e dinin.
Disa interpretues të Kuranit, mendojnë se ai që i tha fjalët e mësipërme ishte izraeliti, i cili mendoi se Musai do qëllojë atë sot, pasi e akuzoi si ngatërrestar.
Musai a.s, duke ndjerë rrezikun që i kanosej, u fsheh. Një mik dhe shok i tij në pallatin e faraonit, e gjeti dhe i kërkoi të largohej menjëherë nga Egjipti pasi faraoni kishte vendosur ta ekzekutojë.
"Aty erdhi një njeri, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha:“O Musa, paria është mbledhur e po bisedon për të të vrarë, prandaj ik, sepse po ta jap një këshillë të sinqertë”. (Kasas, 20)
Vetë faraoni nuk e donte Musain a.s dhe kjo u pa që ditën e parë që e gjeti e shoqja. Po kështu, edhe paria e Egjiptit e urrenin, pasi e dinin se i përkiste Benu Israilëve. Tashmë ishin krijuar kushtet e duhura për ta hequr qafe Musain.
"Musai doli prej qytetit i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhte dhe tha: “O Zoti im, më shpëto prej popullit keqbërës!” (Kasas, 21)
E ku të shkonte Musai a.s, ndërkohë që të gjithë ishin vënë në kërkim të tij për ta hequr qafe? Ai nuk kishte me vete as ushqim për udhëtim, as ujë, as kafshë dhe as nuk e njihte rajonin. Pa e ditur se ku po shkon, ai udhëtoi në shkretëtirë derisa arriti në Palestinë. Të gjithë këtë distancë ai e përshkoi në këmbë, ku iu grisën këpucët që kishte veshur dhe e plotësoi rrugën këmbëzbathur. Duke qenë se nuk kishte as ushqim, ai ushqehej me gjethe pemësh.
Musai a.s vazhdoi udhëtimin gjersa arriti në Medjen, fshatin ku banonte dhe jetonte profeti i Zotit, Shuajbi a.s. Kjo ishte pasi Zoti e kishte shkatërruar dhe ndëshkuar popullin e Shuajbit, të cilët adhuronin një pemë.
"Kur arriti tek pusi i Medjenit, ndeshi rreth tij shumë njerëz që u jepnin ujë kafshëve. Përveç tyre, ai vuri re dy vasha që po mbanin kafshët e veta. Ai tha: “Si e keni hallin ju?” Ato thanë: “Ne nuk u japim ujë, pa u larguar barinjtë. Babai ynë është shumë plak”. (Kasas, 23)
Në Medjen, ndodhej një pus uji, ku njerëzit mbushnin ujë për vete dhe për kafshët. Ujin që mbushnin nga pusi, ata e derdhnin nga lugje, ku pinin më pas kafshët e secilit. Ndërkohë që të gjithë njerëzit mbushnin ujë dhe u jepnin të pinë bagëtive, dy vajza të reja qëndronin mënjanë me bagëtinë e tyre. Musai a.s u afrua dhe i pyeti përse qëndronin mënjanë dhe nuk u jepnin ujë bagëtisë. Vajzat u justifikuan se nuk donin të përziheshin me burrat e tjerë. Menjëherë Musai a.s vajti dhe mbushi ujë për bagëtinë e dy vajzave dhe pasi u larguan, Musai a.s u ul nën hijen e një peme.
"Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!” (Kasas, 24)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Kur Musai a.s mbërriti në Medjen, i ishte rrjepur lëkura e këmbëve nga udhëtimi këmbëzbathur, kurse barku i ishte ngjitur me shpinën nga uria."
Njëra nga dy vajzat, e dëgjuan lutjen e mësipërme të Musait a.s dhe me të mbërritur në shtëpi, i rrëfyen babait të tyre gjithçka që kishte ndodhur. Ato e panë që ai ishte njeri i fisëm dhe shpirtmadh dhe vendosën që ta ftojnë në shtëpi që ta shpërblejnë.
"Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha:“Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)”. (Kasas, 25)
Siç e cekën dhe ajeti, vajza erdhi me ndrojtje tek Musai a.s dhe e ftoi në shtëpi. Gjatë rrugës, Musai a.s ecte para kurse vajza pas dhe sa herë që i duhej t'i tregojë drejtimin që duhej të ndiqte, vajza i hidhte një guralec në drejtimin e duhur. Një nga tiparet dalluese të një vajze myslimane është edukata dhe morali i turpit. Këtë e shohim të pasqyruar tek vajza e një profeti dhe bashkëshortja e një profeti. Kjo vajzë, ishte vajza e profetit Shuajb a.s dhe më pas do të martohet me vetë Musain a.s.
"Kur Musai shkoi tek ai dhe i tregoi çfarë kishte përjetuar, ai tha:“Mos u frikëso, sepse ke shpëtuar prej një populli keqbërës!” “O babai im, - tha njëra nga ato të dyja - merre këtë njeri në shërbim! Sigurisht që njerëzit e fortë dhe të besueshëm janë më të mirët, që dikush mund të marrë në shërbim”. (Kasas, 25-26)
Cilësitë më kryesore që duhet të përmbushë një punonjës janë aftësia dhe besueshmëria. Përveç aftësive të tij, ai duhet të përmbushë dhe kriterin e besueshmërisë, të jetë njeri i besueshëm dhe që e njeh Zotin. Përkundrazi, do e shpërdorojë pasurinë tënde.
Duke shquar cilësi dhe tipare të rralla tek Musai a.s, Shuajbi vendosi ta martojë me njërën nga dy vajzat e tij. Meqë Musai a.s nuk kishte pasuri, pasi ishte i arratisur, Shuajbi i kërkoi që si dhuratë martesore, të punonte tetë vite tek ai. Pas kësaj, do të ishte i lirë të shkonte ku të dëshirojë.
"Plaku tha: “Unë dua të të jap për grua njërën prej këtyre dy bijave të mia, me kusht që të më shërbesh mua tetë vjet; por, nëse dëshiron, mund të qëndrosh dhjetë vjet. Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë. Musai tha: “Le të jetë kështu (kjo marrëveshje) midis meje dhe teje. Cilindo prej të dy afateve që të plotësoj, nuk do të jetë padrejtësi për mua. Allahu është Dëshmues për atë që folëm.” (Kasas, 27-28)
Profeti Muhamed a.s u pyet një ditë se sa vite qëndroi Musai a.s në shtëpinë e Shuajbit, duke i shërbyer. Profeti a.s u përgjigj:"I plotësoi dhjetë vite."
Pas dhjetë vitesh, Musai a.s kishte ndryshuar shumë dhe ndjente mall për vendlindjen e tij, për nënën, motrën dhe vëllain. Kështu, bashkë me gruan ai u nis për në Egjipt. Gjatë rrugës, ai humbet në shkretëtirë. U rrek të ndezë një zjarr, pasi ishte natë e ftohte, por nuk mundi dot. Nga larg, ai dalloi një dritë zjarri dhe i kërkoi gruas të presë aty ku ishte dhe u nis menjëherë drejt zjarrit.
"Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vuri re nga larg një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur”. (Kasas, 29)
Padyshim që kjo i ndodhte sipas një plani dhe projekti nga vetë Zoti i madhëruar. Ai duhej të humbiste rrugën atë natë, të mërdhinte bashkë me të shoqen dhe të kërkonte të ndezë një zjarr.
"A e ke dëgjuar historinë e Musait? Kur pa një zjarr, ai i tha familjes së vet: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. (Taha, 9-10)
Kur arriti pranë zjarrit, Musai a.s dalloi diçka të çuditshme. Ajo që Musai a.s e kishte marrë për zjarr, ishte dritë, nur. Kjo dritë dhe nur buronte nga një pemë e madhe. I habitur u afrua tek kjo pemë e cila ndriçonte nga brenda. Kur u afrua, dëgjoi për herë të parë thirrjen hyjnore që i drejtohej pikërisht atij. Zoti i lartësuar po i fliste një krijese të Tij në mënyrë direkt dhe pa ndërmjetës, gjë e cila nuk i ka ndodhur tjetër kujt, përveç profetit Muhamed a.s natën e Miraxhit.
"Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!"
"Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj tepër të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë. Prandaj, mos e lër atë që nuk beson në të (Ditën e Kiametit) dhe që jepet pas epsheve të veta, të të nxjerrë (nga rruga e drejtë), përndryshe do të humbisje." (Taha, 11-16)
Në një ajet tjetër të sures Kasas, Zoti i lartësuar e përshkruan këtë çast me fjalët:
"Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!" (Kasas, 30)
Pasi Musait a.s iu bë gjithçka e qartë, Zoti e pyet në një moment:"Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilin mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë të tjera. (Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej." (Taha, 17)
Në një ajet tjetër, Zoti thotë:
"Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa shkopin që po lëvizte si gjarpër, ai iku me vrap e nuk u kthye prapa. (Zoti i thirri) “O Musa, mos u frikëso! Në të vërtetë, të dërguarit e Mi nuk frikësohen në praninë Time." (Neml, 10)
"Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë, pa shikuar pas, ndërsa zëri i tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur." (Kasas, 31)
Në çastin që shkopi i tij u shndërrua në gjarpër, Musain a.s e kaploi frika dhe paniku. Pasi Zoti e urdhëroi ta marrë në dorë, Musai a.s e kapi për bishti dhe u shndërrua sërish në shkop.
"(Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme."(Taha, 21)
Veç mrekullisë së shkopit që shndërrohej në gjarpër, Zoti i dha Musait a.s edhe një mrekulli të dytë, të cilën e gjejmë në ajetet:
"Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër." (Taha, 22)
"Fute dorën tënde brenda në gji dhe do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje." (Neml, 12)
Musai a.s u urdhërua ta fusë dorën nën sqetull dhe kur e nxorri që andej, ajo i shkëlqente si dielli. Nëse e fuste dorën sërish nën sqetull, drita largohej. Nëse do e kaplonte frika për një arsye apo për një tjetër, Musai a.s mblidhte krahun pas vetes dhe ajo i largohej. Thotë Zoti në Kuran:"Shtrëngoje krahun pas vetes që të çlirohesh prej frikës! Këto janë dy mrekulli prej Zotit tënd për Faraonin dhe parinë e tij; ata janë njëmend popull i mbrapshtë!” (Kasas, 32)
Pasi e kuptoi mesazhin me të cilin e ngarkoi Zoti, Musai a.s i tha:
" (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma kraharorin tim, lehtësoma punën time, dhe zgjidhma nyjen e gjuhës sime, që ata të kuptojnë fjalën time!" (Taha, 24-28)
Siç dihet, Musai a.s vuante nga belbëzimi, për këtë iu lut Zotit që t'ia largojë këtë të metë. Sa herë që fliste gjëra të zakonshme, Musai a.s belbëzonte, ndërkohë që kur i fliste faraonit mbi Zotin dhe e ftonte në fenë e Tij, fliste lirshëm dhe pa probleme.
Kur nëna e besimtarëve, Aisheja, u pyet se kush ishte ndërmjetësuesi më i madh në histori, u përgjigj:"Ai është Musai a.s, i cili ndërmjetësoi tek Zoti që edhe vëllai i tij të bëhej profet."
"Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, vëllanë tim! Ma rrit fuqinë nëpërmjet atij dhe bëma ortak në punën time, që të thurim shumë lavde për Ty e të të përmendim Ty vazhdimisht! Vërtet, Ti do të jesh gjithnjë Mbikëqyrësi ynë”. (Allahu) tha: “Kërkesa jote u plotësua, o Musa." (Taha, 29-36)
Pas kësaj, Musai a.s u kujtua se kishte vrarë një egjiptian dhe se kjo mund të përbënte rrezik për jetën e tij.
"Musai tha: “O Zoti im, unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se do të më vrasin. Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë në të folur, andaj dërgoje atë me mua, si ndihmës timin, që të vërtetojë fjalët e mia. Unë vërtet kam frikë se ata do të më quajnë gënjeshtar”. Allahu tha: “Ne do të të forcojmë ty me vëllanë tënd dhe që të dyve do t’ju japim fuqi. Kështu, ata nuk do të mund t’ju afrohen juve. Me mrekullitë Tona, ju të dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do
të jeni ngadhënjimtarë." (Kasas, 33)
Musai a.s në Egjipt
Me të mbërritur në Egjipt, Musai a.s u drejtua drejt shtëpisë së nënën së tij. Pasi u takua me të gjithë familjarët, ai bashkë me Harunin u nisën tek faraoni. Kur vajtën tek porta e pallatit, rojet nuk i lejuan të hyjnë brenda. Musai a.s u tha se ishte i dërguar dhe rojet menduan se ishte i dërguari i ndonjë mbreti dhe e lejuan të hyjë tek faraoni.
Misioni i Musait a.s ishte që të nxjerrë Benu Israilët nga Egjipti. Thotë Zoti në Kuran:"Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Ne jemi të dërguarit e Zotit të botëve, që të lejoni bijtë e Izraelit të vijnë me ne!” (Shuara, 16)
Me ta parë, faraoni e njohu menjëherë Musain a.s dhe kur dëgjoi kërkesën e tij, i tha:
"Faraoni tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur në gjirin tonë si fëmijë?! A nuk ke qëndruar midis nesh shumë vjet të jetës sate?! E pastaj bëre veprën që ti e di, duke qenë mosmirënjohës?! Musai tha: “E kam bërë atë, kur nuk kam qenë i udhëzuar. Pastaj ika prej jush, kur u frikësova prej jush dhe Zoti im më dhuroi mençuri dhe më bëri një nga të dërguarit. A e quan mirësi atë që më bëre mua, ndërkohë që bijtë e Izraelit (popullin tim) i bëre skllevër? Faraoni e pyeti: “E ç’është Zoti i botëve?” (Musai) u përgjigj: “Është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje”. (Shuara, 18-24)
Këto fjalë, Musai a.s nuk ia adresonte vetëm faraonit, por edhe të pranishmëve të tjerë që ishin të pranishëm.
(Faraoni) u tha atyre rreth vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni?!” Ai tha: “Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj.” (Faraoni) tha: “Me të vërtetë, i Dërguari që ju është sjellë, është i çmendur”. (Musai) tha: “Zoti i Lindjes dhe i Perëndimit dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse kuptoni." (Shuara, 25-28)
Musai a.s ceku disa cilësi të Zotit, i cili kishte nën sundim Lindjen dhe Perëndimin, cilësi këto që nuk i gëzonte faraoni që pretendonte se gëzonte cilësi hyjnore. Kur i dëgjoi këto fjalë, faraoni u frikësua se mos të pranishmit ndikohen nga fjalët e Musait a.s, për këtë filloi ta kërcënojë dhe t'i bëjë shantazh Musait a.s.
"(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetërkënd, përveç meje, me siguri, do të të fus në burg!” (Shuara, 29)
Kjo është sjellja tipike e diktatorëve dhe despotëve, të cilët nuk binden me argumente racionale. Zgjidhja e vetme e tyre janë burgjet, torturat, syrgjynosja dhe keqtrajtimi i hoxhallarëve dhe ftuesve myslimanë.
Duke parë kokëfortësinë e faraonit, Musai a.s vendosi të luajë me kartën e mrekullive, me shpresë se do të reflektonte.
"(Musai) u përgjigj: “Vallë, edhe pasi të të kem sjellë mrekulli të qartë? “(Faraoni) tha: “Tregoje pra, nëse thua të vërtetën!” (Shuara, 30-31)
Dialogu mes Musait a.s dhe faraonit ceket dhe në shumë ajete të tjera të Kuranit.
"Shkoni tek ai dhe i thoni: “Ne të dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji të bijtë e Izraelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo! Ne të kemi sjellë ty një shenjë nga Zoti yt. Paqe mbi atë që ndjek rrugën e drejtë! "Vërtet, neve na është shpallur se dënimi do të godasë këdo, që (i) mohon (shenjat e Allahut) dhe (i) kthen shpinën (të dërguarve të Tij)”. (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?” (Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”. (Faraoni) tha: “Si është gjendja e brezave të mëparshëm”? përse ata nuk e kanë adhuruar këtë Zotin që beson ti dhe na kërkon ta besojmë dhe ne? - (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!” – me këtë, Musai a.s sikur i tërhiqte vëmendjen që të mos e shkëpusnin bisedën tek brezat e parakaluar, por të flisnin mbi atë kohë - Është Ai që Tokën e ka bërë shtrat për ju, që ju ka shtruar rrugët nëpër të dhe që lëshon ujë nga qielli, me qëllim që, nëpërmjet tij, të rriten shumë lloje bimësh të ndryshme. Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë shenja për ata që janë mendarë." (Taha, 47-54)
Kur Musai a.s i foli mbi fakte dhe prova konkrete, të cilat dëshmonin vërtetësinë e asaj që kishte thënë gjer atëherë, faraoni pranoi.
"(Musai) lëshoi shkopin e vet e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë! Pastaj nxori dorën e vet dhe ajo, menjëherë u duk e bardhë para shikuesve!" (Shuara, 31-32)
Ishin dy mrekulli të cilat i lanë gojëhapur faraonin dhe të pranishmit. Duke ndjerë rrezikun, faraoni ndërhyri menjëherë dhe tha:"dhe tha: “O Musa, a ke ardhur që të na nxjerrësh nga toka jonë me magjinë tënde?! Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. Cakto, midis nesh dhe teje, një takim në një vend të sheshtë, ku nuk do të mungojmë as ne, as ti!” (Taha, 58)
Pra, faraoni e akuzoi Musain a.s për magji, madje e sfidoi duke e ftuar të përballej me magjistarët e tij. Kjo ishte pikërisht ajo që dëshironte dhe Musai a.s.
"(Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia le të tubohen paradite”. (Taha, 59)
Musai a.s para magjistarëve
Me të dalë para magjistarëve, Musai a.s i paralajmëroi mbi pasojat që do të kishin po të vazhdonin duke mashtruar njerëzit.
"Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61)
Këta magjistarë, ishin përzgjedhur nga faraoni që në vegjëli dhe i kishte dërguar tek magjistarët më të famshëm të Egjiptit. Pasi ishin rritur, ata kishin marrë nam në të gjithë Egjiptin për magjitë e tyre. Kur i dëgjuan fjalët e mësipërme të Musait a.s, filluan të diskutojnë mes njëri-tjetrit, pasi e kuptuan që nuk ishin fjalë të një magjistari.
"Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi." (Taha, 62)
Me njëri-tjetrin ata e pleqëruan çështjen e Musait a.s, i cili nuk u dukej një magjistar siç ishin vetë, por seç kishte diçka ndryshe. Në fund, ata u nisën drejt faraonit të cilit i thanë:"Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”. (Araf, 113-114)
Jo vetëm që do të shpërbleheni – nëse e thyeni me magjinë tuaj Musain – por edhe do t'u emëroj në postet më të lartë pranë meje. Kjo ua shtoi lakminë më shumë magjistarëve dhe para njerëzve deklaruan:
"Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë. Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 63-64)
Të gjithë magjistarët u vunë në një rresht, ndërkohë që Musai a.s ndodhej përballë tyre i vetëm dhe pas tij Haruni.
"Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët”. (Taha, 65)
Zoti e frymëzoi Musain a.s që të presë derisa magjistarët të demonstrojnë magjitë e tyre të parët.
"Ai tha: “Jo, hidhni ju!” Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre." (Taha, 66)
Dyzet magjistarët e faraonit hodhën përtokë shkopinjtë dhe litarët e tyre, të cilët menjëherë filluan të lëvizin dhe të përdridhen si të ishin gjarpërinj. Kjo skenë e magjepsi edhe vetë Musain a.s.
"Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre." (Taha, 66)
"Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe manifestuan një magji të madhe." (Araf, 116)
Njerëzit që e dëshmuan këtë ngjarje dhe skenë i mbërtheu paniku. Po kështu, edhe vetë Musai a.s u frikësua. "Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete." (Taha, 67)
Por Zoti e qetësoi Musain a.s me fjalët:"Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet." (Taha, 68)
Me ta hedhur bastunin e tij Musai a.s, u shndërruan në gjarpër dhe filloi të përpijë të gjithë shkopinjtë dhe litarët e magjistarëve. Kjo skenë i siguroi magjistarët se ajo që sapi kishin parë nuk mund të ishte magji.
Për të treguar se magjistarët e pranuan menjëherë këtë të vërtetë, Kurani thotë:" Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”. (Taha, 70)
Ajo që kishin parë me sytë e tyre nuk ishte magji, por ishte një mrekulli me burim hyjnor. Ky reagim i magjistarëve, e xhindosi faraonin.
Ai u ngrit dhe u drejtua magjistarëve me fjalët:“Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?!" (Taha, 71)
Magjistarët, kur konstatuan se ajo që sapo bëri Musai a.s nuk ishte magji, e harruan faraonin. Në sexhde ata sikur i detyroi dikush të bien. Vetë folja që është përdorur në këtë kontekst (Ulkije) do të thotë "u hodhën", pra sikur dikush i hodhi në sexhde.
Për të gjetur një justifikim dhe për të mos u demaskuar para gjithë publikut, faraoni u tha magjistarëve duke i akuzuar për komplot:"Në të vërtetë, ai (Musai a.s) është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë." (Taha, 71)
"Në të vërtetë, ky është një komplot që keni përgatitur, me qëllim që të nxirrni nga qyteti banorët e tij! Keni për ta parë!" (Araf, 123)
Faraoni që kishte vrarë kushedi sa foshnje nga bijtë e Izraelit, i shtypte dhe i keqtrajtonte, akuzonte magjistarët dhe Musain a.s për komplot dhe qëllime të këqija. Është e njëjta propagandë, e cila sot adresohet kundër ftuesve dhe hoxhallarëve, të cilët akuzohen si terroristë dhe ekstremistë. Vetë kriminelët dhe spastruesit etnikë, akuzojnë viktimat. Sa e ngjashme e djeshmja me të sotmen!
Faraoni edhe i kërcënoi me fjalët:"Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e palmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.” (Taha, 71)
Përgjigja e magjistarëve ishte e prerë dhe nuk përmbante nota hezitimi:
"(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!" (Taha, 72)
Faraoni urdhëroi që të vriteshin të gjithë magjistarët që kishin besuar Musain a.s. Magjistarët ishin të parët që besuan në mesazhin e Musait a.s. Përveç magjistarëve, Musain a.s e besuan dhe tre persona të tjerë. Thotë Ibnu Abasi:"Nga egjiptianët e tjerë, nuk besuan veçse tre persona: Asija, burri që i kishte treguar Musait a.s e faraoni kërkon ta ekzekutojë pasi kishte mbytur një egjiptian dhe besoi një i tretë nga këshilltarët e faraonit, por që e mbajti besimin të fshehtë."
Faraoni u veçua me këshilltarët e tij për ta pleqëruar çështjen e Musait a.s dhe të magjistarëve. Ata e këshilluan që t'i keqtrajtojë më shumë bijtë e Izraelit.
Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë fakt:"Dhe, kur ai u solli atyre të Vërtetën prej Nesh, ata thanë:“Vritini djemtë e atyre që i kanë besuar atij dhe lërini të gjalla vajzat e tyre!” (Gafir, 25)
Ai filloi edhe të tallej dhe ironizojë Musain a.s me fjalët:"Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”. (Gafir, 26)
Musai a.s nuk kishte ku të mbështetej tjetër përveçse në ndihmën e Zotit të lartësuar. "Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë”! (Gafir, 27)
Besimtari që i përkiste familjes së faraonit, por që e mbante të fshehtë besimin e tij, iu drejtua faraonit dhe të tjerëve me fjalët:
"Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë “Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar." (Gafir, 28)
Ishte një qëndrim fisnik i këtij besimtari, i cili i kujtonte faraonit madhështinë e Zotit dhe i kërkonte të mos e kundërshtojë profetin e dërguar prej Tij. Faraoni deshi ta keqtrajtojë dhe të hakmerret për këtë guxim, por Zoti e mbrojti.
"Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte Faraoni dhe paria e tij. Faraoni ishte vërtet një tiran në tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi." (Junus, 83)
Faraoni filloi të zbatojë planin dhe projektin e tij për t'ua dyfishuar bijve të Israelit dhimbjet dhe vuajtjet.
Benu Israilët vajtën tek Musai a.s dhe iu ankuan për shtypjen dhe vuajtjet. "Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. (Araf, 129) Fëmijët tanë janë therrur para se të vije ti dhe pasi erdhe.
"Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai, nëse jeni myslimanë!” Ata thanë: “Ne jemi mbështetur tek Allahu. O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë), dhe shpëtona me mëshirën Tënde, nga populli mohues!” (Junus, 84)
Zoti e frymëzoi Musain a.s dhe të vëllanë e tij që në shtëpitë e bijve të Izraelit të vendosin shenja të caktuara që të njihen.
"Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sillu lajmin e mirë besimtarëve!” (Junus, 87)
Kjo bëhej me qëllim që kur të urdhërohen për t'u larguar nga Egjipti, ta kenë të lehtë lokalizimin e hebrenjve.
Mandej, Musai a.s e luti Zotin kundër faraonit dhe parisë së egjiptit.
Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë, derisa të shijojnë dënimin e dhembshëm!” (Junus, 88)
Tregojnë historianët:"Të gjithë pasuritë e faraonit dhe të elitës së Egjiptit, u shndërruan në gurë." Jo vetëm pasuritë, por edhe ushqimet me të cilat ushqeheshin çdo ditë.
"(Allahu) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni të dy në rrugën e drejtë dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të paditurve!” (Junus, 89)
Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”. (Araf, 129)
Ndëshkimet e Zotit mbi egjiptianët
Kur shtypja, keqtrajtimet dhe torturat u shtuan mbi bijtë e Izraelit, Zoti çon ndëshkimin e tij kundër egjiptianëve.
"Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend." (Araf, 130)
Ndëshkimi i parë ishte thatësira, shi nuk binte, burimet u shterën dhe niveli i Nilit ra si asnjëherë më parë. Thatësira bëri që Egjipti të kaplohej nga zia e bukës. Faraoni menjëherë e kuptoi se kjo u erdhi prej Musait a.s dhe e thirri menjëherë. Me t'u takuar, faraoni i tha:"Nëse e lut Zotin që të bjerë shi dhe të largohet thatësira, bijtë e Izraelit nuk do të vuajnë më." Musai a.s e luti Zotin që ta largojë thatësirën dhe menjëherë Nili u mbush me ujë dhe ra shi i bollshëm. Por faraoni nuk e mbajti fjalën dhe vazhdoi me shtypjen e bijve të Izraelit.
Ndëshkimi i dytë: Pakësim i frutave. Të gjithë pemët që më parë prodhonin sasi të konsiderueshme frutash, tani nuk prodhonin veçse një kokër të vetme. Palmat, nuk prodhonin veçse një bistak të vetëm me hurma. Vreshtat e rrushit nuk prodhonin veçse nga një bistak me një kokërr rrushi. Faraoni e thirri sërish Musain a.s dhe i kërkoi ta lusë Zotin që të largohej ai ndëshkim, në këmbim të mos keqtrajtimit të bijve të Izraelit. Musai a.s e luti Zotin dhe pemët u mbushëm me fruta. Megjithatë, faraoni sërish nuk e mbajti fjalën dhe nuk i lejoi bijtë e Izraelit të largohen.
"Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thonin: “Këtë e kemi merituar!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!" (Araf, 131)
Ndëshkimet filluan të ndjekin njëri-tjetrin. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë:
"Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës." (Araf, 133)
Ajeti përmend vetëm pesë argumente dhe ndëshkime për faraonin dhe popullin e tij. Katër të tjerat i kemi cekur më lart dhe ato janë: Shkopi që shndërrohej në gjarpër, dora që shkëlqente si dielli kur futej nën sqetull, thatësira dhe mungesa e frutave.
Ndëshkimi i radhës ishte përmbytja e Egjiptit. E veçantë është se i gjithë Egjipti u përmbyt, kurse lagjet ku banonin bijtë e Izraelit nuk pësuan asgjë. Menjëherë faraoni kërkoi Musain a.s dhe iu lut të largohej ky dënim. Musai a.s e luti Zotin dhe përmbytjet u ndalën. Megjithatë faraoni vazhdoi me keqtrajtimet dhe shtypjen. Ndëshkimi tjetër ishin karkalecat, të cilët u përhapën me shpejtësi dhe shkatërruan të mbjellat e egjiptianëve. Të gjithë plantacionet me të mbjella të egjiptianëve shkatërroheshin nga karkalecat, ndërkohë ato të bijve të Izraelit nuk pësonin asgjë. Meqë faraoni nuk zinte mend, këtë ndëshkim e pasonte tjetri, morrat. Të gjithë egjiptianët u mbushën me morra në kokë dhe në të gjithë trupin. Ndërkohë që bijtë e Izraelit nuk u prekën aspak nga morrat. Sa herë që një egjiptian shtrihej të pushojë, mbulohej nga morrat.
Ndëshkimi i radhës ishin bretkosat që mbushën vendin. Sa herë që një egjiptian hapte enën të pijë ujë, gjente bretkosa brenda. Shtrihej të flejë, nuk e zinte gjumi nga kuakjet e bretkosave. Ulej të hajë vaktin e radhës dhe hapte gojë për të ngrënë, bretkosa i turrej mu në gojë.
Ndëshkimi i fundit, i cili e drobiti dhe e shkrehu fare faraonin ishte gjaku. Sa herë që një egjiptian shkonte të mbushë ujë në Nil, uji shndërrohej në gjak. Kjo nuk ndodhte me bijtë e Izraelit. Egjiptianët kur mbushnin ujë nga puset, në kova dilte vetëm gjak, kurse kovat e bijve të Izraelit mbusheshin me ujë. Të gjendur në këtë situatë, egjiptianët shkonin tek bijtë e Izraelit të pinë ujë. Por sa e mbushnin gotën për të pirë, shndërrohej në gjak.
"E kur i godiste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Izraelit të ikin me ty”. Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata e shkelën menjëherë premtimin." (Araf, 134-135)
Në këtë rast, faraoni dhe egjiptianët u lodhën dhe u drobitën, saqë për herë të parë faraoni pranon që t'i lërë bijtë e Izraelit të largohen nga Egjipti, në këmbim të shmangies së këtij dënimi.
Menjëherë Musai a.s i urdhëroi bijtë e Izraelit që në darkë të përgatiteshin se do të niseshin natën për t'u larguar nga Egjipti. Kjo, nga frika se mos faraoni pendohej sërish dhe nuk i lejonte të largohen.
"(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!" (Duhan, 23)
Meqë të gjithë i n shtëpitë e njëri-tjetrin nga shenjat e vendosura më parë, filluan gjashtëqind mijë banorë, me plaçkat, fëmijët dhe kafshët, të dalin nga shtëpitë dhe të ndërmarrin udhëtimin e shpëtimit drejt Palestinës.
Të nesërmen në mëngjes, faraoni u pendua për lejen që i kishte dhënë Musait a.s për të marrë popullin e tij. Kush do u shërbente atyre tani që po iknin hebrenjtë? Ku do i merrnin skllevërit dhe krahun e punës?
"Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata shkelën menjëherë premtimin." (Araf, 135)
Menjëherë ai dhe ushtria u vunë pas hebrenjve dhe Musait a.s. Thotë Zoti në Kuran:"Në agim, ata (njerëzit e Faraonit) iu afruan atyre." (Shuara, 60)
Në këtë kohë, Musai a.s bashkë me popullin e tij kishin mbërritur në brigjet e detit të Kuq. Nga larg, ata dalluan ushtrinë e faraonit që u ishte qepur pas.
"Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën:“Me të vërtetë, na zunë!” Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën”. (Shuara, 61-62)
Teksa ushtria e faraonit afrohej, njerëzit e Musait a.s i kaploi tmerri dhe paniku nga ajo që i priste.
"Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh." (Shuara, 63)
Ishte një mrekulli tjetër që Zoti ia dha Musait a.s dhe të cilën e panë me sytë e tyre hebrenjtë dhe ushtria e faraonit. Deti u nda në dy pjesë, ku secila i ngjante një mali të lartë. E veçantë është se edhe rruga ku ishte hapur deti nuk ishte e lagësht, por e thatë, që bijtë e Izraelit të kalojnë pa mundim.
"..hapu atyre një rrugë të tharë nëpër det dhe mos u frikëso se do të të kapë ndokush e as se do të mbyteni!” (Taha, 77)
Faraoni bashkë me ushtrinë qëndruan para detit. Ai kishte frikë dhe hezitoi t'i ndjekë nga pas bijtë e Izraelit, por kali i tij u turr me vrap në rrugën që ishte hapur. Pas tij u turr e gjithë ushtria. Me të kaluar izraeliti i fundit nga deti, para se faraoni të dalë, dy pjesët e detit bashkohen sërish
"Faraoni i ndoqi ata (bijtë e Izraelit) me ushtrinë e tij, por deti i mbuloi ata me dallgë të mëdha. Faraoni i solli humbje popullit të vet dhe nuk e çoi në rrugë të drejtë." (Taha, 78-79)
Ne i mbartëm izraelitët përtej detit dhe Faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi ata nga ligësia dhe armiqësia. Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” – Por faraonit nuk iu pranua pendimi, pasi ishte në çastet kur konstatoi vdekjen – Zoti i lartësuar iu përgjigj: “Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?! Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona." (Junus, 90-92)
Është mrekulli tjetër që Zoti e la trupin e tij si argument për njerëzit. Ai ndodhet sot e kësaj dite si mumje në muzeun e Egjiptit. Është pikërisht mumia e Ramsisit, faraoni i Musait a.s që u mbyt në det.
Në një hadith, Xhibrili a.s i thotë profetit Muhamed a.s:"Nuk kam urryer askënd siç kam urryer faraonin. Veç të më shihje o i dërguar i Allahut, duke marrë ujë dhe duke ia mbushur gojën, me qëllim që të mos dëshmojë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kisha frikë se mos e mëshironte Zoti."
Kështu bijtë e Izraelit shpëtuan dhe e kaluan detin.
Edhe ne duam një idhull ta adhurojmë
Sapo kishin kaluar detin, izraelitët shohin një popull që adhuronin idhullin e tyre. Akoma ndodheshin në shkretëtirën e Sinait dhe nuk kishin mbërritur në Palestinë. Megjithatë, kërkonin të kenë një idhull që ta adhuronin.
"Ne i kaluam bijtë e Izraelit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait:“Na bëna edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota”. Musai tha:“Ju qenkeni vërtet një popull i paditur! Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë, është krejt pa vlerë. A mos vallë doni të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut, që ju ka ngritur mbi të tjerët?!” (Araf, 138-140)
Benu Israilët në shkretëtirën e Sinait
Zoti i shpëtoi Benu Israilët nga shtypja dhe shantazhet e faraonit, me një mrekulli që Zoti ia mundësoi Musait a.s. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
"Kujtoni se si ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju shtypte mizorisht: jua therte djemtë e jua linte të gjalla femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju - nga Zoti juaj. Kujtoni se si e çamë detin e ju shpëtuam, ndërsa në praninë tuaj i fundosëm njerëzit e Faraonit." (Bekare, 49-50)
Të gjithë ngjarjet mes Musait a.s dhe popullit të tij, që nga ky moment do të zhvillohen mes malit Sina dhe Palestinës.
Pasi shpëtuan nga dhuna dhe shtypja e faraonit, Musai a.s bashkë me popullin e tij u nisën drejt malit Tur, ku Zoti i lartësuar do i shpallte Teuratin. Në malin Tur dhe për tridhjetë netë, Musait a.s do i shpallej kushtetuta (Teurati) e cila do të rregullonte marrëdhëniet mes Benu Israilëve. Duke u nisur nga fakti që Benu Israilët ishin gjashtëqind mijë dhe mezi lëviznin, dhe nga fakti që nevoja për një legjislacion ishte shumë e madhe, Musai a.s u nis para tyre për në Tur.
"Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. (Taha, 83-84)
Me të mbërritur në malin Tur, për herë të dytë Musai a.s do të komunikojë direkt me Zotin e lartësuar, por pa e parë me sy. Vetë Zoti i lartësuar e ka emërtuar si të shenjtë malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:"Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas." (Naziat, 16)
Para se të niset i vetëm, Musai a.s e vuri popullin e tij në dijeni se do të kthehej pas tridhjetë ditësh. Gjatë tridhjetë ditëve, Musai a.s agjëronte për të kënaqur Zotin e lartësuar. Por vërejti që goja i mbante erë të keqe për shkak të agjërimit, kështu vendosi të hajë për të larguar erën e keqe. Zoti e kritikoi për këtë dhe e pyeti:"Përse e prishe agjërimin?" Musai a.s iu përgjigj:"Sepse goja mbante erë tepër të keqe." Zoti i tha:"A nuk e dije se era e gojës së agjëruesit, është më e dashur për mua se era e miskut?! Prandaj, agjëro dhe dhjetë ditë të tjera!"
Kështu, Musait a.s iu desh të qëndrojë për dyzet ditë në malin Tur. Thotë Zoti në Kuran:
"Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh. Musai i tha vëllait të vet, Harunit:“Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve!” (Araf, 142)
Gjatë këtyre ditëve, Zoti i lartësuar komunikonte direkt me Musain a.s, pa ndërmjetës. Po kështu komunikonte Musai a.s me Zotin, pa ndërmjetës. Për këtë, Musai a.s njihet si "kelimullah", bashkëbisedues me Zotin pa ndërmjetës.
"Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt." (Nisa, 164)
Musai a.s e shijonte në maksimum këtë nder dhe privilegj, saqë një herë ai lakmoi më shumë. Një herë, ai i kërkoi Zotit që t'ia mundësojë edhe ta shohë. Këtë e përmend vetë Zoti i lartësuar në Kuran ku thotë:"Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: “O Zoti im, shfaqu që të të shoh” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! – Është e pamundur që krijesat ta shohin Zotin në këtë botë. Thotë Zoti në një ajet tjetër:" Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve." (En'am, 103) Pasi profeti Muhamed a.s ishte kthyer nga udhëtimi i Miraxhit, Aisheja e pyet:"Po a tu dha rasti ta shohësh Zotin direkt?!" Profeti a.s i përgjigjet:"Ishte gjithçka nur, e cila nuk ma mundësonte ta shoh." Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:"Perdja që na pengon ta shohim është prej nuri dhe në çastin që e zbulon, djeg gjithçka që gjendet para."
Mandej, Zoti i tha Musait a.s:"Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ty i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!” (Araf, 143)
Tregon Abdullah ibnu Abasi:"Zoti iu shfaq malit sa mollëza e gishtit të vogël."
Megjithatë, i gjithë mali u shkri para syve të Musait a.s dhe u zhduk në çast. Një skenë e tillë e bëri Musain a.s të humbasë vetëdijen. Kur erdhi më vete, ai demonstroi pendim dhe përulje para madhështisë së Zotit.
Pas gjithë kësaj, Zoti i tha Musait a.s:"O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët - me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” (Araf, 144)
Kështu, Zoti i shpalli Musait a.s Teuratin, i cili ishte i shkruar në pllaka guri.
"Ne i shkruam në Pllaka udhëzime dhe shpjegime për gjithçka: “Merri këto me bindje dhe urdhëroje popullin tënd që t’i përvetësojë në mënyrën më të mirë. Unë do t’ju tregoj shtëpinë e të pabindurve." (Araf, 145)
Benu Israilët adhurojnë viçin
Gjatë dyzet ditëve që Musai a.s qëndroi në malin Tur, mes popullit të tij, Benu Israilëve, zhvilloheshin ngjarje të rrezikshme dhe me pasoja. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran lidhur me këtë ngjarje:
"Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?” (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”. (Allahu) tha: “Ne e vumë në provë popullin tënd gjatë mungesës tënde, e Samiriu i nxori ata nga rruga e drejtë”. (Taha, 83-85)
Gjatë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur, Zoti i rrëfeu se një person nga populli i tij, i quajtur Samiri, ishte bërë shkaktar që Benu Israilët të devijonin nga udha e drejtë.
Musai a.s, me të marrë pllakat e gurit të cilat përmbanin mesazhin hyjnor të Zotit dhe plot urtësi, mori rrugën e kthimit për tek populli i tij.
Zoti i lartësuar e përmend në Kuran pikëllimin dhe emocionet e Musait a.s për atë që kishte ndodhur. "Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar." (Taha, 86)
Para se të nisej për në Tur, Musai a.s u kishte premtuar se do të qëndronte atje vetëm tridhjetë ditë. Benu Israilët, kur panë se Musai a.s nuk po kthehej filluan të hamendësojnë. Haruni a.s, vëlla i Musait a.s u tha:"Kam frikë se kemi bërë ndonjë gjynah!"
Në fakt, Benu Israilët kur u larguan nga Egjipti kishin marrë me vete shumë flori dhe stoli të argjendta, të cilat nuk u përkisnin atyre. Duke qenë se gratë izraelite ishin të varfëra, u kërkonin stolitë e argjendta hua grave egjiptiane me të cilat kishin shoqëri dhe ato ua jepnin. Kur Musai a.s i urdhëroi Benu Israilët ta linin Egjiptin, gratë çifute e kishin të pamundur t'ua kthenin shoqeve të tyre egjiptiane stolitë, kështuqë i morën me vete.
Duke e ditur një fakt të tillë, Haruni a.s u tha:"Kam frikë se jemi ndëshkuar për shkak të këtij floriri që nuk na përket neve. Këto stoli as nuk na lejohet t'i përdorim – pasi nuk janë tonat – dhe as nuk mund t'i kthejmë sërish në Egjipt. Prandaj, propozoj ta groposim."
Menjëherë të gjitha gratë e sollën floririn e huazuar nga egjiptianet dhe e groposën në tokë. Një burrë nga populli i Musait a.s, që quhej Samirij, e zhgroposi floririn, e shkriu dhe me të bëri një skulpturë viçi.
Këtij njeriu, Zoti i kishte dhënë disa aftësi që nuk i gëzonte tjetër kush. Ai e kishte të mundur të dallojë Xhibrilin a.s teksa kalonte. Kështu, një ditë ai e kishte parë Xhibrilin a.s teksa udhëtonte me kalë. Kudo që kali hidhte këmbët, vendi gjelbërohej menjëherë. Samirij, shkon tek vendi ku kali i Xhibrilit a.s kishte prekur tokë dhe merr një grusht dhe, të cilin ia hedh viçit të argjendtë. Menjëherë, viçi filloi të pëllasë. Ai vajti tek Benu Israilët dhe pasi u tregoi për viçin, u tha:"Ky është Zoti të cilin kërkon Musai. Me t'u kthyer, Musai do e adhurojë bashkë me ne këtë viç." Mandej, ai u kërkoi ta adhurojnë viçin e argjendtë. Të gjithë këto zhvillime, ngjanë gjatë dhjetë ditëve të fundit të qëndrimit të Musait a.s në Tur. Shumica e Benu Israilëve iu bindën Samiriut dhe e adhuruan viçin, ndërkohë që vetëm një pakicë e refuzuan dhe pritën të vijë Musai a.s.
Kur Musai a.s u kthye nga takimi me Zotin në malin Tur, u zemërua nga ajo që gjeti. Thotë Zoti i lartësuar duke e përshkruar këtë moment:"Musai u kthye te populli i vet i zemëruar dhe i pikëlluar. Tha:“O populli im, vallë, a nuk ju dha Zoti juaj një premtim të mirë? A mos ju duk e gjatë koha (e përmbushjes së premtimit) apo dëshironi që t’ju godasë zemërimi i Zotit tuaj?! Prandaj nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë?!” (Taha, 86)
Siç e cekëm dhe më lart, vetëm një pakicë nga Benu Israilët, bashkë me ta dhe Haruni a.s, nuk e adhuruan viçin, por pritën Musain a.s.
Kur Musai a.s i pyeti mbi arsyen që i shtyri të adhurojnë viçin, ata u përgjigjën:
“Ne nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë me vullnetin tonë, por qemë të ngarkuar rëndë me stolitë e popullit (të Faraonit), andaj i hodhëm ato (në zjarr për t’u lehtësuar). Po kështu i hodhi edhe Samiriu, dhe nga këto ai bëri një trup viçi që pëlliste. Atëherë tha: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait. Ai (Musai) ka harruar (t’ju tregojë për të)!” (Taha, 87-88)
Si është e mundur që Bijtë e Izraelit ta besonin një gjë të tillë? "Vallë, a nuk e shihnin ata, se (viçi) nuk u drejtonte atyre asnjë fjalë dhe nuk ishte në gjendje t’u sillte kurrfarë dëmi apo dobie? Ndërkohë, Haruni u kishte thënë atyre qysh më parë: “O populli im! Kjo është vetëm një provë për ju! Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, andaj ndiqmëni mua dhe dëgjoni urdhrin tim! Ata u përgjigjën: “Ne do t’i lutemi atij, derisa të na kthehet Musai” (Taha, 89-90)
Kur e pa se në ç'gjendje ishin katandisur populli i tij, Musai a.s u zemërua shumë, saqë i hodhi tutje edhe pllakat ku i ishte shpallur Teurati. Ai iu drejtua Harunit fillimisht me kritika të shumta, madje e kapi dhe për flokësh dhe mjekre duke e tërhequr zvarrë, për atë që kishte ndodhur. Natyra e Musait a.s ishte natyrë e ashpër, ndërkohë që natyra e Harunit ishte e butë. Për këtë, hebrenjtë e donin Harunin a.s më shumë se ç'donin Musain a.s.
"(Musai) tha: “O Harun, ç’të pengoi ty, kur i pe ata se kishin humbur, që të vije tek unë?! A mos e kundërshtove urdhrin tim?” (Haruni) tha: “O biri i nënës sime, mos më kap për mjekre e as për koke! Unë kisha frikë se do të thoje: Ke mbjellë përçarje midis bijve të Izraelit e nuk i ke mbajtur porositë e mia”. (Taha, 92-94)
Pra, Haruni a.s u justifikua para Musait a.s se nuk donte t'i përçajë Benu Israilët. Pasi përfundoi me të vëllanë, Musai a.s iu drejtua Samiriut.
Në një ajet tjetër, jepen detaje të tjera lidhur me arsyen që e bëri Harunin a.s të mbajë atë qëndrim.
"Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i pikëlluar, thirri: “Shumë e keqe është ajo që keni bërë pas ikjes sime! A mos vallë donit të shpejtonit ndëshkimin e Zotit tuaj?” Pastaj i hodhi pllakat dhe, duke e kapur vëllanë për koke, e tërhoqi drejt vetes. Haruni i tha: “O djali i nënës sime! Në të vërtetë, këta njerëz më quajtën për të dobët dhe gati më mbytën. – Benu Israilët që adhuruan viçin e kishin kërcënuar me vrasje nëse do ua shante viçin të cilin adhuronin - Mos më turpëro para armiqve dhe mos më llogarit ndër keqbërësit!” (Araf, 150)
(Musai) tha: “Si është puna jote, o Samiri?” (Samiriu) u përgjigj: “Unë pashë atë, që ata nuk e panë. - Ai kishte parë Xhibrilin a.s mbi kalë - Mora një grusht nga gjurmët e të Dërguarit dhe atë e hodha mbi viçin dhe kështu më nxiti vetja (e keqja) ime.” (Taha, 95-96)
Ishin ata hebrenj që pasi kishin parë me sytë e tyre kushedi sa mrekulli nga duart e Musait a.s, adhuronin një viç të argjendtë, thjesht sepse pëlliste. Ata kishin parë me sytë e tyre dhe i kishin përjetuar nëntë ndëshkimet me të cilat Zoti dënoi egjiptianët, kishin parë mrekullinë e hapjes së detit etj... dhe tani harroni gjithçka.
"atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin." (Bekare, 93) Edhe pse ata shfaqeshin dhe manifestonin besimin, brenda në zemër dhe në natyrë u ishte rrënjosur idhujtaria. Kjo është fytyra dhe natyra e vërtetë e hebrenjve, përgjatë gjithë historisë. Në fund, Musai a.s iu drejtua Samiriut me fjalët:
"(Musai) tha: “Atëherë ik! Tërë jetën do të të duhet të thuash:"Mos më prekni"Por të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shikoje zotin tënd që ti e ke adhuruar vazhdimisht: Ne do ta djegim e pastaj do ta hedhim në det hirin e tij." (Taha, 97)
Disa dijetarë kanë mendimin se Musai a.s ua ndaloi Benu Israilëve të sillen keq me të. Kurse disa të tjerë, mendojnë se atë e kaploi një sëmundje ngjitëse, gjë e cila bëri që të gjithë ta braktisin dhe të distancohen prej tij. Premtimi i cili do të zbatohet, është ai i Ditës së Gjykimit.
Mandej, Musai a.s urdhëroi që viçi i argjendtë të shkrihej dhe të vërvitej në det dhe ashtu ndodhi. Pas kësaj, Musai a.s iu drejtua popullit të tij me fjalët:"Në të vërtetë, Zoti juaj është vetëm Allahu; s’ka zot tjetër përveç Tij; dituria e Tij përfshin çdo gjë”. (Taha, 98)
Pas gjithë kësaj, Musai a.s e luti Zotin për vëllanë e tij Harunin.
"Musai u lut: “O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”. (Araf, 151)
Mandej, Zoti i lartësuar i jep udhëzime Musait a.s lidhur me të gjithë ata që adhuruan viçin.
"Ata që zgjodhën viçin për zot të tyre, do t’i zërë zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi në këtë jetë. Kështu i ndëshkojmë Ne ata që shpifin." (Araf, 152)
Që atëherë, Benu Israilët merituan zemërimin e Zotit dhe jetën plot poshtërim. Për këtë, sa herë që falemi, në suren e parë – Fatihanë – ne lutemi:"Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!" (Fatiha, 6-7)
Të udhëzuarit, janë profetët dhe njerëzit e ndershëm që nuk devijuan nga rruga e drejtë. Ata që kanë shkaktuar zemërimin e Zotit, - sipas dijetarëve – janë ata që e njihnin të vërtetën, por që e braktisën me dashje, ata që i shihnin mrekullitë e qarta nga Zoti, megjithatë adhuronin viçin. Kurse të humburit, janë ata që e humbën të vërtetën.
Kur viç i argjendtë u shkri, u copëtua dhe u vërvit në det, adhuruesit e tij e kuptuan se kishin gabuar rëndë. Për këtë, vajtën tek Musai a.s dhe i thanë:"Kemi bërë gjynah të rëndë dhe padrejtësi të madhe. Tashmë duam të pendohemi."
Menjëherë Musait a.s iu shpall nga Zoti, se të gjithë ata që janë penduar, për ta vërtetuar sinqeritetin e pendimit, duhej të vetëvriteshin. Kushdo që pretendonte se ishte penduar sinqerisht, duhej të vriste veten. Thotë Zoti i lartësuar lidhur me këtë fakt:
"..kur ai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti”. (Bekare, 54)
Disa prej tyre e pranuan këtë dhe u vetëvranë, ndërkohë që shumica refuzuan.
"Dhe, vërtet, do t’i gjesh ata më lakmues për të jetuar sesa njerëzit e tjerë, madje, edhe se paganët." (Bekare, 96)
Për ta, nuk ka rëndësi si jetojnë, të nënshtruar, jobesimtarë etj... e rëndësishme është të jetojnë. Kjo është natyra e çifutëve, për këtë i frikësohen shumë vdekjes.
"Ata nuk do të luftojnë kundër jush së bashku, veçse në vende të fortifikuara ose pas mureve." (Hashr, 14)
Bazuar mbi këtë tipar, u erdhi dhe kushti për pranimin e pendimit, vetëvrasja. "Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë." (Araf, 153)
Ndërkkohë që ata që refuzuan i kaploi mallkimi, zemërimi dhe poshtërimi gjatë gjithë jetës.
"Dhe, kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre." (Araf, 154)
Pasi i mori pllakat ku ishte shkruar Teurati, Musai a.s mblodhi popullin e tij dhe u tha:"Në këto pllaka ndodhen udhëzime dhe dispozita nga ana e Zotit të lartësuar. Ato përmbajnë Teuratin, prandaj i dëgjoni dhe u bindeni!"
çifutët i thanë:"Na i lexo njëherë, nëse na pëlqejnë do të veprojmë sipas tyre, në të kundërt jo." “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” (Bekare, 93)
Musai a.s ua përsëriti thirrjen për t'i respektuar dispozitat që ndodheshin në Teurat, megjithatë ata refuzuan sërish. Musai a.s u kërkonte besën dhe fjalën se do vepronin konform ligjeve të cilat gjendeshin në Teurat, por ata e kundërshtonin.
Duke parë kokëfortësinë dhe refuzimin e ligjeve të Zotit, Musait a.s i jepet një mrekulli tjetër, të cilën hebrenjtë e shohin me sytë e tyre. Ajo që ndodhi ishte se mali më i afërt, shkëputet nga vendi, fluturon drejt tyre dhe qëndron sipër kokave. Musai a.s u thotë:"Pranojini ligjet dhe dispozitat që gjenden në këto pllaka, në të kundërt mali do u bjerë mbi koka."
Të frikësuar, të gjithë ata ranë në sexhde. Pastaj i ngritën kokat duke parë malin sipër dhe thanë:"Bindemi, bindemi!"
Nuk u bindën veçse pasi u kërcënuan dhe konstatuan rrezikun. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
"Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni!” Ju thatë: “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!” (Bekare, 93)
"Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta, dhe u thamë: “Mbajeni fort atë që ju dhamë dhe kujtoni çfarë përmban ajo, që të ruheni nga gjynahet.” (Araf, 171)
Nuk u bindën dhe nuk e dhanë fjalën se do i respektonin ligjet e Teuratit, veçse pasi panë se nuk kishin rrugë tjetër. Veç kësaj, ata u detyruan të japin fjalën se çdo urdhër që do u vijë nga Musai a.s do e pranonin pa u lëkundur.
Mandej, Musai a.s vendosi t'i kërkojë falje Zotit, për natyrën kokëforte dhe refuzimin e popullit të tij, për të respektuar ligjet e Zotit. Për këtë, ai përzgjodhi shtatëdhjetë burra nga ata që nuk e kishin adhuruar viçin dhe bashkë me ta u nis drejt malit Tur, ku do të takohej për herë të tretë me Zotin. Thotë Zoti i lartësuar:" Më pas Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë." (Araf, 155)
Pasi mbërritën dhe u ngjitën në malin Tur, mali filloi të lëkundej, saqë u siguruan se do të vdisnin në vend. Ky ishte një sinjal i qartë se Zoti ishte zemëruar shumë me Benu Israilët.
"Kur i goditi tërmeti, ai tha: “O Zoti im! Sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. Por, a do të na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?! Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i miri i mëshiruesve! Na cakto të mira në këtë botë dhe në tjetrën, sepse veç tek Ti ne kthehemi.” Allahu tha: “Unë godas me dënimin Tim kë të dua, ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zeqatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona." (Araf, 155-156)
Pas këtyre lutjeve të Musait a.s, lëkundjet u ndalën dhe mali u qetësua. Pas kësaj, mali mbi të cilin ndodheshin u mbulua nga mjegulla. Aq e dendur ishte mjegulla, saqë nuk shihnin gjë, por vetëm dëgjonin. Në ato çaste Musai a.s filloi t'i kërkojë falje Zotit lidhur me adhurimin e viçit nga populli i tij. Të shtatëdhjetë burrat dëgjonin zëra por nuk shihnin gjë. Pasi Musai a.s e përfundoi takimin me Zotin, u kthye tek të shtatëdhjetë burrat, të cilët i thanë menjëherë:"Ti na premtove se do të takoheshim me Zotin! Ne nuk të besojmë derisa ta shohim Zotin me sytë tanë."
Thotë Zoti në Kuran:"Kujtoni kur i thatë Musait: “O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!” (Bekare, 55)
Edhe pse Musai a.s zgjodhi shtatëdhjetë burrat më të mirë nga mesi i popullit, edhe këta e zhgënjyen me kërkesa të tilla. Ata deklaruan se donin ta shohin Zotin, se nuk mjaftonte të dëgjojnë zëra. Ky ishte një manifestim i hapur i mosbesimit dhe kokëfortësisë së tyre. Menjëherë, Musai a.s filloi t'i paralajmërojë për pasojat e një kërkese të tillë. Ai u foli dhe mbi eksperiencën e tij kur deshi ta shohë Zotin dhe çfarë i ndodhi malit kur Zoti iu shfaq sadopak. Megjithatë ata këmbëngulën ta shohin Zotin. "Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!”
Gjoja, këtë kërkesë e bënin me qëllim që kur të ktheheshin tek çifutët e tjerë, t'u thoshin se e kishin parë haptazi Zotin për të cilin u fliste Musai a.s. Ata i thanë se nuk do të ktheheshin tek Benu Israilët derisa ta shohin Zotin me sytë e tyre.
Një kërkesë e tillë e zemëroi Zotin dhe menjëherë i goditi një rrufe, duke ua marrë jetën të gjithëve njëherazi.
"Atëherë një rrufe ju goditi, ndërsa ishit duke parë." (Bekare, 55)
Siç e thamë, këta ishin njerëzit më të mirë nga e gjithë popullsia e Benu Israilëve. Vallë si do u dilte para njerëzve të tij Musai a.s? çfarë do u thoshte për shtatëdhjetë burrat që i kishte zgjedhur vetë?
I gjendur në një siklet kaq të madh, Musai a.s filloi ta lusë Zotin që t'i ringjallë sërish, pasi e kishte tejet të vështirë të kthehej tek populli pa këta të shtatëdhjetë. Pas lutjeve të njëpasnjëshme dhe plot përgjërim, Zoti i tregoi një mrekulli tjetër, ku të shtatëdhjetë u ringjallën sërish.
"Pas vdekjes suaj, Ne ju ringjallëm, që të bëheni falënderues." (Bekare, 56)
Ishin mrekulli pas mrekullie, megjithatë Benu Israilët nuk zinin mend. E liga kishte pushtuar zemrat dhe mendjet e tyre. Kush është ai që i sheh me sy këto mrekulli dhe vazhdon të mos besojë?! Zoti i cek këto fakte në Kuran, me qëllim që të sensibilizohemi mbi natyrën e këtij populli. Nëse janë sjellë në këtë formë me profetët dhe të dërguarit e Zotit, a mund të presim ne që të respektojnë marrëveshjet dhe besën?! Nëse e kanë thyer besën dhe premtimin me profetët e Zotit, mos do e respektojnë me ne?! Si mund t'u zëmë besë ne sot?! A do i zije besë një nënpunësi të tillë?!
Në më shumë se shtatëdhjetë pasazhe në Kuran, Zoti rrëfen historinë dhe na tregon natyrën e Benu Israilëve. Kjo me qëllim që të nxjerrim mësime nga historia dhe të zëmë mend. Thotë Zoti në Kuran:"Me siguri do të vëresh se armiqtë më të ashpër të besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët." (Maide, 82)
Me t'u kthyer Musai a.s bashkë me shtatëdhjetë burrat e tjerë tek populli, të gjithë u nisën për rrugëtim, derisa arritën pranë Jerusalemit (Kudsit), i cili asokohe njihej me emrin Elija. Jerusalemi asokohe ishte kryeqyteti i të gjithë rajonit dhe sundohej nga një popull i madh në numër dhe shumë i fuqishëm. Musai a.s vajti në Jerusalem me qëllim që ta marrë këtë qytet, pasi kushdo që e shtinte në dorë Jerusalemin, e shtrinte pushtetin mbi të gjithë rajonin.
Kur mbërritën pranë mureve të Jerusalemit, banorët e tij u përgatitën për luftë. Populli i Musait a.s ishte gjashtëqind mijë banorë, gjë që i frikësoi. Musai a.s i urdhëroi Benu Israilët të sulmojnë qytetin, por ata refuzuan. Ata u justifikuan me faktin se kanë qenë skllevër, janë marrë me bujqësi dhe blegtori gjithë jetën dhe nuk kanë haber nga lufta. Kishin kaluar katërqind e tridhjetë vite nën shtypjen dhe thundrën e egjiptianëve, pa u marrë me luftë. Musai a.s u kujtoi besën që i kishin dhënë për bindje në çdo situatë, por ata këmbëngulën në të tyren. Ai i siguroi se nëse do sulmonin, betejën e kishin të fituar dhe Jeruzalemi bashkë me rajonin do të binin në duart e tyre. Megjithatë, ata nuk iu bindën.
"O populli im! Hyni në Tokën e shenjtë që Allahu e ka caktuar për ju dhe mos u ktheni prapa, se atëherë do të ktheheni të humbur!” Ata thanë: “O Musa! Në atë tokë gjendet një popull i fortë dhe ne nuk do të hyjmë pa dalë ata e, nëse ata dalin, ne atëherë, me siguri do të hyjmë në të”. (Maide, 21-22)
Përderisa Zoti e paska caktuar për ne, le të dalë populli që e sundon dhe të hyjmë ne pa luftë.
Dy burra nga ata që i frikësoheshin Allahut dhe që Ai i kishte pajisur me mirësi, thanë: “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues. Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!” (Maide, 23)
Lidhur me këto dy burra, interpretuesit e Kuranit kanë mendime të ndryshme, ku shumë prej tyre të gabuara. Në fakt, këta dy burra nuk ishin tjetër kush, përveçse Musai a.s dhe Haruni a.s.
Ajo që u kërkohej Benu israilëve ishte vetëm të hynin tek porta e qytetit. Me të hyrë në portë, ata do të fitonin. Megjithatë, nga gjashtëqind mijë frymë, Musait dhe Harunit a.s nuk iu bind asnjëri. Edhe të shtatëdhjetë burrat që vdiqën dhe u ringjallën sërish, nuk pranuan t'i afrohen portës së Jerusalemit. Përgjigja e tyre ishte larg çdo etike me profetët e Zotit dhe me vetë Zotin e lartësuar.
"Ata thanë: “O Musa! Kurrsesi nuk do të hyjmë atje, derisa aty të gjenden ata. Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. (Maide, 24)
Edhe sot kemi njerëz të cilët kur flasin mbi profetët flasin si të ishin ca mbretër dhe monarkë të lig. Kur të flasësh mbi profetët e Zotit, duhet të zgjedhësh fjalët më të përshtatshme për statusin dhe pozitën e tyre.
"Kështu që shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”.
Krahasojeni këtë qëndrim dhe përgjigje, me atë të myslimanëve ditën e Bedrit, kur profeti Muhamed a.s u kërkoi mendim nëse duhej të luftonin apo jo. Përgjigja e Mikdad-it ishte përgjigje e prerë. Tregon vetë Ibnu Mesudi:"Qëndrimin dhe përgjigjen e Mikdadit nuk do e këmbeja më të gjithë dynjanë dhe të mirat e saj."
Ai iu përgjigj Profetit a.s:"Për Zotin, ne nuk do të përgjigjemi siç iu përgjigjën çifutët Musait a.s ku i thanë:"shko ti dhe Zoti yt e luftoni, se ne do të rrimë këtu”. por të themi:"Shko ti me Zotin tënd dhe luftoni, sepse edhe ne do të luftojmë bashkë me ju."
Kur pa përgjigjen e popullit të tij, Musai a.s tha:
“O Zoti im! Unë nuk kam fuqi për askënd tjetër veç vetes dhe vëllait..."
Kështu duket qartë që dy burrat që Zoti u kishte dhënë mirësi dhe i këshilluan popullin, ishin pikërisht Musai a.s dhe Haruni. Pas këtij qëndrimi zhgënjyes, Musai a.s i mallkon për herë të parë dhe lutet kundër popullit të tij.
prandaj na veço neve prej këtij populli të pabindur!” (Maide, 25)
Përgjigja e Zotit ishte:
"Allahu tha: “Ajo (toka e shenjtë) u është ndaluar atyre për dyzet vjet. Ata do të bredhin të çoroditur nëpër tokë, por ty mos të të vijë keq për atë popull të pabindur”. (Maide, 26)
Nuk ka popull tjetër që janë ndëshkuar për një periudhë kohe kaq të gjatë. Atyre do u ndalohej hyrja në Jeruzalem për dyzet vite me radhë, edhe pse u ishte premtuar. Këto dyzet vite, hebrenjtë do i kalonin të humbur në shkretëtirë.
Kur pa që hebrenjtë nuk do të hynin në Jerusalem, Musai a.s i urdhëroi të largoheshin që andej dhe ashtu vepruan. Objektivi i tyre ishte një fshat diku aty pranë, por gjatë rrugës për atje humbën në shkretëtirë. Edhe pse kishin kallauzë që e njihnin mirë zonën dhe rrugën, ata sorollateshin në të njëjtin vend. Pasi udhëtonin për ditë të tëra, ktheheshin sërish aty ku kishin nisur. Kjo vazhdoi për dyzet vite me radhë. Sa herë që një kallauz pretendonte se e dinte rrugën dhe do i çonte atje ku donin, humbnin dhe ktheheshin sërish aty ku kishin qenë.
Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Vallë me çfarë ushqehej gjithë ai numër i madh njerëzish, gjatë dyzet viteve?
Zoti i lartësuar i ndëshkoi me humbje, por nuk deshi t'i shfarosë si popull. Edhe pse të humbur në shkretëtirë, Zoti i furnizonte me ujë dhe ushqim.
"Kur populli i tij i kërkoi ujë, Ne i kumtuam Musait: “Bjeri me shkopin tënd shkëmbit!” dhe prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime. Çdo fis e dinte burimin e vet." (Araf, 160)
Me një të goditur me shkop mbi një shkëmb, që aty shpërthenin dymbëdhjetë burime uji, nga një burim për çdo fis. Kudo që udhëtonin, hebrenjtë e mbanin me vete shkëmbin, i cili gjatë udhëtimit nuk buronte ujë. Për dyzet vite me radhë ata u furnizuan me ujë në këtë mënyrë.
Edhe pse uji nuk u mungonte, hebrenjtë iu ankuan Musait a.s për diellin përvëlues të shkretëtirë. Musai a.s e luti Zotin që t'i ndihmojë dhe Ai u dërgoi një re që i shoqëronte kudo që udhëtonin. Kurse për të ngrënë, tre vakte në ditë Zoti i furnizonte me thëllëza të cilët u vinin çdo vakt. Secili nga hebrenjtë kapte nga një thëllëzë, e therte, e gatuante dhe ushqehej me të. Veç thëllëzave, atyre u jepej dhe një lëng tjetër të cilin e gjenin në pemë, me shije mjalti. Kurse disa të tjerë mendojnë se ishte me ngjyrë të bardhë dhe me të zinin brumë për bukë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:"Dhe Ne u bëmë hije me retë dhe u zbritëm manën dhe thëllëza, duke iu thënë: “Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë!” Ata nuk na dëmtuan Neve, por i bënë dëm vetvetes." (Araf, 160)
Ndodhia e lopës
Gjatë dyzet viteve që hebrenjtë kaluan të humbur në shkretëtirë, ndodhin një sërë ngjarjesh. Njëra prej tyre është dhe ajo e lopës e cila ceket në Kuranin fisnik.
Një ditë, Benu Israilët gjejnë një burrë nga elita e tyre të vrarë pa ditur kush e kishte vrarë. Pasi u lodhën duke hetuar vrasësin, vajtën tek Musai a.s dhe i treguan si qëndronte puna. Musai a.s u përgjigj se nuk e dinte kush ishte vrasësi, veçse po ti shpallej nga Zoti. Musai a.s iu lut Zotit dhe atij iu shpall që për të mësuar vrasësin u duhej të thernin një lopë."Kujto kur Musai i tha kombit të vet: “Allahu ju urdhëron të therni një lopë!” (Bekare, 67)
Kur dëgjuan këtë, njerëzit u çuditën dhe i thanë Musait a.s me të tallur:"Ne kemi ardhur të qajmë hallin, kurse ti na urdhëron të therrim një lopë! ç'qenka kjo?!"
"Ata thanë: “A do të tallesh me ne?” - “Zoti më ruajt!” - tha Musai - “të bëhem unë nga të paditurit!”. (Bekare, 67)
Kur panë se Musai a.s e kishte seriozisht këtë, i kërkuan sqarime të mëtejshme lidhur me lopën që u duhej të thernin:"Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë si duhet të jetë ajo!” Musai tha:“Ajo të jetë një lopë as plakë, as e re, por e mesme; pra, bëni atë që ju është urdhëruar!” (Bekare, 68)
Edhe pse urdhri që në fillim ishte të thernin një lopë të çfarëdollojtë, ata nuk u mjaftuan me kaq. Kërkonin cilësi dhe tipare të caktuara të lopës që duhej të therin. Edhe pse Zoti i lartësuar ua cilësoi, nuk u mjaftuan, por tani kërkonin ngjyrën e lopës.
"Ata thanë: “Lutju Zotit tënd që të na shpjegojë çfarë ngjyre të ketë ajo!” Musai tha: “Ai thotë se ajo duhet të jetë lopë me ngjyrë të verdhë të ndezur, të cilën e pëlqejnë shikuesit”. (Bekare, 69)
Pasi kërkuan mes lopëve, panë se shumë lopë ishin me atë ngjyrë dhe sërish iu drejtuan Musait a.s:"Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë lloji të jetë, sepse lopët të gjitha na duken njësoj e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë”. (Bekare, 70)
Duke parë kokëfortësinë e tyre, Zoti ua vështirësoi edhe më shumë gjërat.
"Musai tha: “Ai thotë se lopa s’duhet të jetë e lodhur nga lërimi apo nga ujitja e tokës, por të jetë e shëndetshme dhe pa asnjë të metë”. Ata thanë: “Tani na the të vërtetën”. Kështu, ata e therën lopën, por desh e lanë pa flijuar." (Bekare, 71)
Menjëherë hebrenjtë filluan të kërkojnë rreth kësaj lope. Pas mundimeve të shumta, cilësitë e saj i gjetën vetëm tek lopa e një jetimi. Të afërmit e tij, dëgjuan si qëndronte puna dhe e këshilluan jetimin që të mos ua shesë veçse me një çmim tejet të lartë. Përveç cilësive dhe tipareve të rralla që kjo lopë i kishte, ajo kërkohej për të zbuluar vrasësin e një burri nga paria e hebrenjve dhe njëkohësisht shumë i pasur. Hebrenjtë shkojnë tek jetimi dhe e pyesin nëse e shet lopën. Jetimi u përgjigjet se e shet, por u kërkoi flori aq sa peshonte lopa. Ata mbetën me gojë të hapur nga ky çmim dhe menjëherë vajtën tek Musai a.s t'i qajnë hallin. Por Musai a.s u tha:"Vetë e keni fajin! çështja ishte më e lehtë në fillim kur u kërkua të thernit një lopë. Tiparet dhe hollësitë e tjera ju i kërkuat vetë dhe tani duhet të paguani!"
Duke qenë se familjarët e të vrarit donin ta dinë kush ishte vrasësi, pranuan ta blejnë lopën me çmimin e caktuar nga jetimi. Me këtë, Zoti pasuronte dhe përmirësonte jetesën e jetimit dhe njëkohësisht ndëshkonte kokëfortësinë e hebrenjve.
Ata e blenë lopën dhe e therën. Pastaj vajtën tek Musai a.s dhe i thanë:"Ja, e therëm lopën dhe sërish nuk dimë kush e ka vrarë." Musai a.s u tha:"Pritni një copë mishin prej saj dhe me të goditni kufomën e të vrarit!"
"Dhe, pasi vratë një njeri e u grindët me njëri-tjetrin në lidhje me të, Allahu e nxori në shesh atë që fshihnit ju. Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!” Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni." (Bekare, 72-73)
Kur e respektuan këtë urdhër dhe e goditën të vdekurin me mishin e lopës, ai u ngrit në këmbë i gjallë. I vdekuri që u ringjall u tregoi kush e kishte vrarë dhe vdiq sërish. I pa të meta është Ai që ngjall të vdekurit! Kjo ishte një mrekulli tjetër që i shtohej zinxhirit të mrekullive që panë me sytë e tyre Benu Israilët. Megjithatë, zemrat e tyre vazhdonin të ngurta siç kishin qenë.
"Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja." (Bekare, 74)
Musai a.s dhe Hidri
Një ditë, Musai a.s mbajti u foli me fjalë prekëse popullit të tij. Në një moment, ngrihet një burrë dhe e pyet:"O Musa! Kush është njeriu më i ditur mbi faqen e tokës?" Duke qenë se ishte profet dhe i dërguar i Allahut, Musai a.s u përgjigj:"Unë." Zoti e kritikoi për këtë dhe i tregoi se ishte dikush tjetër më i ditur se Musai a.s. I habitur, Musai a.s e pyeti Zotin se kush ishte ky burrë dhe ku mund të takohej me të, që të përfitonte nga dijet e tij. Zoti i tha se mund ta gjejë tek vendtakimi i dy detrave. Musai a.s i kërkoi Zotit një shenjë se si ta dallojë Hidrin nga njerëzit e tjerë. Zoti i lartësuar i tha se do të humbasë peshkun para se të takojë Hidrin.
"(Kujto) kur Musai i tha djaloshit që e shoqëronte: “Nuk do të pushoj së ecuri, derisa të arrij në vendin ku takohen dy detet, edhe nëse do të më duhet të udhëtoj për shumë kohë.” (Kehf, 60)
Djaloshi që shoqëronte Musain a.s, ishte Joshua, për të cilin shumica e dijetarëve myslimanë mendojnë se ka qenë profet. Është pikërisht Joshua ai që udhëhoqi Benu Israilët pas vdekjes së Musait a.s dhe Harunit a.s.
Musai a.s e zgjodhi Joshuan si shoqërues të tij në udhëtimin për tu takuar me Hidrin.
Vendi ku bashkohen dy detet që ceket në ajetin e mësipërm, është vendi ku bashkohen dy degët e detit të kuq.
"Dhe, kur arritën në vendin, ku bashkoheshin dy detet, ata e harruan peshkun e tyre dhe ai rrëshqiti në det, duke e hapur atë si tunel." (Kehf, 61)
Musai a.s dhe Joshua kishin përgaitur për drekë një peshk të skuqur, të cilin e kishin vendosur në një enë. Ndërkohë që Musai a.s flinte dhe Joshua qëndronte i ulur pranë tij, peshku i skuqur kërcen nga ena dhe duke u përpëlitur hidhet në det. Mandej, Musai a.s u zgjua por Joshua harroi t'i rrëfejë se çfarë kishte ndodhur.
"Kur kaluan më tej, Musai i tha shoqëruesit të vet: “Na jep drekën tonë, sepse jemi lodhur nga ky udhëtimi ynë”. (Kehf, 62)
Në këtë çast, Joshuas i kujtohet ndodhia e peshkut që kërceu nga ena në det dhe i tregon.
"Ai u përgjigj: “Shiko! Kur ndaluam tek ai shkëmbi, unë e harrova peshkun. Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!” (Kehf, 63)
Musai a.s e kuptoi se ai ishte vendi ku do të takohej me Hidrin kështu u kthyen sërish duke ndjekur gjurmët nga kishin ecur.
"(Musai) tha: “Kjo është ajo që po kërkojmë”. Andaj u kthyen nëpër gjurmët e veta, dhe gjetën një prej robërve Tanë, të cilit i patëm dhuruar mëshirë prej Nesh dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dije. Musai i tha atij: “A mund të të pasoj ty, që të më mësosh edhe mua diçka prej diturisë së drejtë që të është dhënë ty?” (Kehf, 64-66)
Burri që gjetën ishte pikërisht Hidri, për të cilin shumica e dijetarëve mendojnë se ka qenë profet.
"Ai u përgjigj: “Ti nuk mund të durosh dot me mua! E si mund të durosh (pa pyetur) para diçkaje për të cilën nuk di asgjë”? (Musai) tha: “Do të më gjesh të durueshëm, në dashtë Allahu e nuk do të të kundërshtoj për asgjë.” (Kehf, 67-69)
Edhe pse Musai a.s hyn tek profetët dhe të dërguarit më të mirë, demonstronte një modesti të lakmueshme para njerëzve më të ditur. Kjo, edhe pse të gjithë dijetarët mendojnë se Musai a.s gëzon vlera më shumë se Hidri. Njeriu sado i mirë, i ditur dhe i ndershëm të jetë, para më të diturit manifeston modesti.
"(Hidri) i tha: “Nëse vjen pas meje, mos më pyet për asgjë, derisa të ta shpjegoj unë!” (Kehf, 70)
Hidri a.s e pranoi Musanë a.s si shoqërues dhe nxënës, por me një kusht: Të mos ndërhyjë në veprimet e tij, sado të çuditshme dhe të papranueshme t'i dukeshin. Musai a.s e pranoi këtë kusht dhe e urdhëroi Joshuan të kthehej tek Benu Israilët. Të dy, Musai a.s dhe Hidri u nisën për rrugë. Udhëtimi do të bëhej me anije, gjë të cilën e përmend Zoti në Kuran:"Dhe kështu, u nisën. Kur hipën në një anije, ai (Hidri) hapi një vrimë poshtë." !” (Kehf, 71)
Pronarët e anijes e morën Hidrin dhe Musanë a.s në anije pa pagesë. Gjatë rrugës, Hidri e merr Musanë dhe të dy zbresin në pjesën më të poshtme të anijes, ku me anë të një hekuri Hidri fillon menjëherë të shpojë një vrimë. Marinarët dhe punonjësit e ndjenë defektin që ishte shkaktuar dhe menjëherë filluan të marrin masat për të shpëtuar anijen nga mbytja. Musai a.s vështronte i befasuar nga veprimi i Hidrit a.s dhe nuk duroi pa i thënë:"(Musai) tha: “Mos vallë, e hape vrimën për t’i mbytur udhëtarët e saj? Me të vërtetë, ke bërë punë të shumë të keqe”.
(Hidri) i tha: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?”
Ai u përgjigj: “Mos më qorto për atë që harrova dhe mos më ngarko me vështirësi në punët e mia!” (Kehf, 71-73
Musai a.s i kërkoi falje Hidrit nga kjo ndërhyrje dhe Hidri e fali. Me të kaluar në bregun tjetër, Hidri a.s iu afrua një djaloshi të njomë, e shtriu përtokë, nxori një thikë dhe e therri. Ishte një krim monstruoz që Musai a.s e pa me sytë e tij. Kjo e bëri të ndërhyjë dhe t'i thotë gjithë nervozizëm:
Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa takuan një djalosh, të cilin ai (Hidri) e vrau. Tha (Musai): “Përse vrave një njeri të pafajshëm që nuk ka vrarë askënd?! Vërtet që ke bërë një punë të tmerrshme”! Ai u përgjigj: “A nuk të thashë se ti nuk mund të durosh me mua?” (Kehf, 74-75)
Musai a.s e kuptoi se kishte gabuar sërish dhe i kërkoi falje duke thënë:
"(Musai) tha: “Nëse pas kësaj do të të pyes sërish për çfarëdo gjëje, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde! Tashmë ke arsye (të mjaftueshme) nga ana ime (për t’u ndarë prej meje)!” (Kehf, 76)
Hidri a.s e fali sërish dhe e prano kushtin dhe të dy u nisën sërish për rrugë derisa arritën në një fshat. Të dy ishin të uritur dhe në bazë të zakonit të mikpritjes, u drejtuan në shtëpitë e fshatit që dikush t'i ushqente. Asokohe ishte e drejtë e udhëtarit që banorët e një fshati apo qyteti ta mirëpresin dhe ushqejnë për tri ditë. Këtë të drejtë e gëzon udhëtari edhe në islam, ku nëse një udhëtari i harxhohen ushqimet dhe furnizimet për rrugë, gëzon të drejtën të qëndrojë për tre ditë tek çfarëdo familjeje. Nëse refuzojnë ta ushqejnë, konsiderohen gjynahqarë.
Edhe pse Hidri dhe Musai a.s vajtën si mysafirë dhe ishte e drejta e tyre, banorët e fshatit refuzuan t'i pranojnë. "Dhe që të dy vazhduan të ecin, derisa arritën në një fshat dhe u kërkuan banorëve të tij, që t’u jepnin për të ngrënë, por ata nuk i pranuan mysafirë." Duke parë këtë, Musai a.s dhe Hidri u nisën të largohen nga ky fshat. Në të dalë, vunë re një shtëpi të rrënuar, të cilës i kishte mbetur vetëm një mur pa u shembur, por edhe ai ishte anuar dhe gati për të rënë. Menjëherë, Hidri a.s përveshi llërët dhe i hyri punës për ta drejtuar dhe rregulluar këtë mur. "Aty ndeshën një mur që ishte duke u rrëzuar dhe ai (Hidri) e drejtoi." Sakaq, Musai a.s e shihte gjithë habi. E çfarë i duhet Hidrit të rregullojë një mur që gati po shembet?! Kujt i hyn në punë ai mur?! Aq më tepër që ndodhej në një fshat aspak mikpritës. Prandaj, vendosi t'i tërheqë vëmendjen për këtë:"(Musai) tha: “Sikur të kishe dashur ti, mund të kërkoje shpërblim për këtë.” (Kehf, 77)
Nëse ke vendosur ta rregullosh dhe drejtosh këtë mur, të paktën bëje kundrejt një shpërblimi. Përse u dashka tu rregullosh murin një populli që nuk e meritojnë dhe pa asnjë shpërblim për punën?!
"Ai tha: “Kjo është ndarja ndërmjet meje dhe teje. Unë do t’i shpjegoj ty ato gjëra për të cilat nuk munde të durosh." (Kehf, 78)
Tashmë është koha të të tregoj lidhur me ato gjëra për të cilat ndërhyre dhe nuk e përmbajte dot veten.
"Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve, që punonin në det. Unë desha ta dëmtoj, sepse prapa tyre gjendej një mbret i cili merrte me dhunë çdo anije të mirë." (Kehf, 79)
Në atë rajon, ndodhej një mbret zullumqar i cili përvetësonte dhe konfiskonte anijet që gjente në det. Dhe me të vërtetë, me të kaluar Hidri dhe Musai a.s, vjen mbreti me ushtarët ta konfiskojnë anijen ku kishin qenë. Me të konstatuar të çarën, ata e lanë dhe u nisën për tek anijet e tjera.
"Sa për djaloshin, prindërit e tij ishin besimtarë. Ne e dinim se (dashuria për të) do t’i çonte ata në të keqe dhe mohim dhe dëshiruam që Zoti i tyre, në vend të atij t’u jepte një më të mirë, më të pastër dhe më të mëshirshëm." (Kehf, 80)
Në dijet e pafund të Zotit, ky djalosh do të rritej dhe do të shndërrohej në një bishë të dhunshme ndaj shoqërisë dhe prindërve të tij. Ishte dhembshuri e Zotit ndaj dy prindërve, që ky djalosh të vdiste para se të rritej dhe të ushtronte dhunë ndaj njerëzve dhe prindërve. Menjëherë pas vdekjes së këtij fëmije, prindërve u lindi një djalë tjetër i cili ishte i dashur dhe respektues ndaj prindërve.
"E, sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt." (Kehf, 82)
Pra, muri që rimëkëmbi Hidri a.s ishte pjesë e një shtëpie e cila u përkiste dy jetimëve. Babai i tyre kishte qenë njeri i ndershëm dhe i mirë. Ai kishte fshehur një thesar nën murin e fundit që mezi mbahej në këmbë, për ditë të vështira. Nëse do të rrëzohej dhe ai mur, thesari do të zbulohej dhe do të grabitej padrejtësisht nga njerëzit, duke i lënë jetimët me gisht në gojë.
"Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë" pra, e gjithë kjo ndërhyrje hyjnore bëhej për shkak se babai i dy jetimëve ishte njeri i mirë dhe i ndershëm. Shohim që veprat e mira nuk ndjekin vetëm personin që i vepron ato, por edhe familjarët dhe pasardhësit e tij. Prandaj, kushdo që i do të mirën fëmijëve dhe familjarëve të tij, le të jetë i devotshëm me Zotin. Devotshmëria ka efekte pozitive për personin gjatë jetës së tij, por edhe pas vdekjes, të cilat shtrihen mbi fëmijët.
Muri që fshihte thesarin e dy jetimëve u rrëzua vetëm pasi ata ishin rritur dhe pjekur, ku ata gjetën thesarin dhe e shfrytëzuan për nevojat e tyre.
"prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt." (Kehf, 82)
Mandje, Hidrin pohon të vërtetën në bazë të së cilës kishte ndërmarrë gjithë ato veprime të papranueshme për Musain a.s:
Unë këtë nuk e kam bërë sipas gjykimit tim. Ky është shpjegimi i asaj, për të cilën ti s’munde të duroje!" (Kehf, 82)
Asgjë nuk kishte ndodhur sipas vullnetit të Hidrit a.s, por sipas udhëzimeve të Zotit. Kështu, dijet që posedonte Hidri a.s ishin dije që kishin të bëjnë me botën e padukshme, gjë të cilën ia kishte mësuar Zoti i lartësuar. Diçka e tillë mund t'u ndodhë vetëm profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Asnjë nga njerëzit e thjeshtë, sado të ditur të jenë nuk mund ta gëzojnë këtë privilegj. Pas kësaj ndodhie, Musai a.s u kthye në mesin e popullit të tij.
Për dyzet vite me radhë, Benu Israilët vazhduan të humbur në shkretëtirë. Gjatë kësaj periudhe vdes Haruni a.s dhe varroset në shkretëtirë. Dy vite më pas, vdes dhe Musai a.s.
Në një hadith të transmetuar nga imam Buhariu, thuhet se Ebu Hurejre ka thënë:"U dërgua meleku i vdekjes tek Musai a.s për t'i kërkuar leje që t'i marrë shpirtin. Me ta dëgjuar, Musai a.s e goditi fort dhe meleku i vdekjes u kthye sërish tek Zoti dhe i thotë:"Më ke dërguar tek një rob që nuk e dëshiron vdekjen. Zoti i thotë:"Shko tek Musai dhe i thua të vendosë dorën mbi shpinën e një kau. Për çdo qime nën dorën e tij, do i japim një vit jetë." Menjëherë meleku i vdekjes u kthye tek Musai a.s dhe i tregoi mbi afatin zgjedhjen që i kishte dhënë Zoti. Musai a.s pyeti:"Po pas këtyre viteve, çfarë do të ndodhë?" Zoti iu përgjigj:"Vdekja." Musai a.s tha:" Atëherë le të ndodhë tani më mirë."
Para se t'i merret shpirti, Musai a.s e luti Zotin që ta afrojë me Jerusalemin sa distanca e hedhjes së një guri. Ebu Hurejre thotë se i dërguari i Zotit a.s na tha:"Nëse do të ndodhesha atje (në Jerusalem) do ua tregoja varrin e Musait a.s. Ai ndodhet anës rrugës që të çon për në Jerusalem, tek duna e kuqe."
Kështu ishte fundi i dy profetëve të nderuar, Harunit dhe Musait a.s.