Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Njeri apo Ari

Diku në një pyll të dendur, jetonte një ari, sa i egër aq edhe i zgjuar. Thuhet se ai e kuptonte se po afronte stina e dimrit, nga drejtimi që merrnin gjethet e pyllit kur frynte erë. Me ta ndjerë diçka të tillë, ai merrte drejtimin e shpellës, ku zhytej në një gjumë të thellë. Një vit, teksa ariu ynë gjendej në shpellë, i kredhur në gjumë, një kompani kishte rrethuar vendin dhe kishin filluar punimet për ndërtimin e një fabrike gjigande. Për shkak të zhurmave të mëdha, ariut tonë i del gjumi dhe e sheh veten në mes të një sheshi ndërtimi plot e përplot me punëtorë. Njëri prej punëtorëve, iu drejtua me një ton të ashpër:”Po ti more burrë, përse nuk çohesh e ti përvishesh punës? Flake tutje dembelizmin e plogështinë!”
Ariu e pa gjithë habi dhe i tha:”Unë nuk jam burrë, por jam ari.”
Por punëtori ia ktheu:”Në fakt ti je njeri, si të gjithë ne, por je dembel. Ngaqë leshrat të kanë mbuluar trupin, të duket vetja si ari.”
Megjithatë, ariu këmbëngulte në të tijën pa lëshuar pe fare. Duke e parë që nuk po ia mbushte dot mendjen, punëtori i tha:”Le të shkojmë tek zv.drejtori. Ai do na e ndajë këtë çështje.”
Kështu, të dy vajtën tek zv.drejtori i cili i tha:”Nuk je ari, por thjesht një dembel i mbuluar me lesh.” Por as fjalët e zv. drejtorit nuk ia mbushën dot mendjen ariut. Kështu, të dy vazhduan të bredhin sa tek njëri funksionar tek tjetri, derisa më në fund ariut iu mbush mendja top se ishte njeri. Të gjithë i kishin konfirmuar faktin se ishte njeri i mbushur me qime dhe jo ari.
Pasi iu mbush mendja top se ishte njeri, ariu ynë e rruajti të gjithë leshin që i mbulonte trupin dhe veshi rrobat e punës për t’ia nisur si të gjithë. Por ai u përball me shumë probleme dhe vështirësi gjatë orvatjeve për të bërë diçka. Ai e kishte shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur, të mësojë ashtu siç mësonin të tjerët. Jo vetëm kaq, por edhe punët më të lehta ia prishin gjumin e natës.
Pas disa kohësh, kompania në fjalë falimentoi dhe fabrika akoma e papërfunduar, u mbyll. Të gjithë u larguan, ndërkohë që ariu mbeti i vetëm në pyll, por pa asnjë qime në trup.
Meqë i ishte mbushur mendja se nuk ishte ari, ai nuk u drejtua për tek shpella e tij, kur ndjeu erërat e dimrit të fryjnë. I ftohti i dimrit filloi të bëhej më i egër, sakaq ariu dridhej dhe gati po ngrinte. Në fund, ai vendosi të shkojë tek shpella, ku me të depërtuar brenda, u ndje mirë dhe e këputi gjumi menjëherë.
Morali:
Lumturia e vërtetë fshihet brenda teje dhe jo në atë që duan njerëzit të jesh. Shumë prej nesh qajnë çdo ditë, por pa zë, pasi e kanë injoruar dhe lënë pas dore zërin e tyre të brendshëm dhe të vërtetë. Zbuloji dhuntitë e tua të fshehta dhe vendos marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me to. Prezantohu me zërin tënd dhe hapësirat e tua të brendshme, pasi aty do të gjesh lumturinë dhe gjeniun. A do të më besoje nëse të them se brenda teje, ekzistojnë dhunti të rralla, por që akoma nuk i ke zbuluar?

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free