Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ekuacioni i Mangos

Ekuacioni nr.1

Nëse babai yt mbas dreke nuk ndodhet në shtëpi, atëherë do të thotë që menaxhimi i pasurisë i ka marrë kohën ose mund të jetë duke u munduar të fitojë bukën e gojës.

(e shkrova në kapakun e fletores time, kur isha në klasën e katërt fillore)

Ekuacioni nr.2

Pasaniku nuk blen asnjëherë mango, atij gjithmonë ia dhurojnë.

(e gjeta në një copëz fletoreje të grisur..mund ta kem shkruar kur kam qenë në klasën e tetë)

Ekuacioni nr.3

Kur pasurohesh ke shumë kohë të lirë

(e shkrova tek libri i matematikës, kur isha në vitin e parë në gjimnaz)

Sikurse shoku im Njutoni ka ekuacionet e tij me mollë, unë kam ekuacionet e mia të cilësisë së parë me mango.

Shkoja shpesh tek shtëpia e shokut tim Hasanit për ta vizituar.. shtëpi thashë, më mirë të themi tek kështjella e tyre. Hasani është djali i një pasaniku. Babai i tij është shumë i habitshëm. Ai për arsye që unë nuk i kuptoj, i ka regjistruar të gjithë fëmijët në shkollat shtetërore, në vend që t`i dërgojë në shkollat më te mira private.

Le t`i lemë këto dhe të kthehemi aty ku ishim në fillim tek mangoja. Shoku im Hasani më jepte shumë shpesh mango. Në shtëpinë e tij kishte mango në çdo stinë ndërsa në shtëpinë tonë mund të gjeje ndonjë kokërr kur ishte në stinën e vet edhe ato nuk kishin fare shije. Prandaj sajoja arsye të ndryshme si e si të shkoja tek shtëpia e Hasanit për të bërë detyrat gjoja por qëllimi im ishte të shijoja mangot e ëmbla, që Hasani kishte në shtëpi.

Hasani më tregonte, që babai i tij njihte shumë ambasadorë të shteteve perëndimore dhe atyre lindore po ashtu edhe tregtarë të shumtë, të cilët e furnizonin me mango me madhësi, lloje, ngjyra e shije të ndryshme. Ndërsa babai im lidhjet e tij me llojet e mangove ishin si lidhjet e mia me teatrin japonez. Kishte të ardhura të vogla dhe mbasi e pushuan nga puna, njëri nga shokët e nxiti që të merrej me bursën. Por ajo e hodhi direkt e në greminë. Ju shua pasuria bashkë me ëndrrat që kishte. Pas asaj që i ndodhi u nda shumë shpejt nga jeta dhe nga ne.

Që nga ky moment vendosa që t`i rregulloja gjërat. I vendosa qëllim vetes që të bëhem i pasur që të shijoja mangot më të shijshme që ekzistojnë.

Ekuacioni nr.4

Që të jesh i pasur duhet të jesh i mençur, të kesh prona të patundshme. Ti kesh këto gjëra duhet të kesh një punë. Të gjesh punë duhet të kesh një diplomë të mirë si fillim dhe pastaj disa dredhi si mbarim.

E mora babain e Hasanit si modelin tim  frymëzues. Nuk është se ishte miliarder, por ishte mjaftueshëm i pasur për tu ndjekur si model. Fillova ta ndjek hap pas hapi. Shpesh pyesja Hasanin për historikun e tij, për punën dhe jetën e tij në familje. Por u befasova nga ato që mësova prej tij.

Mësova që ai nuk kishte qenë punonjës si babai im. Ai e kishte lënë punën dhe kishte vazhduar biznesin e tij privat. Sot ai është pronar i disa restoranteve dhe shumë pronave. Ndonjëherë e shihja të zënë, por në të shumtën e rasteve ishte i lirë. Lexonte libra të vështirë për tu kuptuar, ftonte për darkë në shtëpinë e tij ambasadorë shtetesh të ndryshme, ulej për një kohë të gjatë në xhami me të moshuarit  dhe pleqëronte me ta për disa gjëra, që mua më dukeshin shumë të mërzitshme. udhëtonte shumë jashtë shtetit për punë humanitare në vendet aziatike dhe afrikane, ndërtonte atje spitale dhe jetimore. Shkruante tek gazeta lokale. Kohët e fundit mori një mësues në shtëpi, që t`i mësonte gjuhën pakistaneze URDU.

Ndërsa unë isha betuar që ne vegjëli që do të bëhesha i pasur. Pasi të pasurohesha, do të ndërtoja vila të bukura, makina luksoze dhe pa lënë mënjanë mangot më të shijshme në botë. Kur Hasani dëgjonte këto që thosha unë, i vinte për të qeshur dhe shpesh me thoshte, që jeta është më e bukur nga ngrënia e mangove.

Filluam shkollën e lartë unë bashkë me shokun tim Hasanin.

Ëndrra për tu bërë i pasur më gjëmonte dite e natë, prandaj vendosa të filloj punë gjatë kohës studentore. Doja që sapo të diplomohesha, të kisha ca para për të blerë aksione. Kërkova punë në një kafene për  punë me kohë të pjesshme. Kur e mori vesh Hasani për këtë gjë, u gëzua shumë për mua, por u habita kur e pashë ditën e dytë të kërkonte edhe ai punë tek e njëjta kafene. Djali i pasanikut po më tërbon fare. Pasuria që kishin u mjaftonte atyre për disa breza me rradhë. Çfarë kërkon vallë ky që vjen këtu dhe e ul veten kaq shumë sa të punojë kamarier.

Nejse, në lokal i kisha fiksuar mirë ata që paguanin bakshish të mirë dhe u shërbeja si mos më mirë. Ndërsa Hasani nuk e shihte punën si pasurim, ai argëtonte kalamajtë, që prindërit e tyre të shijonin qëndrimin aty, kujdesej shumë më tepër se unë për rehatinë e klientëve. Buzëqeshja nuk i ndahej kur vinin dhe kur largoheshin klientët edhe ndaj atyre që nuk paguanin bakshish. Kur e pyesja se pse e bën këtë gjë, ai buzqeshte dhe më thoshte:  “Kjo do të thotë të jetosh i lumtur.. të jetosh do të thotë të jetosh me përgjegjësi ndaj çdo gjëje të vogël dhe të madhe. Të jetosh me urinë e tjetrit, me lodhjen e tjetrit me padrejtësitë që bëhen kundër atyre që janë të dobët. Ndërsa të jetosh vetëm për unin kjo gjë është me të vërtetë demoralizuese dhe shkatërruese”.

Doja t`i thosha që nëse të hahet një mango në këto momente dhe nuk ke  me se ta blesh, atëherë do ta kuptoje se pse duhet të jetosh vetëm për veten dhe mos të të shkojë mendja për te ndihmuar të tjerët. Por megjithatë e mbajta veten dhe nuk ja thashë, sepse nuk desha të prishja atmosferën e mirë që krijoi me ato që tha.

Tek kafeneja të gjithë e kishin për zemër Hasanin, që nga pronari deri tek klientët veteranë. Shumë shpejt atë e caktuan menaxher të turnit të natës. Nuk më interesonte shumë ai post, sepse kishte punë më shumë dhe nuk kishte fitim e bakshish. Fillova ta shoh me syrin e mëshirës të gjorin Hasan, që nuk shihte nga bakshishet dhe fitimet, por merrej me hallet dhe problemet e klientëve.

U rritëm.. dhe bashkë me mua u rrit edhe uria për pasuri të mëdha. Ndërsa shoku im Hasani kishte mbetur po ai i përhershmi..bile ai filloi të bënte gjëra të habitshme. Filloi të trajnohej për të dhënë ndihmën e parë në raste katastrofash. Merrte pjesë vullnetarisht në nismat humanitare për të ndihmuar njerëzit në nevojë, po ashtu merrej me shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke vizituar të burgosur në shtete të ndryshme të botës. Që nga ky moment fillova t`i shoh njerëzit e pasur si njerëz pak mendjengushtë dhe të parëndësishëm.

Mbas studimeve kisha atë që ëndërroja më parë. Ca para anash për të filluar me biznesin e bursës.  Fillova me këtë biznes dhe arrita të korr fitime të majme. Por duke pasur akoma shijen e hidhur të falimentit të babait tim me bursat u tërhoqa nga ky biznes. Hapa një minimarket, më vonë një studio reklamash, një dyqan për të shitur pajisje kompjuterike dhe brenda 10 vitesh arrita të kem pronën time të parë. U martova, u bëra baba dhe gjëja më e rëndësishme që kisha për qëllim më në fund u realizua.. U PASUROVA, numërohesha nga të pasurit e vendit.

Nga ana tjetër Hasani megjithëse kishte marrë pjesë në angazhime të ndryshme humanitare, ishte kujdesur për të ruajtur dhe zgjeruar pasurinë që kishte trashëguar nga babai i tij. Shumë shpesh kishim bashkëpunime të ndërsjella për projekte të vogla fitimprurëse. I shfrytëzoja shumë lidhjet dhe njohjet që kishte Hasani. Të gjithë ata njerëz që kishte njohur ai përgjatë kalvarit të jetës së tij, tani ishin bërë njerëz të rëndësishëm dhe ai kishte ditur t`i mbante lidhjet me ta gjate gjithë kësaj kohe. Ai u kishte fituar zemrën duke u ishte gjendur pranë në çaste të vështira. Ata na ndihmonin shumë për probleme të ndryshme që mund të kishim. Nuk ma merrte mendja asnjëherë, që këta njerëz do t`i bënin dobi dikujt ndonjëherë, por koha tregoi që ishte komplet tjetër gjë: Nuk ka asnjë njeri të padobishëm në këtë botë”.

Në këtë gjë Hasani ma kishte kaluar disa herë. Pra në fitimin e zemrave të njerëzve pa parë xhepat e tyre. Ai ndihej i kënaqur vetëm kur gjendej pranë njerëzve në nevojë.  Për këtë besoj se ai ka fituar edhe shpërblim të madh tek Allahu.

Nejse, sot me krenari  mund të qëndroj para Hasanit. Nuk ndjej ndonjë disnivel kulture apo pasurie kur jam me të. Sot jam mjaftueshëm i pasur.

Një herë, Hasani më ftoi për darkë në shtëpinë e tij të re.  Mora gruan dhe iu përgjigjëm ftesës.

Mbasi mbaruam me pjatat e para dhe të dyta, gruaja e Hasanit na solli në tavolinë një shportë të madhe me lloj-lloj mangosh që të shkonte goja lëng kur i shihje. “Shumë e habitshme, - thashë me vete, - unë blej mango çdo ditë në treg, por nuk janë si këto. Si këto mango nuk mund të gjesh asgjëkundi këtu në vendin tonë. Fillova ti shpjegoj gruas  rreth origjinës së këtyre mangove shumëngjyrëshe. I thosha që kjo lloj mangoja këtu, vjen nga Kina dhe mbillet vetëm në disa male në perëndim të Kinës në provincën Shangan dhe atë na e ka dhuruar një shok i Hasanit. Ai është musliman dhe është imam i një xhamie të madhe atje. Ndërsa kjo mangoja vjen nga Afrika. Na e ka dërguar familja e një vajze jetime nga Afrika, të cilën kur ishte e vogël, e kemi ndihmuar financiarisht, ndërsa  tani ajo është rritur dhe është bërë doktoreshë. Këtë  mangon e vogël këtu na e ka dhuruar një tregtar indian...

Tek flisja për këto gjëra, ndjeva se fryti i mangos më shkundi për një moment. Mendova pse nuk më ka dhuruar asnjeri mango? Edhe unë jam tregtar e i pasur e megjithatë asnjeri nuk është treguar bujar të më dërgonte ndonjë kokërr mango.

Shihja mangot shumëngjyrëshe në shportë dhe fillova të mendoja rreth Hasanit.

Ai tani është intelektual i shquar, që e ftojnë nga të katër anët e botës për të ligjëruar.

Është njeri që ka projekte bamirëse, që i sjellin atij shpërblime të panumërta nga Allahu xh.sh.

Hasani është i mbrojtur nga një rreth shumë i madh njohjesh. Të gjithë e kanë për zemër nga qëllimi i pastër dhe zemra e gjerë.

Pasuria e tij është zgjeruar dhe ka arritur me sukses që t`i hapë asaj perspektiva të reja nga mirësia e njohjeve dhe lidhjeve që kishte krijuar.

Hasani është njeri, ndërsa unë jam thjesht një tregtar, që nuk i shtoj asgjë kësaj bote, jam një konsumator, që e angazhoj këtë tokë me kënaqësitë dhe tekat e mia.

Ai është që i dërgohen mango nga të gjitha anët e botës të freskëta dhe të shijshme.

Ndërsa unë i blej ato në treg mbasi janë vjelë para disa muajsh. As pasuria që vendosa nuk më solli mangot që dua unë.

Mora një mango e vendosa në pëllëmbën time dhe tek ndjeja butësinë e saj  iu drejtova të gjithëve duke i pyetur:  “Ç`farë e bën këtë mango kaq të shijshme”?

Hasani duke buzëqeshur si e kishte zakon mu përgjigj: “Ajo është e shijshme, sepse vjen nga një pemë që jep fruta pa kërkuar asgjë në këmbim.  Pra, të japësh pa kërkuar asgjë në këmbim është sekreti i të gjithë gjërave të shijshme që ndodhen në këtë jetë”.

Heshta dhe nuk fola por vetëm shkrova ekuacionin tim të pestë:

Që të jesh i lumtur në jetë .. nuk mjafton të jesh i pasur por duhet të jesh pjesë e shoqërisë.

(e shkrova mbasi prita shumë vite që mangoja të më binte në kokë).


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free