Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Lumturia është fjalë...

Mësimi fetar që merrja nuk më ka ndihmuar të kuptoj botën shpirtërore të njerëzve, të prezantohem me natyrën dhe tipat e tyre. Por që në vegjëli, unë kam qenë shumë kureshtar dhe i interesuar të di diçka më shumë lidhur me lumturinë e njerëzve që më rrethojnë, vuajtjet e tyre, stabilitetin dhe çrregullimet e tyre psikologjike.
Pasi u rrita dhe lexova rreth psikologjisë, ndjeva se ajo është një disiplinë e njohur për mua dhe madje e dashur, në kundërshtim me miqtë e mi të cilët e konsideronin larg shkencave të tjera, të cilat ishin objekt studimi i tyre.
Mes leximit të librave përkatës, si dhe leximit të imazheve dhe sjelljeve njerëzore, fillova të aftësohem më shumë në kuptimin e vetes time, imazhit që të tjerët kanë për mua, si dhe pritshmërive të tyre.
Nëse do të angazhohesha me diçka tjetër, përveç asaj me të cilën merrem, do të doja të isha këshillues që ndihmon njerëzit të kapërcejnë problemet, hallet, dhimbjet dhe vuajtjet. Do të doja të motivoj dhe nxis të martuarit të kapërcejnë problemet e komunikimit mes tyre, për një jetë më të mirë dhe më të bukur.
Cicërimat dhe shkrimet e mia janë pasqyrim i një gjendjeje humori të mirë tani, kënaqësisë në të kaluarën dhe aspirate për një të ardhme me të mirë.
Cicërimat e mia janë një ndërveprim aktual dhe jo ideal, mes suksesit dhe dështimit, fuqisë dhe dobësisë, bindjes dhe kundërshtimit dhe të gjithë antonimeve të jetës.
Të gjitha i kam përjetuar dhe i kam vuajtur në jetë. Jam gëzuar dhe jam hidhëruar, jam kënaqur dhe jam inatosur, kam nxituar dhe kam ngadalësuar, kam gabuar dhe ia kam qëlluar, kam insistuar dhe këmbëngulur ndonjëherë, por edhe kam reflektuar dhe korrigjuar herë të tjera. Ndonjëherë, jam sjellë në një mënyrë të caktuar, por pasi më është kthyer kthjelltësia dhe qetësia, më ka ardhur zor nga ata që më panë në atë formë reagimi. Dikush e sheh trimëri të kërkojë ndjesë nga një gabim. E dikujt tjetër, i mungon guximi, arratiset nga gabimi, për të rënë në një gabim më të rëndë.
Këshilla që dua t’ju ofroj, është vetë eksperienca ime, të cilën e kam përjetuar. Nëse u këshilloj për diçka, dijeni se e kam provuar dhe përjetuar vetë më parë. E nëse u ndaloj nga diçka, dijeni se e kam provuar shijen e tij të hidhur.
Tek njerëzit që më rrethojnë, orvatem të zhytem në thellësitë e ndjenjave të tyre, të analizoj problemet, të studioj psikologjinë e tyre. Profili i tyre më ndihmon ti kuptoj mirë, të zbuloj qetësinë apo stresin që përjetojnë. Por, gjithmonë mbetet gjuha e tyre ajo që e konfirmon ose e përgënjeshtron.
Tashmë kam guximin e duhur për të thënë diçka që nuk e kam lexuar në libra, edhe pse jam i bindur se diku është shkruar. E kjo thënie është: “Lumturia është gjuhë”.
Gjuha që flasim, është tregues i lumturisë, madje, gjuha që flasim prodhon lumturinë ose të kundërtën e saj.
Teksa po meditoja rreth kësaj pike, dëgjova lexuesin e Kuranit të citojë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?” (Beled, 8-10)
Syri shikon, veshi dëgjon, gjuha e shqipton dhe në bazë të kësaj, zgjidhet rruga e duhur apo e gabuar.
Veprat e të tjerëve, janë në fokusin e shikimit dhe dëgjimit tënd, por nuk janë burim i lumturisë apo vuajtjes tënde. Reagimi yt i cili bëhet me gojë, është çelësi i gjendjes psikologjike që përjeton.
Në jetën time, nuk kam parë një person të suksesshëm, i cili nxjerr fjalë negative dhe parashikon dështimin. Nuk kam hasur as dhe një dështak, të ketë një gjuhë të hijshme dhe të presë të mirën.
Nuk kam asnjë pikë dyshimi, që nëse një pesimist ndryshon gjuhën e tij, insiston tek fjalët pozitive, qoftë dhe me siklet të madh, do të përmirësohet humori i tij dhe do të arrijë sukses në jetë.
Shpirti i tij do të lartësohet, mendja do i rrezatojë, sukseset e tij do të shënojnë rritje, do të përmirësojë raportin me dështimin, do i shtohet besimi tek vetja si dhe do të përmirësojë komunikimin me të tjerët.
Por, kjo nuk mund të ndodhë brenda një dite e një nate. Ajo që nuk duhet të harrojmë, është se kjo për të cilën flasim, është e mundur. Zoti nuk ka krijuar askënd të privuar nga mundësia e lumturisë, mirësisë dhe suksesit. E kur dikush e arrin këtë, nuk i ka hyrë në hise askujt, por thjesht ka përftuar hisen e tij nga ana e Bujarit të Plotfuqishëm.
Thënë shkurt dhe larg çdo debati shterp, fol mirë, ji optimist, prit të mirën dhe mos u zvarrit pas iluzioneve, dështimit dhe frikës. Para se të shkosh tek psikologu, duke zbatuar këshillën e një miku i cili ka ndjerë se nuk je mirë, përsërit me vete: ”Unë jam i lumtur dhe i gëzuar.” Duke e shndërruar në zakon dhe ves diçka të tillë, ne ngjisim shkallët e lumturisë dhe suksesit.
Mos e rretho veten me mendime negative si: Unë jam dështak, idiot, pavullnet, i urryer, dyert i kam të mbyllura, jetoj pa objektiv etj... Asnjëherë mos e uro vdekjen, pasi  nuk i dihet çfarë të pret pas vdekjes. Mund të jesh gjynahqar dhe pendohesh. Profeti Muhamed a.s thotë: “Besimtarit, jeta nuk i shton veçse mirësitë.”
Mësoje gjuhën të thotë vetëm fjalë të mira, motivuese, të dashura dhe të dhembshura. Mësoji ata që të rrethojnë që prej teje të mos dëgjojnë veçse fjalë plot shpresë, optimizëm, dashuri dhe mirësi.
Sfida e parë në ndryshimin e gjuhës tënde, do të jetë me të afërmit, të cilët nuk do e besojnë se ke ndryshuar kaq kollaj. Do të befasohet jot shoqe nga fjalët e ëmbla, do të qeshë ndonjë nga fëmijët, një tjetër do mbetet gojëhapur, ndonjëherë mund të ndihesh edhe në siklet.
Është fillimi, prandaj mos u shqetëso! Këtë gjendje, do e pasojë gëzimi dhe lumturia, për ty dhe për të gjithë. Beso nga thellësia e vetes se je i aftë për të pasur sukses dhe për të jetuar i lumtur. Beso se i ke aftësitë, energjitë dhe kreativitetin për diçka të tillë.
Teksa lutesh dhe i përgjërohesh Zotit, asnjëherë mos harro se kështu ti furnizohesh me energji dhe po ushtron veten për më shumë besim për të ardhmen. Kështu, ti po forcon vullnetin, po përmirëson pritshmëritë nga Zoti, po ndez imagjinatën dhe po lehtëson udhën drejt suksesit.
Por... edhe nëse thyhesh, mos e humb shpresën! Mos iu kthe sërish shprehjeve si: ”Unë...unë” Por përsërit shprehje si: ”Do të përpiqem përsëri! Do të fitoj! Po, do të fitoj sepse jam në udhë të drejtë! Sepse durimi im, vaditet nga besimi i thellë në Zotin, i cili nuk e zhgënjen robin e Tij.
 
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free