Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Vjehrre Vs Nuse,pse armike ?!

Vjehrre e nuse, pse armike? Djali midis nënës dhe nuses? Një dilemë e vjetër ekzistenciale. Nga të mbash? Sipas meje, kjo nuk është fare alternativë për njerëzit që kanë personalitet normal dhe ndjenjë sociale të ekuilibruar. Nuk mund të mos dallohet dashuria për nusen, nga ajo për nënën. E para është lidhje me natyrë tejet intime, e ngrohtë, e veçantë, gjithëpërfshirëse, ndërsa për nënën është dashuri platonike, romantike, kryesisht në formën e kujdesit dhe respektit për të. Në këtë marrëdhënie treshe, e cila për fat të keq në shoqërinë shqiptare po ritualizohet në formë konfliktuale, a ka mundësi dhe liri për të zgjedhur? Ngaqë jetojnë së bashku në një familje, natyrshëm krijohen marrëdhënie “vartësie dhe autoriteti”. Nëna kërkon të ketë diçka të pacenuar nga autoriteti i dikurshëm me djalin, djali kërkon pavarësi nga autoriteti i dikurshëm i nënës, nusja nga ana e vet, nuk pranon që të jetë në vartësi të “dy autoriteteve”, të burrit dhe të vjehrrës në të njëjtën kohë. Kjo situatë është e ndërlikuar, dhe mund të zgjidhet vetëm në rastin kur secili me sens mase luan “rolin” e vet: nëna si nënë, nusja si nuse dhe djali si bir dhe bashkëshort…A është e mundur të realizohet kjo paradigmë sot…? Në strukturën e marrëdhënieve polivalente të familjes, ka një shumëllojshmëri marrëdhëniesh midis pjesëtarëve: midis babait, nënës, vëllait motrës, nënës me djalin, djalit me babanë, me motrat dhe vëllezërit. Në të gjithë këto lidhje gjinore të shumëfishta brenda familjes ka një problematikë të larmishme, marrëdhënie dhe konflikte, miqësi dhe xhelozi, konkurrencë materiale dhe ndjenja obsesive. Familja është bërë momentalisht bashkësia sociale më komplekse në shoqërinë shqiptare. Padyshim dinamika e marrëdhënieve midis nënës, djalit dhe nuses, është ca e veçantë dhe meriton “observim” më vete. Çfarë po ndodh në këtë “trinitet marrëdhëniesh”, pse djali është gjithnjë në mes të një presioni që vjen nga të dy “partneret femra” të familjes, nga nusja dhe nga nëna? Cila është pozita e djalit dhe si duhet ai të komportohet në ndërtimin e marrëdhënieve funksionuese midis nënës dhe nuses, apo si duhet që ai të luajë “rolin e dyfishtë”, midis birit për nënën dhe bashkëshortit për gruan? Si e luajnë këtë rol djemtë e sotëm, në familjet dhe çiftet e reja? Cilat janë shkaqet e tensionit dhe format e konfliktit që shfaqen në këtë “trinitet të veçantë”. Nuk mendoj që për të diskutuar kompleksitetin social të këtyre marrëdhënieve do të na duhet të penetrojmë thellë në “skutat biologjizante” të sjelljes, apo të sjellim argumente të “komplekseve” të cilat kanë zbuluar Frojdi, Jungu, etj., dhe që realisht kanë vlerën e tyre. Por mendoj se terreni në të cilin zhvillohen marrëdhëniet, që lindin dhe zgjidhen konfliktet komplekse midis nënës, nuses dhe djalit, janë më shumë në terren social, dhe përgjithësisht lindin nga shkaqe materialiste. Nuk e di sa mund të jem i vërtetë në konstatimin tim, por mendoj se në thelb të atmosferës neurotike, të mungesës së dashurisë dhe reciprocitetit, në marrëdhëniet e ftohta të nuses me vjehrrën, janë motive të qarta, pastërtisht utilitariste, pragmatiste, materiale, që kanë lidhje më dëshirën obseduese për të krijuar kushte sa më optimale për “kënaqësinë e çiftit”. Në tërësinë e relacioneve që krijohen në marrëdhëniet me djalin dhe nusen e tij, nëna bëhet faktor që sjell unitet apo grindje, harmoni apo destabilitet në marrëdhëniet e çiftit të ri. Mashkulli gjendet detyrimisht, midis “djalit” që ka dashuri dhe respekt për nënën, dhe burrit që ka dashuri të natyrshme për gruan e vet. Janë dy dashuri që ndryshojnë në formë dhe përmbajtje, dhe secila ka tipologjinë dhe “pistën” e vet. Vetëm mashkulli që di të luajë në të njëjtën kohë “rolin e dyfishtë”, si djalë dhe si burrë, është faktor determinant që siguron harmoninë dhe kohezionin e familjes. Nëse ai është i njëanshëm dhe tejet asimetrik në dashurinë e tij të dyfishtë, balanca është e prishur dhe stabiliteti, i pamundur. Në këtë rast, nuk kemi më relacione humane, normale por marrëdhënie me tension psikiatrik. Nënat pasi martojnë djalin bëhen vigjilente për të parë “kurbën e ndryshimeve” nga prania e nuses, ndjekin hap pas hapi me vëmendje (shpesh frenetike), diagramën e ndryshuar të sjelljes së djalit dhe ftohtësinë e nuses në raport me të. Nusja nga ana e saj, nuk ka dëshirë të ballafaqohet me obsesionin fëminor të nënës, që nuk e ndryshon dashurinë për të birin në çdo moshë. Nuset duket sikur kanë kontratë dhe kërkojnë ekskluzivitet dhe prioritet absolut të vëmendjes së burrit të tyre, e cila sipas mentalitetit të disa grave “moderne”, është në përpjesëtim të zhdrejtë me lidhjen e djalit me nënën. Kjo do të thotë se sa më e ftohtë të jetë lidhja e nënës me djalin, aq më e madhe do të jetë dashuria për gruan e vet… Koston në këtë rivalitet e paguan mashkulli, që është i detyruar në rastin më të mirë të mundshëm të jetë normal, i drejtpeshuar midis dy dashurive, duke i dhënë secilës nga partnereve femra të shtëpisë rolin, vendin dhe rëndësinë e vet. Nusja dhe vjehrra? Ja pse janë në rivalitet të përjetshëm Nusja dhe vjehrra? Janë në rivalitet të përjetshëm. Secila kërkon të krijojë sa më shumë pushtet dhe hapësirë, thënë ndryshe, të futet sa më shumë në hapësirën psikologjike të atij që synon, në këtë rast, djalin që synon vjehrra dhe burrin që synon nusja. Në këtë kuptim, rivaliteti për një territor të humbur, siç është rasti i vjehrrës dhe për një territor të fituar, siç është rasti i nuses, nuk merr fund kollaj, madje asnjëherë. Në raportet ndërpersonale ne jemi të prirur të marrim sa më shumë nga shoqëria dhe të japim sa më pak. Kjo është teoria e shkëmbimit të marrëdhënieve ndër personale. Ashtu si edhe në biznes, në përgjithësi secili përpiqet të fitojë shumë dhe të humbasë pak. Por sidoqoftë është një dhënie-marrje. Dhe si në çdo dhënie-marrje ka një tendencë natyrale, një instinkt të vetëmbrojtjes që shoqërohet me instinktin e agresivitetit. Qëllimi? Të mbijetohet me sukses. Tek njeriu ekziston një agresivitet territorial. Bëhet fjala për territorin ku ne kemi pushtetin tonë: mund të jetë sipas rastit, shtëpia, familja, njeriu i dashur, tokat, pronat, kufiri i atdheut etj. Në të gjitha nivelet, e kemi një territor që shtrihet, zgjatet në hapësirë, ose ngushtohet. Në këtë territor përpiqemi të mos humbasim. Mundësisht, të zgjerohemi. Ky është ai që quhet “agresiviteti territorial“. Kuptohet që shoqëria i zbut këto lloj agresivitetesh dhe i riorienton, ose i konfiguron në aspektin shoqëror, i fsheh disi, i bën të kamufluar, më pak të dukshëm, i bën të nëndheshëm. Por këto lloj shprehjesh të instinktit të trashëguara nga historia jonë njerëzore, janë brenda nesh. Kjo vepron edhe në raportin nuse-vjehrrën. E para nuk do të humbasë territorin që ka patur, e dyta nuk do të humbasë territorin që ka fituar. Tek nëna funksionon dhe agresiviteti mëmësor (shfaqet tek çdo nënë) kur shikon se fëmija e saj orientohet, ose i jepet dikujt tjetër. Këtë “tjetrin” ajo gjithmonë e shikon si një rrezik të mundshëm. Në konceptin socio-biologjik, djali është veçse gjeni i saj i trashëguar që duhet të jetojë patjetër shumë gjatë dhe për këtë arsye duhet mbrojtur. Natyrisht ky është një lloj rivaliteti dhe agresiviteti i natyrshëm dhe i përjetshëm, por ama nuk do të thotë që shfaqet në çdo çast. Shoqëria ka vepruar tashmë në vetëdijen e individit, ka vepruar tek njeriu dhe ka krijuar një sferë tjetër. Kjo sferë është e planifikuar, e kontrolluar dhe orientohet nga nevojat dhe pritshmërinë e të tjerëve, pra të shoqërisë. Kjo është Vetëdija (në shumë raste vetëdija na pengon që të tregohemi rivalë dhe agresivë dhe përpiqemi të arsyetojmë për të dhënë diçka më shumë, që të mos i humbasim të gjithë). Në këtë rast kemi, vjehrra tolerante. Ose, japim diçka që ta marrim më vonë më shumë. Dhe kjo është nusja largpamëse. Në të dyja këto raste, vetëdija është ajo që na bën të kemi sukses në shoqëri, por në momentin që humbasim vetëdijen ne bëhemi agresivë, ne rivalizojmë, ne shfaqemi jonjerëzorë dhe joshoqërorë. Megjithatë njeriu shfaqet në të dyja individualitetet (dhe me nusen dhe me vjehrrën, në këtë rast). Por mbetem i mendimit që pavarësisht se në pamjen e parë në disa raste ato janë miqësore, bashkëpunojnë dhe tregohen tolerante, në vetvete secila prej tyre, dëshiron të investojë sa më shumë tek djali ose tek burri dhe të tërheqë sa më shumë vëmendjen e tij, ta bëjë atë sa më shumë për vete. Pra, ajo dëshiron ta ketë të vetin. Ka dhe një aspekt tjetër rivaliteti vjehrrën-nuse: ky është aspekti kulturor që lidhet me faktin se burri ose mashkulli mendohet se është autoriteti i familjes, personaliteti i saj, fytyra e familjes; ai kontrollon gjithë pushtetin e familjes, të sotmen dhe të ardhmen e familjes. Si i tillë, kush ka në dorë burrin, ka në dorë autoritetin, pushtetin e tij, ka në dorë gjithë familjen. Në këtë aspekt, gruaja dhe vjehrra janë rivale të natyrshme. Në të vërtetë, në aspektin njerëzor, “kanë të drejtë“ të rivalizojnë njëra- tjetrën.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free