Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Zhbiroji letrat e tët shoqeje

Ajo u vonua në kryerjen e disa punëve të saj, ndërkohë që i shoqi e pa veten krejtësisht të vetëm në dhomën e tyre të gjumit. Në çast mbërthehet nga një kureshtje e fortë, thelbi i të  cilës ishte: Përse të mos e shfletoj këtë bllok i cili qëndron mbi komonë pranë krevatit?!

E shfletoi dhe brenda fletëve të bardha gjeti karikatura humoristike, të tjera pikëlluese. Disa i kuptoi, kurse disa të tjera jo. Në faqet në vazhdim, lexoi poezi dashurie, gazel dhe mall për takimin!

Vallë kujt ia kishte qëndisur ato vargje?! Mos ishte ai, apo dikush tjetër? Mos ka depërtuar dikush tjetër në zemrën e saj?

Si vallë ia kishte mbajtur të fshehtë? Si ti ketë shkelur me këmbë gjithë ato ditë të bukura? Kushedi sa eksperienca dhe aventuara mi ka fshehur – mendoi me vete. Trupi i saj ka qenë me mua, kurse imagjinata i ka fluturuar me jaranin.

Në ato çaste, nuk e di përse, por i erdhën në mendje vargjet e një poeti:

Mos më gënje se u pashë me sytë e mi

Mos qaj, se më janë mërzitur lotët

Sa të shëmtuar janë ato pika loti

Kur rrjedhin mbi një faqe gënjeshtare

Unë u pashë bashkë

Unë u dëgjova

I pashë sytë e tu tek sytë e tij

Dhe duart e tua, mbi duart e tij

Buzët të dridhen nga malli për të

Hiqu si të duash, por nuk mundesh

Ti je pjellë e epshit dhe marrëzisë

E unë, jam distancuar tashmë prej tyre

 

Menjëherë, u përul në gjunë përballë syrtarëve të komosë, të cilët i hapi njëri pas tjetrit. Letrat, fletoret dhe blloqet që i dilnin para i lexonte si një i uritur. Kërkonte ndonjë varg të shkruar, ndonjë sekret të fshehur, ndonjë thesar që mund të ishte i vyer, ose sado pak dinamit, i cili mund të shkaktonte një shpërthim të kësaj lidhjeje të shenjtë.

Sytë i qëndruan tek një histori simbolike, e përshkruar në mënyrë tepër artistike, e cila po të botohej, do angazhonte kushedi sa kritikë arti me analiza e kritika pa fund. E lexoi disa herë, i bindur se e shoqja, nuk ishte në harmoni të plotë në marrëdhëniet që kishte me të.

Ja ku flet për hidhërim e pikëllim, ja ku janë pikat e lotit që kanë lagur faqet, ndjenja të fshehura dhe dhimbje e pashprehur... aaahhhh.. Të gjithë përpjekjet e mia i paska marrë era, e spaska mbetur pikë mirënjohjeje dhe vlerësimi për sakrificat që kam bërë për hir të saj!!

Disa burra, mendojnë se pushteti dhe autoriteti i tyre mbi gratë është absolut, se janë përgjegjës dhe duhet të dinë çdo detaj të mendimeve, zemrës dhe jetës së tyre. Ata nuk dinë gjë tjetër rreth marrëdhënieve bashkëshortore, përveç një parimi të vetëm “Autoritetin” (kavama).

Autoriteti është një e drejtë e ligjshme e sanksionuar në Kuran, ku Zoti i lartësuar thotë:”Meshkujt kanë autoritet mbi gratë, meqë Allahu u ka dhënë disa cilësi mbi ato dhe, meqë ata shpenzojnë për mbajtjen e tyre.” (Nisa, 34)

Por ky pasazh, nuk duhet marrë si përgjegjësi absolute, pasi po Kurani i ka besuar gruas përgjegjësi në shumë aspekte të tjera, siç janë detyrimet dhe liria e besimit. “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër.  Ju jeni njëlloj (në shpërblim).” (Al Imran, 195)

“Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)

Kështu, gruaja është përgjegjëse për namazin e saj, për agjërimin, pastrimin (gusul) dhe gjithë ritualet e tjera. Ajo gëzon pavarësinë ekonomike dhe financiare, ka të drejtën e pronësisë, shet, blen dhe jep sadaka pa lejen e të shoqit. Profeti a.s u thoshte grave të myslimanëve:”Jepni sadaka, qoftë dhe nga bizhuteritë tuaja!” (Buhari, 1466 – Muslim, 1000)

Pa më trego ti, çfarë i fsheh tët shoqeje? Mos je vetë një libër i hapur? A nuk ke menduar, a nuk je orvatur, ke ndërmarrë aventuara, ke udhëtuar...? A nuk ndërtohen marrëdhëniet bashkëshortore, mbi bazën e barazisë?

Një argument që këto marrëdhënie ngrihen në bazën e barazisë, është se vetë gjuha e Kuranit, bashkëshorten e quan “palë” ashtu siç quan bashkëshortin, pra ata janë palë për njëri-tjetrin.

Atëherë përse gjithë kjo kureshtje e tepërt, për të zhbiruar në letra dhe blloqe të hedhur lart e poshtë?! Të gjithë ne kemi sekrete. Apo mos mendon se ti bën përjashtim nga kjo?

Shpesh herë, nënat e besimtarëve nuk ia tregonin Profetit a.s të gjithë ndodhitë e përditshme të jetës së tyre. Madje, një herë, në një rast të tillë, Profeti a.s i thotë njërës prej grave:”Do ma tregosh, ose do ma tregojë i Gjithëdituri.” (Muslim, 974)

Në marrëdhëniet bashkëshortore nuk ka superioritet absolut, në fakt, ato duhet të karakterizohen nga reciprocitetit “Fal që të falesh” “Mos përgjoni dhe mos zhbironi” “Kush gjurmon të metat e dikujt, Zoti do të gjurmojë të metat e tij dhe kujt i gjurmohen të metat nga Zoti, do të demaskohet në vatrën e shtëpisë.”

Prandaj jepu fund akteve hetuese dhe investigative në shtëpi! Hiq dorë nga shfletimi i blloqeve! Le të jetë baza e komunikimit me tët shoqe, respekti, besimi dhe opinioni i mirë! Fokusohu tek e dukshmja dhe hiq dorë nga e fshehta! Vepro sipas këshillës parandaluese ndaj sëmundjeve të jetës bashkëshortore, e cila të ofrohet nga goja e të dërguarit të Zotit a.s:”Nëse do të gjurmosh të metat e njerëzve, do i prishësh ose do i çosh drejt prishjes.” (Ebu Daud, 4888)

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free