Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sistemoje jeten tende.

42 pyetjet sistemuese të jetës tënde

(pjesa e parë)

Hyrje:

Në këtë trajtesë do të flasim mbi një çështje, e cila është prej çështjeve më të rëndësishme. Do të flasim mbi çështjen e sistemimit të jetës.

Janë të shumtë njerëzit, që i kushtojnë interes menaxhimit të kohës. Në fillimin e shekullit të XX-të zuri fill shkenca e menaxhimit të kohës me çështjen e axhendës së punëve, thënë në mënyrë të përmbledhur “njeriu përcakton atë që i duhet të bëjë, menaxhon punët e tij”.

Kjo shkencë presupozon, se axhenda e njeriut nuk duhet të jetë rutinë, por duhet të jetë e klasifikuar në një formë të tillë, që të ketë të bëjë me çfarë ka lidhje me shtëpinë, me punën dhe me aspektet monetare. Kështu njeriu cakton punët që i dalin si detyrë të kryejë dhe punën që kryen, e fshin nga axhenda, teksa në krahun tjetër e bashkangjit në axhendë një punë që i del për të bërë. Axhenda e menaxhimit të punës përbën edhe erën e parë të menaxhimit të kohës.

Pastaj erdhi era e dytë e menaxhimit të kohës, që u quajt axhenda e kohës. Sipas axhendës së kohës, personi i shpërndan në kohë punët që i ka për detyrë t’i kryejë, duke përcaktuar se çfarë do të bëjë në mëngjes, në mesditë, në orën shtatë për shembull etj.

Në këtë formë i shpërndaj punët  e mia në kohët që disponoj. Kjo përbën edhe erën apo gjeneratën e dytë të shkencës së menaxhimit.

Pastaj erdhi era e tretë, që u quajt menaxhimi i prioriteteve. Shkurtimisht, pasi u shqyrtua axhenda e punëve, u vërejt se punët nuk janë të të njëjtit nivel rëndësie. Theksi këtu u vu tek fakti, se si mund të filloj me super të rëndësishmen para të rëndësishmes.

Më pas erdhi era apo gjenerata e katërt, që u quajt menaxhimi i jetës, që presupozon që jeta jonë duhet të orientohet në një drejtim të qartë. Sipas Stephen Covey, në vend që njeriu të programojë orën e tij, më e rëndësishme është të programojë busullën e jetës së tij, pra në cilin drejtim dka dëshirë të shkojë.

Pas kësaj hyrje të shpejtë, le të futem në ciklin që duam të trajtojmë, i cili ka të bëjë pikërisht me gjeneratën më të fundit të menaxhimit të kohës, por që ka në përmbajtje edhe një përbërje të gjeneratës së tretë:

Sistemimi i jetës

Kjo tematikë do të trajtohet në një metodë, që është më shumë praktike sesa teorike...

Pikë së pari i mbështetemi Allahut të Lartësuar, kurse më tej:

Sistemimi i jetës sonë i nënshtrohet përgjigjes së disa pyetjeve, të cilat medoemos duhet të marrin përgjigje të qarta nga ne.

Rreth 98 % e njerëzve nuk kanë përgjigje për shumë nga këto pyetje, që në fakt janë pyetje shumë serioze dhe primare, ose mund të kenë përgjigje, por që nuk janë të qarta, ose mund t’i kenë përgjigjet por nuk i kanë të shkruara, ose mund t’i kenë të shkruara por jo të kristalizuara dhe vizionare.

Këto nuk janë pyetje, të cilave njeriu mund t’u përgjigjet me po ose jo, por nuk mund t’u përgjigjet as në një kohë të kufizuar dhe i shpërqendruar. Këto pyetje kërkojnë prej personit, që t’u japë atyre kohë, arsyetim dhe vëmendje...

Pyetje të përgjithshme që synojmë të kenë marrë përgjigje në fundin e kësaj tematike:

1. Përse jetoj?

Koment:

Sigurisht ne muslimanët e kemi përgjigjen hyjnore lidhur me këtë pyetje, Allahu i Lartësuar nuk na la ne në turbullirë, lidhur me vërtetësinë tonë më të madhe, por na orientoi në rrugën e drejtë dhe kush ecën në të, nuk humbet kurrë. Allahu i Lartësuar na e përcaktoi këtë rrugë të ekzistencës, duke na thënë: “Nuk i kam krijuar xhindet dhe njerëzit, përveçse që të më adhurojnë Mua”. [Dherijat: 56]

Ne muslimanët dallojmë nga perëndimi për faktin, se nocioni i adhurimit tek ne ka një kuptim specifik, ndërsa për perëndimorët adhurimet janë thjeshtë rituale, kisha, adhurimi i ditës së dielë dhe jeta nuk ka fare lidhje me adhurimin.

Kurse në këndvështrimin e muslimanit, adhurimi është përfshirës i tërë jetës, ndaj dhe muslimani çdo gjë që bën, e konsideron si një adhurim të mundshëm, me kusht që veprimin e saj ta shoqërojë me synimin e vlefshëm dhe dinjitoz, duke synuar shikimin e Fytyrës së Allahut të lartësuar dhe bindjen ndaj Tij.

Shumë hadithe (thënie profetike) i mëshojnë këtij kuptimi vijnë. Kështu në një prej këtyre haditheve të shumta vjen, se edhe llokma që burri e vendos në gojën e së shoqes vjen për të me shpërblim, edhe përkëdhelja e bashkëshortes dhe lodrimi me të, me nijet (duke synuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut) mund të shndërrohet në adhurim dhe njeriu të marrë shpërblim nga Zoti për këtë punë.

Për më tepër edhe përsa i përket gjumit, nëse muslimani me të synon të marrë fuqi, që të vijojë bindjen e tij ndaj Allahut, ose që të zgjohet të falet natën, ka për t’u shpërblyer për të.

Imami i madh Ibn Tejmije në komentet e tij sjell një kumtim të bukur, se cilët janë evlijatë (miqtë) e Allahut, lidhur me thënien kuranore “Për miqtë e Allahut nuk ka panik dhe ata s’pikëllohen!” [Junus: 62].

Në mënyrën të përmbledhur kumtimi i imam Ibn Tejmijes është: “Evliatë (elviarët apo besimtarët që Zoti i do shumë) në fenë tonë nuk kanë një formë specifike (statike), nuk vishen me rroba specifike dhe nuk janë ashtu siç shprehen disa teologë. Ne nuk i kuptojmë kështu fenë dhe evliatë, porse (siç thotë imami, Allahu e mëshiroftë) do t’i gjesh ata në të gjithë klasat e popullit të Muhamedit (a.s)”, pra me kuptimin se ata gjenden në mesin e tregtarëve, zejtarëve, bujqve, kovaçëve dhe në çdo kategori tjetër të popullit të Muhamedit (a.s). Por lind pyetja: “Si të arrijmë t’i dallojmë ata? Kush janë ata?” Mbi këtë pyetje vjen përgjigjia kuranore që thotë: “Janë ata, të cilët besuan dhe ishin të devotshëm” [Junus: 63].

Pra besimtari i devotshëm, pavarësisht nga linja e jetës në të cilën ai jeton, pra pavarësisht nga profesioni i tij, mund të jetë një evlia, një njeri që e do Allahu. Kështu, që të jesh prej evliave të Allahut, nuk kërkohet prej teje të kesh një formë specifike, një profesion specifik ose linjë jete specifike, por kërkohet vetëm një drejtqëndrim dhe devocion në besim, pavarësisht nga profesioni yt.

Prej këtu kuptojmë, se Islami nuk erdhi të ndryshojë profesionet dhe punët e njerëzve, përveç punëve që janë të ndaluara (haram).

Nuk kërkohet prej teje si musliman të ndryshosh profesion tënd, por ti mundesh që profesionin tënd ta nënshtrosh për këtë qëllim madhor, për të jetuar për Allahun Zotin e botëve, për të qenë rob i Allahut në të gjithë lëmenjtë e jetës.

Mbetet pyetja me të cilën fillova, “Si të jetoj në adhurimin e Allahut Lavdiplotë dhe  Famëlartë?!” Allahu lavdiplotë në lidhje me këtë thotë: “Është Ai-Allahu që e filloi krijimin tuaj nga toka dhe ju bëri ju gjallues (zhvillues) të saj” [Hud: 61]. Pra muslimani ka përgjegjësinë ta gjallojë dhe zhvillojë tokën,  sepse muslimanit nuk i lejohet që të jetojë në margjinat e jetës, në margjinat e historisë, ku jetojnë vetëm njerëzit pa peshë, njerëzit që nuk japin dhe nuk marrin, që nuk kanë rendiment, që nuk ndërtojnë, që nuk kanë rol dhe pjesëmarrje në lumturimin e njerëzimit. Një person i tillë nuk e ka përmbushur qëllimin që kërkon Kurani, pra gjallimin dhe ndërtimin e tokës.

Është për të ardhur keq, por kolonizatorët kur erdhën në kombin islam, përdorën pikërisht këtë fjalë të bukur (fjalën zhvillim i tokës). Ata u shprehën, se kishin ardhur për të ndërtuar dhe për të sjellë mirëqenie në tokë, për të lulëzuar këto vende të prapambetura. Duke shfrytëzuar këtë fjalë, ata i pinë gjakun këtyre popujve. Por le të kthehemi tek koncepti thelbësor islam, sesi Allahu na solli në jetë ne muslimanëve me përgjegjësinë për të sjellë mirëqenie në tokë dhe për ta gjalluar tokën sipas programit të Allahut, Zotit të botëve.

2. Çfarë dua të arrij në jetën time?

Koment:

Që t’i përgjigjesh kësaj pyetje, dua prej teje ta imagjinosh veten, se me lejen e Allahut ke arritur moshën 80 vjeçare dhe pasi të kesh kaluar nëpër mend historikun e jetës tënde, dua që t’i bësh vetes tënde pyetjen: “Sa rezultat pata? Çfarë lashë pas meje? Cilët janë gjurmët që tregojnë se unë jam bërë anëtar aktiv në jetën humane?”  

Muslimani, besimtari, madje edhe çdo njeri ambicioz edhe nëse nuk është musliman, nuk mund të jetojë pa pasur një synim për të arritur diçka. Për besimtarin kjo arritje është, që kur ai ta takojë Allahun Lavdiplotë dhe Famëlartë, Allahu të jetë i kënaqur me të.

Mendo pra tani, se ti je në moshën 80 vjeçare dhe lavdi Zotit ke arritur atë që deshe. Vetëm mendoje këtë, mos shkruaj gjë, dua vetëm të meditosh, të imagjinosh...

Kthehu tani dhe mendo për gjendjen tënde aktuale, gjendja jote pa sforcim mund të vlerësohet me “pranueshëm”, trupi ende nuk është kërrusur, fytyra ende ka gjurmët e rinisë, tani që ende nuk është vonë, ulu dhe mendo në veten tënde, a po gjallon, a po jeton një jetë me të cilën ti je i kënaqur dhe krenar?

Dua që gjithsecili nga ne ta xhirojë nga e para shiritin e jetës së tij dhe teksa kjo jetë i ekspozohet para syve të tij, ai të ndihet i kënaqur, ta shoqërojë kënaqësia se ai i përmbushi ambiciet që ëndërronte, të ndjejë se ai pati ndikim në jetë, në ndërtimin dhe lulëzimin e etikës, ashtu siç kënaqet Allahu Lavdiplotë dhe Famëlartë, të ndjejë kënaqësinë e Allahut, të ndjejë se ai jetoi për Allahun.

3. A jam unë një njeri i lumtur?

Komentim:

Kjo pyetje është e gjitha dhe në të ndërtohet gjithçka, por si për ironi njerëzit as që mendojnë rreth kësaj pyetje. Kur ua drejton njerëzve këtë pyetje, disa të përgjigjen sy për sy dhe nuk të japin një përgjigje të sinqertë. Në fakt realiteti dhe vërtetësia e kësaj pyetje del në pah, atëherë kur personi është i vetmuar, kur i ka lënë mënjanë preokupimet, kur është ulur dhe mendon në veten e tij rreth jetës së tij, raporteve dhe lidhjeve të tij.

Shumë njerëz shtiren se janë të lumtur, qeshin dhe tregohen të buzëqeshur, por kur dikush qëndron përballë vetes së tij në vetmi, ai ndjen se i vjen të qajë nga ashpërsia e depresionit dhe dhimbjes.

Edhe ty mund të të ndodhë, që nëse dikush të pyet për diçka të tillë, përgjigja jote nuk do të jetë e sinqertë dhe ti do të shtiresh, madje ti mund të më manipulosh edhe mua po të pyeta, por edhe unë mund të të manipuloj ty. Mirëpo në fund të fundit një gjë e tillë nuk i bën dobi askujt.

Pra më tepër kemi të bëjmë me një çështje individuale, midis teje dhe vetes tënde. Kjo është çështja më delikate e jetës tënde dhe në shërbim të të mirës tënde. Pyete pra veten: “A je i lumtur?”

Kjo pyetje ka mjaft lidhje me pyetjet që shtruam më parë: pse jetojmë, si të jetojmë dhe çfarë do të arrijmë të performojmë?

Sa më e qartë të jetë jeta dhe sa më saktë t’i kushtohet njeriu parimeve, vlerave dhe objektivave dinjitoze, aq më e thellë dhe e madhe do të jetë lumturia.

Pra kjo pyetje kërkon prej nesh qartësi dhe çiltërsi me veten.

Ajo që unë shpresoj është, që gjithësecili prej nesh të ulet me veten dhe të meditojë në vetmi, i vetmuar nga bashkëshortja, fëmija, televizori, celulari, etj. Kjo kohë për meditim le të jetë së paku dy orë të plota, pasi ju siguroj se për këtë çështje nuk mjaftojnë as pesë dhe as dhjetë minuta.

Ulu dhe medito mbi realitetin ku gjendesh, mbi intelektin tënd, mbi nivelin e prehjes tënde, mbi trajektoren tënde, se: Ku ishe? Ku arrite? Ku po drejtohesh?

4. A jam i çiltër në raportet që kam me vetveten dhe të tjerët?

Koment:

A je ti i çiltër në të gjitha raportet dhe lidhjet e tua, a je i çiltër në gjithë sa thua, apo disa herë të ndodh që të rezervohesh dhe fshihesh nga e vërteta, nga vetëdija jote, ose të ndodh ta tejkalosh atë ose ta mbulosh të vërtetën? A je i çiltër në të shprehurin e dashurisë dhe dhimbjes tënde?

Këto janë pyetjet kryesore, përsa i përket prioriteteve të jetës.

Na lejoni të mendojmë lidhur me përgjigjet e këtyre pyetjeve. Për më tepër na lejoni të bëjmë më shumë se kaq, të vendosim një plan për t`iu përgjigjjur drejt dhe saktë këtyre pyetjeve.

A nuk dëshiron ta dish qartësisht se përse jeton, në realitetin faktik dhe jo në pretendimin tënd? A do të dish, se çfarë dëshiron të realizosh në jetën tënde, në mënyrë që të jesh i lumtur në realitet dhe jo viktimë i lumturisë së shtirur?

Nëse e dëshiron këtë më ndiq, të vijojmë së bashku.

Nuk kërkohet prej jush që t’u përgjigjeni tani këtyre pyetjeve. Kur t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve, duhet të jeni të vetmuar me veten tuaja. Kthejuni shpesh atyre, qëndroni me to në vazhdimësi dhe meditoni rreth tyre në çdo ditë të jetës suaj.

Le të ecim së bashku me hapa të përshkallëzuara drejt menaxhimit të prioriteteve, menaxhimit të vetvetes, pra menaxhimit të jetës sonë.

Pyetjeve që bëjmë, u jep përgjigje vetëm çiltërsia dhe qartësia, vetëm dalja nga pështjellimi, duke mos u nxituar.

Kjo është çështja më madhore e jetës sonë dhe si e tillë ajo ka nevojë për përqendrim. Njeriu ka nevojë të meditojë thellë, në mënyrë që të jetë i aftë t`u përgjigjet këtyre pyetjeve më të vështira të jetës së tij, me qëllim që të arrijë ta kompletojë më së miri itinerarin e jetës së tij.

Kur të gjejmë përgjigje për këto pyetje, atëherë do kemi mundësi ta zhvillojmë dhe lulëzojmë jetën tonë dhe t’i sistemojmë prioritetet tona në këtë jetë.

Pra katër pyetjet primare ku fshihet realiteti i busullës së jetës janë:

1. Përse jetoj?

2. Çfarë dua të arrij në jetën time?

3. A jam unë një njeri i lumtur?

4. A jam i çiltër në raportet që kam me vetveten dhe të tjerët?

 

Pikërisht për t’i dhënë përgjigje këtyre katër pyetjeve, lypset t’i japim përgjigje 42 pyetjeve në vijim:

1. Cili është lëmi i punës sime?

Koment:

Po të jap një shembull, që e qartëson dimensionin e kësaj pyetje.

Një herë një djalë i ri shkoi tek një prej tregtarëve të mëdhenj dhe me vete kishte një projekt bamirësie. Ai ia shpjegoi tregtarin projektin e tij në detaje dhe me shumë entuziazëm. Ai tentoi ta stimulonte tregtarin, duke i thënë: “Ti je në fakt ai, që ka nevojë për këtë projekt!” Tregtari u befasua dhe i tha: E përse unë paskam nevojë për të o djalë? Djali iu përgjigj: Sepse kjo të fut ty në Xhenet, është rruga jote për në Xhenet. Tregtari qeshi dhe i tha: “Djalë, ka njëmijë rrugë të tjera për në Xhenet përveç kësaj”.

Ai e sponsorizoi projektin, por i bëri me dije djaloshit një gjë shumë të rëndësishme, faktin se Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar e ka lehtësuar Xhenetin për atë që e dëshiron atë, duke bërë mijëra rrugë për në Xhenet.

Më ka bërë përshtypje një thënie e imam Malikut, që ka të bëjë me një letër, që i erdhi atij nga një prej adhuruesve, i cili i thoshte: “Kam parë se je preokupuar me edukimin e njerëzve kundrejt adhurimit. Sikur t’i ktheheshe adhurimit dhe të preokupoheshe me vetveten, ndoshta do qe më mirë”. Imam Maliku, i cili ishte nga elita e dijetarëve, iu përgjigj me një përgjigje të mahnitshme: “Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar i ka shpërndarë dhuntitë (rizkun). E dhunti nuk është vetëm paraja dhe malli, por tek ajo hyn edhe kapacitetet”. Pra Allahu Lavdiplotë dhe i Lartmadhëruar dikujt i ka dhënë dashurinë për adhurimin, dikujt i ka dhënë diturinë, dikujt i ka dhënë pasurinë dhe dashurinë për t’u bërë mirë njerëzve e kështu me radhë. Nëse shikon me vëmendje, do të vëresh se dhuntitë e Allahut janë të shpërndara midis njerëzve. Imam Maliku vijon në përgjigjen e tij: “Gjithsecilit i është lehtësuar dhuntia për të cilën është krijuar. Ashtu siç ti synon Xhenetin përmes adhurimit, unë synoj Xhenetin përmes shpërndarjes së diturisë”.

Nga këtu do doja, që çdokush të pyesë veten e tij: “Cila është ajo punë kryesore, që mund ta ushtroj në jetën time dhe ajo të jetë rruga imë për në Xhenet, duke i bashkëngjitur natyrshëm kësaj pune adhurimin, punën e vlefshme, mirësjelljen ndaj prindërve, devocionin për Allahun etj?!”

Lëmenjtë janë të shumtë dhe ty të mbetet të zgjedhësh në lëmin e adhurimit, mendimit, donacionit, inxhinierisë, mjekësisë, sportit, artit, politikës, ekonomisë, menaxhimit, psikologjisë, historisë, gjeografisë... lëmenjtë janë dhjetëra. Nëse njeriu zgjedh një lëmi të caktuar, në të cilin i përmbahet ligjit të Allahut dhe e ka synimin për të kënaqur Allahun, ky lëmi mund të jetë rruga e tij për në Xhenet.

Dikush mund të thotë: “Unë do i shërbej vetes, familjes, qytetit dhe kombit tim përmes pesë lëmenjve”. Studimet kanë theksuar, se personi që është i shpërndarë në lëmenj të shumtë, nuk jep produktin e lakmueshëm dhe nuk ka efikasitetin që kërkohet.

Unë nuk dua që përqendrimi të shpërndahet në shumë lëmenj, edhe pse e di se ka njerëz, të cilët janë të aftë të punojnë në shumë lëmenj njëkohësisht, por unë iu nxis që t’i përkushtoheni një lëmi të vetëm.

Ai që e ka përgjigjen, është në rregull, ndërsa ai që nuk e ka ende një përgjigje, i përngjan një njeriu që ecën duke mos e ditur rrugën e tij.

Imagjino se gjendesh në rrugë e sipër për të shkuar diku dhe shikon një person, që në një ditë me diell përzhitës është mbytur në djersë dhe qëndron në udhëkryq, pa ditur se ku të shkojë. Ti me mirësjellje dhe keqardhje e ndal makinën dhe e pyet nëse dëshiron që ta përcjellësh dhe ai të thotë: “Posi, faleminderit”. Mirëpo pasi ai hipën në makinë, ti e pyet se ku dëshiron të shkojë dhe sakaq të vjen përgjigja e çuditshme: “Nuk e di se ku do shkoj”.

Si do mundeshe ta ndihmoje një njeri si ky. Mundet që rruga ku ai do të shkojë, të jetë në drejtim krejt të ndryshëm nga ai ku jeni. Shumë njerëz ecin në jetë, pa ditur se në ç’drejtim duan të ecin. Një njeri i tillë nuk e di se cili është lëmi në të cilin i duhet të ecë dhe përmes tij të realizojë synimin e tij.

Nëse njeriu mundohet të japë rezultat kudo, në përgjithësi ai nuk ka për të pasur rezultat asgjëkund; e në qoftë se ai nuk e di lëmin, të cilit i takon, në përgjithësi do të jetë i humbur. Proverbi thotë: “Kush përpiqet të bëjë çdo gjë, nuk ka për të bërë mirë asgjë”.

I nderuar lexues!

Së pari, të duhet të zgjedhësh një lëmi ose sferë të caktuar. Gjithsesi nëse ti nuk disponon ende një përgjigje të qartë mbi këtë, nuk ka problem, pasi kjo përgjigje do të kristalizohet për ty, pasi t’i përgjigjesh pyetjeve në vijim, që me lejen e Allahut do të të ndihmojnë të kristalizosh jetën tënde dhe të bindesh se lëmi që ke zgjedhur, është realisht lëmi në të cilit duhet të ecësh ose jo, pasi është krejt e mundur që njeriu ta zgjedhë gabim lëmin e tij më adekuat.

Pyetje që kristalizojnë axhendën e jetës:

2. Cilat janë konsideratat dhe interesat e mia në jetë?

Pa koment.

3. Cilat janë principet dhe vlerat e mia më kryesore, me të cilat unë jetoj?

Komenti:

(Dok. Tarik Suejden thotë:) Përmes eksperiencës sime në trajnimin e njerëzve, kam gjetur se pyetja në fjalë i çudit shumë njerëz, të cilët më pyesin: Ku e ke fjalën? U them: E kam fjalën se cilat janë parimet, të cilave u qëndron, pra me të cilat angazhohesh? Cilat janë vlerat, mbi të cilat jeton në mënyrën sesi e jeton jetën?

Nëse ju i përkisni kategorisë, që kjo pyetje i çudit, s’ka problem, pasi kjo është një gjë normale. Kjo pyetje në fakt është shumë e thjeshtë, por sekreti i befasisë këtu qëndron në faktin, se shumica e njerëzve as që kanë menduar paraprakisht rreth kësaj pyetje dhe nuk ka ndodhur që të ballafaqohen me të.

Në kuadrin e përgjigjes kundrejt kësaj pyetje shkruaj 5, 10 ose 20 principe.

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

___________________________________________________________________________

Pyetjet që po bëjmë janë vetëm hyrje dhe nuk përbëjnë hapat dinamike në menaxhimin e prioriteteve.

Vazhdimësia në këtë program do të të japë mundësinë të bëhesh posedues i një plani të rregullt sistemues të jetës tënde dhe s’ka dyshim se ky është sistemimi më i rëndësishëm në jetën e njeriut, sepse sistemimi më i rëndësishëm që njeriu bën, është të sistemojë objektivat e tij, prioritetet, rolet, arritjet dhe rendimentin e tij.

Gjithsesi mos u shqetësoni, nëse përgjigjet që ju dispononi nuk janë shumë bindëse, nuk janë shumë të qarta. Nuk ka vend për t’u shqetësuar, pasi ne jemi ende në fillim të rrugës.

4. Cilat janë projektet e tua më të rëndësishme që ke realizuar deri tani në jetën tënde?

Koment:

Ambicia e do që njeriu të shkruante: Unë munda të bëj një spital bamirësie, ose kontribuova për të ndihmuar kaq e aq jetimë, ose nxora këtë e këtë libër, ose bëra këtë e këtë program televiziv, ose themelova këtë firmë, etj.

(Dok. Tarik Suejden thotë:) Një herë kam dirigjuar një trajnim me një pjesëmarrje prej 200 personash, ku kërkova prej të pranishmëve, që kush kishte realizuar tre ose më shumë arritje të mundshme për t`u shkruar, ta ngrinte dorën. Një numër personash e ngritën dorën. Ndërkaq shtova: Tani le të ngrejë dorën ai person, arritjet e të cilit kanë qenë burim krenarie për të! Disa prej duarve që qenë të ngritura u ulën dhe nga 200 pjesëmarrës vetëm 7 persona i mbajtën ngritur duart e tyre. Këta përsona përbënin vetëm rreth 3 % të të gjithë pjesëmarrësve.

Pikërisht këta janë elita e shoqërisë, njerëz të dhënë pas kulturës, zhvillimit intelektual dhe trajnimeve progresive në lëmin e menaxhimit të projekteve jetike, që janë burim krenarie për ata vetë dhe shoqëritë ku ata jetojnë.

Problemi i shumicës së njerëzve është, se ata nuk posedojnë asnjë arritje, përveç disa arritjeve modeste, që kurrsesi nuk mund të shërbejnë si burim krenarie dhe lumturie për atë që i ka realizuar.

S’ka dyshim, se njeriu do të arrijë tek kënaqësia e brendshme, vetëm duke ia kushtuar me sinqeritet çdo ambicie, fjalë dhe vepër të tij, Allahut të Lartësuar, të Cilit ia detyron të gjitha mirësitë dhe kapacitetet që disponon. Sinqeriteti për Allahun përbën themelin e jetës së lumtur dhe të suksesshme, përbën thelbin e kënaqësisë së brendshme.

Është vërtet disfatë, nëse e mat veten me kandarët që përdor masa e gjerë e njerëzve, të cilët nuk kanë asnjë ndikim dhe gjurmë në këtë jetë, produkti i tyre është i kufizuar dhe po kështu edhe pjesëmarrja, arritjet dhe projektet e tyre. Kjo situatë padyshim që është e papranueshme. Njeriu jo thjesht duhet të jetë produktiv për veten e tij, por për më tepër ai duhet të kontribuojë edhe në dobinë dhe progresin e vëllezërve dhe motrave të tij që e rrethojnë, duke u ndihmuar atyre ta kristalizojnë vizionin e jetës së tyre, me qëllim që të realizojnë projekte dhe nisma madhështore. Ky është edhe synimi im përmes këtij subjekti ambicioz, në të cilin me lejen e Allahut të Lartësuar shpresoj të kem hisen time nga shpërblimi definitiv i atyre, që do inkurajohen kah gradat e larta dhe prestigji në dynja dhe Amshim.

Nëse personi tregon sinqeritet, performon drejt dhe shënon arritje, ai me lejen e Allahut ka për t’u kurorëzuar me trofeun e kënaqësisë, suksesit dhe lumturisë. Kënaqësia e individit është në raport të drejtë me madhësinë e arritjeve dhe gjurmëve të tij në jetën humane, ashtu si në vargjet shumë domethënëse që shpreh poeti në këtë kontekst:

Ji burri për të cilin kush erdhi pas tij tha:

Ai ka kaluar këtej, ja ku është dhe gjurma!

 

Shikojini njerëzit e shquar të historisë, njerëzit e dalluar të ditëve tona; janë pikërisht këta, ata që e kanë bërë dhe vijojnë ta bëjnë historinë njerëzore.

A mund të jetë aktor kryesor në skenarin e historisë së jetës humane dikush, që s’është veçse një punonjës i rëndomtë? Apo të tillët janë njerëz të jashtëzakonshëm, nismëtarë dhe produktivë?

Personi i cili pyetjes “Cilat janë projektet e tua më të rëndësishme që ke realizuar deri tani në jetën tënde?”, i përgjigjet me “asgjë”, ndjen se jeta e tij është e rëndomtë...

Gjithsesi, mos ki dert, nëse një pjesë e jetës tënde shkoi pa asnjë arritje, mos u demoralizo nga e shkuara jote. Unë shpresoj që kjo trajtesë të kontribuojë, që jeta jote të mos vijojë pa arritje.

Subjekti i kësaj trajtese është pikërisht kristalizimi i synimit që dëshiron të përmbushësh dhe konkretizimi i saj në jetën reale.

- Në vijim vjen edhe pyetja e pestë, e cila i drejtohet personit që ka arritur diçka dhe i mbjell atij ambicien që të arrijë edhe më tepër. Po kështu pyetja e radhës i drejtohet edhe personit, që në jetën e tij nuk ka arritur diçka të prekshme, duke e ftuar atë të mendojë, se përse ka rënë në këtë gjendje.

Kjo pyetje u bën me dije të dy këtyre kategorive, se padyshim që gjenden disa gjëra, të cilat nëse këta dy kategori personash i disponojnë, do u japin atyre mundësi të arrijnë më shumë.

5. Cilat janë kapacitetet, aftësitë dhe mjetet që më nevojiten për të realizuar projektet e mia të ardhshme?

Koment:

Unë për shembull dua të ndërtoj një spital bamirës, por nuk posedoj teknikën, aftësinë, financën dhe përvojën për ta bërë këtë. Kësisoj mua më duhet financë, vendosje raportesh, eksperiencë teknike, vetëdije mbi natyrën e projektit dhe nevojave të tij, studim të mundësisë së zbatimit të tij.

Prej këtu pyetja që më del është: Çfarë më nevojitet që të realizoj projektin tim?

S’ka dyshim se projektet që ne aspirojmë të kryejmë janë të ndryshëm dhe secili prej nesh ka objektiva, projekte dhe natyrë specifike në jetë, që ndryshojnë me ato të individëve të tjerë.

Aspirata që duhet të kem, janë projektet dhe nismat e mëdha, ambicioze, prestigjioze, që do më bëjnë dobi edhe mua si individ, por që do i bëjnë dobi edhe familjarëve, njerëzve dhe kombit tim, madje mbarë njerëzisë. Këto janë objektivat e mia që lakmoj dhe dëshiroj. Pas dëshirës së flaktë vjen pyetja se: Çfarë më nevojitet që të arrij tek këto ambicie?

Do hulumtojmë së bashku mbi mekanizmat dhe do t’ju jap shembuj mbi disa prej mekanizmave dhe mjeteve themelore.

Sigurisht, shumë prej projekteve kanë nevojë për financë apo para, por jo të gjitha... Disa njerëz thonë: “Unë dua të bëj këtë e këtë gjë, por nuk kam para për këtë... “.

Unë insistoj që nëse aspiron të bësh diçka, ta shkruash atë nën ndjesinë se ti i disponon paratë që të duhen.

Disa njerëz thonë: “Unë nuk kam kohë të mjaftueshme për projektet e mia që aspiroj dhe nëse do të kisha pasur kohë më shumë, do të bëja këtë e do të bëja atë”. Sërish të them shkruaje aspiratën tënde të plotë, sikur të kishe në dispozicion të gjithë kohën e nevojshme për ta bërë realitet ambicien tënde...

Veç financës ka nevojë edhe për gjëra të tjera... Disa nga projektet kanë nevojë për raporte të mira, për një licencë, teksa ndoshta arritja e saj nuk është e lehtë, ndaj do më duhet të vendos disa raporte, për të arritur deri në posedimin e saj... Disa projekte kanë nevojë për kapacitete të caktuara, për mësim të teknikave të caktuara... Ky projekt që dua të vë në jetë, ka nevojë për një grup pune të caktuar, pasi unë nuk mund ta realizoj i vetëm, nuk mund ta lëviz atë pa grupin e duhur të punës dhe problemi im kryesor është, se unë nuk kam arritur tek ky grup...

Këto ishin disa prej shembujve të kapaciteteve dhe mundësive, të cilat do të hyjnë në punë në rrugën tënde për të realizuar projektet e tua të ardhshme.

Ajo që duhet është, që njeriu të mendojë mbi projekte të mëdha, të lakmojë arritje prestigjioze.

Disa njerëz as që mendojnë mbi lakmitë dhe ambiciet e tyre, për shkak të pengesave të pranishme, por unë të them të supozosh se ti i ke thyer të gjitha këto barriera, se paratë që të nevojiteshin t’u ofruan dhe tanimë i disponon, koha që të duhej është e pranishme, kapacitetet, dhuntitë dhe grupi i punës që të lypet, që të gjitha presin vetëm urdhrin tënd që të vihen në lëvizje...

Imagjinoje veten se tanimë, se ti disponon gjithë sa të duhet për vënien në jetë të projektit tënd ambicioz dhe po angazhohesh me këtë gjë. Tani më thuaj: “Si të duket jeta jote? A ka pësuar ajo një transformim, një ndryshim, një progres të admirueshëm?”

Sigurisht që po, jeta jote po vijon të ndryshojë kah e mira, të shënojë arritje të jashtëzakonshme...

Po e deshe këtë, të duhet të jesh ambicioz, lakmitar e ëndërrimtar. Ti duhet të thuash: “Mua së pari më duhet projekti im dhe pastaj më duhen thjesht gjërat që i shërbejnë atij, që të jem prej personazheve të kontributit dhe arritjeve”.

- Para se të hidhemi tek pyetja e gjashtë, duhet të dimë se pesë pyetjet në fjalë janë pyetjet themelore nga të cilat startohet, të cilave duhet t’u përgjigjemi medoemos. Por që të jemi akoma më shumë praktikë, atyre që tanimë u janë përgjigjur këtyre pyetjeve, pasi i uroj, u them: “Hidhuni sërish vështrimin përgjigjeve që keni dhënë mbi këto pesë pyetje esenciale, pasi përgjigjet e dhëna mund të jenë të gabuara, apo mund të kenë anomali në to. Kështu, ndodh që disa herë dikush, për shkakun se nuk ka eksperiencën e duhur në radhitjen e prioriteteve dhe menaxhimin e jetës, u përgjigjet këtyre pesë pyetjeve me përgjigje të përgjithshme dhe të pashtjelluara. Disa persona ndoshta nuk i janë përgjigjur fare një apo disa prej këtyre pyetjeve, pasi ata nuk janë të qartë se ku dëshirojnë të shkojnë”.

Gjithsesi u premtoj atyre që do na ndjekin dhe do jenë aktivë, se në fund të kësaj trajtese, do arrijmë, me lejen e Allahut, në një plan që do të na e lehtësojë shumë dhënien e përgjigjeve për pyetjet e lartpërmendura, madje të katër pyetjeve zanafillë, me të cilën filluam këtë trajtesë.

(vijon...)


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free