Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Fjala e mire

Tregohet se profeti Ibrahim a.s, ishte shumë bujar, saqë në çdo vakt ftonte qoftë dhe një person për të ngrënë bashkë. Kur nuk gjente njerëz të njohur, dilte në rrugë dhe ftonte njerëz të panjohur, e rëndësishme të mos hante vetëm.
Një herë, ai nuk gjeti njerëz e miq për të ngrënë darkë, prandaj dhe doli në rrugë, ku takoi një të moshuar. Menjëherë e ftoi për darkë me fjalë që tregonin respekt dhe vlerësim.
I moshuari edhe pse u çudit nga kjo ftesë, duke parë dashamirësinë e këtij njeriu të panjohur, i shkoi pas.
Pasi u ulën për të ngrënë, profeti Ibrahim a.s tha:”Bismilah - Me emrin e Zotit” dhe filloi i pari të hajë, me qëllim që t’ia heqë ndrojen mikut.
I moshuari edhe ai zgjati dorën dhe tha:”Me emrin e zjarrit!”
Ibrahimi u befasua dhe e pyeti:”Po pse nuk fillon me emrin e Zotit, por me emrin e zjarrit?!”
I moshuari iu përgjigj:”Sepse zoti im është zjarri, unë i besoj dhe adhuroj zjarrin si zot!”
Profeti Ibrahim a.s u revoltua nga këto fjalë, brofi në këmbë dhe i tha:”Dil jashtë! Ushqehesh me të mirat e Zotit dhe falënderon zjarrin!”
I moshuari u largua, ndërkohë Ibrahimit a.s i flet direkt Zoti duke i thënë:”O Ibrahim! Ka shtatëdhjetë vite që e ushqej me të mirat e Mia, edhe pse nuk më ka falënderuar qoftë dhe një herë. Megjithatë vazhdoj ta ushqej dhe ta furnizoj me begati e mirësi. Ndërkohë, ti për një herë e dëbove jashtë!”
Ibrahimi a.s doli nga shtëpia dhe iu vu pas të moshuarit derisa e gjeti.
“Më fal xhaxha! Të lutem kthehu dhe një herë në shtëpinë time që të konsumojmë darkën bashkë!” i tha profeti Ibrahim a.s i prekur.
I moshuari, i çuditur iu përgjigj:”Ti vetë më ftove dhe po vetë më përzure! Përse u dashka të kthehem përsëri?”
Profeti Ibrahim a.s i tha:”Kthehu të lutem sepse kur të përzura ty, më qortoi Zoti dhe më tha se Ai të furnizonte me të mira gjatë shtatëdhjetë viteve, edhe pse nuk e kishe falënderuar qoftë dhe një herë.”
I moshuari që adhuronte zjarrin e pyeti:”Pse, Zoti yt u interesoka edhe për mua që adhuroj zjarrin?!”
Profeti Ibrahim a.s iu përgjigj:”Jo vetëm që u interesua, por më qortoi për faktin që të përzura.”
I moshuari i tha:”Një Zot që u interesoka edhe për ndjenjat e një të moshuari që nuk e beson, meriton të besohet dhe të adhurohet. Që tani unë i përkas besimit tënd!”
“Vallë, a nuk e sheh se si Zoti e ngjason fjalën e mirë me pemën
e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Zoti u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Kurse Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.” (Kuran)

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free