Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Shenjat para dites se gjykimit

Çasti nuk do të ndodhë, derisa …
Qe transmetuar nga Ebu Se'id el-Khudri se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Me afrimin e Çastit, rrufetë do të shtohen deri në atë masë, saqë, kur dikush të takohet me njerëz, do të pyesë: 'Kush prej jush u godit nga rrufeja sot në mëngjes?', dhe do të thonë: 'Filani e filani u goditën'". [Ahmed]
Po ashtu, qe transmetuar nga Ebu Hurejre se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa të ndodhin reshje të cilat do të shkatërrojnë gjithçka, përveç tendave".
Tashmë kemi përmendur shumë hadithe rreth shenjave të Çastit. Tash, do të përqendrohemi në disa hadithe të cilat tregojnë se Çasti është fare pranë.
Qe transmetuar nga Ebu Hurejre se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do vjen, derisa të ndodhin ngjarjet në vijim:
- njerëzit do të bëjnë garë mes vete në ndërtimin e ndërtesave të mëdha;
- dy grupime të mëdha do ta luftojnë njëra-tjetrën dhe do të ketë shumë viktima – të dyja palët do të jenë pasues të mësimeve të njëjta fetare;
- do të shtohen tërmetet;
- koha do të kalojë shpejt;
- do të shtohen vrasjet dhe vuajtjet;
- do të shfaqen afërsisht tetëdhjetë dexhallë dhe secili prej tyre do të pohojë se është i Dërguar i Allahut;
- një person do të kalojë pranë një varri dhe do të thotë: 'Sikur të isha në vendin tënd!';
- dielli do të lindë në Perëndim dhe, kur të lindë e njerëzit ta shohin këtë, krejt do të besojnë, por kjo do të jetë koha kur « S'do t'i bëjë dobi shpirtit që s'ka besuar më herët … » [el-En'am, 158];
- pasaniku do të shqetësohet se mos nuk po gjen njeri t'i japë zekatin". [el-Buhari, Muslim]
Qe transmetuar nga Enes se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:"Ndër shenjat e Çastit janë këto në vijim:
- dija [fetare] do të pakësohet, kurse injoranca do të mbizotërojë;
- kurvëria dhe pirja e alkoolit do të jenë të zakonshme;
- numri i burrave do të pakësohet, kurse numri i grave do të shtohet aq shumë, saqë një burrë do të mbetet për pesëdhjetë gra". [el-Buhari]
Aisha tha se kishte dëgjuar pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] të thotë:
"Dita e nata s'do të mbarojnë, derisa njerëzit të fillojnë të adhurojnë Latin e Uzzanë [dy idhujt e Arabisë para-islamike]". Unë thashë: "O i Dërguar i Allahut, kam menduar se, kur Allahu shpalli ajetin « Është Ai që dërgoi të Dërguarin e vet me udhëzim dhe me fe të vërtetë për të mbizotëruar ndaj krejt feve, edhe pse paganët e urrejnë këtë » [et-Teubeh, 33], kjo do të përmbushet". Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] tha: "Do të ndodhë siç do Allahu. Pastaj Allahu do të dërgojë një fllad, i cili do të marrë këdo që ka besim në zemrën e tij sa kokrra e mustardës. Vetëm ata të cilët s'kanë kurrfarë të mire në veten e tyre, do të mbeten, dhe ata do t'i kthehen fesë së paraardhësve të tyre". [Muslim]
Nga Ebu Hurejre se një ditë prej ditësh, ndërsa pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] po rrinte ulur me disa njerëz, erdhi një beduin dhe e pyeti rreth imanit dhe islamit, pastaj pyeti:
- O i Dërguar i Allahut, kur do të ndodhë Çasti?
- Ai që u pyet, nuk di më shumë se ai që po pyet, por po të tregoj për shenjat e tij. Kur një robëreshë të lindë zonjën e vet dhe kur këmbëzbathurit dhe të zhveshurit të bëhen udhëheqës të njerëzve – këto janë ndër shenjat e Çastit. Ka pesë gjëra të cilat s'i di kush pos Allahut", pastaj recitoi: « Vërtet, kohën e ndodhjes së Çastit s'e di kush pos Allahut. Është Allahu Ai që e zbret shiun dhe Ai që e di çka mbajnë mitrat. Kurrkush nuk di se çfarë do t'i ndodhë nesër dhe ku do të vdesë. Vërtet, Zoti është i gjithëdijshëm » [Lukman, 34].
Pastaj burri u largua, dhe pejgamberi tha: "Ma thirrni prapë atë", por, kur njerëzit iu vunë pas për ta thirrur, nuk panë gjë. Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] tha: "Ai ishte Xhibrili. Erdhi t'ua mësojë njerëzve fenë e tyre". [el-Buhari, Muslim]
"Varfanjakët këmbëzbathur e të zhveshur do të bëjnë garë në ndërtimin e ndërtesa të larta" do të thotë se ata do të bëhen udhëheqës të njerëzve. Ata do të pasurohen dhe interesi i vetëm i tyre do të jetë gara në ndërtimin e ndërtesave të larta. Kjo është si në hadithin që do ta shohim më vonë: "Çasti s'do të vjen, derisa njerëzit më të lumtur në botë të jenë bijtë e prishur të të prishurve".
Qe transmetuar nga Ebu Se'id se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:"Çasti s'do të vjen, derisa të vjen koha kur një burrë do të dalë nga shtëpia e vet dhe këpucët apo kamxhiku i tij do të tregojë çka i ka ndodhur familjes së tij". [Ahmed]
Qe transmetuar nga Ebu Se'id se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, Çasti s'do të vjen, derisa kafshët e egra t'u flasin njerëzve, dhe njeriu t'i flasë kamxhikut të vet apo këpucës së vet, dhe shala e tij do t'i tregojë rreth familjes së tij mbasi ai ishte larguar prej tyre".
Enes tha: "Ne po diskutonim faktin që Çasti s'do të vjen, derisa të mos bjerë më shi, toka të mos prodhojë frytet e saj, dhe pesëdhjetë gra të mbahen nga një burrë, dhe, nëse një grua kalon pranë një burri, ai do ta shikojë e do të thotë: 'Kjo grua dikur kishte një burrë'". [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa koha të kalojë aq shpejt, saqë një vit do të jetë si një muaj, një muaj si një javë, një javë si një ditë, një ditë si një çast, dhe një çast aq sa të digjet një fletë e drurit të palmës". [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Bota s'do të mbarojë, derisa ai që kënaqet më së shumti në të, të jetë biri i prishur i të prishurit". [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Para ardhjes së Çastit, do të ketë vite mashtrimi, gjatë të cilave besnikut s'do t'i zihet besë, kurse gënjeshtarit do t'i besohet, dhe të pavlerit do t'i shkojë fjala". [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa dashi me brirë të mos e luftojë më dashin pa brirë". [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa pasuria të shtohet aq shumë, saqë njeriu do të tutet se s'do të ketë kush ta pranojë sadakanë prej tij; derisa të shfaqen çrregullimet dhe të ketë shumë herxh". Të pranishmit pyetën: "Çka është herxh, o i Dërguar i Allahut?" Tha: "Vrasje! Vrasje!" [Ahmed]
Ebu Hurejre tha se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Pasha Atë që më dërgoi me të vërtetën, kjo tokë s'do të mbarojë, derisa njerëzit të dëmtohen nga një shkarje toke, njerëzve t'u bie rrebesh gurësh dhe të transformohen në kafshë". Të pranishmit pyetën: "Kur do të ndodhë kjo, o i Dërguar i Allahut?" Tha: "Kur të shihni femrën të kalërojë, kur këngëtarët të jenë dukuri e zakonshme, kur dëshmimi i rrejshëm të përhapet, dhe kur burri të flejë me burrë dhe gruaja me grua".
Tarik ibn Shihab tha: "Po rrinim ulur me Abdullah ibn Mes'ud, kur një burrë erdhi dhe na tha se kishte ardhur koha e namazit. Ne u çuam dhe shkuam në xhami. Mbas namazit, një burrë erdhi të Abdullah ibn Mes'udi dhe tha: 'es-Selam alejke, o Ebu AbduRrahman'. 'Allahu dhe i Dërguari i tij e kanë thënë të vërtetën', ia kthehu Abdullahu. Kur u kthyem, pyetëm shoqi-shoqin: 'A dëgjuat si u përgjigj? Kush do të pyes rreth kësaj?' Thashë: 'Unë do ta pyes', dhe e pyeta kur ai doli dhe na e transmetoi këtë nga pejgamberi:
"Para se të ndodhë Çasti, do të ketë një përshëndetje të posaçme për njerëzit, tregtia do të përhapet aq shumë, saqë një grua do t'i ndihmojë burrit të saj në biznes; lidhjet familjare do të ndërpriten; dëshmimi i rrejshëm do të jetë i zakonshëm, kurse dëshmitari i vërtetë vështirë do të gjendet; dhe do të shtohet të shkruarit". [Ahmed]
Përshkrimi i njerëzve që do ta përjetojnë ditën e Kiametit
Qe transmetuar nga Abdullah ibn Amr se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa Allahu të marrë njerëzit më të mirë në tokë dhe të mbeten më të këqijtë, të cilët s'do ta njohin të mirën dhe s'do të ndalojnë nga kurrfarë e keqe". [Ahmed]
Abdullah ibn Mes'ud tha se kishte dëgjuar pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] të thotë:
"Elokuenca mund të magjeps. Njerëzit më të këqij janë ata, që u vjen Çasti ndërsa janë të gjallë, dhe ata që i kthejnë varret në xhamia". [Ahmed]
Qe transmetuar nga Enes se pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] kishte thënë:"Çasti s'do të vjen, derisa kurrkush mbi tokë të mos thotë 'la ilahe ilaAllah'". [Ahmed]
Po ashtu, nga Enes qe transmetuar se pejgamberi kishte thënë:
"Çasti s'do të vjen, derisa kurrkush në tokë të mos thotë 'Allah, Allah'". [Ahmed]
Ka dy mendime lidhur me shprehjen 'Allah. Allah':
1. Domethënia e kësaj mund të jetë se kurrkush s'do të ndalojë nga e keqja apo të mundohet ta përmirësojë ndonjë që bën keq. Tashmë këtë e kemi hasur në hadithin e Abdullah ibn Amr: " Do të mbeten më të këqijtë, të cilët s'do ta njohin të mirën dhe s'do të ndalojnë nga kurrfarë e keqe".
2. Domethënia e kësaj mund të jetë se Allahu s'do të përmendet dhe emri i Tij do të jetë i panjohur. Kjo do të ndodhë, për shkak të mbizotërimit të kufrit dhe prishjes, si në hadithin paraprak: "... derisa kurrkush në tokë të mos thotë 'Allah, Allah'". Aisha tha se pejgamberi kishte thënë: "Hyri pejgamberi duke thënë: 'Oj Aishe, familja jote do të jenë të parët nga Umeti im që do të më bashkohen". Kur ai u ul, thashë: "O i Dërguar i Allahut, u flijofsha për ty!, kur hyre, po thoshe diçka që më trembi. "Çka ashtu?" Thashë: "Ti the se familja ime do të jenë të parët që do të të bashkëngjiten". Ai tha: "Po". Pyeta: "Pse kështu?" Ai tha: "Vdekja do të përhapet midis tyre dhe të afërmit e tyre do t'i xhelozojnë". Thashë: "Si do të jenë njerëzit pas kësaj?" Tha:"Si karkalecat: i forti do ta përpijë të dobëtin, deri të vjen Çasti". [Ahmed]
Alba'el-Selami tha: "Dëgjova pejgamberin [salallahu alejhi ue selam] të thotë:
'Çasti do t'u vijë vetëm më të këqijve nga njerëzit'". [Ahmed]


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free