Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Fundi normal i një lidhjeje nëpërmjet internetit

Fundi normal i një lidhjeje nëpërmjet internetit

 

Pyetje:”Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Unë jam një vajzë 17 vjeçare dhe nëpërmjet internetit jam njohur me një djalë, të cilin e dashurova dhe i kemi premtuar njëri-tjetrit të martohemi. Disa kohë pas këtyre ngjarjeve, ky djalë filloi të më thotë se i përsosur dhe perfekt është vetëm Zoti. Fillimisht, nuk e kuptova se çfarë ka për qëllim, por ai filloi të më flasë më shumë rreth kësaj çështjeje dhe thoshte se ai nuk është i përsosur siç është Zoti. Unë i kërkova disa herë të jetë më i qartë, por ai refuzonte. Kur e pyeta mbi shkakun e refuzimit më tha se frikësohej se mos më humbiste po ta merrja vesh të vërtetën. Kur i thashë se po nuk më tregoi do i shkëpus lidhjet me të, ai më tha:”Zoti është i përsosur në gjithçka, kurse unë jo. Mua më ka lindur mamaja pa këmbën e majtë...” Ky lajm më shokoi dhe për herë të parë u ndjeva e shpërndarë dhe e hallakatur. Nuk dija çfarë të bëja dhe çfarë të thosha. Në fakt, e kam të pamundur ta shoh burrin tim të ardhshëm pa njërën këmbë. I thashë të më jepte disa kohë për të reflektuar, por ai filloi të hedhë dyshime në dashurinë time dhe më konsideroi mendjemadhe dhe arrogante. Nëse e doja me të vërtetë, nuk duhej ta braktisja.

Prej jush, dua të më udhëzoni dhe të më këshilloni si të veproj në këtë rast. A i kam bërë padrejtësi nëse refuzoj të martohem me të, për shkak se nuk ka njërën këmbë? Si gjykohet një refuzim i tillë fetarisht? A konsiderohem me të vërtetë mendjemadhe dhe arrogante në një rast të tillë? Pres që të më qetësoni me një përgjigje të shpejtë, para se të ndërmarr një vendim për të cilin mund të pendohem gjithë jetën.”

Përgjigje:”Është vullneti i Zotit të lartësuar që ne të jetojmë pikërisht në këtë kohë dhe shekull, i cili karakterizohet nga një zhvillim i vrullshëm i teknologjisë së telekomunikacionit, e cila e ka shndërruar planetin tokë në një fshat të vogël. Ky zhvillim i mjeteve të telekomunikacionit, ka ardhur paralelisht me një rënie dhe denigrim të komunikimit direkt ndër njerëzor, gjë e cila manifestohet kryesisht dhe qartësisht në dobësimin e lidhjeve sociale, shtimin e rasteve të divorcit, keqtrajtimit dhe krimeve sociale të ndryshme.

Me rritjen e valës materialiste dhe reduktimin e komunikimit njerëzor brenda një familjeje të vetme, shumë të rinj kërkojnë mbushjen e aspektit emocional nëpërmjet kësaj kutize të çuditshme, kompjuterit dhe internetit.

Fenomeni i lidhjeve intime dhe dashurore nëpërmjet internetit është në rritje. Të gjithë,  burra e gra, ndjejnë efektet magjike të këtyre marrëdhënieve dhe lidhjeve në botën e internetit. Magjia më e madhe qëndron në lehtësinë e komunikimit dhe krijimit të këtyre marrëdhënieve, larg mbikëqyrjes shoqërore. Në këto marrëdhënie, paraqitet personi në formën më të mrekullueshme të tij... njeri i pjekur, morale të larta, besimtar praktikant, status shoqëror të lakmuar dhe që përjeton një histori dashurie me një vajzë e cila – edhe ajo – e përshkruan veten si të dojë dhe si do të donte të ishte. Të gjithë mashtrojnë, fshihen dhe maskohen. Në këtë pus të qelbur, kanë rënë njëri pas tjetrit, të mëdhenjtë, të vegjlit dhe ata që kanë pasur nijet të mirë.

E dashur bija ime!

Unë e ndjej hutimin që të ka mbërthyer nga e gjitha kjo histori. Ti je lidhur emocionalisht me një të ri, me të cilin të kanë bashkuar fjalët e bukura dhe ëndrrat nëpërmjet chatt-it. Në zemrën tënde janë kultivuar ndjenjat e dashurisë së sinqertë për këtë person. Ti e ke ndjerë se ai është njeriu që do të japë dashurinë dhe sigurinë që dëshiron. Ti ke ilustruar një imazh magjepsës të tij thellë në imagjinatën tënde, imazh i cili u thye nga vetë ky djalë, i cili e pranoi të metën fizike të tij. Ti tashmë ndihesh e hutuar, nëse duhet ta pranosh si bashkëshort apo jo.

Unë të besoj se ke përjetuar një goditje dhe shokim të rëndë... por kush të siguron se ai ka qenë i sinqertë me ty? Kush të siguron se ai ka qenë i sinqertë në lidhje me mendimet dhe ëndrrat që të thoshte? Kush të siguron se ai ka qenë i sinqertë me ndjenjat dhe emocionet karshi teje? Kush të siguron se ai ka qenë i sinqertë edhe në fjalët e tij të fundit?!

Unë të dëgjoj të thuash:”Zemra ime më ka siguruar.” Por, a është e logjikshme që ti mbështetemi zemrës dhe ndjenjave tona, në një ndër çështjet më të rëndësishme të jetës, në zgjedhjen më të rëndësishme dhe vendimtare të jetës tonë?!

Ti nuk e ke parë atë... nuk e ke njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë... cilat janë moralet e tij? Si janë lidhjet e tij me Zotin? Cila është natyra e punës së tij? Si janë familjarët e tij? Cilat janë tiparet dhe cilësitë e tij? Si është pamja e tij?

Ndoshta, ai të ka treguar mbi të gjitha këto, por kush të garanton se të ka thënë të vërtetën? Mjaft të bësh një kërkim të shkurtër në internet mbi rastet e mashtrimit dhe maskimit, pre e të cilave kanë rënë shumë vajza.

Bija ime! Në këtë moshë që je, ndjenjat janë të vrullshme, ndërkohë që eksperienca dhe përvoja janë të pakta. Personat e pamëshirshëm të cilët janë në pritë të vajzave që kërkojnë një fjalë të ëmbël dhe pak dashuri janë të shumtë. Njerëz të tillë gjuajnë vajzat që kërkojnë të eksplorojnë botën e tyre emocionale dhe luajnë me ndjenjat e tyre të sinqerta.

E dashur! Më vjen keq, por ky djalë ka luajtur me ty dhe me ndjenjat e tua. Madje, mendoj se ai ka antipati për ty dhe kërkon që këtë tërheqje nga fusha e lojës të ta hedhë ty. Ndoshta, ai kërkon të stimulojë dhe nxisë keqardhjen tënde dhe të pranosh një takim para se të vendosësh përfundimisht. Dashuria dhe keqardhja mund të shtyjnë ta pranosh këtë takim dhe kështu ti ndjek hapat e shejtanit njëri pas tjetrit.

Besoj se nuk ke asnjë rrugë tjetër përveçse ti japësh fund kësaj marrëdhënieje sa më parë. Kjo, edhe pse e kuptoj që do të jetë një vendim shumë i vështirë. Ai mund të insistojë në të tijën, mund të përdorë mesazhet si formë shantazhi, gjë e cila mund ta stimulojë më shumë ndjenjën e fajit tek ti. Por mos pyet për këto shantazhe! Sepse marrëdhëniet e tua me këtë djalë, janë marrëdhënie imagjinare, larg aktualitetit dhe realitetit të cilin nuk e di tjetër kush përveç Zotit. Të vazhdosh në këtë iluzion, nuk do të sjellë veçse dhimbje dhe stres.

Jepi fund një marrëdhënieje të tillë, pa u ndjerë aspak në faj... ajo është një marrëdhënie që nuk e kënaq Zotin, prandaj nuk ka përse të interesohesh në gjykimin fetar për ti dhënë fund.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free