Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

AGJËRIMI SHËNDET PËR TRUPIN

Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: “Allahu dëshiron për ju lehtësim e jo vështirësim, dëshiron t`i plotësoni ditët e agjërimit e në fund të këtyre ditëve ta madhëroni Zotin tuaj, që ju udhëzoi, në mënyrë që të bëheni robër falenderues”.

Ka disa kohë që Ramazani vjen në kulmin e vapës, prandaj dikush më pyeti: “Sa rrini pa ngrënë dhe pa pirë?” I thashë: “Në këtë kohë i bie afësisht 15-16 orë, gjatë të cilave muslimanët nuk hanë e nuk pinë asgjë”. Ai u mendua dhe tha: “Qofshi ju që jeni. Në këto ditë vape të rrini 16 orë pa futur gjë në gojë?! Vetëm ju e bëni diçka të tillë”. Por unë ia ktheva shkurt: “Duhet të dish ama, se unë dhe ata që agjërojnë, jemi më të fortë se ju që nuk agjëroni. Ju keni frikë nga ushqimi, keni frikë nga e panjohura, keni frikë nga vetja juaj. Pikërisht për këtë arsye ju nuk agjëroni”. Ai tha: “Vallahi kam frikë”.

Edhe po të mos e kishte thënë me gojën e tij, unë jam i sigurt, se shumë njerëz nuk agjërojnë, sepse kanë frikë.

 

Këta lloj njerëzish, të cilët fatkeqësisht janë shumë, e mendojnë trupin e tyre si një makinë. Nëse makinës nuk i fut karburant, ajo nuk ecën. Po ashtu edhe këta njerëz mendojnë, se nëse nuk hanë ushqim, trupi i tyre nuk do të funksionojë ashtu siç duan ata dhe do të vdesë.

 

Këta njerëz mendojnë, se është ligj kuranor, që duhet të hash tre vakte në ditë dhe nëse u kën një vakt, ata frikësohen për trupin e tyre. Frika është ajo që e pengon pjesën më të madhe të njerëzve nga agjërimi, pasi është krijuar mendimi, se trupi është mekanizëm, i cili nuk funksionon, nëse nuk i fut ushqim dhe ujë. Por këta njerëz harrojnë se trupat tanë i ka krijuar Allahu (xh.sh), i ka krijuar Ai që ka obliguar agjërimin, Ai që i di sekretet e agjërimit dhe sekretet e trupit të njeriut. Allahu (xh.sh) e obligoi agjërimin për njeriun, duke e ditur se trupi i njeriut mbart brenda vetes së tij shumë rezerva ushqimore.

 

Disa njerëz mendojnë, se Zoti dëshiron që njerëzit të vuajnë nëpërmjet agjërimit. A mos mendojnë këta njerëz, se muslimanët torturojnë vetet e tyre kur agjërojnë?! Kjo nuk është aspak e vërtetë, por është e vështirë t`i bindësh, sepse njeriu e ka të vështirë të bindet, nëse nuk e provon vetë agjërimin.

 

Urdhrat e Zotit kanë ardhur për njeriun dhe për të mirën e tij. Ato urdhra asnjëherë nuk vijnë për t`i bërë keq njeriut, për ta bërë të vuajë e të stërmundohet.

- Zoti na urdhëroi të falim namaz. Namazi ka dobi të mëdha shpirtërore për ata që falen, por ka edhe shumë dobi fizike. Sot shkenca ka botuar libra të tërë për dobitë fizike të namazit.

- Zoti na urdhëroi të agjërojmë. Agjërimi ka shumë dobi shpirtërore dhe ka si qëllim devotshmërinë, por ai që agjëron e ndjen veten shumë të më lehtë, shumë më të fortë se muajt e tjerë të vitit.

- Zoti na urdhëroi të japim zekat. Zekati ka shumë dobi shpirtërore, por ka edhe dobi fizike.

- Zoti na urdhëroi të  shkojmë në haxh. Ai që shkon në haxh, kënaqet shpirtërisht, por e ndjen veten edhe të fortë fizikisht. Pra njeriu ka përfitim nga të gjitha urdhëresat e Zotit.

 

Nëse agjërimi do të ishte torturë për njeriun, Zoti do t`i urdhëronte gratë lehona apo gratë me periudhat e tyre mujore që të agjëronin. Por Zoti nuk i urdhëron ato, sepse gratë në këtë gjendje nuk mund ta përballojnë agjërimin. Nëse agjërimi do të ishte torturë për njeriun, Zoti do t`i urdhëronte të moshuarit të agjëronin, por nuk i urdhëron ata, sepse nuk mund ta përballojnë agjërimin. Nëse agjërimi do të ishte torturë për njeriun, Zoti do t`i urdhëronte të sëmurët të agjëronin, por nuk i urdhëron, sepse ata nuk kanë mundësi për këtë. Zoti nuk i urdhëron këta kategori njerëzish që të agjërojnë, sepse dëshiron lehtësim për ta dhe jo vështirësim.

 

Sa për dijeni nuk agjërohet vetëm tani në shekulin e 21-të. Agjërimi është urdhëruar që në lashtësi. Agjërimi ka qenë traditë e egjiptianëve, madje është përdorur për kurim ndaj sëmundjeve të ndryshme. Kanë agjëruar grekët, kinezët, indianët, hebrenjtë, të krishterët dhe budistët. Agjërimin e praktikojnë edhe muslimanët, por agjërimi islam është nga agjërimet më të dobishme për trupin e njeriut.

 

Agjërimi është traditë edhe e gjallesave të tjera përveç njeriut, të cilat agjërojnë për shumë kohë dhe kur kthehen në jetën normale, kthehen shumë të fuqishme. Agjërimi është ligj i Zotit në tokë për të gjitha gjallesat.

 

Sot mjekët dhe shkencëtarët kanë shkruar libra për agjërimin. Edhe pse nuk janë muslimanë, ata thonë: “Lum për ata që agjërojnë, sepse agjërimi ka këtë dobi, këtë e këtë e kështu me radhë”.

 

Allahu (xh.sh) e ka urdhëruar agjërimin, me qëllim që njerëzit të bëhen të devotshëm.

Por e parë në këndvështrimin material, unë dua t`i them vetes time dhe të gjithë atyre që agjërojnë: “Mos kini frikë nga agjërimi. Vallahi dobitë vijnë atje ku nuk jua merr mendja, se Zoti gjithmonë kur urdhëron për diçka, e urdhëron për të mirën e njeriut, edhe pse njeriu ndoshta mund të mos e kuptojë këtë të mirë”.

 

Shkencëtarët thonë, se agjërimi ka dobi të mëdha për trurin, i cili është komandanti i jetës njerëzore. Gjatë agjërimit ulet kolesteroli në gjak dhe kjo do të thotë më pak goditje në tru. Prandaj është fakt që njerëzit që agjërojnë, nuk pësojnë goditje cerebrale dhe truri është më pak i rrezikuar, kur trupi agjëron.

 

Agjërimi është shërim për lëkurën. Lëkura mbron trupin nga çdo sëmundje e jashtme. Kur trupi agjëron, bie niveli i ujit në gjak, bie niveli i lëngjeve të trup dhe lëkura është më e thatë. Ajo duket se është më e dobët, por në fakt ajo bëhet më e fortë, sepse është më larg mikrobeve, ngaqë mikrobet synojnë të futen gjithmonë në ambjente që kanë shumë lëngje. Ka shumë njerëz, të cilët tregojnë se i kanë shëruar sëmundjet e lëkurës vetëm me anë të agjërimit.

 

Agjërimi është kurim për zemrën, e cila është motori i jetës dhe nuk pushon asnjëherë. Gjat agjërimit zemra pompon më pak gjak se herët e tjera, sepse 10% e gjakut shkon në aparatin tretës, ngaqë aparati tretës në Ramazan është më i qetë se të gjithë muajt e tjerë. Kështu zemra pushon më shumë se herët e tjera dhe duke pushuar pak, asaj i shtohet jeta dhe merr forca për 11 muajt e tjerë të vitit. Po ashtu pakësohet kolesteroli, i cili është shkaku kryesor i goditjeve në zemër. Zoti ka dashur që të na vijnë të mirat prej agjërimit atje ku nuk na e merr mendja. Po t`iu thuash të sëmurëve me zemër: “Agjëroni se ju bën vetëm mirë”, ndoshta do të agjëronin të gjithë.

 

Agjërimi i bën mirë stomakut, atij muliri që nuk di të pushojë 12 muajt e vitit. Ai punon natën e ditën, kur ti e ke mendjen dhe kur nuk e ke mendjen. Gjatë muajit Ramazan ai pushon pak më tepër. Nuk themi pushon totalisht, por ai është më i qetë se asnjëherë tjetër. Acidet, lëngjet tretëse pakësohen në stomak dhe kështu stomaku filtrohet dhe zorrët qetësohen në këtë muaj. Prandaj njerzit që agjërojnë, e ndjejnë veten shumë më të lehtë.

 

Agjërimi i bën mirë pankreasit. Zoti ka dashur që me anë të agjërimit, pankreasi të ndihet më mirë. Pankreasi është ai organ, që ushqimin që futet në trup me anë të insulinës, e kthen në lyrna dhe karbohidrate. Kur njeriu agjëron, pankreasi është më i qetë se asnjëherë tjetër. Nëse e teprojmë në muajt e tjerë, pankreasi nuk e përballon dot sasinë e ushqimit. Teprica kthehet në sheqer dhe kështu shfaqet sëmundja e diabetit tek njeriu.

 

Agjërimi i bën mirë veshkave, filtrave të njeriut, të cilat nxjerrin jashtë për çdo ditë pa pushim helmet më të rrezikshme, që ekzistojnë brenda trupit tonë. Gjatë agjërimit pakësohet niveli i lëngjeve dhe këto filtra punojnë më kollaj se asnjëherë tjetër. Gjithë mbetjet e 11 muajve i nxjerrin më lehtë se asnjëherë tjetër.

 

Agjërimi i bën mirë qelizave të trupit të njeriut. Thuhet që për çdo sekond brenda trupit të njeriut vdesin 120 milion qeliza dhe 120 milion të tjera lindin. Kështu e ka përcaktuar Zoti që të ripërtërihet trupi njerëzor. Gjatë agjërimit ky proces bëhet më kollaj se asnjëherë tjetër.

 

Kështu pra, duke agjëruar ne zbatojmë urdhrin e Allahut (xh.sh), duke përfituar shpirtërisht dhe materialisht. Nga agjërimi përfitojnë shpirtrat tanë, mendjet tona dhe trupat tanë. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë, se qëllimi kryesor i agjërimit është arritja e DEVOTSHMËRISË. Ai që arrin devotshmërinë është më afër Zotit dhe kush është afër Zotit ai nuk humbet kurrë as në dynja e as në ahiret.

 

E lusim Zotin të fusë në zemrat tona bindje dhe respekt ndaj Tij. Zoti na bëftë njerëz të devotshëm. Allahu na e forcoftë trupin dhe mendjen. Allahu (xh.sh) na mundësoftë ta agjërojmë Ramazanin ashtu siç i pëlqen madhështisë së Tij. E lusim Zotin të na nxjerrë nga Ramazani me gjynahe të falura. E lusim Zotin që të na mundësojë të bëjmë punë të mira edhe pas Ramazanit. Zoti na faltë për pakujdesitë tona, harresën tonë dhe shkujdesjen ndaj Tij. Allahu (xh.sh) na mëshiroftë sa jemi gjallë, kur të vdesim dhe kur të dalim para madhështisë së Tij.

 

A M I N

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free