Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Udhëkryqet nëpër të cilat kaloi femra

Të flasësh për nocionin “femër”, dhe për udhëkryqet nëpër të cilat kaloi ajo, automatikisht të kujton tërë atë helmin me të cilin u përball ajo gjatë kohërave. Dhe kur flasim për të kaluarën e saj, historia është ajo dëshmitarja e vetme e gjithë kësaj. Femra e së djeshmes kaloi nëpër shumë periudha, por asnjëra me një ndikim më avancues për të.
 
Studimi i historisë së civilizimit të njeriut tregon se rrallë femrës i është dhënë pozita e drejtë në shoqëri. Shumë filozofë, dijetarë dhe mendimtarë në periudha të ndryshme të historisë kanë dhënë mendime të ndryshme për femrën. Nganjëherë ajo është konsideruar si burimi i të gjitha të këqijave, e nganjëherë ajo është adhuruar si perëndesha e pjellorisë. Midis këtyre dy mendimeve ekstreme femra në të vërtetë ka humbur pozitën natyrore të saj.
 
Me një theks të përgjithësuar po e paraqesim të djeshmen e femrës, ngase duke bërë shëtitjen prej një populli e tek tjetri femra kishte të njëjtin tretman si: nënçmimi, përdhunimi, robërimi, mbytja me dhunë, dhe në fund varrosja për së gjalli. Ishin këto të gjitha ato të ligat, të cilat e gjetën femrën.
 
Nëse mendojmë për nënçmimin e saj, mjafton t’i kthehemi historisë dhe të shohim se si në Romën antike femra konsiderohej si mall tregu, i cili shitej dhe blihej. Po ashtu, nëse mendojmë për robërimin e saj, këtë e gjejmë tek popujt më të civilizuar të Azisë, të cilët konsideronin se femra nuk është e barabartë, madje, as edhe me një kafshë barre. Në Australi ajo mbytej sapo i mbushte të dyzetat, duke u arsyetuar se ajo pas kësaj kohe më nuk është e aftë që t’i kryejë punët të cilat i ngarkohen.
 
Në Australi dhe në disa fise në Afrikën e Jugut e përdornin mishin e fëmijëve të tyre për t’i ndjellë luanët, të cilët sulmonin kopetë e tyre. Po ashtu, në Arabi lindja e një vajze numërohej si një kob. Familja, të cilës i çonte Zoti këtë dhuratë, fshihej prej miqve e të afërmve sikur t’u kishte ndodhur një ngjarje e turpshme. Babai, kur merrte lajmin e lindjes se vajzës, skuqej nga turpi, sikur t’i kishte rënë një fatkeqësi e madhe. Dhe kjo, nuk përfundoi me kaq, tek ky popull femra u varros edhe për së gjalli.
 
Si në çdo popull, edhe tek ne shqiptarët, mjerisht, femra nuk ka zotëruar të drejtat e saj, të cilat i meritonte. Ajo ishte e mallkuar në njëfarë mënyre! Jo nga Krijuesi, por nga krijesat. Krijuesi e nderoi, e lartësoi, i caktoi të drejta etj., por, ishte krijesa njerëzore ajo e cila e poshtëroi, e ofendoi dhe e konsideroi si një qenie e ulur dhe ndjellakeqe.
 
Femra shqiptare duhet të qëndrojë kokulur; nuk ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e saj të mbrojtjes, edhe kur asaj i mohohen vlerat më jetike. Ajo nuk ka të drejtë të ankohet edhe kur ndaj saj ushtrohet padrejtësi; ajo duhet të heshtë dhe të bëhet e dëgjueshme, duke u thirrur në “karakterin” e pathyeshëm të shqiptarit! Vallë, a thua se kjo nuk mjaftoi nga ajo që i erdhi nga të huajt, porse një tragjedi të tillë të përjetojë edhe prej vetë shoqërisë dhe familjes së saj? Femra shqiptare ka nevojë për një tretman më ndryshe, duke e vlerësuar dhe ngritur dinjitetin e saj, ashtu siç e meriton një krijesë e vlefshme.
 
Duke i bërë një analizë studimi gjendjes në të cilën ka kaluar dhe kalon femra, vërejmë se ajo ka pasur disa stade të disfavorshme dhe të keqtrajtimit, siç vazhdon edhe sot e kësaj dite manipulimi i saj përmes disa formave të ndryshme sikur që janë modelimi, shfrytëzimin për reklamimin e gjësendeve, nënçmimi në punë, e të tjera. Fanatizmi dhe ndjenja superiore ishin prezent gjithmonë si çështje referimi i nëpërkëmbjes dhe shkeljes së të drejtave dhe lirive të saj.
 
Femra në histori, me cungimin e të drejtave të saj, nuk u përballë vetëm se në shoqëritë e tjera, porse ajo pati edhe një status të njëjtë edhe në mesin e popullit tim.
 
Sot e pas sa kohëve po ndodh e njëjta gjë në gjirin e shoqërisë sonë, e që dikur ishte praktikë dhe shprehje e injorancës në shoqërinë arabe. Sikur që arabët turpëroheshin përpara një akti me lindjen e një vajze në familje, ashtu ndodh edhe në një lindje të tillë dhe, mbase, edhe lindin ndjenja hidhërimi dhe pesimizmi, në vend të gëzimit dhe shprehjes së mirënjohjes për një dhuratë të dhënë nga Zoti.
 
Si indikatore dhe nxitëse e një mosrespektimi qe edhe feja. Fetë e ndryshme femrën e konsiderojnë si një krijesë e padobishme, gjegjësisht ndjellakeqe, duke e kufizuar atë me ligje dhe rregulla që shkojnë në dëm të saj. Në rreshtat në vijim do të themi diç në lidhje me atë se si e sheh çështjen e femrës Feja Islame dhe ç‘drejtash i siguri ajo asaj?
 
Feja Islame, me ligjet dhe parimet e saj, nuk e la pa e përfshirë dhe rregulluar, sikur të gjitha gjërat e tjera, edhe çështjen e të drejtës për jetesë dhe siguri të femrës.
 
Islami erdhi për ta çliruar femrën nga skllavëria dhe kërkoi respekt të ndërsjellë mes mashkullit dhe femrës, respektivisht mes burrit dhe gruas. Kjo është kushtetuta islame dhe ky është vendi që ajo i garanton vajzës, gruas dhe nënës në rrafshin e saj. Barazia gjinore, në shoqëritë perëndimore, shumë vonë, tek në shek. VII-të., filloi të merret parasysh, duke tentuar për të përpiluar deklarata dhe konventa për mos diskriminimin e femrës. Në kontekstin e të drejtave ndërkombëtare ky koncept, pra “barazia gjinore”, është sanksionuar si në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948, ashtu edhe në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave të vitit 1979, e ku më pas qeveritë e botës riafirmuan angazhimin e tyre në vitin 1995 në Deklaratën e Platformës së Pekinit për Veprim mbi “të drejtat e barabarta dhe dinjitetin e lindur njerëzor të të gjithëve, grave e burrave”.
 
Me ligjin e Fesë Islame, shumë kohë para këtyre konventave, u vendos dhe u sistemuan të gjitha të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë që do të ngritnin gruan në statusin e saj fisnik, të cilin ajo e meritonte, lavd ky, tek i cili nuk u arrit në asnjë sistem tjetër më parë apo më pas. Me Islamin u pezulluan të gjitha padrejtësitë ndaj femrës dhe, kështu, ia ktheu asaj nderin dhe vetëbesimin. Allahu i Madhërishëm në Librin e Tij fisnik thotë:
 
“O njerëz, vërtet Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër.” (Huxhuratë, 13).
 
Kështu, Allahu xh.sh. përmend që ajo ishte ortake e burrit në zanafillën e njerëzimit dhe njëlloj, ajo është ortake me burrin shprehur në shpërblimin apo dënimin për veprat e bëra. Allahu thotë:
 
“Kushdo që bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër, ndërsa është besimtar[e] vërtetë, atij do t’i japim një jetë të mirë dhe do ta shpërblejmë në mënyrën më të mirë për atë që bënte.” (Nahl, 97).
 
Gjithashtu thotë:
 
“Kështu që Allahu t’i dënojë meshkujt dhe femrat hipokritë dhe meshkujt dhe femrat idhujtarë.” (Ahzabë, 73).
 
Dhe, Allahu ka ndaluar që femra të konsiderohet si pasuri trashëguese në pasurinë e burrit të saj të vdekur, siç thotë:
 
“O ju që besoni, ju është ndaluar të trashëgoni gruan pa vullnetin e saj.” (Nisaë, 19).
 
Qysh në fillim, Islami, me qëllim që të përmirësonte situatën e femrës gjatë periudhës së injorancës, e ndaloi rreptësishtë mbytjen e vajzave të vogla. Dhe ishte Muhamedi a.s. ai që nëpërmjet fjalës së Zotit si dhe me shembullin dhe këshillat e tij ndryshoi thellësisht atë mentalitet çnjerëzor. Në librin e shenjtë thuhet:
 
“Për çfarë mëkati ato u mbytën…” fjala është për mbytjen e vajzave të porsalindura në kohën paraislame. Apo thënien profetike:
 
“Kush rrit, edukon dhe arsimon dy vajza deri në moshën e pjekurisë, në botën e përtejme qëndron pranë meje sa largësia e dy gishtave!”
 
Muhamedi a.s. me këtë u mësoi prindërve të vajzave që nëse kujdesen mirë për to dhe i edukojnë siç duhet, do të jenë në Xhenet. Ai në një hadith shprehet kështu:
 
“Nëse u flasin mirë atyre, ato do të flasin mirë për ta në Ditën e Gjykimit”.
 
Ai, a.s., gjithashtu, u mësoi njerëzve që xheneti është nën këmbët e nënave të tyre. Po ashtu edhe thënia e tij shumë e njohur kur është pyetur se kush meriton më shumë të respektohet nga njerëzit, ai është përgjigjur: “Nëna”, kështu që tri herë ka thënë nëna e pastaj baba. Muhamedi a.s. i mësoi njerëzit të mos bëjnë dallime mes fëmijëve të tyre as sa një hurmë, etj..
 
Në kohën kur historia e njerëzimit shënoi kthesën nga errësira në dritë, aty u shkruan edhe emrat e Ebu Bekrit, Omerit, Aliut e Othmanit së bashku me emrat e Sumejes (dëshmorja e parë), Hatixhes (besimtarja e parë), Aishes, Umu Selemes, Esmasë, Umu Habibes, Hafsasë, Atijes, Sehlasë, Raudasë, etj..
 
Asnjë histori e asnjë civilizimi tjetër nuk përmban më shumë emra grash të merituara sesa civilizimi islam.
 
Edhe përkundër të gjitha këtyre të vërtetave, nuk mund të kuptoj se si, akoma ka njerëz që mendojnë se Muhamedi a.s. dhe Islami në të cilin ai ftoi njerëzimin, është një sistem fatkeq për femrën. Mendimet raciste dhe johumane që dalin sot nga disa paragjykues ndaj femrës muslimane, se gjoja ajo nuk mund të avancohet në jetën e saj, nuk kanë kurrfarë baze dhe vërtetësie. Pikërisht nga të vërtetat që sollëm këtu, vërejmë qartazi se Islami i dha të drejtën dhe lirinë e plotë gruas, nënës dhe femrës në përgjithësi.
 
Muhamedi a.s. edhe në Hutben e Lamtumirës porositi për drejtësi ndaj grave dhe jodhunë ndaj vetvetes: të respektohet dhe të ruhet Amaneti i Allahut! – tha Muhamedi a.s., e që aludonte në gratë.
 
Krejt në fund të kësaj teme dua të theksoj se meritat më të mëdha nga njerëzit i ka Muhamedi a.s., i cili me ligjin e Allahut të Madhërishëm ngriti dinjitetin e femrës dhe dha urdhra për ruajtjen e vlerës së saj.
 
 

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free