Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Historia e Habilit dhe Kabilit 3

Vrasja e vëllait

“Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31) Unë bëj çudi me fjalët “do të të vras”, si vallë mund t’ia thotë vëllai vëllait?! Si e ka parë në sy vëllain dhe e ka kërcënuar me eliminim fizik? Si është e mundur që sot vëllai e bojkoton vëllain dhe nuk i flet fare? Si është e mundur që motra e braktis të motrën?! Vallë si është ndjerë Ademi a.s dhe Havaja kur i humbën dy djemtë e tyre? Ata humbën dhe Kabilin, i cili me të vrarë vëllain ia mbathi dhe u largua nga familja përgjithmonë, pa u penduar. Aq më tepër, që si Kabili dhe Habili ishin në prag për tu dasmës së tyre. Për prindërit, nuk ka fatkeqësi dhe kob më të rëndë sesa humbja e fëmijëve. Havaja është nëna e parë që ka provuar dhimbjen e humbjes së fëmijës. Vallë si është ndjerë ajo dhe si është ndjerë Ademi a.s? Gjatë ngjitjes së profetit Muhamed a.s në mbretërinë e qiejve, natën e Miraxhit, ai u takua dhe me Ademin a.s. Tregon ai:”U ngjitëm në qiellin e parë dhe Xhibrili a.s trokiti në dyert e qiellit. Dikush pyeti pas dyerve:”Kush është?” Xhibrili u përgjigj:”Jam Xhibrili.” Zëri pyeti:”Kush është me ty?” Xhibrili u përgjigj:”Është Muhamedi biri i Abdullahut.” Zëri pyeti:”A është dërguar si profet?” Xhibrili u përgjigj:”Po.” Atëherë na u hapën dyert dhe hymë brenda, ku dallova një burrë të rrethuar nga e majta dhe e djathta me shumë njerëz. Sa herë shihte nga e djathta e tij, ai qeshte. Sa herë shihte nga e majta ai qante. Unë e pyeta Xhibrilin a.s:”Kush është ky?” Ai u përgjigj:”Është babai yt Ademi. Kur sheh në të djathtën e tij, ai sheh fëmijët që i janë bindur dhe prandaj qesh. Kur sheh në të majtën, sheh fëmijët që kanë humbur rrugën e drejtë dhe prandaj qan.” A e imagjinon dhimbjen e Ademit a.s që nga humbja e fëmijëve? Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Ky është një parim dhe rregull hyjnor, sipas të cilit veprat e mira u pranohen vetëm të devotshmëve. Nëse dëshiron ta dish a ti pranon Zotit ibadetet dhe veprat e mira, shihe nëse je i devotshëm me Zotin. Nëse do të dish a ta ka pranuar Zoti Ramazanin e kaluar, shihe nëse je ruajtur nga harami dhe e ke ndjerë prezencën e Zotit në jetë. A e ke braktisur pirjen e duhanit? A ke shkuar mirë me gruan tënde? A nuk i keqtrajton më prindërit? Thotë Ali ibnu Ebi Talib:”Gjatë muajit të Ramazanit, lodheshim për sa më shumë ibadet. Me të përfunduar muaji, shqetësoheshim nëse na ishin pranuar veprat e mira apo jo.” “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” Arritja e devotshmërisë është objektivi kryesor i agjërimit të Ramazanit. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (Bekare, 183) Ditën e Kiametit, Zoti do i drejtohet njerëzimit me fjalët:”Unë krijova një elitë njerëzish, kurse ju krijuat elitën tuaj. Unë u pata thënë se “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Huxhurat, 13) Kurse ju thoshit:”Filani biri i filanit. Sot, unë do i nderoj elitën që caktova Vetë dhe do e poshtëroj elitën tuaj. Ku janë të devotshmit?” Tregon një nga shokët e Profetit a.s:”Një ditë pas namazit të drekës, i dërguari i Zotit a.s na këshilloi dhe na preku, aq shumë saqë në shpërthyen lotët dhe na dridheshin zemrat. Dikush e pyeti:”O i dërguar i Allahut! Mos është këshillë lamtumire kjo?! Nëse po, me çfarë na këshillon më konkretisht?” Profeti a.s iu përgjigj:”U këshilloj të jeni të devotshëm dhe ta ndjeni prezencën e Zotit kudo.” Efekti i devotshmërisë 1 – Fal gjynahet. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (Enfal, 29) 2 – Të fal xhenetin.” Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të devotshëm.” (Merjem, 63) 3 – Ti lehtëson hallet e kësaj bote. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Talaka, 4) 4 – Largon shqetësimet dhe zgjeron rizkun. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) 3. dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Talak, 2-3) 5 – Vendeve të varfra u fal bereqet nga qielli. “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (Araf, 96) Kujt i ngjan njerëzimi sot, Kabilit apo Habilit? Përse krimi i parë i regjistruar nga Kurani ishte pikërisht vrasja dhe jo marrëdhëniet jashtëmartesore, apo konsumi i alkoolit? Që para se të krijohej njeriu i parë, melekët patën shprehur frikën e tyre se mos kjo qenie e re do të derdhte gjak. A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të,” (Bekare, 30) Sot njerëzimi ka arritur një zhvillim dhe qytetërim të cilin nuk e ka arritur kurrë më parë. Megjithatë herë pas here shtrohet pyetja, nëse njerëzimi është më pranë Kabilit apo Habilit. Me kë ngjan më shumë ti o vëlla dhe oj motër? Mos është shkak edukimi i dhunës në familjet tona? Pashi Zotin o njerëz, mos ushtroni dhunë ndaj grave dhe ndaj fëmijëve tuaj! Mos ia kultivo fëmijës dhunën. Nëse fëmija yt është i dhunshëm, je ti shkaku o prind. Kam një mik, djali i të cilit është trembëdhjetë vjeç. Një ditë, djali i tij bashkë me një shok, shkojnë në klubin sportiv. Atje, e gjejnë derën për tek pishina të hapur. Të dy hyjnë në ambientet e pishinës dhe i hedhin në ujë të gjithë peshqirët. Mandej ia mbathin për në shtëpi. Kur hyri në shtëpi, babai i cili e trajtonte djalin si një shok, e pyeti:”Çfarë ka ndodhur sot?” Djali i përgjigjet:”Asgjë me rëndësi.” Babai i thotë:”Unë të njoh mirë dhe e dalloj se ke bërë diçka.” Djali i përgjigjet:”Do ta tregoj, nëse nuk më ndëshkon.” Babai:”Dakord.” Djali shton:”I kemi hedhur të gjithë peshqirët në ujin e pishinës.” I bindur se ndëshkimi dhe dackat nuk bëjnë faide, babai i thotë:”Mirë, tani do të shkojmë të dy tek pishina dhe ti nxjerrim që andej peshqirët.” Menjëherë vajtën dhe rregulluan gjithçka që ishte prishur. Gjatë rrugës së kthimit, babai nuk foli fare, sakaq djali shpërtheu në të qara. Një formë reagimi e tillë, padyshim që ka efekt më të fuqishëm se rrahja dhe ndëshkimi. Ju o prindër që kultivoni dhunën tek fëmijët tuaj, kijeni frikë Zotin! “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.” Këtë ajet, ua dhuroj të gjithë vëllezërve tanë në Irak, Palestinë dhe Liban. Atë ua dhuroj të gjithë atyre që sillen keq me gratë e tyre. Atë ua dhuroj të gjithë atyre që i keqtrajtojnë shërbëtoret dhe punëtorët. Të gjithëve dua tu drejtoj një pyetje: Mos vallë Habili ishte frikacak dhe pasiv? Padyshim që jo. A do e lejojë ai vëllain ta vrasë? Po dhe në fakt, e vrau. Thotë profeti Muhamed a.s:”Kush vritet në mbrojtje të pasurisë, është martir. Kush vritet në mbrojtje të fesë është martir. Kush vritet në mbrojtje të jetës së tij, është martir. Kush vritet në mbrojtje të familjes, është martir.” Por në raste trazirash, çështja shihet na një këndvështrim tjetër. Kështu, nuk lejohet vrasja e të afërmve dhe farefisit, as në kohë të qeta dhe as në trazira. Sidomos me të afërmit, motoja jonë duhet të jetë: Jo gjakderdhjes. Nëse do të vazhdojnë trazirat, destabiliteti dhe tranzicioni, nuk do të ketë zhvillim dhe progres të vendeve tona. Thotë profeti Muhamed a.s:”Do të ndodhin trazira, gjatë të cilave ai që qëndron ulur, është më i mirë se ai në këmbë. Ai në këmbë është më i mirë se ai që ecën. Ai që ecën është më i mirë se ai që rend.” Dikush pyeti:”O i dërguar i Allahut! Po sikur të vijë dikush, të hyjë brenda në shtëpi dhe të zgjasë dorën për të më vrarë?!” Profeti a.s iu përgjigj:”Ji si biri i Ademit!” Mandej, ai lexoi:“Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras.” Thotë Profeti a.s:”Kushdo që ka deve, le tu shkojë pas deveve. Kush ka të imta, tu shkojë pas të imtave. Kush ka tokë, le të merret me tokën (në raste trazirash).” Kjo nuk është thirrje për pasivitet, por është thirrje për t’iu përkushtuar punës, me qëllim që të hedhim themelet e zhvillimit. Uthman ibnu Affan...Habili i myslimanëve Gjatë kalifatit të Uthman ibnu Affanit, kryeqendra e kalifatit u përfshi nga një trazirë e rëndë, gjatë së cilës mbeti i vrarë vetë Uthmani, mbeti i vrarë. U vra personi për të cilin profeti Muhamed a.s pati thënë:”Ai është një burri prej të cilit u vjen zor edhe melekëve.” Gjatë kësaj trazire, Uthmani u dërgoi një mesazh qyteteve të tjera ku u thoshte:”Uluni si të doni mbi dinjitetin tim, provokojeni si të doni sabrin dhe durimin tim. Pasha Zotin, gjithçka që të më kërkoni do ua realizoj, veç nëse është ndonjë gjynah.” Asnjëri nuk iu përgjigj këtij mesazhi. Pak para Haxhit, u dërgoi një mesazh tjetër, ku u thoshte:”Kujtdo që i kam bërë ndonjë padrejtësi, le të vijë që t’ia jap. Unë do i mbuloj shpenzimet e të gjithë udhëtimit. Askush të mos i frikësohet hakmarrjes, pasi nuk është pjesë e karakterit tim.” Por askush nuk iu përgjigj. Tre mijë luftëtarë e rrethuan në qytet. Aliu, Talha dhe Zubejri vajtën tek shtëpia e tij dhe i thanë:”O Prijës i Besimtarëve! Vish veshjen e Haxhit dhe dil jashtë, pasi nuk e vrasin dot një person të nisur për Haxh. Ose lëre Medinen dhe largohu për në Sham. Në të kundërt, na urdhëro të luftojmë.” Ai ua ktheu:”Jo për Zotin. Të vishem me rrobat e ihramit (Haxhiut) nuk ia vlen, pasi nuk do i pengojë gjë për të më vrarë. Të largohem për në Sham, e kam të vështirë të braktis qytetin e të dërguarit të Zotit. Kurse për luftë, e kam të pamundur ta lejoj të ndodhë në qytetin e të dërguarit të Zotit a.s. Që trazira do të mbyllet do të mbyllet. Uthmanit i mjafton si vlerë që të mos e nxisë më shumë. Le të vritet Uthmani, për të mos u derdhur gjak myslimani tjetër.” Aliu tha:”Unë bëra aq sa munda.” Ebu Hurejre hyri në dhomën e Uthmanit me shpatën në dorë. Uthmani e pyeti:”Për çfarë ke ardhur?” Ebu Hurejre iu përgjigj:”Kam ardhur të ndihmoj ty.” Uthmani i tha:”Fute shpatën në mill. Mos dëshiron të vrasësh njerëz në qytetin e të dërguarit të Zotit?!” Ebu Hurejre iu përgjigj:”Jo.” Uthmani i tha:”A e di se të vrasësh një njeri, është sikur të vrasësh të gjithë njerëzimin?” Ebu Hurejre e pyeti:”Po ti?!” Mua më mjafton ajeti: “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras” Pastaj i tha:”Më ka thënë i dërguari i Zotit:”O Uthman! Do të fitosh xhenetin gjatë një trazire që do të përfshijë.” Unë i pata thënë:”Atëherë unë do të duroj o i dërguar i Allahut.” Para se ta vrasin Uthmanin, e patën rrethuar në shtëpi për disa kohë. Gjatë kësaj kohe, Uthmani sheh në ëndërr të dërguarin e Zotit a.s, i cili e pyet:”A të kanë lënë pa ushqim o Uthman?” Uthmani i përgjigjet:”Po o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s e pyet:”A të kanë lënë pa ujë o Uthman?!” Uthmani i përgjigjet:”Po o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s e pyet:”A të kanë rrethuar o Uthman?” Uthmani i përgjigjet:”Po o i dërguar i Allahut.” Profeti a.s i thotë:”A do të durosh dhe këtë natë o Uthman, dhe të agjërosh të nesërmen, që ta hash iftarin me mua, Ebu Bekrin dhe Umerin?” Uthmani iu përgjigj:”Po o i dërguar i Allahut.” Kur i doli gjumi, Uthmani filloi të qeshë. Ai kishte një shërbëtor, të cilin e thirri dhe i tha:”Kushedi sa herë ta kam tërhequr veshin. Tani tërhiqe fort ti veshin tim, pasi shlyerja e borxhit në këtë dynja, është më e lehtë se ditën e Kiametit.” E shoqja i tha:”Po hyjnë brenda në shtëpi. A ta heq shaminë e kokës, që t’ju vijë turp dhe të largohen kur të shohin kokën time të zbuluar?!” Uthmani iu përgjigj:”Për Zotin, më mirë pranoj të më tharmohet trupi sesa të zbulohet një fije floku e jotja.” Atëherë kryengritësit hynë brenda dhe e vranë me shpata, teksa ai lexonte ajetin:” Por Allahu të mjafton ty (si mbrojtës) kundër atyre.” (Bekare, 137) Moment i vrasjes Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. (Maide, 30) Si vallë iu bind egos dhe e vrau vëllain e tij? Thotë Profeti a.s:”Sprovat i ekspozohen zemrës si thuprat e rrogozit, njëri pas tjetrit. Nëse një zemër i thith këto sprova, i vihet një pikë e zezë. Zemra që i refuzon, i vihet një pikë e bardhë. Kështu, kemi dy zemra; një e bardhë si bora të cilës s’kanë ç’ti bëjnë sprovat sa të ketë qiej dhe tokë. Dhe një tjetër e zezë, e cila nuk e dallon të mirën nga e keqja.” Po si i lindi ideja e vrasjes së vëllait? Nga gjuetia dhe duke parë kafshët që vrisnin njëra–tjetrën. Kjo, edhe pse kafshët nuk vrasin të njëjtën specie si vetja, luani nuk vret luanin. Thuhet se shejtani vajti tek Kabili bashkë me një kafshë, të cilën e shtriu dhe e goditi fort me një gur në kokë, duke e lënë të ngordhur në vend. Kështu, ai ia mësoi si ta vrasë të vëllain. Menjëherë, Kabili mori një gur dhe iu vërsul të vëllait, duke e goditur në kokë derisa e la të vdekur. Menjëherë pasi e vrau vëllain, Kabili u bë pishman. Në një studim tek të burgosurit për krime të rënda, u pyetën se cila ishte ndjesia e parë pas vrasjes së dikujt. Të gjithë përgjigjeshin:”Pendimi dhe bërja pishman.” Kur e pa këtë skenë, shejtani u gëzua dhe iu bë qejfi. “Unë nuk kam të bëj me ty! Në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve!” (Hashr, 16) Çfarë humbi Kabili? Humbi ahiretin dhe jetën e amshuar. Çdo njeri që vritet padrejtësisht që nga ajo kohë, një pjesë e gjynahut i shkon dhe Kabilit. Kjo, pasi ai krijoi modelin e vrasjes për gjithë njerëzimin. A e imagjinoni dot sa gjynahe ia janë mbledhur atij? A e imagjinoni dot duke mbajtur barrën e të gjithë të vrarëve në luftëra? Mos ia lejo vetes të krijosh modelin e keq dhe të mbash gjynahet dhe barrën e të gjithë atyre që të ndjekin. Mos u bëj ti motër personi i parë që tradhton burrin në mjedisin që të rrethon. Mos u bëj ti femra e parë në familjen tënde që krijon lidhje jashtëmartesore. Thotë profeti Muhamed a.s:” Për çdo njeri që vritet padrejtësisht deri në Ditën e Kiametit, biri i parë të Ademit do vuajë, pasi ai ishte personi i parë që vrau.” Ai humbi vëllain dhe dorën e cila e përkëdhelte dhe i rrihte supet. Ai humbi babnë dhe nënën. Ai humbi të shoqen, pasi nuk u martua dot. Ai humbi qetësinë dhe sigurinë. Një herë ndodhesha për vizitë në SHBA dhe vizitova një pallat madhështor, me gjashtëqind dhoma. Ciceroni më tregoi se pronarja e këtij pallati, kishte jetuar gjatë luftës civile në Amerike. Burri i saj merrej me shitjen e armëve, të cilat ua shiste dy palëve në konflikt. Kur e shoqja dëgjoi për këtë, u sëmur dhe u çmend. Ajo humbi qetësinë shpirtërore dhe sigurinë. Ajo i kërkoi të shoqit ti ndërtojë një pallat me gjashtëqind dhoma gjumi, pasi e ndjekin shpirtrat e të vrarëve në luftë. Në fund, ajo ndërron jetë në shtratin e saj. Zoti e ka krijuar këtë botë për ty “Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. (Bekare, 30) Ashtu siç ekzistojnë vrasës dhe kriminelë, ekzistojnë dhe njerëz të mirë si Ibrahimi a.s, Habili, Musai a.s, Isai a.s, Muhamedi a.s etj... Zoti e ka krijuar tokën dhe botën për njerëzit e mirë dhe reformatorë. Nëse je nga njerëzit e mirë, dije se për ty e ka krijuar Zoti këtë botë. Pasi e vrau, Kabili nuk dinte ç’të bëjë me kufomën e të vëllait. Ai nuk kishte parë asnjëherë një funeral varrimi. Habili ishte personi i parë që vdiste mbi tokë dhe nuk dihej si veprohet me të vdekurit. Atij filloi ti fryhej trupi dhe i vinte erë e keqe. Nga të katër anët filluan egërsirat dhe korbat të afrohen. Është mëshira e Zotit që kufomës ti ndryshojë era dhe ti prishet mishi. Nëse nuk do të ndodhte kështu, njejrëzit do i mbanin në shtëpi kufomat e të dashurve të tyre si shenjë besnikërie. A e imagjinoni do mund të ishte një jetë e tillë? Zoti na e mësoi ritualin e varrosjes së vdekurve me anën e një sorre. Duke i varrosur të vdekurit tanë, ne e kemi më të lehtë ta harrojmë tragjedinë dhe fatkeqësinë. Ne shpresojmë që me njerëzit e dashur të takohemi në xhenet. “Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 31) Ai u bë pishman për veprën që kishte bërë, por nuk u pendua dhe nuk kërkoi falje. Ai u bë pishman, ngaqë tani nuk dinte ç’të bëjë me kufomën e vëllait. Kurrë mos hidh një hap, të cilit nuk ia di pasojat! Pasi e varrosi të vëllanë, Kabili u largua nga shtëpia dhe familja e tij. Ai humbi Ademin a.s, Havanë dhe motrat e vëllain e tij. A e imagjinoni dot se si janë ndjerë prindërit, Ademi dhe Havaja pas kësaj tragjedie? Pyesni nënat e Irakut të cilat kanë humbur bijtë e tyre në luftë, nga duart e një irakiani! Pyet nënat palestineze që kanë humbur fëmijët nga duart e një palestinezi dhe jo nga duart e armiqve. Habili përfaqëson njeriun që besonte tek lidhjet farefisnore, njeriun që donte të vërtetën dhe zhvillimin, e jo zullumin dhe rrënimin. Shumë njerëz besojnë se varri i tij gjendet në malin Kasion në Sirinë e sotme. Por le ta ngremë lart moralin dhe le të shohim me syrin e optimistit. Habili ishte martiri dhe shehidi i parë mbi tokë. Pas tij, Zoti i fali Ademit a.s një djalë tjetër, me emrin Shith i cili u bë profet. Pas tij erdhi dhe profeti Idris a.s, nga pasardhësit e Ademit a.s. Kështu, Zoti ia kompensoi Ademit a.s, humbjen e Habilit me një shehid dhe dy profetë. “Trego në Libër për Idrizin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ne e ngritëm atë në vend të lartë. Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit.” (Merjem, 56-58) “Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Izraelit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve.” (Maide, 32) Pra, për të garantuar jetën e njeriut dhe dinjitetin e tij, Zoti ka vendosur parimin e mësipërm. Ai u kërkon njerëzve që mosmarrëveshjet ti zgjidhin me dialog, jo me dhunë dhe gjakderdhje. Mesazh i kësaj ndodhie: 1 – Zoti ua pranon veprat e mira njerëzve të devotshëm. Le ti japim besën njëri-tjetrit që të manifestojmë devotshmëri, gjatë gjithë vitit dhe sidomos gjatë muajit të Ramazanit. 2 – Bëhuni si Habili, i cili tha:”unë nuk do ta ngre dorën që të të vras”. Mos u bëni kurrë si Kabili dhe si ata që shkatërrojnë. Le ti lexojmë rishtazi ajetet që flasin për ndodhinë që trajtuam dhe të meditojmë rreth tyre: “Lexoju (o Muhamed) saktësisht ngjarjen e dy bijve të Ademit, kur ata bënë nga një kurban, njërit iu pranua, kurse tjetrit jo. Njëri i tha tjetrit: “Ty gjithsesi do të të vras”. Tjetri tha: “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit. Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë. Unë parapëlqej të marrësh barrën e gjynahut tim dhe të gjynahut tënd e kështu të bëhesh ndër banorët e zjarrit. Ky është ndëshkimi i keqbërësve”. Vetja e tij e nxiti në vrasjen e të vëllait dhe e vrau. Kështu, ai u bë nga të humburit. Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “Mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëllai?!” E u bë nga të penduarit.” (Maide, 27-31)


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free