Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Embelsia e Besimit

Profeti ynë Muhamed (a.s) ka thënë në një hadith të saktë: “Kush i ka tre gjëra, ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit. Të jetë Allahu dhe profeti (a.s) më i dashur se çdo gjë tjetër, ta dojë tjetrin vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në mosbesim, siç urren të hidhet në zjarr” (Buhariu)

Pse ne sakrifikojmë shumë për fëmijët tanë?! Pse bëjmë çdo gjë për ta?! Sepse ne i duam fëmijët, pasi fëmija është nga krijesat në të dashura në këtë botë dhe ne bëjmë çdo gjë në emër të kësaj dashurie.

Ne lodhemi shumë për pasuri. Për hir të saj bashkohemi dhe ndahemi me njerëzit e tjerë. Për pasuri lodhemi gjithë ditën, sepse shpirti i njeriut e do pasurinë dhe ëmbëlsinë e saj.

Kur një punë bëhet monotone, pa dashuri e kënaqësi, ajo nuk zgjat shumë. Nëse njeriu nuk e do një punë, ai nuk e bën atë punë për një kohë të gjatë, ndërsa punën që e do, e bën me qejf të madh.

Çdo gjë që bëjmë, e bëjmë sepse kemi dashuri për të dhe nuk ka rëndësi nëse e themi këtë gjë apo vetëm e ndjejmë.

Po besimi në Allah a është dashuri?! Shumë muslimanë mundohen ta trajtojnë besimin në Zot si një tërësi rregullash, që duhen zbatuar dhe disa adhurime që duhet t`i kryesh. “Duhet ta bësh këtë gjë, duhet t`i besosh Zotit etj etj”. Kur dikush pyet se përse duhet t`i bëj këto gjëra, ne përgjigjemi: “Sepse kështu duhet”.

Besimi në Allah nuk është vetëm rregulla dhe fjalë, por është më shumë sesa kaq. Ai në radhë të parë është ndjenjë, dashuri dhe ëmbëlsi. Nëse nuk e ndjen dashurinë për Zotin,  për profetin e Tij dhe për fenë e Tij, ti nuk do ta vazhdosh dot gjatë këtë rrugë. Nëse nuk e ndjen ëmbëlsinë e kësaj rruge, ty të duket njëlloj si me fe si pa fe.

Besimi në Zot është dashuria dhe ëmbëlsia më e madhe. Ëmbëlsia e besimit në Zot nuk krahasohet me asnjë ëmbëlsi tjetër, që ekziston mbi shpinën e kësaj toke.

Ta ndjesh ëmbëlsinë e besimit, do të thotë të ndjesh rehati në mendjen tënde, ta kesh mendjen të qetë.

Ta ndjesh ëmbëlsinë e besimit, do të thotë të ndjesh qetësi në zemrën tënde. Ndryshe nga shumë zemra të tjera, që lëvizin për çdo moment, zemra jote është e qetë, me fjalë të tjera me besim të zgjerohet kraharori. A të ka ndodhur që të të shtypet kraharori dhe nuk merr dot frymë lirisht?!. Ndërsa besimi në Zot ta hap kraharorin dhe ti merr frymë lirisht edhe pse të tjerët kanë siklet shumë të madh.

Ta ndjesh ëmbëlsinë e besimit do të thotë, që Allahu (xh.sh) të të ruajë dhe të të japë dritë edhe pse njerëzit e tjerë nuk kanë dritë.

Ëmbëlsia e besimit është e butë. Ajo futet në trupin tënd pa u ndier si uji në kërcellin e bimëve, por nëse nuk ka ujë, bima vdes. Ashtu vdes edhe zemra e njeriut, nëse brenda saj nuk ekziston besimi në Zot.

Ajo futet tek njeriu, ashtu siç futet gjaku nëpër damarë. Nëse për një moment gjaku ndalon, njeriu ka probleme të mëdha edhe pse nga pamja e jashtme të duket se është për mrekulli.

Profeti Muhamed (a.s) i donte shumë besimtarët dhe e dinte se të arrish ëmbëlsinë e besimit është kulmi i kësaj bote dhe botës tjetër, prandaj i këshillonte dhe i nxiste shokët e tij, për ta arritur ëmbëlsinë e besimit me dy – tre fjalë të shkurtra.

Subhanallah! Profeti (a.s) fliste gjithmonë shkurt dhe kuptohej nga njerëzit, kurse ne na duhet të flasim gjatë, që t`i mbushim mendjen njëri – tjetrit.

Profeti (a.s) thoshte: “A doni t`ju tregoj për tre gjëra, të cilat nëse i veproni me sinqeritet, do ta shijoni ëmbëlsinë e besimit”.

Kur njeriu e shijon ëmbëlsinë e besimit, do të thotë ashtu siç kanë thënë të parët tanë: “Vallahi në disa momente kalon diçka aq e ëmbël dhe aq e bukur në zemrën time dhe nëse banorët e xhenetit përjetojnë atë që përjetoj unë tani, ata qenkan për mrekulli”.

Dikush tjetër thoshte: “Sikur ta dinin pasanikët se çfarë ëmbëlsie kemi ne në zemrat tona, do të luftonin për të na e marrë, qoftë edhe me shpatat e tyre”.

Le ta pyesim veten tonë sinqerisht, nëse kemi ndjerë ndonjëherë ëmbëlsi në zemrat tona. A të ka ndodhur ndonjëherë të falësh dy rekate e të duash që këta dy rekate të mos mbarojnë kurrë?! A ke bërë ndonjëherë ndonjë punë dhe të është dukur, se edhe nëse Zoti të jep gjithë dynjanë nuk e krahason me ëmbëlsinë e asaj pune?!

Nuk është kusht, që ëmbëlsia e besimit të zgjasë shumë. Ajo zgjat pak, por nuk krahasohet me gjithë kënaqësitë e kësaj dynjaje.

Profeti (a.s) ka thënë: “Rruga e parë për të shijuar ëmbëlsinë e besimit është ta duash Allahun (xh.sh) dhe Muhamedin (a.s) më shumë se çdo gjë tjetër që ekziston në gjithësi”.  Ne i duan fëmijët tanë, gratë tona, familjet tona, farefisin tonë dhe për ta rropatemi dhe bëjmë çdo gjë. Këtë e bëjmë nga dashuria që kemi për ta.

Kur dashuria për Allahun (xh.sh) të jetë më e madhe se çdo gjë tjetër dhe dashuria për profetin (a.s) të jetë më e madhe se për çdo krijesë tjetër, atëherë do ta ndjejmë ëmbëlsinë e besimit në Zot.

Ta ndjesh ëmbëlsinë e besimit, do të thotë ta duash fenë e Zotit, ta duash sheriatin e Zotit, sepse ka ardhur prej Tij. Është e thjesht të thuash se e do Zotin dhe Muhamedin (a.s), por dashuria ka tregues. Ti s`mund të pretendosh se e do dikë, kur nuk bën asgjë për atë njeri. Nëse nuk bën asgjë për të, atëherë ti nuk e do atë njeri, prandaj mos gënje veten tënde e as të tjerët me fjalë të bukura.

Ta ndjesh ëmbëlsinë e besimit, do të thotë ta duash fenë e Tij dhe jo thjesht ta zbatosh atë. Mos të të duket feja e Zotit barrë, sepse ajo nuk ka ardhur si barrë për të na rënduar. Allahu (xh.sh) nuk ka nevojë, që ta çojë fenë e Tij barrë përmbi njerëzit.

Feja e Zotit është privilegj. Allahu (xh.sh) do, që të ta lehtësojë rrugën me këtë fe dhe nuk do që të t`i vështirësojë punët.

Ta duash Allahun (xh.sh) dhe Muhamedin (a.s) do të thotë t`i duash besimtarët, ata që venë ballin në sexhde për Zotin, ata që marrin abdes për Zotin, ata që kanë frikë haramin, ata që vrapojnë pas urdhrit të Zotit. Duaji këta njerëz edhe sikur të jetë të zinj nga lëkura edhe sikur të jenë nga ata zona, që ti nuk i ke qejf edhe sikur të mos jenë prej fisit tënd apo bashkëkombasit e tu.

Duaji këta njerëz, se ata janë të dashurit e Zotit, duke filluar nga profetët e Zotit, pastaj tek dijetarët, tek evlijatë e Zotit, tek hafizët dhe tek ata që përmendin Zotin. Pra duaji këta njerëz vetëm për hatër të Zotit.

Ta duash Zotin do të thotë ta ndjekësh rrugën e Tij me kënaqësi e me ëmbëlsi.

Thuhet se njëri nga sahabët sa herë që falte namaz, lexonte suren “Ihlas”në rekatin e dytë. Njerëzit u mërzitën nga kjo gjë dhe thoshin me vete: “A nuk di sure tjetër ky njeri”? Ata shkuan dhe i thanë profetit (a.s): “O profet i Zotit, imami jonë na ka mërzitur pak, sepse gjithmonë në rekatin e dytë të namazit lexon suren Ihlas”. Profeti (a.s) u tha: “Shkoni dhe pyeteni imamin tuaj, se përse e bën diçka të tillë”. Kur e pyetën imamin, ai u përgjigj: “Vallahi e dua shumë këtë sure, sepse ajo ka cilësitë e Zotit. Kur lexoj këtë sure, më kujtohet Zoti. Unë e dua Zotin dhe e dua këtë sure”. Atëherë profeti (a.s) e përgëzoi atë imam duke thënë: “I thoni atij njeri, se edhe Allahu (xh.sh) e do atë, sepse ai do suren Ihlas, që është surja e Zotit”.

Kush i do besimtarët, kush e do Kuranin, ai e do edhe Allahun (xh.sh). Dikush e pyeti Muhamedin (a.s): “O profet i Zotit, kur do të bëhet Kijameti”. Profeti (a.s) ia ktheu: “Çfarë ke përgatitur ti për Kijamet”? Sahabiu iu përgjigj: “Vallahi nuk kam bërë shumë punë, por unë e dua Allahun (xh.sh) dhe të dua edhe ty”. Pas kësaj profeti (a.s) I tha: “Ti do të jesh me ata që t`i do zemra”. Kur sahabët e dëgjuan këtë thënie, filluan të qajnë nga gëzimi, sepse të gjithë e donin shumë Zotin dhe Muhamedin (a.s).

Kush ndjen ëmbëlsinë e besimit në Zot, nuk do t`i hyjë në sy asnjë ëmbëlsi dhe asnjë pasuri tjetër. E lus Allahun (xh.sh) të fusë në zemrat tona dashurinë për Të, të fusë në zemrat tona ëmbëlsinë e besimit në Zot.

Hadithi vazhdon: “Ta duash tjetrin vetëm për hir të Allahut”. Të mos e duash tjetrin për interes, sepse sado i madh qoftë interesi, ai do të mbetet i vogël, sepse është prej dheu, ndërsa ta duash tjetrin për hatër të Zotit vjen prej qielli. Ta duash tjetrin, jo sepse e ke të afërm, apo se pi kafe me të, apo se luan futboll me të, por ta duash vetëm për hatër të Atij, që i do besimtarët. Prandaj ne i duam të gjithë profetët e Zotit edhe pse nuk i kemi parë ata me sy. I duam shokët e profetit (a.s) edhe pse nuk kemi ndenjur me ta. I duam njerëzit e mirë edhe pse ndoshta nuk i kemi parë kurrë. Ne i duam të gjithë besimtarët dhe nuk kemi urrejtje ndaj tyre.

Tregohet se Ahmed Ibn Hambel, një dijetar shumë i madh,  shkoi nga Bagdati në një vend tjetër. Nata e zuri në xhami, por pasi u fal namazi i jacisë, pastruesi i saj, i cili nuk e njihte, i tha: “Dil se do të mbyll xhaminë dhe nuk lejohet askush të rrijë në xhami”. Imam Hambeli doli në shi dhe nuk dinte ku të strehohej. Dikush e pa dhe i tha: “O njeri përse rri në mes të shiut”. Imam Hambeli u përgjigj: “Vallahi nuk kam ku të rri sonte”. “Hajde rri tek unë” - ia ktheu tjetri. Ky person e mori Imam Hambelin në shtëpinë e tij, ia ndërroi rrobat dhe u ulën të dy. Imam Hambeli shikoi se ky njeri e përmendte shumë Zotin. U habit nga kjo gjë dhe e pyeti: “O njeri, po e shoh se ti po e përmend shumë Zotin. Ç`është kjo punë”? Burri ia ktheu: “Vallahi nuk më ka dalë keq kjo punë. Me këtë përmendje që bëj, Allahu (xh.sh) më ka dhënë një sekret. Për çdo dua` (lutje) që bëj më vjen përgjigja. Vetëm një dua` nuk më është plotësuar dhe inshallah ma pranon Zoti para se të ndërroj jetë. E kam lutur Zotin të mos ma marrë shpirtin pa u takuar me dijatarin e madh Ahmed Ibn Hambel dhe shpresoj, se Zoti do të ma pranojë këtë dua`”. Atëherë Imam Ahmedi I tha: “Allahu (xh.sh) ta ka pranuar lutjen, sepse unë jam Ahmed Ibn Hambel”. Atëherë ky person filloi të qajë dhe ta përqafojë Imam Hambelin. Imam Hambeli  u habit dhe pyeti: “Po ti kush je”? Ai tha: “Unë jam Is`hak Ibn Rahauej (një tjetër dijetar i madh).

Nuk kishin telefona, s`ishin takuar më parë në ndonjë konferencë, por ishin takuar me gjuhën e shpirtit dhe me gjuhën e zemrës. Kjo është dashuria për hatër të Zotit.

Ta duash vëllain tënd për hatër të Zotit, do të thotë t`ia qash hallin kur ai ka hall e të mos bësh sikur nuk dëgjon. Nëse ke mundësi që ta ndihmosh, ndihmoje ose të paktën  lehtësoja hallin atij. Tek e fundit bëji të ditur se të vjen keq për të. Kjo është dashuria. Përndryshe dashuria është fjalë që e merr era.

Ta duash vëllain tënd për hatër të Zotit, do të thotë ta vizitosh vëllain tënd. Dikush mori një rrugë të largët për të vizituar vëllain e tij në fe. Rrugës ai takon një melek në formë njeriu, i cili e pyet: “Për ku po shkon o njeri”? Ai i përgjigjet: “Po shkoj të vizitoj vëllain tim për hatër të Allahut (xh.sh). Meleku e pyeti: “Mos ke ndonjë hall, që ai mund të ta zgjidhë, apo ke tregti apo miqësi me të”. Burri u përgjigj: “Jo vallahi nuk kam as hall as tregti e as miqësi, por e dua për hir të Allahut (xh.sh) dhe po shkoj ta vizitoj vetëm për hir të Tij”. Atëherë meleku i thotë: “Unë jam meleku i Zotit. Më ka dërguar Allahu (xh.sh) që të të them, se edhe Allahu (xh.sh) të do ty, ashtu siç do ti vëllain tënd”.

Muhamedi (a.s) ka thënë: “Ditën e Gjykimit do të ketë disa njerëz, që i kanë fytyrat plot dritë. Ata janë në podium drite. Nuk janë as profetë e as dëshmorë, por profetët dhe dëshmorët i kanë zili. Ata janë njerëzit, që e deshën njëri - tjetrin vetëm për hir të Allahut (xh.sh). Atë ditë kur njerëzit kanë frikë, ata nuk kanë frikë”.

Ta duash vëllain tënd për hatër të Zotit, do të thotë t`ia falësh gabimin. Të gjithë jemi njerëz dhe bëjmë gabime. Ndonjëherë bëjmë gabime shumë të mëdha ndaj njëri – tjetrit. Por kur ta duash vëllain tënd për hir të Allahut (xh.sh), duhet ta kesh zemrën e madhe. Fale o njeri, se Zoti e ka faljen më të madhe. Nëse Allahu (xh.sh) do të na gjykonte ne me veprat tona e të thoshte, se filanin nuk e fal për këtë gabim, këtë tjetrin nuk e fal, sepse ka bërë atë gabimin tjetër, atëherë ne do të ishim të mbaruar. Mëso prej cilësisë së Allahut (xh.sh). Ai është Falës i madh dhe sidomos besimtarin e fal shumë, sepse besimtari thotë: “O Zot më fal”. Jo vetëm e thotë, por e përjeton dhe e ndjen thellë kur bën gabim dhe pendohet e kërkon falje. Allahu (xh.sh) e fal këtë njeri.

Pjesa e fundit e hadithit është: “Të urrejë njeriu që të kthehet në mosbesim, ashtu siç urren të kthehet në zjarr”. Nëse të thuhet lëre besimin, ose përndryshe ti do të futesh në zjarr, ti duhet të zgjedhësh zjarrin.

Të gjithë e kemi përjetuar rrugën e keqe në një formë apo në një tjetër, madje mund të kemi qenë pjesë e rrugës së keqe, por Allahu (xh.sh) na ka marrë si me dorë dhe na ka nxjerrë në rrugën e Tij.

A e falenderon Allahun (xh.sh) për këtë gjë apo të duket se besimi është një formë jetese dhe thua: “Ne falemi ata nuk falen, ne adhurojmë Zotin ata nuk e bëjnë diçka të tillë, e kështu me radhë”.

JO. Dije se ty të ka dhënë Allahu (xh.sh) pasurinë më të madhe, dhuratën më të çmuar, besimin në Zot. Këtë dhuratë nuk ia jep shumë njerëzve të tjerë edhe pse ata mund të kenë pasuri e pushtet më shumë se ti dhe mund të jenë edhe njerëz më të zgjuar. Falenderoje Zotin për të gjitha këto.

Ta urresh kufrin e ta duash besimin, do të thotë të thuash gjithmonë: “O Zot! Ty të falenderoj që më shpëtove me mëshirën tënde, se nëse nuk do të më udhëzoje, unë do të isha prej të humburve”.

Mos e krahaso këtë besim me para. Mos e ki zili dikë që ka para, por që nuk ka besim, pasi ai nuk ka harmoni në shtëpi dhe zemrën e ka sterrë të zezë. Besimi nuk matet me para.

Të ndjesh ëmbëlsinë e rrugës së besimit, do të thotë ta falenderosh Zotin natë e ditë dhe falenderimi është duke përhapur fjalën e Tij. Ashtu siç të udhëzoi Allahu (xh.sh) në rrugën e drejtë, mundohu të bëhesh shkak që edhe dikush tjetër të udhëzohet, se rruga e Zotit ka vend për të gjithë.

Ta duash besimin, do të thotë të sakrifikosh për këtë gjë. Nëse të merret gjithë pasuria, të vdesin fëmijët, të merret pushteti që ke, nëse të merr Zoti sytë, duart dhe këmbët, dhe pas gjithë këtyre Allahu (xh.sh) të le vetëm ëmbëlsinë e besimit në zemër, a s`më thua se çfarë do të zgjidhje?!

Këtu është provimi. Vijnë moment të caktuara në jetën tonë, ku me të vërtetë jemi në luhatje dhe shtrohet pyetja: “A të mbaj rrugën e Zotit a të mbaj pasurinë e kësaj dynjaje”? Besimtari pranon që jo vetëm t`i merret gjithçka, por edhe sikur ta hedhin në zjarr, ai mban besimin e tij.

Pse u hodh në zjarr Ibrahimi (a.s)?! Sepse ai e dinte se zjarri i dynjasë nuk krahasohet me zjarrin e Ahiretit dhe pranoi me kënaqësinë më të madhe, që të mbante besimin dhe të hidhej në zjarrin e kësaj dynjaje. Nuk iu lut askujt për ndihmë e as nuk u bë servil. Nuk kërkoi as ndihmën e Xhibrilit (a.s), por tha: “Vetëm për Allahun (xh.sh) kam nevojë”.

Ka shumë njerëz që jetojnë në këtë botë dhe nuk kanë dëgjuar për pejgamberë, nuk dinë asgjë rreth fesë. Nuk dinë as për Kuranin, as për namazin, as për agjërimin, as për Zotin e as për profetin (a.s). Ç`bëhet me këta njerëz, kur ata vdesin?! Allahu (xh.sh) është i urtë dhe i Drejtë. Kur i ringjall këta njerëz, i pyet: ”A njihni libër të Zotit, a ju ka ardhur profet”? Ata përgjigjen: “Jo”. Pastaj Allahu (xh.sh) i pyet: “A besoni në Zot”? Të gjithë përgjigjen njëzëri: “Po besojmë në Zot”. Atëherë Allahu (xh.sh) u thotë: “Përpara jush ka dy vende, njëri është zjarr, tjetri është parajsë. Kush beson tek Unë, të futet me shpejtësi tek zjarri dhe jo tek parajsa”.

Ata që janë besimtarë thonë: “Si të thuash Ti o Zoti ynë” – dhe shkojnë drejt asaj që duket si zjarr, por në fakt ajo vetëm pamjen e jashtme e ka si zjarri, por brendësia e tij është xheneti i Allahut (xh.sh).

Ata që besimin e kanë vetëm me fjalë, nisen drejt zjarrit, por e ndërrojnë rrugën dhe nisen drejt asaj, që pamjen e jashtme e ka si xhenet por brendësia e të cilit është zjarr.

Ky është besimi në Zot dhe këtë besim nuk duhet ta krahasojmë me asgjë tjetër. Duhet t`i lutemi Zotit natë e ditë duke thënë: “O Zot! Ti që më shpëtove nga rruga e gabuar dhe me fute në rrugën e drejtë, m`i forco këmbët në këtë rrugë, se nuk e kam nga aftësia ime dhe më bëj që shpirtin ta jap si besimtar”.

Mirësia më e madhe që Zoti mund t`i japë njeriut, është që njeriu ta mbyllë jetën e tij me besim.

Në fund mbetet shpresa jonë e madhe tek Zoti, se Ai do t`I falë gabimet tona. Ai që me mëshirën e Tij na nxori nga errësira në dritë, inshallah me mëshirën e Tij, do të na bëjë të mundur, që jetën tonë ta vazhdojmë në rrugën e kësaj drite, shpirtin ta japim me këtë dritë dhe të ringjallemi bashkë me këtë dritë.

Besimi në Zot nuk është as fjalë, as rregulla e as hytbe. Të gjitha këto janë mjete. Besimin duhet ta ndjesh në zemër, se vetëm atëherë e kupton vërtetësinë e kësaj fjale. Sikur të jesh në vendin më të humbur, nëse Zotin e ke me vete, ai do të jetë vendi më i ëmbël. Sikur të t`i marrë Zoti të gjitha, por ta le zemrën e cila pulson me besim, thuaj: “O Zot, Ti më ke dhënë shumë e unë nuk di si të të falenderoj për këto të mira”.

Ky është besimi në Zot. Muhamedi (a.s) ka thënë: “Nuk është devotshmëria me fjalë të bukura, as se çfarë bën ti përpara njerëzve, por devotshmëria është këtu (duke treguar zemrën)”. Prandaj vetëm Allahu (xh.sh) e di se kush është më i devotshmi. Allahu (xh.sh) na bëftë besimtarë të devotshëm.

E lus Zotin  e gjithësisë, të na bëjë nga ata njerëz që ndjejnë në shpirt e në zemër dashurinë për Zotin dhe dashurinë për Muhamedin (a.s).

O Zot! Bëje besimin gjënë më të ëmbël që ke krijuar mbi shpinën e kësaj toke, na bëj që ta jetojmë jetën si besimtarë, shpirtin ta japim në rrugën e Muhamedit (a.s) dhe të lutemi të na ringjallësh nën flamurin e tij.

A M I N
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free