Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Besnikeria dhe mirenjohja

Temën e tretë të elementit të gjashtë të lumturisë, do t’ia dedikojmë besnikërisë dhe mirënjohjes për njerëzit që të janë gjendur dhe të kanë ndihmuar në jetë. A u qëndron besnik dhe a u je mirënjohës atyre njerëzve që të kanë ndihmuar? A u je mirënjohës atyre që të kanë përkrahur? A i kujton shpesh dhe a i falënderon herë pas here për të mirën që të kanë bërë? A ke manifestuar sjellje të pahijshme ndonjëherë, karshi kësaj kategorie njerëzish? Nëse kërkon të jetosh i lumtur në këtë botë, duhet të jesh besnik dhe mirënjohës.
Nëse i ke marrë borxh dikujt dhe nuk ia ke shlyer në afatin e caktuar, gjithmonë i shmangesh dhe kërkon të mos kontaktosh me të. Borxhi shkakton pagjumësi natën dhe poshtërim ditën. Por borxhet nuk janë vetëm vlera monetare, por edhe ndere, përkrahje dhe shtrirje dore. Të shumtë janë njerëzit ndaj të cilëve jemi borxhlinj për nderet që na kanë bërë. Ashtu siç borxhliu në vlerë monetare i shmanget borxhmarrësit, edhe përfituesi i nderit, i shmanget bamirësit, nëse nuk i ka qëndruar besnik dhe mirënjohës. Nëse një person që të ka bërë ndere, i ka vdekur nëna dhe ti nuk i ke vajtur për ngushëllim, dëshiron me çdo kusht që mos përballesh me të. Por edhe nëse ballafaqohesh, të vjen zor dhe fillon të justifikohesh pa të pyetur kush. Kjo, nëse thjesht je vonuar në ngushëllim apo në urim për një rast. Imagjinoje çfarë ndjen nëse je treguar i ulët, faqezi dhe e ke zhgënjyer personin që të ka bërë kushedi sa ndere. Ka njerëz që me të shtënë në dorë atë që duan, e harrojnë nderin dhe personin që i ndihmoi.
Nëse nuk u qëndron besnik dhe mirënjohës njerëzve që të rrethojnë dhe të bëjnë ndere, nuk mund të jesh i lumtur. E si mund të jetosh i lumtur, ndërkohë që ti ndihesh borxhli?! A je njeri i fisëm, apo je faqezi dhe horr?
Pasi të përfundosh leximin e kësaj teme, telefonoju të gjithë atyre njerëzve që të kanë bërë ndere, thuaju që nuk ua harron nderet, edhe pse nuk u ke telefonuar, apo vizituar. Menjëherë pas telefonatës do të ndjesh një gëzim që të pushton zemrën, sikur çlirohesh nga një barrë e rëndë.
Të jesh besnik dhe mirënjohës, është një moral i vyer dhe i dashur te Zoti. Vallë a jemi besnikë dhe mirënjohës me Zotin? A jemi besnikë dhe mirënjohës me të dërguarin e Zotit? A jemi besnikë dhe mirënjohës me njerëzit që na kanë bërë ndere? A jemi besnikë dhe mirënjohës me prindërit tanë? A je besnik dhe mirënjohës me mësuesit që të kanë dhënë mësim? A i ke falënderuar ndonjëherë? A i ke marrë në telefon që t’u shprehësh mirënjohje dhe respekt për mundin? A i kujton njerëzit që ta kanë hequr litarin nga fyti?
Në letërsinë angleze, rrëfehet një ndodhi e cila u mësohet fëmijëve në shkollë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët britanikë ndiheshin të rraskapitur, me moral të rënë dhe u mungonte vullneti për të vazhduar luftën. Shumë prej tyre ndiheshin të pashpresë dhe ishin të gatshëm që edhe të vdisnin, vetëm që të mos luftonin më. Një nga gjeneralët e luftës, duke menduar mbi një stimulim, i erdhi në mendje një ide interesante. Ai mendoi që çdo ushtar ta lidhte me korrespondencë me një femër. Kështu, ai u kërkoi vajzave angleze që të lidheshin me një nga ushtarët në frontin e luftës, t’u shkruanin dhe t’u jepnin kurajë. Si gjithë ushtarët e tjerë, edhe personazhi i kësaj ndodhie lidhet me një vajzë dhe kishte me të korrespondencë të rregullt. Edhe pse nuk ishin parë asnjëherë, lidhjet e tyre u forcuan, saqë filluan të lidheshin edhe emocionalisht me njëri-tjetrin. Ndërsa lufta po mbaronte, personazhi ynë i shkruan të dashurës së tij se do të kthehej së shpejti në Londër dhe se dëshironte të martohej me të. Vajza i shkroi se akoma nuk ishin parë dhe nuk ishin pëlqyer fizikisht. Megjithatë, ushtari i shkruan gjithë mirënjohje dhe besnikëri se ajo e kishte shpëtuar nga vdekja e sigurt, me inkurajimet dhe ngritjen e moralit. Duke parë vendosmërinë e tij, vajza i shkroi: “Kam frikë se kur të më shohësh nuk do të më pëlqesh. Prandaj, unë do të pres te stacioni i trenit dhe në xhepin tim të majtë do të mbaj një trëndafil të kuq. Nëse të pëlqen pamja ime, qëndro dhe më fol, në të kundërt largohu pa më folur, që të mos më thyesh zemrën më shumë. “
Sa më shumë që treni afrohej me stacionin ku do të zbriste, zemra e ushtarit tonë e shtonte ritmin e rrahjes. Vallë si do të ishte ajo që i kishte dhënë zemër dhe inkurajuar? A do të ishte e bukur siç shpresonte, apo e shëmtuar?
Me të zbritur nga treni, ai u përball me një vajzë që mbante një trëndafil në xhepin e majtë të xhaketës. Ai mbeti i hutuar për një farë kohe, pasi vajza që shihte ishte një shëmtarake që nuk e kishte shoqen. Vajza që kishte përballë, nuk kishte asgjë të përbashkët me atë që ai kishte imagjinuar gjatë gjithë atyre viteve. Kjo e bëri që ta injorojë atë dhe menjëherë u nis për në shtëpi. Pasi kishte bërë disa hapa, u ndal dhe mendoi me vete: “Ku është besnikëria dhe mirënjohja për atë që i kishte qëndruar pranë, e kishte inkurajuar dhe i kishte dhënë zemër? Vërtet që qenka shumë e shëmtuar, por ajo më shpëtoi jetën.” Në fund, ai vendos që të jetë besnik dhe mirënjohës me atë që e kishte shpëtuar nga vdekja e sigurt. Kështu, ai kthehet, qëndron para vajzës dhe i thotë: “Unë jam personi të cilin po kërkon.” Vajza i buzëqeshi dhe ia ktheu: “Por unë nuk jam ajo që kërkon ti. Vajza që kërkon ti është ajo vajza e bukur atje. Është ajo që ma dha trëndafilin ta mbaj në xhep, që të testojë nëse je besnik dhe mirënjohës apo jo.”
Kurani fisnik dhe historia jonë islame, është e mbushur me histori dhe ngjarje akoma më të fuqishme dhe domethënëse. E keqja është se shkollat tona, tekstet dhe mediat, u mësojnë fëmijëve si t’i vënë në lojë mësuesit dhe njerëzit që u kanë bërë ndere.
Pasi mbajta një ligjëratë me temë “besnikëria dhe mirënjohja” në Arabinë Saudite, u kërkova që pas ligjëratës t’u telefonojnë personave që u kanë bërë ndere dhe i kanë ndihmuar. Një ditë më pas, një i njohuri im nga dëgjuesit më tregon se kishte marrë në telefon dikë që e kishte ndihmuar shumë vite më parë. Kishin kaluar dhjetë vjet nga ajo kohë dhe kontaktet me njëri-tjetrin i kishin ndërprerë. Ai i kishte telefonuar dhe e kishte pyetur nëse e kujtonte akoma apo jo. Miku im i kishte thënë: “Sot dëgjova një ligjëratë mbi besnikërinë dhe mirënjohjen dhe doja të të falënderoja për nderin që më ke bërë asokohe. Unë nuk e harroj kurrë qëndrimin dhe ndihmën tënde.” Tregon: “Të dy filluam të qajmë dhe biseduam gjatë në telefon. Pas telefonatës, ndihesha sikur kisha një javë që e adhuroja Zotin me diçka që Ai e pëlqente shumë. Kurrë nuk kisha ndjerë në zemër atë ëmbëlsi dhe qetësi.”
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Të jesh besnik, është pjesë e besimit.”
T’u qëndrosh besnik shokëve të shkollës, kolegëve të punës, komshinjve etj...është pjesë e besimit islam. Nëse i ruan kontaktet me këta njerëz, është tregues se je besimtar i mirë. A ekziston një fe tjetër që i stimulon njerëzit të jenë kaq të komunikueshëm, të gjindshëm dhe mirënjohës?!
Shumë njerëz e konceptojnë besimin duke e kufizuar vetëm në adhurimet si namazi, agjërimi, haxhi etj..., duke mos u kushtuar rëndësi moraleve si besnikëria dhe mirënjohja.
Njoh një person, i cili punonte në një kompani si punëtor i thjeshtë. Drejtuesi i kompanisë kishte pikasur se ai posedonte aftësi të shumta. Bazuar në këtë, drejtuesi filloi të shpenzojë për punëmarrësin e tij, duke e dërguar në trajnime të ndryshme, derisa u bë kryeinxhinier në atë kompani. Kompania ishte e suksesshme dhe puna vazhdoi derisa një ditë, u gjendën përballë një krize të rëndë. Gjithçka ishte pranë greminës dhe kompania pritej të falimentonte nga çasti në çast. Presidenti i një kompanie rivale, e kërkon kryeinxhinierin dhe gjatë takimit e pyet: “Sa e ke rrogën në firmën ku punon?” Pasi kryeinxhinieri ia tregoi, presidenti nxjerr një çek mbi të cilin shkruan një shumë, katër herë më të madhe se rroga dhe ia drejton duke i thënë: “Lëre firmën ku punon dhe eja të punosh për mua, me këtë rrogë që sheh mbi çek.” Kryeinxhinieri e pyet: “Ky është shpërblimi i punës time, apo shpërblimi i shitjes së besnikërisë dhe mirënjohjes?!”
A ka njerëz prej nesh, të cilët harrojnë gjithçka dhe nuk janë besnikë? A ka burra që nuk u qëndrojnë besnikë bashkëshorteve, duke i shitur brenda një dite? A ka prej nesh të cilët e shkelin besnikërinë për një rrogë më të lartë?
Kryeinxhinieri ynë e mori çekun në dorë dhe e grisi duke i thënë: “Kurrë nuk mund ta shkel me këmbë nderin dhe të bëhem mosmirënjohës. Besnikëria është e shenjtë për mua. Vetëm pasi kompania ku punoj të ngrihet sërish në këmbët e saj, mund të më ofrosh një punë. Vetëm atëherë mund të mendohem për ofertën, t’i shkoj personit që më ka bërë kushedi sa ndere dhe t’i kërkoj leje.”
Tregon kryeinxhinieri: “Për Zotin, kur dola nga takimi me presidentin, ndihesha më i pasuri i botës dhe gati sa nuk fluturoja nga gëzimi. E ndjeja që isha njeri i fisëm dhe jo faqezi.”
 
Besnikëria me Zotin
Vallë sa e mbajmë besën me Zotin? A i jemi besnikë dhe mirënjohës Zotit? A e fal sabahun ti o vëlla në kohën e tij? Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:
“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”! Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.” (Teube, 75-77)
A jemi besnikë me të dërguarin e Zotit? A u qëndrojmë besnikë porosive të tij? A i kujtojmë këshillat dhe porositë e tij?
Xhabir ibnu Abdila ishte nga shokët e Profetit (a.s.) dhe i përkiste shtresës më të varfër të Medinës. Duke e ditur gjendjen e tij të vështirë ekonomike, Profeti (a.s.) i premtonte një ditë duke i thënë: “O Xhabir! Kur të vijnë pasuritë nga Bahrejni, do të të jap kaq, kaq e kaq.” duke bërë me shenjë grushtet e mbushur me para.
Pasuritë nga Bahrejni nuk mbërritën në Medinë, veçse pasi kishte ndërruar jetë Profeti (a.s.). Ebu Bekri i mbante të gjitha premtimet që kishte bërë Profeti (a.s.), prandaj me ta parë Xhabirin e thirri dhe i tha: “O Xhabir! Unë e kujtoj shumë mirë premtimin e të dërguarit të Zotit (a.s.).” dhe menjëherë mbushi një grusht me monedha argjendi dhe ia dha. Xhabiri i numëroi të gjitha dhe pa që ishin pesëqind dërhemë. Mandej, i gëzuar Xhabiri u nis për në shtëpi. Por Ebu Bekri u kujtua dhe e thirri sërish të kthehej, duke i thënë: “Kthehu sërish o Xhabir! Më kujtohet që i dërguari i Zotit (a.s.) të tha: “Do të jap kaq, kaq e kaq.” Prandaj prit të të jap edhe dy grushte të tjera me monedha.”
Po ti, o vëlla dhe oj motër, a i zbaton me përpikmëri porositë e Profetit (a.s.)? Sa i zbaton ato në jetën tënde? Nuk mjafton të themi se e duam shumë Profetin (a.s.), nëse nuk i zbatojmë porositë dhe këshillat e tij.
Vallë si sillesh ti o motër me nënën tënde? A i qëndron asaj besnike dhe a i je mirënjohëse? Përse e ke harruar tashmë që jeton jashtë vendit tënd? Përse nuk i telefonon veçse një herë në muaj? Nëna jote ka pasur shumë ëndrra për të ardhmen e saj, por i braktisi që nga dita që linde ti. Pas lindjes tënde, ishe ti ëndrra e vetme e saj. Gjatë muajve të shtatzënisë, ti ke marrë kalciumin e nënës duke e lënë atë të vuajë nga dhimbjet e shpinës dhe të kyçeve.
Me këtë rast më kujtohet shoku i Profetit (a.s.), i cili e kishte mbajtur në shpinë nënën e tij gjatë gjithë riteve të haxhit. Kur e pyeti nëse ia kishte shpërblyer mundin e djersën, Profeti (a.s.) u përgjigj: “As dhe një nga dhimbjet e lindjes. Ajo të mbajti në barkun e saj me shpresë se do të lindësh dhe do të jetosh. Sakaq ti e ke mbajtur në shpinë me shpresë se shumë shpejt do të vdesë.”
 
Besnikëria e Profetit (a.s.)
Kur myslimanët filluan të emigronin për në Medinë, ndër ta ishte dhe Hudhejfe ibnu Jemame. Ai u nis drejt Medinës, por kurejshët e ndaluan dhe i thanë: “Dashke të shkosh në Medinë dhe të na luftosh mandej bashkë me Muhamedin?! Për Zotin nuk të lëmë të shkosh.” Hudhejfe u tha: “Po nëse u jap besën se nuk do të marr pjesë në luftërat kundër jush, a më lejoni?” Kurejshët u përgjigjën: “Nëse na jep besën, je i lirë.” Atëherë Hudhejfe u tha: “U jap besën dhe fjalën time se nuk do të luftoj kundër jush!” Mandej mori plaçkat dhe u nis për në Medinë. Me të mbërritur atje, i rrëfeu Profetit (a.s.) gjithçka që kishte ndodhur.
Një vit më vonë, ndodh beteja vendimtare e Bedrit. Myslimanët ishin vetëm treqind luftëtarë, ndërkohë që mekasit ishin mbi njëmijë. Myslimanët kishin vetëm një kalorës, ndërkohë që mekasit kishin treqind syresh. Duke parë një raport jo të drejtë forcash, Hudhejfe del bashkë me myslimanët e tjerë në betejë. Me ta parë Profeti (a.s.), i thotë: “O Hudhejfe! A nuk u pate dhënë besën se nuk do të marrësh pjesë në luftërat kundër tyre?!” Hudhejfe u përgjigj: “Po, o i dërguari i Allahut!” Profeti (a.s.) i tha: “Atëherë kthehu në Medinë dhe respektoje besën e dhënë!” Atëherë Hudhejfe u kthye.
Fisi Benu Shejbe ishte fisi që mbante çelësat e godinës së Qabesë. Uthman ibnu Talha mbante çelësat e Qabes dhe vetëm me lejen e tij njerëzit hynin të luten brenda Qabesë. Dera e Qabes hapej vetëm një ditë në vit. Ditën që u hap, të gjithë kurejshët hynë brenda dhe u falën e u lutën. Profeti (a.s.) vajti dhe i kërkoi ta lejojë të falet brenda Qabes si gjithë të tjerët, por ai refuzoi t’ia jepte çelësat. Profeti (a.s.) iu lut përsëri ta lejonte, por ai refuzoi. Atëherë Profeti (a.s.) i tha: “O Uthman, më lejo të falem para se të vijë një ditë, që çelësat e Qabes të jenë në duart e mia dhe mos të t’i jap!” Kur e dëgjoi Uthmani këtë ia ktheu: “Nëse vjen ajo ditë, do të ishte më mirë të isha brenda tokës sesa mbi të.”
Profeti (a.s.) u largua pa mundur të hyjë brenda Qabes. Kalojnë muaj e vite dhe myslimanët urdhërohen të migrojnë për në Medinë.
Ummu Seleme, ishte nga të parët që u nisën për të emigruar drejt Medinës. Teksa Umu Seleme, burri dhe fëmija e tyre u nisën për në Medinë, u del para familja e saj, dhe e ndalojnë Umu Selemen me të birin e saj. Ndërkaq, i shoqi arrin t’u largohet dhe mbërrin në Medinë. Për një vit, Umu Seleme qëndron e ndarë nga djali i saj. Gjatë gjithë vitit, ajo vetëm qante dhe vajtonte gjendjen e saj. Të mërzitur nga kjo situatë, familjarët ia kthejnë djalin dhe e lejojnë të niset për në Medinë tek i shoqi.
Pasi kishte lënë Mekën pas, takohet me një nga jobesimtarët e Mekës, Uthman ibnu Talhan. Kur e pa të vetme, e pyeti i habitur: “Për ku kështu o Ummu Seleme?” Ajo ia ktheu: “Po largohem që të ruaj fenë time dhe të bashkohem me burrin.” I habitur e pyeti përsëri: “E vetme dhe pa kafshë udhëtimi?!” “Po për Zotin, nuk kam tjetër kënd veç Zotit dhe djalit”, ia ktheu ajo. Ai i tha: “Nuk është mirë që të udhëtosh gjithë këtë rrugë e vetme. Prandaj hip në devenë time!” e ktheu devenë dhe u nis për ta përcjellë nga Meka për në Medinë, 500 km rrugë. Megjithëse ishte jobesimtar, ai ishte njeri fisnik dhe zemërmirë.
Tregon Ummu Seleme: “Nuk kam parë burrë më bujar dhe më fisnik se Uthman ibnu Talha. Kur dëshironte të pushonte, e ulte devenë dhe kthente shpinën (që të mos më shihte teksa zbrisja) dhe largohej larg për të pushuar. Kur dëshironte të vinte, nxirrte një zë, e ulte devenë dhe kthente shpinën, priste derisa të qetësohesha mbi deve dhe nisej. Ai më shoqëroi derisa arritëm në Medinë. Kur arritëm më tha: “Burrin e ke në këtë qytet, prandaj mund të shkosh tani.”
Me të mbërritur në Medinë, Umu Seleme i rrëfeu gjithçka Profetit (a.s.), i cili buzëqeshi dhe tundi kokën në shenjë miratimi. Ishte po ai Uthman, i cili kishte refuzuar t’i hapte Qabenë të falej, por që tashmë i kishte shërbyer një myslimaneje.
Ditën që hyri Profeti (a.s.) me myslimanët në Mekë dhe triumfoi ndaj kurejshëve, Profeti (a.s.) kërkon Uthman ibnu Talhan. Pasi Uthmani paraqitet para Profetit (a.s.), ai i thotë: “O Uthman, ku e ke çelësin e Qabes?” Uthmanit i vjen ndërmend ajo ditë kur Profeti (a.s.) i kishte thënë: “O Uthman, më lejo të falem para se të vijë një ditë, që çelësat e Qabes të jenë në duart e mia dhe mos të t’i jap!”
Uthmani u përgjigj: “Po shkoj ta marr, se e ka nëna, o profet”, i përgjigjet Uthmani dhe shkon në shtëpi. Por nëna refuzon t’ia japë çelësin duke i thënë: “A nuk e mban mend se ç’të pati thënë Muhamedi? Po e mori tani, nuk ta jep më”, dhe refuzoi t’ia jepte. Kur Profeti (a.s.) e pa që Uthmani u vonua, dërgoi Umerin që të shkonte dhe ta merrte. Umeri trokiti në derë dhe thërriti. Nëna e Uthmanit, sapo dëgjoi zërin e Umerit, ia dha çelësin. Kur e mori çelësin në dorë, Profeti (a.s.) iu drejtua Uthmanit duke i thënë: “A të kujtohet ajo ditë o Uthman, kur të thashë që çelësi do të vijë në dorën time dhe nuk do të ta jap?” Abbasi, xhaxhai i Profetit (a.s.) i pëshpërit në vesh dhe i thotë: “O i dërguari i Allahut! Na e jep neve çelësin që ky nder të na përkasë vetëm neve, barkut të Abdul Mutalibit.”
 Por Profeti iu përgjigj: “Jo o Abas, sot është ditë shpërblimi dhe mirënjohjeje“. Më pas iu drejtua Uthmanit: “Merreni përgjithmonë, o familja e Beni Shejbe. Nuk ua merr këtë çelës, veçse ndonjë tiran“. Edhe sot, çelësin e Qabes e kanë pasardhësit e kësaj familjeje. Nuk hyn njeri në Qabe, kushdo qoftë, pa lejen e tyre. Privilegjin e mbajtjes së çelësit të Qabes e ka kjo familje që nga koha e Profetit (a.s.) e gjer sot. E gjitha kjo, për shkak se një nga familjarët e tyre, Uthman ibnu Talha, mbajti një qëndrim burrëror. Kjo familje dhe i gjithë fisi shpëblehet që njëmijë e pesëqind vite, thjesht për një sakrificë disaditore të Uthmanit. A je i fisëm, besnik dhe mirënjohës dhe ti o vëlla e oj motër, ashtu siç ishte i dërguari i Zotit (a.s.)?
Njerëzit që e kishin ndihmuar dhe përkrahur më së shumti Profetin (a.s.), ishin xhaxhai i tij Ebu Talibi, gruaja e tij Hadixheja dhe banorët e Medinës. Ditën që myslimanët morën Mekën, Profeti (a.s.) manifestoi besnikëri dhe mirënjohje për të gjithë ata që e ndihmuan. Profeti (a.s.) hyri në Mekë si triumfues, por nuk mund të shkonte te shtëpia e tij pasi dikush tjetër banonte aty. Ishte djali i xhaxhait të tij, Akili, djali i Ebu Talibit, ai që ia kishte konfiskuar dhe tashmë banonte vetë. Edhe pse Akili ia kishte zaptuar padrejtësisht shtëpinë, Profeti (a.s.) nuk pranon t’ia merrte si shenjë respekti e besnikërie për Ebu Talibin. Kur Usame Ebu Zejd pa që Profeti (a.s.) nuk po shkonte te shtëpia e tij, e pyeti: “O i dërguari i Allahut! A nuk po shkon në shtëpinë tënde?!” Profeti (a.s.) ia ktheu: “Po a më ka lënë Akili shtëpi?!”
Profeti (a.s.) la shtëpinë e tij dhe kërkoi të ngrinte një çadër për të qëndruar aty. E gjitha kjo, sepse babai i atij që kishte zaptuar shtëpinë, e kishte ndihmuar dhe përkrahur si askush tjetër. Në shenjë mirënjohjeje, Profeti (a.s.) nuk pranoi ta rimerrte shtëpinë e tij edhe pse me të drejtë. Kjo ishte besnikëria dhe mirënjohja me xhaxhanë e tij, Ebu Talibin, tashmë i vdekur.
Logjika kërkonte që çadra e Profetit (a.s.) të ngrihej pranë Qabesë, apo diku në qendër të Mekës, për shkak se të gjithë njerëzit aty grumbulloheshin. Por jo. Profeti (a.s.) kërkon që çadra t’i ngrihej pranë varrit të gruas së tij të dashur, Hadixhes. Me këtë sikur i thoshte: “Meqë më ke qëndruar pranë në ditët më të vështira, dua të jem pranë teje edhe sot, ditën e triumfit.”
A mund të ketë besnikëri, mirënjohje, dashuri dhe respekt më të madh?
Me të drejtë, dikush mund të pyesë: Përse Profeti (a.s.) kërkonte t’i ngrihej një çadër dhe jo një shtëpi? Me këtë, Profeti (a.s.) sikur u thoshte banorëve të Medinës, se do të kthehej bashkë me ta në Medinë dhe nuk do të qëndronte në Mekë, edhe pse ishte vendlindja e tij. Ai kishte nënshkruar një marrëveshje me medinasit, që do të kthehej bashkë me ta në Medinë. Ndërtimi i një shtëpie në Mekë, do të thoshte se Profeti (a.s.) po mendonte të qëndrojë në Mekë tashmë. Kurse ngritja e një çadre, do të thotë se qëndrimi në Mekë është disaditor dhe i përkohshëm. Nëse do t’u thoshte mekasve që ai do t’i braktiste dhe do të kthehej sërish në Medinë, do të ishte e rëndë për ta. Duke ngritur çadër, ai i sinjalizonte si mekasit ashtu dhe medinasit, pa rënduar askënd.
 
Çfarë të bëj që të jem besnik dhe mirënjohës?
Ka njerëz që janë faqezinj, horra dhe të ulët. Edhe pse njerëzit u kanë bërë ndere dhe i kanë ndihmuar, ata sillen keq me ta, nuk u janë mirënjohës dhe nuk duan t’ia dinë për nderet. Por shumica e njerëzve i harrojnë nderet e të tjerëve pa dashje. Harresa është një tipar dhe veti karakteristike e njeriut. Edhe vetë babai ynë Ademi, harroi premtimin që i kishte bërë Zotit, se nuk do të hante nga pema e ndaluar.
“Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi” (Taha, 115)
Për këtë, sa herë që të dëgjosh diçka mbi besnikërinë dhe mirënjohjen, menjëherë merri në telefon njerëzit që të kanë bërë ndere dhe të janë gjendur në momente të vështira.
Me të përfunduar leximin e kësaj teme, nxirr celularin dhe telefonoju të gjithë personave që të kanë bërë ndere. Bëj një listë me emrat e personave që të kanë bërë nder dhe çdo dy muaj, bëju një telefonatë.
Veç kësaj, bëj një album me fotot e njerëzve që të kanë bërë ndere, me qëllim që t’i shohësh me sy dhe t’i kujtosh.
Hiqi qafe këto borxhe morale, ashtu siç kërkon të shpëtosh nga borxhet materiale. Të jesh besnik dhe mirënjohës me të tjerët, do të thotë që të përjetosh çaste lumturie dhe gëzimi.
Për aq kohë sa njerëzit do të jenë besnikë dhe mirënjohës me ata që u kanë bërë ndere, e mira do të vazhdojë të shtohet dhe të kultivohet. Kjo, pasi mirënjohja dhe shpërblimi i të mirës, e stimulon atë dhe e nxit. Ditën që i harrojmë njerëzit që na kanë bërë ndere dhe sillemi si faqezinj, sikur i nxisim të mos bëjnë mirë, pasi gjejnë vetëm të keqen. Ju të rinj, duhet të jeni mirënjohës dhe besnikë, pasi keni nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e të tjerëve.
E lusim Zotin të na bëjë njerëz besnikë dhe mirënjohës! E lusim Zotin që fëmijët tanë të edukohen me frymën e besnikërisë dhe të mirënjohjes! Amin!
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free