Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

RAMAZANI MUAJ BAMIRËSIE

Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Ata që shpenzojnë kur kanë dhe kur nuk kanë, ata që e mbajnë zemërimin dhe ata që I falin njerëzit”.

 

Shumë shekuj më parë Zoti i gjithësisë dërgoi një melek të Tij tek tre persona, të cilët ishin prej beni israilve (hebrejtë e sotëm). I pari ishte i verbër, i dyti ishte qeros, kurse i treti kishte lebrozë. Të tre ishin shumë të varfër.

Meleku shkon tek i pari dhe i thotë: “Jam meleku i Zotit. Zoti kërkon të ta plotësojë dëshirën që ke, prandaj fol”. Njeriu i përgjigjet. “Dua vetëm sy të shikoj botën e nuk dua gjë tjetër”. Zoti ia kthen shikimin. Meleku i thotë: “Zoti kërkon që t`i lutesh dhe për pasuri. Çfarë do”? Ai thotë: “Më pëlqejnë devetë”. I jepet një deve.

Pastaj meleku shkon tek i dyti dhe i bën të njëjtat pyetje. I dyti përgjigjet: “Dua vetëm flokë”. Zoti ia jep flokët. Kur e pyet meleku për pasurinë, ai përgjigjet se i pëlqejnë lopët. I jepet nje lopë.

Në fund meleku shkon tek i treti dhe e pyet edhe atë si dy të parët. I treti thotë: “Dua të më kthejë Zoti lëkurën siç e kanë njerëzit e tjerë”. Atij i plotësohet dëshira dhe i jepet një dele.

Kaluan vite. pasuria e të treve u shtua aq shumë, sa nuk numërohej. Vitet kalonin dhe ata e harruan veten e tyre, por Allahu (xh.sh) nuk i harroi ata.

 

Vite më vonë Zoti dërgon të njëjtin melek, jo në pamjen e melekut, por në pamjen e një njeriu të vuajtur, një plaku të vjetër që mezi mbahej mbi një shkop.

Ky melek me pamjen e plakut shkon tek i pari (që kishte qenë i verbër) dhe i thotë: “Për atë Zot që të ka dhënë këtë shikim kaq të bukur dhe këtë pasuri që nuk ka fund, më ndihmo se kam mbetur në mes të rrugës. Më jep diçka nga kjo pasuri. Ai ia kthen: “Këtë pasuri e kam fituar me djersën e ballit. Nuk kam kohë të merrem me ty”. Plaku largohet.

 

Shkon tek i dyti (që kishte qenë qeros) dhe i thotë: “Për këto flokë kaq të bukura dhe për këtë pasuri që s`paska fund, më ndihmo, se kam mbatur më mes të rrugës”. Merr të njëjtën përgjigje nga ky person, i cili ashtu si i pari e kish harruar veten dhe gjendjen e tij të mëparshme. Largohet edhe prej tij.

 

Pastaj meleku ne formën e plakut shkon tek i treti (që kishte qenë lebroz) dhe i thotë: “Për këtë lëkurë kaq të hijshme dhe për këtë pasuri që s`paska fund, me ndihmo me diçka”.

I treti nuk e kishte harruar veten e tij. Ai i thotë: “A më pyete në emër të Zotit, që ma ka kthyer lëkurën dhe më ka dhënë këtë pasuri? Pasha Zotin edhe po i more të gjitha, nuk mërzitem aspak, sepse një ditë prej ditësh kam qenë më keq se ti. Zoti më ktheu lëkurën e mirë dhe më dha gjithë këtë pasuri. Merr çfarë të duash”.

 

Meleku ia kthen: “Të lumtë. Zoti ta shtoftë pasurinë dhe bukurinë. Unë nuk kam nevojë as për pasuri dhe as për gjë tjetër. Unë jam ai meleku që të erdha para disa kohësh. Kam qenë edhe tek dy shokët e tu. Ata të dy nuk i njohën të mirat e Zotit. Ti e fitove pasurinë, vlerën dhe pozitën tek Allahu (xh.sh)”.

 

Kjo histori tregon se kjo është jeta e njerëzve. Dikush e nis jetën i varfër dhe pastaj pasurohet aq shumë sa harron që njëherë ka qenë i varfër. Por jeta e njeriut rrotullohet. Zoti ia jep pasurinë kujt të dojë. Ai sprovon me pasuri dhe me varfëri.

 

Nuk është e lehtë të japësh pasurinë tënde, sepse qysh në krijimin e njeriut, Zoti vendosi në zemrën e tij një dëshirë që nuk e mund dot. Ajo është dëshira për pasuri. Prandaj kur dikush jep nga pasuria e tij, i duket sikur po jep diçka nga shpirti i tij. Por Allahu (xh.sh) do që t`i dallojë besimtarët, të mos i bëjë si njerëzit e tjerë. Do që ata të jenë pronarë të pasurisë së tyre dhe jo pasuria pronar i njerëzve. Allahu (xh.sh) do që njerëzit të jenë robër të Tij dhe jo robër të pasurisë.

Prandaj Allahu (xh.sh) i thotë profetit Muhamed (a.s) në Kuranin famëlartë: “Merr diçka nga pasuria e tyre me qëllim që ti pastrosh e ti lartësosh ata”. Kjo, jo se Zoti ka nevojë për pasurinë e njerëzve, por kur iu merr diçka nga pasuria, iu zbuten zemrat, iu pastrohet edhe pasuria.

 

Profeti (a.s) i rriti dhe i edukoi shokët  e tij, të pasurit dhe të varfërit, që të jepnin në rrugë të Zotit, ta ndjenin veten bujarë e bamirës. Habia më e madhe nuk ishte me pasanikët por ishte me të varfrit. Tregohet për shokët e tij se kur dëgjonin për vlerën e dhënies në rrugë të Zotit, dilnin e punonin, mbanin dru mbi shpinë, vetëm e vetëm që me çmimin e këtyre druve të kishin mundësi të jepnin sadaka.

 

Profeti (a.s) i mësoi këta njerëz, që ta shijonin bujarinë edhe pse ishin të varfër, ta shijonin bamirësinë edhe pse nuk kishin gjë në dorë. Kjo bamirësi, kjo sadaka e ka sjellë Islamin deri në ditët tona. A e dini se pjesa më e madhe e xhamive, që janë ndërtuar sot në shpinën e tokës, janë nga bamirësitë e muslimanëve?! A e dini se pjesa më e madhe e jetimëve, marrin ndihma nga bamirësia e muslimanëve? A e dini se Kuranet që përkthehen, që botohen e shpërndahen në të katër anët e botës janë me shpenzimet dhe sadakatë e muslimanëve?! Të gjitha këto gjëra janë bërë, i njohim apo nuk i njohim ne njerëzit që kanë dhënë, kemi shpenzuar ne apo dikush tjetër. Kështu ka ardhur islami.

 

E dini si ka lindur vakëfi? Vakfi ka lindur nga dashuria për të dhënë në rrugë të Zotit dhe këtë e kanë vetëm muslimanët. Madje doja t`ju kujtoja se shkolla më e madhe islame sot në botë, Ez-heri Sherif me moshë me tepër se 1000 vjeçare në Egjipt, është vakëf, është pasuria e dikujt që e ka dhënë për Zotin. Atij personi nuk ia ka marrë asnjëherë mendja, se ky vend do të bëhet shkollë, nga e cila kanë dalë me miliona dijetarë. E shikoni pra çdo të thotë të japësh në emër të Zotit?! Ta dini se Zoti nuk e humb mundin dhe pasurinë tuaj, qoftë ajo e madhe apo e vogël.

 

Pse po i them gjithë këto fjalë!

Vëllezër ne jemi në muajin e Ramazanit, muaj në të cilin mbi gjithçka dallon bamirësia dhe bujaria. Profeti Muhamed (a.s) thoshte: “Kush i jep të hajë iftar një agjëruesi, ai ka për ta marrë shpërblimin e agjëruesit për atë ditë, pa iu pakësuar agjëruesit asgjë nga shpërblimi i tij”. Ata që ishin të varfër ngriheshin dhe pyesnin: “O profet i Zotit. Po ne që s`kemi, si t`ia bëjmë vallë”? Profeti (a.s) iu përgjigjej: “Ta japësh një gjysmë hurme, i ke dhënë iftar agjëruesit, ti japësh ujë, i ke dhënë iftar agjëruesit”. Pra nuk është kush të kesh shumë, por kusht është ta duash bamirësinë dhe bujarinë.

 

Pse zekati preferohet të jepet në Ramazan? Sepse Ramazani është muaji i bujarisë. Pse jepet sadakatul – fitri pasi mbarojmë agjërimin? Në mënyrë që ta shijojmë bamirësinë. Madje më e madhe është, se edhe fukarenjtë duhet të japin sadakanë e fitrit. Ta ndjejnë edhe ata veten pasanikë, qoftë edhe një herë në vit. Nuk ka gjë të më keqe, se kur e ndjen veten fukara në zemrën tënde. Zoti i gjithësisë do që ta thyejë këtë koncept. Ndjeje veten bujar. Jep në rrugë të Zotit dhe do ta shohësh se pasuria jote do të shtohet. Vetë fjala zekat do të thotë pastrim, begati. Ndjenja e urisë të bën të jesh bujar, të jesh bamirësë, ta dish se çfarë heqin njerëzit e tjerë.

 

Le të japim sa të kemi mundësi, kush më shumë e kush më pak. Shikoni njerëzit që kanë nevojë e ata janë shumë. Rëndësi ka që të kesh dëshirën për të dhënë sadaka. Mos u merakos se ku do ta japësh, sepse ka shumë nevojtarë. Ta dish se Allahu (xh.sh) ka për ta begatuar pasurinë tënde dhe ajo nuk humbet, por vetëm shtohet.

 

I  lutem Zotit të na ruajë nga kopracia, sepse ajo është prej shejtanit. E lus Allahun (xh.sh) të na dhurojë pasuri në zemrat tona e në duart tona, t`iu japë muslimanëve pasuri hallall, t`ua begatojë atë dhe t`i bëjë të mundshëm ta shpenzojnë atë pasuri aty ku do Allahu (xh.sh).

 

Zoti tregon në Kuranin famëlartë për një burrë shumë të pasur, aq të pasur saqë çelësat e pasurisë së tij, nuk i mbanin dot një grup burrash. Vetëm çelësat nuk mbaheshin dot. Imagjino pasurinë e këtij njeriu. Ky njeri ishte Karuni.

Kur arriti kulmin e pasurisë së tij, Allahu (xh.sh) i thotë: “Me pasurinë që të kam dhënë, mundohu të blesh ahiretin, të blesh një vend në xhenet. Mos e harro hakun që të takon. Fito sa të duash në këtë jetë, por ji bamirës, siç ishte edhe Allahu (xh.sh) bamirës me ty”.

Po çfarë ishte përgjigja e Karunit! Jo ndaj njerëzve, por ndaj Zotit! Ai tha: “Këtë pasuri e kam fituar me djersën e ballit, me diturinë time”. Atëherë ne kulmin e jetës së tij, ne kulmin e pasurisë së tij, kur fukarenjtë thoshin me zemër: “Ah të kishim edhe ne vetëm pak prej pasurisë së Karunit. Shiko si i rrinë shërbëtorët para dhe mbrapa”, pikërisht në këtë moment, Zoti i gjithësisë e fundos në tokë Karunin bashkë me pasurinë e tij.

Ku është sot Karuni? Kush do t`ia dinte emrin, po të mos e permendte Kurani? Çfarë vlere ka ky njeri. Iku pasuria e tij, ikën dhe shërbëtorët e tij, iku çdo gjë që kishte. U harrua.

 

Shikoni një shembull tjetër!

Ishte një njeri shumë pasanik, por ai ishte shumë bujar, nuk e harronte Zotin. Ky njeri ishte Ibrahimi (a.s). Ai ishte aq bujar, saqë nuk hante asnjëherë pa marrë ndonjë mik që të hantë bashkë me të. Zoti I gjithësisë ia shtoi pasurinë kurse ai shtonte bujarinë. Thuhet se Ibrahimi (a.s) i tha Zotit: “O Zot ma pakëso pasurinë se kam frikë se do ta kem llogarinë e madhe dhe nuk do të di t`i përgjigjem”.

Allahu (xh.sh) ia ktheu: “O Ibrahim. Pakësoje ti bujarinë, ta pakësoj Unë pasurinë tënde”. Ibrahimi (a.s) nuk e pakësonte bujarinë, prandaj Zoti ia shtonte pasurinë.

 

Ku është Ibrahimi (a.s) tani? Ai është quajtur Babai i profetëve. Fëmijët e tij, nipërit, stërnipërit, janë profetë deri tek Muhamedi (a.s). Emri i Ibrahimit (a.s) nuk harrohet kurrë, sepse ishte bujar.

 

Desha të përgëzoj të gjithë muslimanët tanë. Tek ne ka ndryshuar  shumë puna. Dikur mendonim se islami ishte feja e arabëve apo e turqve dhe ata duhet të paguanin për çdo gjë. Dikur kur ndërtohej një xhami në fshat, por nuk kishte tapet, njerëzit thoshin: “Nuk falemi pa ardhur tapeti”.

Sot është ndryshe. Unë e shikoj se njerëzit japin nga pasuria e tyre dhe nuk kanë rëndësi shifrat. Nëse do ta shtojnë sadakanë, Allahu (xh.sh) do t`ua shtojë edhe më tepër pasurinë e tyre, sepse llogarinë dhe shpërblimin e kanë vetëm me Zotin dhe askush nuk shpërblen më mirë se Allahu (xh.sh), që ka në dorë pasuritë e qiejve dhe të tokës. Kur ta japësh sadakanë dhe e ndjen se po e mund kopracinë, do ta shohësh se Allahu (xh.sh) do ta shtojë pasurinë tënde.

 

Kjo jetë do të kalojë. Të gjithë po shpenzojnë. A e dini se ka njerëz që shpenzojnë me miliona dollarë për të blerë një portret që nuk ka kuptim?! Ata shpenzojnë edhe ti shpenzon. Po ku është kënaqësia e këtyre njerzve dhe ku është është kënaqësia jote, kur jep pasuri për hir të Allahut (xh.sh), pasuri të cilën nuk e humb Zoti as në dynja e as në ahiret.

 

Islami e ka zgjeruar rrethin e bamirësisë jo thjesht me pasuri. Një fjalë e mirë, një buzëqeshje, një ndihmë fizike, një dua` (lutje) për vëllain tënd, gjithçka që jep është bamirësi.

 

E lusim Zotin t`i begatojë muslimanët në pasuritë e tyre, në familjet e tyre, në dijen e tyre. Lus Allahun (xh.sh) që kjo pasuri të jetë për të mirën tonë si në këtë jetë ashtu edhe në jetën tjetër. Lusim Zotin t`i pastrojë zemrat tona nga hipokrizia, gjuhët tona nga gënjeshtra dhe sytë tanë nga mashtrimi. Zoti na udhëzftë dhe na bëftë shkak që edhe të tjerët të udhzohen në këtë fe madhështore, sidomos tani në Ramazan. E lusim Allahun (xh.sh) ta forcojë Islamin në zemrat tona, në shtëpitë tona dhe tek të gjithë muslimanët në mbarë botën.             

 

AMIN

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free