Ibrahimi dhe poligamia
Hyrje
Nuk gjen burrë apo grua në këtë botë që t'a lëvdojë dhe të mburret për poligaminë. Ajo është e idhët siç është i tillë dhe ilaçi dhe vetëm kushtet dhe rrethanat e bëjnë të pranueshme atë. Në sa vijon, do të përpiqemi të sqarojmë këndvështrimin islam mbi këtë çështje, duke cekur llojet e poligamisë, çështjet që duhen pasur kujdes në një rast të tillë, argumentet e kritikëve dhe përgjigjet. E gjithë kjo, pasi të jemi prezantuar me historinë e Ibrahimit a.s dhe martesën e tij me Saran dhe Haxheren.
Poligamia në jetën e Ibrahimit a.s
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"
"Ai tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë. “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!" (Saffat, 99-101)
Thotë Ibnu Kethiri:"Ibrahimi a.s u kthye nga Egjypti për në Jejemun, në tokën e bekuar ku banonte më parë. Me vete ai kishte shumë skllevër, bagëti dhe pasuri. Bashkë me Ibrahimin a.s dhe Sarën, ndodhej edhe skllavja Haxhere, të cilën Faraoni i Egjyptit ia dhuroi Sarës. Më pas, Ibrahimi a.s e luti Zotin që t'i dhurojë një fëmijë të mirë dhe Zoti e përgëzoi me një djalë. Duke parë që vetë nuk lindte, Sara i tha Ibrahimit a.s:"Flij me skllaven time – d.m.th Haxheren – me shpresë që Zoti të të dhurojë një djalë." (Bidaje ve nihaje, e Ibnu Kethirit 1/145)
Llojet e poligamisë përgjatë historisë
1 – Një grua me shumë burra:
Në këtë lloj, disa burra ndanin shtratin martesor me një grua të vetme. Kjo lloj martese gjeti vend në disa krahina të Indisë, ku vëllezërit ndanin të njëjtën grua mes tyre.
2 –Disa burra kishin disa gra.
Në këtë lloj martese, lejohej që një numër i caktuar burash kishin të drejtë të flinin me një grup tjetër grash. Një martesë e tillë ekzistonte tek disa popuj primitivë në Tibet dhe Himalajat e Indisë.
3 – Një burrë i vetëm me disa gra.
Një martesë e tillë njihej para islamit që në kohë të hershme. Ajo ishte e përhapur tek kinezët, indianët, egjyptianët, arabët, persët dhe hebrenjtë. Kjo lloj martese nuk njihte kufinj në numrin e grave që i lejohej të ketë një burrë. (Teori në lidhje me poligaminë, autor Muamed Musfir Zehrani faqe 31-33)
Anketim rreth poligamisë
- Në islam është thelbësore poligamia apo monogamia?
76 % e të martuarve u përgjigjën se monogamia është thelbësorre. Kurse poligamia mund të zbatohet në raste të caktuara.
- A është martesa me të dytën e drejtë legjitime e burrit dhe është i lirë t'a praktikojë kur të dojë?
37 % e burrave të martuar dhe 13 % e grave të martuara u përgjigjën me "Po."
- A e kanë keqpërdorur burrat të drejtën e tyre për t'u martuar me më shumë se një grua?
41 % e burrave të martuar dhe 65 % e grave u përgjigjën me "Po".
- A është e vërtetë se gratë e refuzojnë kategorikisht idenë e të qënit grua e dytë, sido që të jenë shkaqet?
63 % e burrave dhe 71 % e grave u përgjigjën "Po".
- A nuk e refuzon gruaja lidhjen e burrit me një të dytë, nëse e vë në dijeni që më parë dhe i kërkon mendim?
20 % e burrave dhe 62 % e grave u përgjigjën me "Po".
- A ndihet gruaja e parë e tradhëtuar dhe e shpërfillur nëse burri i saj martohet me një të dytë?
62 % e burrave dhe 85 % e grave u përgjigjën me "Po".
- A është e vërtetë se burri e ka të pamundur drejtësinë mes grave të tij, sado të përpiqet?
50 % e burrave dhe 71 % e grave u përgjigjën me "Po". (Revista kuvajtiane Ferha nr 7, Prill, 1997)
Kritikat ndaj poligamisë
1 – I bëhet padrejtësi si gruas së parë ashtu dhe të dytës, pasi të shoqin e ndan me dikë tjetër.
2 – Shkakton urrejtje mes grave, që mund të çojë në divorc.
3 – Popujt e botës e shohin si diçka të papranueshme poligaminë.
4 – Cënon dinjitetin dhe ndjenjat e gruas.
Disa probleme shoqërore dhe zgjidhjet nga një këndvështrim joislam
Problemi i parë: Rritja e numrit të grave dhe rënia e numrit të burrave.
Në Afrikë, mesatarja e burrave dhe grave është një me pesë, në Gadishullin Arabik një me tre, në disa krahina të Kinës një me dhjetë, kurse në Amerikë një me katër.
Zgjidhja joislame e këtij problemi: Një burrë martohet vetëm me një grua, kurse femrat beqare e kalojnë jetën pa iu dhënë rasti të martohen.
Mendimi i Sejid Kutb: Kjo zgjidhje bie ndesh me natyrën e gruas, e cila e ka shumë të vështirë jetën jobashkëshortorre. Statistikat tregojnë se numri i femrave beqare në Britaninë e madhe është shumë i madh dhe se 90 % e tyre kanë aktivitet seksual jashtë martesor.
Një zgjidhje tjetër joislame: Burri martohet vetëm me një grua dhe krijon lidhje jashtëmartesore me femra të tjera.
Mendimi i Sejid Kutb:"Kjo është një zgjidhje në kurriz të dinjitetit të femrës. Një zgjidhje e tillë çdo në shthurrjen dhe degjenerimin e shoqërisë. Statistikat tregojnë se 75 % e burrave në Europë i tradhëtojnë gratë e tyre. (Revista Time, dhjetor 1988)
Zgjidhje tjetër joislame: Të martohet burri me më shumë se një grua (poligamia).
Mendimi i Sejid Kutb:"Kjo është zgjidhja që e pranon islami."
Problemi i dytë: Dallimet mes burrit dhe gruas përsa i përket moshës së menopauzës.
Është e ditur që në moshën pesëdhjetë vjeçare, gruaja kalon në menopauzë dhe nuk lind më. Ndërkohë që burri e ruan këtë aftësi deri pas të shtatëdhjetave.
Zgjidhja joislame: Të ndrydhim ndjenjat e mashkullit dhe t'i kërkojmë t'a shpërfillë këtë periudhë nga jeta e tij.
Mendimi i Sejid Kutb:"Kjo është një zgjidhje që bie ndesh me natyrën e pastër dhe është jashtë mundësive të burrit."
Zgjidhje tjetër joislame: E lëmë burrin të lirë të krijojë lidhje jashtëmartesore, për të plotësuar nevojat e tij."
Mendimi i Sejid Kutb:"Kjo është një zgjidhje që bie ndesh me kërkesat për një shoqëri të pastër, të ndershme dhe morale. Statistikat vërtetojnë përhapjen në masë të tranvestitëve, maniakëve seksualë, orgjive dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Zgjidhje tjetër joislame: T'ia lejojmë burrit të martohet me më shumë se një grua.
Mendimi i Sejid Kutb:"Kjo është zgjidhja që ka zgjedhur islami."
Problemi i tretë: Steriliteti tek disa gra.
Zgjidhja joislame: Të divorcohet me këtë grua dhe të martohet me një tjetër.
Mendimi i Sejid Kutb:"Vetëm 1 % e grave mund t'a pranojnë këtë zgjidhje, pasi divorci e rrënon gruan psikologjikisht.
Zgjidhje tjetër joislame:"Të martohet me një grua tjetër.
Mendimi i Sejid Kutb:"99 % e grave e pranojnë këtë zgjidhje, pasi është më dinjitoze."
Histori domethënëse
Doktor Mustafa Sibaij, kur vizitoi Irlandën në vitin 1956, vajti dhe vizitoi shoqatën "Prindërit jezuitë". Atje u takua me drejtorin e kësaj shoqate të cilin e pyeti:"Përse e sulmoni Islamin dhe Profetin a.s në librat dhe metodat e mësimdhënies?"
Ai u përgjigj:"Ne perëndimorët e kemi të pamundur të respektojmë një burrë që është matuar me nëntë gra!"
Doktor Mustafa Sibaij e pyeti:"Po profetin Daud a.s dhe Sulejman, ai i respektoni?"
Drejtori u përgjigj:"Sigurisht! Ata janë profetë që përmenden në Dhjatën e vjetër."
Doktor Mustafa Sibaij:"Profeti Daud kishte nëntëdhjetë e nëntë gra dhe më pas i bëri njëqind. Kurse profeti Sulejman a.s kishte shtatëqind gra dhe treqind robëresha, më të bukurat e kohës së tij. Përse meritoka respektin tuaj dikush që ka njëmijë gra dhe nuk e meritoka dikush tjetër që ka vetëm nëntë?! Profeti Muhamed a.s u martua me nëntë gra, ku tetë prej tyre ishin të veja dhe disa të moshuara. E vetmja vajzë me të cilën u martua ishte Aisheja." (Gruaja mes fikhut dhe ligjit. Mustafa Rifaij, faqe 96)
Dobitë e poligamisë
1 – Është rruga e nderit dhe pastërtisë morale dhe me anë të saj pakësohet përqindja e beqareve, të divorcuarave dhe grave të veja.
2 – Kontribon në shtimin e racës njerëzore.
3 – Forcon lidhjet shoqërore.
Një udhëheqës i një shteti musliman, e ndaloi me ligj martesën e burrit me më shumë se një grua. Një shtetas i tij, ishte i martuar dhe kishte fëmijë. Gruas së tij i ndodhi një problem dhe u bë e paaftë për të plotësuar nevojat seksuale të burrit. Kështu, i shoqi ishte mes dy zgjidhjeve: Të krijonte lidhje jashtëmartesore, ose të martohej me një të dytë, gjë e cila ishte e ndaluar.
Ai nuk e divorcoi gruan e parë dhe nënën e fëmijëve, por u martua me një tjetër duke vënë kurorë tek një hoxhë. Pasi u martua i gjeti një shtëpi dhe herë banonte tek gruaja e parë dhe herë të tjera tek e dyta. Diçka e tillë u ra në sy organeve kompetente dhe menjëherë e arrestuan dhe filluan hetimet. Kur e pyetën nëse ishte martuar me një të dytë, ai u përgjigj:"Jo."
Hetuesit i thanë:"Po ne të kapëm në flagrancë!"
Burri u tha:"Ashtu është."
Hetuesit:"A ti ia mbulon shpenzimet?"
Burri:"Po."
Hetuesit:"I ke marrë dhe një shtëpi me qera?!"
Burri:"Po."
Hetuesit:"Dhe flen me të?!"
Burri:"Sigurisht."
Hetuesit:"Atëherë nëse ajo nuk qenka gruaja jote siç pretendon, çfarë e ke?!"
Burri:"Ajo është e dashura ime."
Hetuesit:"Nëse është kështu, je i lirë."
E privonin nga martesa dhe i lejonin marrëdhëniet jashtëmartesore! (Libri i Ebu Zehre, faqe 152-153)
Një nga orientalistët (Denih) qëndroi në Algjeri për një kohë të gjatë dhe përjetoi dy epoka të Algjerisë:
Në njërën epokë, poligamia ishte e ligjshme. Kurse në epokën e dytë, poligamia u ndalua me ligj. Në shënimet dhe kronikat e tij, ai përmend tre fenomene të reja që lindën pasi u ndalua poligamia: U shtuan vajzat beqare, u shtuan fëmijët pa prindër dhe sëmundjet të transmetuara seksualisht.
Këto fenomene lindin dhe zhvillohen në çdo shtet që e ka ndaluar poligaminë.
Gjëra që duhen të kihen parasysh në një martesë poligamike
1 – Islami e ka kufizuar martesën poligamike duke i dhënë të drejtën burrit të martohet me jo më shumë se katër gra.
2 – Islami nuk obligon askënd të martohet me më shumë se një grua, ashtu siç nuk ia mohon këtë të drejtë askujt.
3 – Një martesë poligamike, duhet të plotësojë kriterin e drejtësisë dhe barazisë mes grave, si dhe aftësitë ekonomike dhe fizike.
4 – Është e drejtë e gruas së parë, që gjatë kurorëzimit të martesës t'i kushtëzojë burrit të mos martohet me një të dytë.
5 – Martesa poligamike, është e ndaluar (haram) nëse burri synon që me këtë të dëmtojë gruan e parë.
6 – Nëse gruaja e parë nuk është dakort që i shoqi i saj të martohet me një të dytë, Islami i jep të drejtën të kërkojë divorcin.
Përfundim
Edhe pse Sheriati islam e lejon poligaminë, duhet ditur se martesa me një grua të dytë... dëmton gruan e parë, nëse bëhet pa pëlqimin e saj. Kjo, edhe nëse gruaja e parë nuk ia ka kushtëzuar të shoqit, që para martese, që të mos martohet me një të dytë. Gruaja e parë dëmtohet edhe në rast se i shoqi është martuar me një të dytë dhe e kam mbajtur të fshehtë. Në një rast të tillë, gruas së parë i lejohet të kërkojë divorcin në gjykatë.
Gjithashtu, shija e idhët që lënë disa nëpërmjet praktikave të gabuara në martesa poligamike dhe padrejtësitë që i bëhen gruas së parë, nuk ka përse të bëhen shkak për të sulmuar këtë të drejtë të përligjur nga Sheriati islam. Ajo që mund të bëjmë, është ndërgjegjësimi i dy bashkëshortëve mbi të drejtat dhe detyrat ndaj secilit, si në një martesë monogamike, ashtu edhe në një poligamike. Vetëm në këtë mënyrë mund të mënjanojmë efektet anësore që shoqërojnë një martesëtë tillë.