Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ndergjegja dhe Besimi

Shumë njerëz pyesin me të drejtë: “Ç`po ndodh me moralet, të cilat po rrënohen e po shkatërrohen përditë? Pse korrupsioni po përhapet me kaq shpejtësi? Pse po vjedhin njerëzit, madje ata që janë me kostum e kollare, që janë më të shkolluar se të tjerët, më të edukuarit? Pse nuk ka më besë e amanet, pse nuk ka më burrëri, pse nuk qetësohesh tek fjala e tjetrit, por gjithmonë rri me frikë se mund të ta hedhë tjetri?”
Ajo që po ndodh është, se po shkatërrohet njeriu. Dikush thotë: “Njeriu po ha aq sa s`po i nxë më barku, pra si u prishka njeriu?!” Njeriut nuk i prishet vetëm fiziku, por ajo që po ndodh sot është, se njeriut po i prishet e brendshmja e tij, po i prishet ndërgjegjja. Nëse prishet ndërgjegjja e njeriut, dije se është prishur vetë njeriu dhe jo vetëm një person, por gjithë shoqëria. Në momentin kur ndërgjegjja fillon e ndotet, hapi derën së keqes. Prandaj do të flasim këtu për ndërgjegjen, për amanetin më të madh që Zoti i ka dhënë njeriut, që është xhevahir në shpirtin e çdo njeriu.
Ndërgjegjja është dhuratë nga Allahu (xh.sh). Ajo është matësja e besimit, ajo lufton me njeriun dhe i thotë: “Kujdes se kjo është e gabuar”, ajo të mban gjithmonë në tension. Ndërgjegjja është aparatura, që jep alarmin, kur bie morali i njeriut.
Ndërgjegjja është si puna e gjilpërës së busullës, e cila gjithmonë merr drejtimin e veriut, ajo është si fjala e prindit, që gjithmonë e këshillon fëmijën e tij. Ndërgjegjja është si puna e mësuesit, që këshillon nxënësin e tij. Kjo është ndërgjegjja, prandaj edhe Zoti e merr në llogari robin e Tij, atëherë kur punon ndërgjegjja e njeriut dhe ajo fillon në një kohë të caktuar.
Fëmija nuk ka ndërgjegje, por kur njeriu arrin një moshë të caktuar, fillon e kupton të bardhën dhe të zezën e gjërave, të drejtën dhe të gabuarën. Tamam në këtë moment fillon llogaria tek Allahu (xh.sh), këtu fillon dhe bëhesh njeri tek Zoti i gjithësisë. Imagjino një fëmijë, i cili në momentet që fillon dhe i punon ndërgjegjja, i ka mësuar të gjithë të këqijat. Ç`pritet nga e ardhmja e këtij fëmije?! Ai do t`i verë në zbatim ato që ka mësuar, prandaj le t`ua mësojmë fëmijëve tanë të mirën sa janë të vegjël, se kur të rriten do të jetë e vështirë të ndryshojnë.
Njeriu është i habitshëm. Zoti i ka dhënë atij një zemër që rreh pa pushim  dhe pa e pyetur vetë njeriun, se po pushoi ajo, njeriu vdes. Zoti i ka dhënë njeriut mushkërinë, filtrin më të madh që mund të ekzistojë në tokë, që të pastrojë ajrin brenda trupit të njeriut, në mënyrë që njeriu të mos helmatiset. Zoti i ka dhënë njeriut mëlçinë, e cila punon çdo moment dhe e pastron gjakun e njeriut. Zoti i ka dhënë njeriut një lëkurë, që ripërtërihet vetvetiu. Gjithashtu Zoti i ka dhënë njeriut me miliona proteina, që krijohen në çdo sekondë në trupin e njeriut dhe e gjithë kjo vetëm që të mbajë njeriun gjallë. Allahu ia ka dhënë njeriut të gjitha këto organe, të cilat punojnë pa i kurdisur njeri, sepse ato punojnë me lejen e Allahut. Por Allahu të ka lajmëruar për diçka, që duhet ta ruash e ajo është ndërgjegjja jote. Kujdesu për të, që të mos bëhet pis, që të mos njolloset, që të mos shkojë drejt vdekjes. Nëse ndërgjegjja është e shëndetshme dhe e fortë, ti do të ndjesh gjithmonë lumturi.
Kur e pyetën profetin (a.s), se ç`është puna e mirë dhe ç`është puna e keqe, ai (a.s) tha: “Puna e mirë është ajo, me të cilën nefsi ndjehet rehat dhe shpirti është i qetë. Puna e keqe është ajo, me të cilën nefsi nuk ndihet rehat dhe shpirti nuk është i qetë”.
Ç`probleme ndodhin kur prishet ndërgjegjja?! Për Zotin është rreziku më i madh që mund të ekzistojë. Aty ku prishet ndërgjegjja, aty fillon padrejtësia, aty fillon mashtrimi. Njeriu do të zgjidhë një problem tek gjykata, por nuk ndihet i qetë, sepse drejtësia nuk ndodhet në tekstin e ligjit, por në ndërgjegjen e gjykatësit, prandaj njerëzit sot nuk kanë besim tek shteti e tek drejtësia edhe pse dikush mund të jetë veshur me rrobën e drejtësisë. Ndërsa gjykatësi i drejtë dhe i ndërgjegjshëm mundohet të vendosë drejtësinë, edhe pse ligji mund të jetë i keq.
Kur prishet ndërgjegjja, shkatërrohet familja. Burri nuk ka më turp të merret me marrëdhënie të jashtëligjshme dhe të harrojë familjen, gruan dhe fëmijët e tij. Nga ana tjetër edhe gruaja nuk ka turp dhe mundohet ta zbukurojë trupin e saj jo për burrin e saj, por për njerëzit e tjerë. Këtu fillon problemi. Kur prishet ndërgjegjja e bashkëshortëve, nuk ka qetësi familjare. Gjithmonë ka dyshime, ka fanatizëm, secili akuzon tjetrin dhe kështu fillon shkatërrimi i familjes.
Kur prishet ndërgjegjja, njeriu bie më poshtë se kafshët. Kjo krijesë kaq e nderuar bie poshtë kafshëve dhe kafshët janë të nderuara në krahasim me njeriun, që nuk ka ndërgjegje të pastër. Për çdo ditë po ndodhin mëkate dhe fenomene, prej të cilave habiten njerëzit e tjerë. Mëkati më i madh, të cilin e ka përmendur Kurani, ka qenë mëkati i popullit të Lutit (a.s). Ai ishte popull homoseksual, ku kryheshin marrëdhënie burrë me burrë. Për këtë mëkat Zoti shkatërroi komplet një vend dhe e përmbysi atë. Po sot ç`ndodh vallë?! Sot kjo nuk përbën aspak problem për njerëzit, madje quhet modernizëm dhe tolerancë. Sot po ndodhin gjynahe dhe njeriu vetë nuk e di sesi ndodhin ato. Jam habitur kur dëgjova sesi 7000 burra dhe gra kishin hyrë në një konkurs për të pozuar nudo, siç i ka lindur nëna e tyre, vetëm për faktin se do të fotografoheshin nga fotografi më i njohur i botës. 7000 persona u futën në këtë garë, por vetëm 1200 vetë fitojnë. Çdokush që i shikon, i thotë vetes së tij: “A janë njerëz këta apo çfarë janë”? Vallahi janë njerëz dhe nuk është puna se nuk kanë se çfarë të veshin, pasi garderobat e tyre po çahen nga volumi i madh i rrobave, por janë të zhveshur nga turpi dhe nga ndërgjegjja. Ata janë shumë të arsimuar. Ka mes tyre intelektualë, mjekë, inxhinierë e avokatë, por çështja nuk ka të bëjë me arsimimin, por me moralin dhe ndërgjegjen e tyre. Atëherë a nuk e kanë ulur veten këta njerëz më poshtë se kafshët?! Kafsha ka turp ta bëjë diçka të tillë, sepse Zoti i ka dhënë instinktin për ta mbrojtur veten e saj, madje të gjitha kafshët kanë një bisht, me të cilin mbulojnë vendet e tyre të turpshme. Ndërsa kur njeriu, kjo krijesë kaq e bukur bie në këtë pikë, ky është tregues se është prishur ndërgjegjja dhe njeriu verbohet. Kur ti verbohesh, atëherë nuk je ti që e kontrollon veten, por dije se po të drejton shejtani i mallkuar, tamam si kalaja pa ushtarë në të cilën hyn e del dhe askush nuk të thotë se ku po shkon. Ky është njeriu me ndërgjegje të prishur.
Kur prishet ndërgjegjja, nuk ka më besim e siguri. Del nga shtëpia dhe rri e mendon se mos vjen dikush e të vjedh shtëpinë, ikën nga puna e të shkon mendja se mos ta vjedh dikush dyqanin, hyn në autobus dhe i mban duart në xhepa, nga frika se mos të vjedhin portofolin. Njeriu nuk ndihet i qetë, në një kohë që qetësia është baza e gjërave. Nëse nuk ka qetësi, njeriun nuk e zë gjumi natën, nuk i hahet bukë e nuk i pihet ujë. Prandaj si dënim për ata që kanë vendosur ta shkelin me këmbë ndërgjegjen, Zoti ua merr qetësinë dhe ata asnjëherë nuk ndihen rehat.
Nëse sot ka sëmundje që kanosin njerëzimin, më e madhja prej tyre është shkatërrimi i ndërgjegjes. Prandaj besimtari le ta ketë frikë Zotin në ndërgjegjen e tij dhe le të kontribuojmë për të ndërgjegjësuar të tjerët, sepse kur vjen e keqja, i përfshin të gjithë me radhë.
Po çfarë mund ta rregullojë ndërgjegjen e njerëzve, e cila qenka baza e zhvillimit?! Atë mund ta rregullojë vetëm besimi tek Zoti i gjithësisë. Besimi është si gjeneratori, që i jep dritë ndërgjegjes dhe ku ka ndërgjegjshmëri, aty jeta është më e ëmbël, më e bukur, më e qetë. Si mund të mos ketë ndërgjegje të pastër ai njeri, që ka frikë Allahun (xh.sh). Ai e di se në çdo moment është nën mbikëqyrjen e Zotit të gjithësisë edhe sikur të jetë i vetëm në mes të natës. Ky njeri është nën kontrollin e Zotit kudo që të jetë. Ai njeri që beson se një ditë do të japë llogari për çdo punë, ai nuk mund ta prishë kurrë ndërgjegjen e tij. Prandaj Umer Ibn Hattabi (r.a) thoshte: “Pasha Zotin, sikur të mos ishte dita e Fundit, do të shikonit një Umer tjetër nga ky që shihni sot”. Një person ishte 60 vjeç dhe ai po llogariste veten e tij duke thënë: “60 vite janë më shumë se 21.600 ditë. Imagjino sikur të kem bërë vetëm një gabim për çdo ditë. Do shkoj tek Zoti me 21.600 gabime. Ndërsa unë bëj me dhjetëra e me qindra gabime në ditë. Atëherë si do të dal përpara Allahut (xh.sh)”? Ky është besimi në ditën e Fundit, prandaj besimtari e kontrollon veten dhe ndërgjegjen e tij.
Nuk ka më mirë sesa kur ndërgjegjja fillon të funksionojë. Njeriu e fal namazin pa dajak. Kush i sjell myslimanët në xhami? A mos vallë kërcënimi i ndonjë njeriu?! Myslimanët i sjell në xhami vetëm ndërgjegjësimi për detyrimet që kanë ndaj Zotit dhe frika ndaj Tij. Çfarë e shtyn besimtarin të japë zekatin fshehurazi? Dijeni se është shumë e rëndë për njeriun ta bëjë një punë të  mirë e të mos e marrin vesh të tjerët. Ndërsa besimtari mundohet ta fshehë zekatin e tij, sepse është ndërgjegjja e tij e fuqishme që e shtyn ta bëjë atë veprim. Vetëm ndërgjegjja e pastër është ajo, që e shtyn njeriun të bëjë punë të mira, ajo që i jep njeriut jetë.
Thonë se në vitin e urisë, kur njerëzit nuk kishin bukë për të ngrënë, Umeri (r.a) hante vetëm bukë me vaj, saqë lëkura iu nxi. Njerëzit i thanë: “Kij mëshirë për veten tënde o prijësi i besimtarëve, ndërroje ushqimin”. Ndërsa ai tha: “E si të mos kem frikë Allahun (xh.sh), si mund ta ndryshoj ushqimin, kur popullim im ha më keq se unë?”
Kur Aliu (r.a) ishte hafife, i humbi mburoja dhe akuzon një të krishterë që ia kishte marrë atë. Aliu (r.a) shkon tek gjykatësi, të cilin e kishte vendosur vetë në atë post dhe i ankohet se i krishteri i kishte vjedhur mburojën. Mirëpo i krishteri tha, se mburojën nuk e kishte vjedhur, pasi ishte mburoja e tij. Atëherë gjykatësi i thotë imam Aliut (r.a): “A ke argument për këtë që thua”? Aliu (r.a) tha: “Jo vallahi nuk kam argument”. Kështu që mburoja i mbetet të krishterit, i cili largohet me kokën ulur, por pas pak kthehet dhe thotë: “Vallahi këto nuk janë ligjet e njerëzve, por janë ligjet e Zotit. Mburoja është e imam Aliut. Unë ia mora kur i ra përtokë, ndërsa po shkonte në luftë. Unë sot e pranoj fenë islame”. Atëherë Aliu (r.a) i tha: “Mbaje pra se ta kam falur mburojën”.
Umer Ibn Abdulazizi ishte pasanik i madh, por gjithë pasurinë e tij dhe të bashkëshortes së tij ia ktheu myslimanëve. Thonë se ky njeri që dikur nuk i matej pasuria, rrinte me një rrobë, madje shpeshherë nuk dilte nga shtëpia duke pritur që t`i thahej rroba e tij e vetme, që pastaj ta vishte. Madje puna arrinte deri aty, saqë kur dikush i vinte për të zgjidhur ndonjë hall, ai i thoshte: “A ke ardhur për hallin tënd e të ndez qiriun tim, apo ke ardhur për ndonjë punë shteti e të ndez qiriun e shtetit”. Aq shumë punoi ky njeri për fenë e Zotit, saqë dikush i tha: “Zoti ta shpërbleftë për atë që ke bërë për Islamin”. Por ai ua ktheu: “Mos thuaj kështu, pot thuaj: “Zoti ia shpërbleftë Islamit, se çfarë ka bërë për mua”.
Këta njerëz kishin besim tek Zoti dhe e pastruan veten e tyre. Ata kishin ndërgjegje shumë të fortë.
Një figurë shumë e shquar, Volteri, u thoshte njerëzve: “Ju që nuk besoni tek Zoti, po bëni një krim. A e dini se po e mësoni gruan time të më tradhtojë mua e po mësoni shërbëtorin tim të më mashtrojë. Po të mos kishte Zot, mua do të më tradhtonte gruaja e do të më mashtronte shërbëtori. Por shyqyr ka Zot, ka edhe fe, prandaj ka frikë gruaja ime, ka frikë shërbëtori im, kam frikë edhe unë”.
Ata njerëz që urrejnë fenë e Zotit, ata prindër që nuk duan që fëmija i tyre të mësojë fenë, le ta dinë se i bëjnë gropën vetes së tyre, sepse do të vijë koha kur do ta ndjejnë shijen e hidhur të veprës së tyre, pasi vetëm besimi tek Allahu (xh.sh) e mban njeriun në këtë jetë.
Fëmija është gjëja më e madhe që ka njeriu, i pasur apo i varfër, i mirë apo i keq qoftë ai njeri. Ai njeri nuk do, që femja i tij të jetë i keq. Prindi mundohet ta edukojë fëmijën e tij. Dikush e edukon me dhunë, por historia dhe jeta kanë treguar, se fëmija nuk edukohet me dhunë, pasi do të vijë një kohë që nuk do ta ketë afër prindin e tij për ta edukuar. Dikush mendon se për një edukim të mirë, fëmija duhet të lihet i lirë të bëjë çfarë të dojë, por edhe këta prindër e kanë provuar se ç`po heqin me fëmijët e tyre. Atëherë çfarë e rregullon fëmijën, që edhe prindi të jetë i lumtur me atë fëmijë?! Të gjithë prindërit duhet të edukojnë ndërgjegjen e fëmijës, t`i mësojnë të jenë të ndërgjegjshëm se diçka e caktuar është gabim dhe nuk duhet bërë. Nuk duhet t`i themi fëmijës: “Mos e bëj këtë, se nuk i pëlqen babit apo mamit”, sepse kur të mos i ketë prindërit, ai do t`i bëjë ato veprime që nuk duhen bërë. Mos i thuaj kurrë fëmijës tënd: “Mos e bëj këtë, se nuk i pëlqen shoqërisë”, sepse do të vijë një kohë që do të ndryshojë shoqëria, por edukojë fëmijën tënd duke i thënë: “Bëje këtë, se e pëlqen Allahu dhe mos e bëj këtë tjetrën se nuk e pëlqen Allahu”. Nëse e edukojmë fëmijën me këtë ndërgjegje, duke e ushqyer me besimin tek Allahu (xh.sh), hidhe ku të duash këtë fëmijë dhe dije se ai nuk humbet kurrë, pasi Zoti e shikon atë në çdo vend. Kur njeriu njeh Zotin, ai e kontrollon veten e tij, ndërgjegjen e tij.
Tregohet se kur Umeri (r.a), u bë halifja (prijësi) i myslimanëve, dilte natën të shikonte se ç`bëjnë njerëzit. Një natë ai dëgjon një zë nëne, që i fliste fëmijës së saj duke i thënë: “Shtoji ujë qumështit, që të shesim më shumë nesër”. Vajza e saj i thotë: “O nënë çfarë po bën kështu, kjo nuk është punë e mirë”. Nëna i thotë: “A mos ke frikë Umerin. Ai nuk na shikon tani, ai është në gjumë”. Mirëpo fëmija i thotë: “O nënë Zoti i Umerit dhe Zoti ynë nuk fle kurrë. Nëse Umeri nuk na sheh, dije se na sheh Zoti, prandaj mos e bëj këtë punë”. Kur Umeri (r.a) e dëgjoi këtë, tha: “Falenderoj Zotin që ka bërë nga umeti i profetit (a.s) fëmijë, që e kanë frikë Zotin”. Ata fëmijë që edukohen me frikën ndaj Zotit, ata do të bëjnë përpara, ata do ta nxjerrin shoqërinë nga errësira në dritë.
U lus Zotin e gjithësisë me mëshirën e Tij të pafund, t`i mëshirojë fëmijët tanë, t`i forcojë zemrat tona të dobëta. O Zot, na e trego rrugën e drejtë ashtu siç është ajo e na jep forcë ta ndjekim atë, na e trego rrugën e keqe ashtu siç është ajo e na jep forcë të largohemi prej saj. O Zot mos na lër në dorë të vetes tonë as sa hap e mbyll sytë. Zoti i pastroftë zemrat tona dhe ndërgjegjet tona. Zoti na mundësoftë ta jetojmë jetën si myslimanë, ta japim shpirtin si besimtarë e të na ringjallë bashkë me profetin (a.s).
A M I N

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free