Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Të mendosh keq në kohët tona

Një i urtë, dikur ka thënë:”Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri për më shumë dritë!”
Një ndër format e ekstremizmit është edhe mendimi keq për të tjerët, kur i sheh vetëm me optikën e zezë, duke ua mbuluar vlerat dhe vulgarizuar të metat. Origjina dhe zanafilla e ekstremizmit është akuza, e cila lind nga fajësimi. Të gjithë ligjet dhe kodet penale, pohojnë se i akuzuari është i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij.

Zakonisht ekstremistët shpejtojnë për të menduar keq dhe për të adresuar akuza pa shkakun më të vogël. Ata nuk lodhen ta justifikojnë tjetrin, përkundrazi menjëherë ia publikojnë pa hezitim të metat dhe gabimet. Ata i gjen duke hetuar vjedhurazi çdo gjë të vogël apo të madhe, që mandej tu bien daulleve, duke e shndërruar një gabim të vogël në gjynah dhe gjynahun në kufr.

Nëse një frazë apo fjalë është dy kuptimshme, njëra udhëzuese dhe pozitiv ekurse tjetra çorientuese dhe negative, ata menjëherë rendin për ta interpretuar si dashakeqësi dhe marrin vetëm kuptimin negativ. Sakaq, dijetarët dhe hoxhallarët myslimanë, ndër shekuj kanë pohuar se në origjinë, myslimani duhet të konsiderohet si i ndershëm dhe dashamirës. Në rast të kundërt duhet bërë çmos që veprat dhe fjalët e tij të korrigjohen me të butë.

Disa nga figurat e të parëve tanë thoshte:”Unë përpiqem që të gjej deri shtatëdhjetë arsye dhe justifikime për vëllain tim nëse rrëshqet. Nëse nuk gjej asnjë, them:”Patjetër që duhet të ketë një motiv që e shtyri të sillet ashtu, motiv të cilin unë ndoshta nuk mund ta kuptoj.”

Nëse dikush kundërshton mendimin e këtyre ekstremistëve, menjëherë akuzohet si gjynahqar, bidatçi dhe shkelës i traditës profetike. Nëse i kundërshton dhe u thua se mbajtja e bastunit dhe të ngrënit përtokë nuk është traditë profetike, të akuzojnë si armik të traditës profetike dhe se ti nuk e do të dërguarin e Zotit a.s.

Mendimi i tyre i keq për njerëzit, nuk kufizohet vetëm me shtresat e thjeshta dhe të rëndomta. Jo. Ata kanë gjuhë të gjatë edhe me dijetarët, fakihët, ftuesit dhe mendimtarët, të cilët janë pre e gjuhëve të tyre akuzuese.

Nëse një fakih jep një fetva lehtësuese për myslimanët, me qëllim që t’ua lehtësojë gjërat, në sytë e tyre ai shihet si neglizhues me çështjet e fesë.

Nëse një ftues e prezanton islamin sipas shijeve bashkëkohore, duke u folur njerëzve me gjuhën e kohës, ai akuzohet se është thyer shpirtërisht para perëndimit dhe  civilizimit perëndimor.

Akuzat dhe fajësimet nuk janë kufizuar vetëm me të gjallët, pasi kanë përfshirë edhe të vdekurit të cilët e kanë të pamundur tashmë që të mbrojnë veten. Kështu, nuk kanë lënë asnjë personalitet dhe figurë të ndritur, pa i drejtuar gishtin e akuzës, dikë si mason, dikë tjetër si xhehmij dhe dikë si mutezili.

Edhe katër imamët e mëdhenj, përfaqësuesit e shkollave juridike islame, kanë rënë pre e gjuhëve dhe mendimit të tyre të keq.

Në fakt, pre e tyre ka rënë e gjithë historia islame, me gjithë kulturën dhe civilizimin që i ofroi botës dhe njerëzimit. Duke mos u mjaftuar vetëm me të tashmen, shumë prej këtyre e konsiderojnë historinë tonë të lavdishme si histori konfliktesh për pushtet. Madje, disa të tjerë e konsiderojnë si histori injorance dhe kufri.  Disa shkojnë gjer atje saqë pohojnë se i gjithë umeti ka bërë kufr pas shekullit të katër hixhri.

Në kohët e hershme, një nga paraardhësit e këtij lloj malli, iu pat drejtuar njeriut më të ndershëm që ka njohur njerëzimi, të dërguarit të Zotit a.s, duke i bërë thirrje për më shumë drejtësi. Në një çështje, pasi Profeti a.s kishte dhënë gjykimin e tij, ai iu drejtua me fjalët:”Gjyko drejt o Muhamed, pasi me këtë gjykim nuk është synuar kënaqësia e Zotit!”

Pasioni i këtyre njerëzve për të shkatërruar në vend të ndërtimit, prirja dhe gatishmëria për të kritikuar të tjerët dhe mburrur veten, është një stil jete i njohur për ta. Thotë Zoti në Kuran, duke iu drejtuar njerëzve të tillë:”Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj!” (Nexhm, 32)

E meta e tyre më e madhe qëndron në: Mendimin keq për të tjerët, gjë e cila ka depërtuar në thellësinë e botës së tyre të brendshme. Nëse do të reflektonin dhe ti referoheshin Kuranit dhe traditës profetike, do të shihnin se ato kultivojnë mendimin e mirë për robërit e Zotit. Sipas Kuranit dhe sunetit, kushdo që konstaton një të metë, duhet ta mbulojë, me qëllim që edhe Zoti t’ia mbulojë të tijat në këtë botë dhe në tjetrën. Vetëm nëse konstaton një të mirë tek vëllai i tij, duhet ta publikojë. Kurrë një akt i shëmtuar i një myslimani, nuk duhet t’ia mbulojë sytë për ti harruar vlerat dhe të mirat e tij.

Mësimet dhe udhëzimet islame na tërheqin veshin nga dy tipare negative:

E para, mendimi i keq dhe dyshimet për Zotin dhe e dyta, mendimi keq dhe dyshimet për njerëzit. Thotë Zoti në Kuran:”O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (Huxhurat, 12)

I dërguari i Allahut a.s thotë:”Distancohuni nga hamendësimet, pasi ato janë mendimet më të pavërteta.” (Buhari dhe Muslim)

E gjitha kjo, i referohet një të lige shumë të madhe: Pëlqimit të vetes dhe përbuzja e të tjerëve. Prandaj dhe gjynahu i parë dhe më i rëndë në tokë, është konsideruar ai i shejtanit, gjynah i cili bazohet pikërisht tek: Pëlqimi i vetes dhe mendjemadhësia. Shejtani deklaroi para Zotit se:”Unë jam më i mirë se ai...”

Si formë paralajmërimi për këtë ves të lig, na mjafton hadithi i Profetit a.s i cili thotë:”Nëse dëgjoni dikë duke thënë:”Është prishur njerëzimi” ai është më i prishuri.” (Muslim)

“Më i prishuri” në arabisht shprehet me frazën “ehlekehum” e cila  mund të interpretohet si folje dhe në këtë rast, ai person ka kontribuar në prishjen e njerëzimit me mendjemadhësinë, mendimin e keq dhe kultivimin e demoralizimit tek njerëzit. Sakaq, kuptimi i dytë i “ehlekehum” është shkalla sipërore dhe në këtë rast, Profeti a.s tregon se ai person është më i prishuri ndër njerëzit, për shkak se i pëlqen vetja dhe akuzon të tjerët.

Pëlqimi i vetes, konsiderohet si një minë morale të cilën dijetarët e kanë renditur tek gjynahet e zemrave, të paralajmëruara nga Profeti a.s në një hadith ku thotë:”Tre janë shkatërruese: Koprraci e verbër, epshe që u shkohet pas dhe kur njeriut i pëlqen vetja.”

Kjo, edhe pse myslimani nuk duhet ti pëlqejnë punët dhe vetja e tij. Ai është gjithmonë në merak nëse veprat e mira që bën, mund ti përzihen pa e ditur me gjëra të cilat ndikojnë në pranimin e këtyre veprave. Kurani teksa i përshkruan besimtarët që garojnë për vepra të mira, thotë:”kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (Muminun, 60)

Sipas një hadithi të Profetit a.s, ky ajet është shpallur për ata persona të  cilët bëjnë punë të mira dhe janë në merak nëse do u pranohen nga Zoti apo jo.

Ndër urtësitë e Ibnu Ata është:”Ndodh që Zoti ta hap portën e bindjes, por nuk të hap atë të pranimit. Ndodh që ai ta lehtëson gjynahun, të cilin e bën shkak për mbërritur në destinacionin e synuar. Një gjynah që pason thyerje të zemrës dhe ulje të kokës, është më i mirë se një vepër e mirë e cila pason pëlqim të vetes dhe mendjemadhësi.”

Kjo urtësi është e ngjashme me atë të imam Aliut, i cili thotë:”Një gjynah që të lëndon, është më i mirë se një vepër e mirë që të bën mendjemadh.”

Thotë Abdullah ibnu Mesud:”Humbja dhe shkatërrimi është në dy gjera: Në vetëpëlqimin dhe humbjen e shpresës. Kjo, sepse lumturia nuk arrihet veçse duke u përpjekur dhe punuar. Një njeri të cilit i pëlqen vetja, nuk punon dhe nuk përpiqet për më mirë, pasi ai e sheh veten në majë. Kurse një njeri i cili ka humbur shpresat, nuk punon dhe nuk mundohet fare, pasi mendon se nuk ia vlen.”

Mendoni mirë për njerëzit!

Unë i këshilloj të rinjtë tanë, që ti heqin syzet e zeza, me të cilat i shohin dhe i gjykojnë njerëzit. Ata duhet të shohin të mirën që ka kapluar zemrën e robërve të Zotit, të mendojnë mirë për ta që në çastin e parë dhe ta dinë mirë se në origjinë, besimtari është i dëlirë dhe i ndershëm.

Për ta forcuar më shumë gjykimin optimist, të ndihmojnë tre gjëra:

E para: Ti trajtosh njerëzit bazuar në faktin se ato janë qenie humane dhe jo engjëj që janë krijuar nga drita dhe janë të pagabueshëm. Njeriu është krijuar nga balta dhe nëse gabon dikush, ky është një tipar i çdo qenieje që mban emrin njeri. Nëse njerëzit bëjnë gjynahe, këtë e ka bërë babai i tyre më parë, Ademi a.s. Thotë Zoti në Kuran:”Ne bëmë besëlidhje edhe me Ademin më parë, por ai harroi, sepse nuk ishte i vendosur.” (Taha, 115)

Atëherë s’ka asgjë për tu çuditur, njerëzit rrëshqasin dhe ngrihen sërish, gabojnë dhe ia qëllojnë. Prej nesh pritet që t’u hapim portën e shpresës drejt faljes dhe mëshirës hyjnore, në sinkronizim me frikën që duhet të kenë prej Zotit dhe ndëshkimit të Tij. Njeri i ditur dhe me vlera është ai që ua shton njerëzve shpresën tek Zoti dhe njëkohësisht nuk i siguron nga ndëshkimi i Tij. Për këtë, na mjafton thirrja hyjnore në Kuran:”Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer, 53)

A ka qetësim dhe sigurim më të madh se ai hyjnor i manifestuar në këtë ajet? Ai u drejtohet njerëzve me fjalët:”O robërit e Mi!” duke dashur që ta afrojë distancën mes nesh dhe Atij. Mandej, ai hap deri në fund portën e madhe të mëshirës dhe faljes për të gjithë gjynahet, të cilat sado të shumta dhe të mëdha të jenë, në krahasim me mëshirën e Tij, janë shumë të vogla.

Së dyti: Ne jemi urdhëruar që të gjykojmë me atë që shohim, kurse të brendshmen dhe sekretet e tjetrit, t’ia lëmë në dorë Zotit. Prandaj, kushdo që dëshmon se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Allahut, besojmë se ai është mysliman në aparencë. Sakaq, nijetin, mendimet dhe të brendshmen e tij, ia dorëzojmë të Gjithëditurit të botës së padukshme. Ai do i gjykojë të gjithë njerëzit ditën kur të publikohet edhe sekreti më i vogël. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Jam urdhëruar ti luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguari i Allahut. Nëse e dëshmojnë këtë, prej meje kanë të garantuar jetën dhe pasurinë, veçse me të drejtë. Sakaq, llogarinë e tyre e ka në dorë vetë Zoti.”

Prandaj, shohim që i dërguari i Zotit a.s i trajtonte hipokritët (mynafikët) sipas asaj që deklaronin, jo sipas asaj që fshihnin në zemra. Ata përfitonin nga ligjet islame, edhe pse në fshehtësi ata thurnin komplote dhe ngrinin pusi ndaj islamit. Kur dikush i sugjeroi ti heqë qafe dhe të shpëtojë një herë e mirë prej tyre, Profeti a.s u përgjigj:”Pastaj do të thonë njerëzit që Muhamedi vret shokët e tij.”

Së treti: Kushdo që beson në Zotin dhe të dërguarin e Tij, në botën e tij të brendshme do të ketë diçka të mirë, edhe pse duket i kredhur në gjynahe, ndonjëherë edhe të rënda. Gjynahet, sado të rënda të jenë, edhe pse e dobësojnë besimin, nuk mund ta shkulin atë nga rrënjët, përderisa njeriu nuk sfidon pushtetin e Zotit, nuk lejon haramet dhe nuk i përdhos dispozitat e Tij.

Modeli ynë më i mirë në këtë çështje, është i dërguari i Zotit a.s. Ai manifestonte zemërbutësi me gjynahqarët dhe fakti që dikush ishte njeri me gjynahe edhe të rënda, nuk e pengonte që ti hapë zemrën dhe ta shohë si një doktor të sëmurin, jo si një polic kriminelin.

Një i ri, vajti tek i dërguari i Zotit a.s dhe i kërkoi leje për marrëdhënie jashtëmartesore. Myslimanët u revoltuan nga kjo kurajë dhe guxim i pavend i këtij të riu dhe u matën ti japin një mësim të mirë. Por i dërguari i Zotit a.s mori një qëndrim krejt tjetër. Ai i tha djaloshit:”Afrohu!” Pasi u afrua, Profeti a.s e pyeti:”A do e dëshiroje një vepër të tillë për nënën tënde?” I riu u përgjigj:”Jo për Zotin, i qofsha falë vetëm Atij.” Profeti a.s i tha:”Askush prej njerëzve nuk do e dëshironte këtë për nënën e tij.” Mandej i shtroi të njëjtën pyetje për motrën, tezen dhe hallën dhe djaloshi i përgjigjej çdo pyetjeje negativisht. Pasi mbaroi, Profeti a.s ia vuri dorën mbi kraharor dhe u lut:”O Zot! Falja gjynahet, pastroja zemrën dhe ruaja nderin!” Që atëherë i riu hoqi dorë nga rruga e ligë dhe nuk i bënte përshtypje harami.” (Ahmed, Taberanij)

Profeti Muhamed a.s e trajtoi me zemërbutësi, duke u nisur nga mendimi mirë për të rinjtë myslimanë dhe se e mira kishte vend në zemrën e tij të re, kurse mendimet e liga ishin aksidentale. Ai vazhdoi të bisedojë me të, derisa ia ndryshoi mendimin e lig që kishte në kokë, ia qetësoi zemrën dhe e bindi se imoraliteti është diçka e urryer.

Dikush mund të thotë se ky i ri, thjesht e kishte në mendje veprën e ligë, pra akoma nuk e kishte vepruar. Prandaj, ai e meritonte të trajtohej me zemërbutësi, në vend të ashpërsisë dhe reagimit të dhunshëm.

Por, le të shohim një rast tjetër, me gruan e cila pranoi në prezencën e Profetit a.s se kishte shkelur kurorën martesore. Madje, kishte mbetur edhe shtatzënë. Ajo vajti tek Profeti a.s për tu pastruar nga vepra e ligë që kishte bërë, duke u penalizuar sipas dispozitave të sheriatit. Ajo nuk iu nda Profetit a.s derisa u penalizua sipas gjynahut që kishte bërë. Kur Halid ibnul Velid nxorri një fjalë fyese për të, Profeti a.s ndërhyri dhe i tha:”A po e fyen o Halid?! Pasha Zotin! Nëse pendimi i saj do mund tu shpërndahej tek shtatëdhjetë shtëpi të Medines, do i shpëtonte. A nuk e sheh se ajo flijoi veten për hir të Zotit?!” (Muslim)

Një tjetër mund të thotë: Po, por kjo edhe pse bëri një gjynah të rëndë, u pendua.

Atëherë, le të sjellim një rast të tretë nga jeta e Profetit a.s. Një nga sahabët, kapej shpesh herë duke konsumuar alkool, prej të cilit kishte krijuar dhe vartësi. Sa herë që kapej duke pirë, ai ndëshkohej me goditje kamxhiku. Kjo kishte ndodhur disa herë. Një herë, pasi u dënua për konsum alkooli, një nga myslimanët tha:”He Zoti e mallkoftë! Mbeti duke u ndëshkuar, e për çfarë?!”

Profeti a.s që e dëgjoi, nuk mund të heshtte kur një mysliman mallkohej, megjithëse kishte konsumuar atë që konsiderohet si nëna e të ligave dhe insistonte në të tijën. Thuhet se ai ndërhyri dhe i tha folësit:”Mos e mallko, pasi ai njeri e do Zotin dhe të dërguarin e Tij!”

Në një transmetim tjetër, thuhet se Profeti a.s i ka thënë:”Mos e mbështet shejtanin kundër vëllait tënd!”

Zemra e madhe e Profetit a.s, u soll me butësi dhe mendoi mirë edhe për një njeri të tillë, i cili ishte zhytur në ligësi. Megjithatë, Profeti a.s arriti të pikasë të mirën në zemrën e atij njeriu, edhe pse aparenca e tij tregonte ligësi dhe mangësi. Profeti a.s e përshkroi si një njeri që e do Zotin dhe të dërguarin e Tij dhe i urdhëroi myslimanët që të mos e mallkojnë.

Mallkimi dhe trajtimi i keq, e largon gjynahqarin nga besimtarët, duke e afruar me shejtanin. Ky është dhe interpretimi i thënies profetike:”Mos e mbështet shejtanin kundër vëllait tënd!”

Edhe pse konsumi i alkoolit ishte një gjynah i rëndë dhe ishte përsëritur, Profeti a.s ishte i interesuar që lidhjet vëllazërore të mos shkëputeshin. Me këtë njeri, myslimanët i lidhte lidhja e fuqishme e besimit.

Le ta kuptojnë dhe përvetësojnë këtë gjykim të thellë dhe etikë të lartë profetike, ata që mendojnë keq për njerëzit, ata të cilët nuk dinë ta ulin gishtin akuzues ndaj tyre. Le të nxënë mend nga ky rast, të gjithë ata që kanë shkarë në risinë e tekfirizmit për shkak të gjynaheve. Nëse do thelloheshin sado pak, do të kuptonin se viktimat e tekfirit të tyre, nuk kanë bërë apostazi që ta meritojnë ndëshkimin. Ata thjesht nuk e njohin realitetin e kësaj feje dhe lipset që ne t’ua mësojmë. Ata mund të jenë zhytur në gjynahe, për shkak të shoqërisë së keqe dhe ambientit ku jetojnë dhe për këtë u duhet zgjatur dora shpëtuese. Ata mund të jenë indiferentë dhe të shkujdesur për Botën tjetër, ngaqë ua ka marrë mendjen kjo dynja, prandaj prej nesh lipset që ti zgjojmë dhe ti shkundim. Gjithmonë, përkujtimi dhe këshilla u bën dobi besimtarëve.

Mallkimet që ua adresojmë njerëzve, edhe pse mund të jenë gjynahqarë dhe të devijuar, nuk do i përmirësojë dhe nuk do i afrojë me bregun e shpëtimit. Përkundrazi, do i largojë më shumë nga e mira. Në vend të një qëndrimi të tillë negativ, afroju vëllait tënd gjynahqar, lutu shpesh për të dhe mos e lër të bjerë pre e shejtanit. Një i urtë, dikur ka thënë:”Në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri për më shumë dritë!”

 

Perktheu: Elmaz Fida
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free