Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Perse rrudhat jane te bukura

Janë gjithmonë aty, duke të të tunduar, duke të të kujtuar që vitet kalojnë dhe se koha nuk kthehet më pas. Nuk janë ditëlindjet, por rrudhat parametrat e vërtetë të kohës që kalon. Tashmë rrudhat janë bërë fiksimi i femrave dhe i meshkujve. Mjafton të shkruani fjalën rrudhë në internet dhe do të informoheni menjëherë rreth saj, për shembull si ta luftoni, shkaqet, zgjidhjet, produktet, recetat, teoritë, trajtimet shkencore etj. Ka nga ata që nuk i durojnë dot rrudhat kur i shohin në fytyrë dhe inatosen me veten, të tjerë që përpiqen t’i mbulojnë për t’u dukur gjithmonë të rinj. Këto shenja të lëkurës janë aty për të na treguar se nuk jemi gjithmonë të njëjtët, se jeta vazhdon, por me më shumë përvojë, bukuri dhe siguri që vetëm ajo mund të ta dhurojë.

Femrat nuk lënë gjë pa provuar që të zhdukin nga fytyra çdo shenjë të plakjes. Megjithatë duhet të mësojnë diçka: nuk ka rëndësi se sa ambalazhim të bukur ka një krem kur në të nuk ndodhen përbërës të rëndësishëm të tillë si antioksidantët dhe retinoli. Ky i fundit është mirë të përdoret gjatë natës, pasi stimulon prodhimin e kolagenit, ndërsa antioksidantët ndihmojnë mbrojtjen ndaj radikalëve të lirë. Por jo të gjithë kremrat bëjnë për të gjitha llojet e lëkurave dhe kjo është thelbësore të kuptohet. Ndaj është e domosdoshme që para se të blihet një krem, përmbajtja e tij të testohet më parë. Për sa u përket kremrave ka mendime të ndryshme. Ka nga ata që i vlerësojnë e të tjerë që janë të bindur që ndryshimi i vetëm mes një kremi dhe një tjetri është ambalazhi. E megjithatë, të gjitha gratë nuk mund t’i bëjnë ballë tundimit për blerjen e kremrave të shtrenjtë, sepse ndoshta, në fund të fundit, nëse blerja e kremrave të tillë të bën të ndihesh mirë, kjo është një e mirë më vete. Por nëse do të donit që ta ndihmonit me të vërtetë dhe pa para fytyrën tuaj, një nga këshillat më të mira është masazhi i fytyrës, që mund ta bëjmë vetë çdo ditë, duke i dhënë fytyrës një pamje tjetër, por edhe që aktivizojnë qelizat e lëkurës dhe muskujt. Në vende të ndryshme të botës ka klinika të posaçme, të cilat këshillojnë dhe merren vetëm me masazhin e fytyrës. Një element tjetër për jetën e njeriut është seksi. Gjatë një marrëdhënieje seksuale, trupi prodhon hormonin e asteroidit, që është i lidhur me jetëgjatësinë. Gjithashtu seksi është relaksues dhe ndihmon në sistemin e qarkullimit të gjakut, redukton kolesterolin dhe furnizon me oksigjen qelizat, pa përmendur faktin që djeg shumë kalori.

A e keni vënë re se sa shumë meshkuj e femra i nënshtrohen ndërhyrjeve të ndryshme kirurgjikale për të fshirë gjurmët e kohës? Sa shumë lifting dhe botoks bëjnë? Në rastet më të mira, kjo kategori femrash e meshkujsh janë patetikë, në rastet më të këqija, monstra. Shembulli më i mirë është stilistja e famshme Donatella Versace.

Le ta themi hapur që askujt nuk i pëlqen të plaket. Secili prej nesh do të ishte i gatshëm të bënte gjithçka për të ndalur me çdo kusht kohën. Por ndonjë rrudhë tek-tuk nëpër fytyrë do t’i bënte sytë më të bukur dhe shikimin më të thellë. Kështu që nuk keni pse t’i trembeni plakjes. Ato shenja në fytyrë janë treguesi më i mirë për një grua, e cila e ka jetuar dhe shijuar jetën. Me disa rrudha më shumë, duket më e bukur.

George Clooney, në moshën 20-vjeçare, kishte rininë dhe freskinë, por jo bukurinë që ka sot që është në prag të pesëdhjetave. Por nëse bota e yjeve ka pasur si formulë binomin bukuri-rinim, tani edhe në Hollivud, shtëpia e celuloidit, gjërat kanë ndryshuar. Disa yje si Kate Winslet nuk kanë frikë nga plakja dhe i kanë shpallur luftë operacioneve plastike. “Mua më pëlqen t’i shoh rrudhat në fytyrë, sepse mendoj që është bukur të shohësh pamjen tënde se si ndryshon me kalimin e viteve. Në këtë mënyrë e kupton se nuk je më e njëjta, që je më e moshuar, ‘makina nuk është më aq e mbajtur sa në fillim’”, ka deklaruar ish-protagonistja e “Titanikut”.

Mos vallë ky është një mazokizëm femëror? Nuk i dihet, megjithatë jo vetëm bukuroshja Kate është deklaruar në favor të rrudhave. Një tjetër aktore “pro rrudhave” është edhe Sarah Jessica Parker. Këtë gjë, Parker e ka deklaruar edhe publikisht, duke thënë se ato shenja të vogla tregojnë jetën dhe se ndërhyrjet e tjera, si për shembull injeksionet, operacionet e ndryshme është më mirë të shmangen, sepse i heqin shprehitë fytyrës.

Bukuria e Monica Bellucci-t nuk është venitur aspak me kalimin e viteve dhe lindjen e dy fëmijëve. Sot, në Francë, aktorja gëzon titullin e ikonës së bukurisë mesdhetare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sophie Marceau, protagonisten e filmit “Koha e mollëve”. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, epoka e rrudhave ende nuk ka filluar të shfaqet tek ajo.

Më shumë se çdo gjë tjetër, ia vlen të kujtojmë fjalët që Anna Magnani i tha grimierit të saj, i cili po përpiqej t’i fshihte gjurmët e kohës: “Mos u mundo kot të më fshehësh rrudhat, sepse jam munduar një jetë të tërë që t’i ndaloja të vinin”.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free