Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Si t'i trajtojmë shkarjet e gojës së fëmijës!

 

Dr. Mustafa Ebu Sad

 

Kur fillon fëmija të flasë fjalë të sikletshme, të turpshme dhe banale, prindërit fillojnë pakënaqësitë kundrejt kësaj sjelljeje të djalit të tyre, i cili është i pandërgjegjshëm për ato që nxjerr nga goja.

 

E vërteta që nuk duhet injoruar, është se fjalët që thotë fëmija, i mëson dhe fiton gjatë përpjekjeve të tij për të imituar të tjerët.

 

Prandaj, është detyrë parësore e prindërve që t'i mbikqyrin me kujdes kontaktet e fëmijës me njerëzit e tjerë dhe gjuhës që përdorin personat me të cilat familja e tyre ka kontakt. Ata duhet të kontrollojnë dhe programet e mediave që ndjek fëmija. Ajo që është më e rëndësishme, është gjuha e përdorur dhe format që përdorin prindërit mes tyre për të orientuar fëmijën.

 

 

 

Shmangia e problemit

 

1 – Trajtoje fëmijën ashtu siç kërkon të trajtohesh dhe foli me gjuhën që pëlqen të të flasin.

 

2 – Përdor gjuhën që pëlqen të përdorin edhe fëmijët e tu. Kjo është mënyra më e përshtatshme për të mësuar fëmijën. Thuaji atij "faleminderit" "të lutem" "urdhëro" "më fal" etj… që fëmija t'i mësojë prej teje. Është e rëndësishme t'i thuash, por është akoma më e rëndësishme si i thua. Thuaja këto fjalë duke buzëqeshur, i qetë, me zë të butë dhe përkëdheli.

 

3 – Sigurohu mirë që fjala që përdori fëmija është diçka e pahijshme dhe e papërshtatshme. Kjo, me qëllim që reagimi yt të mos jetë i pavend dhe me fjalë më të rënda. Prandaj sigurohu mirë se fjalët që thotë janë të papërshtatshme dhe jo mënyra si i thotë. Si p.sh nëse flet fjalë dhe njëkohësisht ulërin, bërtet dhe qan, duke e refuzuar diçka sipas mënyrës së tij. Ai mund të bërtasë duke thënë:"Nuk e dua" "përse nuk ma jepni" "përse unë" etj… Fjalë të tilla shprehin mendim dhe nuk janë fjalë të pahijshme dhe të papërshtatshme.

 

Ndreqja dhe korrigjimi ka nevojë për të përcaktuar objektivin dhe më pas t'i sqarohet fëmijës. Por para se t'i sqarohet fëmijës, prindi duhet t'a dallojë nëse është fjala apo mënyra.

 

4 – Kontrollo dhe mbikqyr gjuhën që përdoret në ambjentin e gjerë që e rrethon.

 

 

 

Si t'a trajtosh problemin?!

 

1 – Mos u kushto shumë rëndësi këtyre fjalëve. Përpiqu mesa mundesh të mos e ekzagjerosh çështjen dhe t'a zmadhosh më shumë se ç'është. Hiqu sikur nuk e ke problem, me qëllim që të mos i japësh fjalës pushtetin dhe rëndësinë e një arme, të cilën fëmija e përdor si gjatë lojës dhe argëtimit, ashtu edhe për të reaguar ndaj një sjelljeje të prindërve e cila nuk i pëlqen. Kështu, ti tërhiqesh nga fusha e betejës. Loja dhe fjalët më vete, nuk janë dëfryese nëse nuk ke me kë i ndan.

 

2 – Lëvdoji fjalët e bukura. Mësoja fëmijës fjalët që ti i pëlqen, i vlerëson dhe që don t'i dëgjosh nga goja e tij. Trego admirim sa herë që i dëgjon këto fjalë prej tij. Shprehe këtë admirim me fjalë të tila si "Më pëlqen e folura jote e qetë" "fjalë prej floriri" "e bukur nga ana jote".

 

3 – Mësoja artin e të folurit. Mësoja fëmijës teknikat e të biseduarit dhe artin e të folurit, duke ia shpjeguar me shembuj konkretë. Mësoja edhe mënyrën e duhur për t'u përgjigjur dhe reaguar. Fjalët "nuk më intereson" janë të pranueshme nëse thuhen me qetësi dhe respekt për dëgjuesin. Por janë fjalë të papranueshme dhe të papërshtatshme, nëse thuhen me ironi dhe tallje për dëgjuesin.

 

4 – Korrigjoji fjalët, me një modifikim të vogël. Nëse do të ndërhysh me ashpërsi dhe dhunë, do e bësh fëmijën të kapet fort pas asaj fjale dhe do e përdorë atë si armë kundër teje në raste të ndryshme. Në vend të kësaj, ti përpiqu që me qetësi të luash me fjalët duke hequr ose shtuar ndonjë shkronjë. Ashtu siç mund t'a korrigjosh fjalën e pahishme dhe të papranueshme, duke i thënë një fjalë tjetër të ngjashme me të në konstrukt.

 

Ajo që i shqetëson më së shumti prindërit, janë fjalët banale të fëmijëve, fjalë të cilat mundohen t'ua korrigjojnë me çdo kusht. Një ndër format më efikase të trajtimit, është orientimi i ngarkesës së zemërimit dhe nevrikosjes tek fëmija, derisa ai të ketë reagime të pranueshme. Kështu, mësohet fëmija drejt sjelljeve të duhura, duke u shkëputur nga sjelljet e refuzuara. Për të arritur deri këtu, duhet ndjekur:

 

1 - Të triumfojë ndaj shkaqeve të revoltimit. Fëmija zemërohet dhe revoltohet për shkaqe që neve na duken të pakuptimta, si mungesa e një lodre, dëshira për të luajtur në atë moment, mos dëshira për të fjetur etj… Ne të rriturit nuk duhet t'i neglizhojmë shkaqet revoltimit të fëmijës. Për ta, lodrat janë burim dëfrimi dhe kënaqësie. Ai nuk njeh kënaqësi tjetër përveç tyre. Babai dhe nëna duhet të përpiqen t'a qetësojnë fëmijën, të tregojnë gatishmëri për t'a dëgjuar dhe për t'i zgjidhur problemet e tij. Kjo është diçka e munudr, nëse prindërit ruajnë qetësinë dhe etikën në shprehjen e shkaqeve të revoltimit.

 

2 – Zëvendësimi i sjelljes së gabuar, me sjelljen e duhur. Kjo bëhet duke:

 

- Kërkuar burimin e fjalëve banale në ambjentin ku jeton fëmija [familja, komshinjtë, shokët, kopështi]

 

- Duke i folur fëmijës mbi burimin e fjalëve banale.

 

- Duke e dënuar hapurazi një sjellje të tillë.

 

- Gjatë trajtimit të problemit, ji i durueshëm dhe i qetë.

 

- Duke e shpërblyer fëmijën me lëvdata dhe kurajim, kur revoltën e shpreh në mënyrë të duhur.

 

- Nëse fëmija nuk reagon pozitivisht pas katër-pesë herë paralajmërimi, mund të ndëshkohet duke e privuar nga diçka që e pëlqen.

 

- Duke e mësuar të thotë "më falni" sa herë që të përdorë një fjalë banale, duke i dhënë kësaj çështjeje seriozitetin dhe vendosmërinë për t'i shkuar gjer në fund.

 

- Duke qenë prindërit modeli i mirë për fëmijët, duke u distancuar ata të parët nga fjalët banale.

 

- Duke zhvilluar teknikat e të menduarit tek fëmija dhe hapja e dyerve të dialogut me të nga ana e prindërve. Kjo formon tek fëmija bindjen dhe aftësinë e të menduarit rreth pasojave, para se të ndërmarrë diçka.

 

 

 

Dr. Mustafa Ebu Sad

 

Psikolog këshillues


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free