Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Sprova e humbjes së syve

Enesi r.a. transmeton, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “All-llahu i Lartësuar thotë “Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensoj me Xhenet”. [1]

           

Shpjegimi i hadithit:

Mirësitë dhe dhuntitë e Allahut janë aq të shumta, saqë nuk mund të numërohen. Njeriu e ka për detyrë që të meditojë rreth mirësive që e rrethojnë. Kurani Famëlartë i fton të gjithë njerëzit, që të meditojnë rreth fuqisë së Allahut dhe të hedhin vështrimin përreth mirësive të panumërta. Allahu i Lartësuar thotë: “Në Tokë, ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë? Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj”.[2] Ndërsa në suren El Beled, Allahu i Lartësuar tregon për mirësinë e shikimit, gjuhës dhe arsyes që ia ka dhuruar njeriut, me qëllim që njeriu të reflektojë dhe të dijë t’i vlerësojë këto mirësi. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë dhe dy buzë dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?”[3]

Prej mirësive të panumërta që Allahu ia ka dhënë njeriut, është mirësia e të shikuarit. Nëpërmjet syve njeriu shikon gjithçka që e rrethon, shikon Tokën, qiellin, malet, fushat, detet, lumenjtë, kafshët, bimët njerëzit ..etj. Syri është mrekullia e Allahut, që na ndihmon të kuptojmë botën. Sytë janë një mjet i perfeksionuar i për të analizuar botën. Ato na ndihmojnë edhe atëherë kur na tregojnë gjëra që nuk ekzistojnë, ose kur i fshijnë para nesh. A e keni menduar ndonjëherë, se sa e mrekullueshme është aftësia jonë për të njohur fytyrat? Ndonjëherë mjafton drita dhe një shikim i shpejtë mes turmës, për të njohur një fytyrë miqësore. Po kështu kemi aftësinë të imagjinojmë një fytyrë, që e kemi për zemër si mes gurëve, ashtu edhe mbi re ose mbi trungun e një peme. Sytë tonë përmbajnë disa neurone, që janë të specializuara në gjetjen e fytyrave “të veçanta”. Me pak fjalë: shohim edhe atë që nuk është, ose është e vështirë për t’u parë.

Duke qenë përzgjedhës, të ndjeshëm dhe tepër të rëndësishëm, sytë tanë kanë cilësi të mrekullueshme, që na ndihmojnë të jetojmë më mirë dhe të kuptojmë botën përreth nesh me një sqimë, që asnjë makineri tjetër nuk arrin të barazohet me to. Këto cilësi e bëjnë shikimin, shqisën më të vlefshme dhe më të përdorshme nga çdo gjallesë.

Njeriu arrin të shohë në një distancë të largët dhe në të njëjtën kohë të kapë një lëvizje me bishtin e syrit. Po ashtu, në të njëjtën kohë mund të perceptojnë zona në errësirë dhe zona në dritë. Megjithatë në fund superioriteti i vizionit biologjik nuk varet edhe aq nga cilësitë e brendshme, por nga bashkëpunimi me trurin. Ajo që ne shohim, është e hartuar në tru. Nuk është e lehtë të kuptosh se si truri arrin të njohë një fytyrë, duke e parë larg, në errësirë, të trukuar, në profil, pjesërisht të mbuluar, me shprehje të ndryshme..Mënyra se si ne e perceptojmë realitetin, mbetet akoma mister. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni se çfarë kanë krijuar të tjerët përveç Tij!”[4]

Duke u nisur nga ajo që e cekëm më sipër, por edhe realiteti i përditshëm na tregon, sesa e rëndësishme është drita e syve. E thënë ndryshe, pa dritën e syve nuk mund të perceptohet jeta. Drita e syve është një mirësi nga Allahu, prandaj çdo njeri e ka për detyrë që ta falenderojë Allahun për këtë mirësi. Mirëpo, vlerën dhe rëndësinë e syve e ndjejnë plotësisht vetëm të verbërit.

Profeti (a.s) përcjell nga Allahu, se nëse njeriu verbohet dhe bën durim, humbja e syve kompesohet me Xhenet. Në të vërtetë, humbja e syve është sprovë nga Allahu e jo ndëshkim, siç mund të mendojnë një pjesë e mirë e njerëzve. Njeriu, i cili verbohet duke u privuar nga zbukurimet e kësaj bote, ai nuk do të privohet nga bukuritë e pafundme të Xhenetit, gjithmonë nëse bën durim dhe shpreson tek premtimi hyjnor. Është e vërtetë që jeta për këtë njeri është e mbyllur, sepse aktiviteti dhe lëvizja e tij do të jetë shumë e kufizuar, por ajo që e pret atë është shumë herë më e mirë. Është e vërtetë, se jeta për këtë njeri tashmë është si burg, ashtu siç thotë Profeti (a.s): “Dynjaja është burgu i besimtarit dhe xheneti i jobesimtarit”[5], por njeriu duhet ta përballojë humbjen e syve me durim, shpresë dhe optimizëm. Nëse njeriu nuk bën durim, atëherë ai demoralizohet, bie në depresion, humbet kontrollin dhe në fund mund të tentojë edhe të vrasë veten. Pikërisht, këtu manifestohet qartë dallimi ndërmjet besimtarit optimist për të ardhmen dhe jobesimtarit, të cilit i mungojnë besimi, forca, durimi dhe shpresa për ta kaluar këtë sprovë të vështirë. Shembulli më i mirë për këtë është shembulli i Profetit Jakub (a.s), i cili kishte humbur për vite me rradhë Jusufin (a.s)  dhe më pas djalin tjetër, Benjaminin. Sytë e tij u zbardhën nga të qarët, por fjalët e tij janë shumë të bukura e mjaft domethënëse: “Unë do të kem durim..Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që ju nuk e dini. O bijtë e mi, shkoni e kërkoni lajme për Jusufin dhe vëllain e tij dhe mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Shpresën nga mëshira e Allahut nuk e humb askush tjetër, përveç jobesimtarëve.”[6] Shikoni mesazhet që përcjellin fjalët e Profetit të nderuar: “Unë do të kem durim” Do të bëj durim nga humbja e dy fëmijëve të mi, do të bëj durim edhe ndaj zbardhjes së syve, do të bëj durim edhe ndaj faktit, që ju o bijtë e mi më shkaktuat dhimbje, duke më larguar nga dy djemtë e tjerë. “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që ju nuk e dini”. Hallin që kam, kërkoj që të ma zgjidhë vetëm Allahu, dhe “mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut. Shpresën nga mëshira e Allahut nuk e humb askush tjetër, përveç jobesimtarëve”. Megjithëse Jusufi (a.s) kishte vite që kishte humbur, babai u thotë djemve të tij që ta kërkonin atë dhe vëllain tjetër me moton: mos e humbisni shpresën nga mëshira e Allahut, sepse besimtari i vërtetë nuk e humbet kurrë shpresën, ndryshe nga jobesimtari.

Kështu pra, nëse njeriu sprovohet me humbjen e dy syve duhet të bëjë durim ashtu siç bëri Profeti Jakub, hallin që ka duhet ta qajë vetëm me Allahun dhe duhet të jetë optimist duke mos e humbur shpresën nga mëshira e Allahut. Dhe a ka mëshirë më të madhe se humbja e syve që kompesohet me Xhenet?

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Dhënia e sihariqit

2 – Durimi

3 – Bujaria e Allahut ndaj durimtarëve

 

 

1 – Dhënia e sihariqit:

Prej metodave efikase të thirrjes islame është dhënia e sihariqit të mirë. Thirrësi duhet t’u flasë njerëzve për mëshirën dhe bujarinë e Allahut ndaj robërve të Tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Kjo metodë është përmendur në këtë hadith kudsij, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensoj me Xhenet”.

Metoda e dhënies së sihariqit të mirë ka qenë praktikë e Profetit (a.s), të cilin Allahu i Lartësuar e pati ngarkuar me këtë mision. Allahu i Lartësuar thotë: “O ti I Dërguar! Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues. Dhe me urdhërin e Allahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues.”[7]

Përdorimi i metodës së dhënies së lajmit të mirë është një stimulues mjaft i mirë për njeriun, veçanërisht për personin që është në hapat e para të pranimit të fesë. Thirrësi e ka për detyrë që t’ia lehtësojë sa më shumë njerëzve fenë e Allahut, kuptohet aq sa është e mundur, brenda kufijve të lejuar. Thirrësi duhet t’i përgëzojë njerëzit e t’u japë atyre lajme të mira, që gëzimi dhe hareja të depërtojë në zemrat e tyre dhe njeriu të mos ndihet i ngushtuar apo i sforcuar nga detyrimet fetare.

 

2 – Durimi:

Vlera, pozita dhe shpërblimi i durimit është shumë e madh. Nëpërmjet durimit, besimtari ngrihet në gradë më të lartë dhe shpërblehet pa kufi. Hadithi kudsij i lartpërmendur tregon, se shpërblimi i atij që humbet sytë dhe bën durim është jashtëzakonisht i madh. Sytë janë gjëja më e shtrenjtë për njeriun në këtë botë. Nëse Allahu i Lartësuar ia merr njeriut gjënë më të shtrenjtë dhe më të dashur që janë sytë, e ai (njeriu) bën durim dhe kërkon shpërblim tek Allahu i Lartësuar, atëherë Allahu ia kompeson ata me Xhenet.

Megjithatë, pavarësisht humbjes së syve, që siç e cekëm më lart janë shumë të dashura për njeriun,  Allahu i Lartësuar ia kompeson njeriut humbjen e syve me diçka tjetër. Njeriu, i cili është i verbër, ka të zhvilluar një shqisë tjetër, që shumë të tjerë nuk e kanë, megjithëse ata janë me sy dhe shikojnë. Nuk është çudi, madje është edhe e vërtetuar, se sa e sa të verbër ka, të cilët ecin rrugëve të qytetit dhe ata janë shumë të ndjeshëm ndaj çfarëdo lloj zhurme, sado e vogël që ajo të jetë. Allahu i Lartësuar u ka marrë atyre një dhunti të çmuar, por u ka falur atyre një dhunti tjetër, që shumë të tjerë nuk e kanë. Por dhuntia më e madhe dhe më e mirë është në botën tjetër, ku Allahu i Lartësuar do t’i shpërblejë me Xhenet.

Imam Ibnu Haxheri, duke komentuar këtë hadith, thotë: “Kuptimi i fjalës ai bën durim do të thotë, se ai bën durim duke sjellë nëpër mend premtimin, që Allahu u ka prmemtuar durimtarëve. Të duruarit jashtë këtij konteksti nuk vlen, sepse veprat vlerësohen në bazë të nijetit. Jo vetëm kaq, por sprova e dynjasë, me të cilën Allahu e sprovon robin e Tij, nuk do të thotë që Allahu është i zemëruar me të. Përkundrazi, ajo sprovë mbart në vetvete disa sekrete si: largimi i ndonjë të keqeje, shlyerje të mëkateve apo ngritje në pozitë më të lartë. Kështu pra, nëse njeriu është i kënaqur me sprovën që i ka rënë, atëherë domethënia e durimit i ka plotësuar kushtet e duhura”.[8]

 

3 – Bujaria e Allahut ndaj durimtarëve:

Allahu i Lartësuar është Bujar ndaj robërve të Tij, veçanërisht ndaj durimtarëve, të cilët i shpërblen pa kufi. Allahu i Lartësuar thotë: “Të durueshmëve u jepet shpërblimi pa masë”[9] Edhe në këtë hadith profetik, Allahu i Lartësuar e shpërblen robin e Tij, sepse ai bën durim ndaj sprovave të ndryshme të kësaj bote. Në të tilla raste, kur njeriu verbohet, pavarësisht faktit se dëshiron apo nuk dëshiron, ai imponohet që të përshtatet me situatën në të cilën ndodhet, pra do të bëjë durim. Por në këtë rast durimi është në dy kahe të kundërta: nëse bën durim duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut, fiton shpërblim, por nëse bën durim (ngaqë nuk ka se çfarë të bëjë) duke qenë i pakënaqur, atëherë ke mëkatuar. Njëherë, imam Aliu i drejtohet Esh’ath ibnu Kajsit me këto fjalë: “Nëse ti bën durim, lapsi do të regjistrojë dhe ti do të marrësh shpërblim, por nëse ti je i zemëruar, lapsi përsëri do të regjistrojë, por ti ke marrë gjynahe.”[10]

Kjo do të thotë se nëse njeriu bën durim duke kërkuar shpërblimin tek Allahu, pa qenë mosbesues, pa u stresuar dhe pa u demoralizuar, atëherë Allahu ia kompeson humbjen e syve me shpërblimin, që çdokush do ta kishte dëshirë. Dëshira e çdokujt është, që të shpëtojë nga Zjarri i Xhehenemit dhe të hyjë në Xhenet.

 

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 - Sytë janë prej organeve më të dashura dhe më të shtrenjta për njeriun. Vlerën e vërtetë të tyre nuk e njeh askush tjetër, përveç atij, i cili i humb ato. Nëpërmjet syve njeriu shikon zbukurimet e kësaj bote dhe kënaqet, por shikon edhe gjërat e këqija dhe kështu ai shmanget nga ato.

2 - Duke qenë se humbja e syve është shumë e shtrenjtë, atëherë edhe shpërblimi i tij është i madh, sepse malli i Allahut është i shtrenjtë e ky mall është Xheneti.

3 - Xheneti është kompesimi më i mirë, sepse me përfundimin e kësaj dynjaje humbet edhe vlera e syve, ndërsa kënaqësia që njeriu ndjen në Xhenet është e përhershme dhe nuk përfundon asnjëherë.

4 - Vlera e madhe e atij që bën durim ndaj sprovave të dynjasë, veçanërisht personit që sprovohet me humbjen e syve.

5 - Bujaria e pakufishme e Allahut ndaj robërve të tij durimtarë.

6 - Ajo që njeriu mund ta shikojë si të keqe, mund të jetë e mirë për të.

7 - Thirrësi duhet të jetë përgëzues dhe të japë lajme të mira.

8 - Besimtari duhet të kujdeset për të verbërit dhe invalidët.

Epilog:

Në epilogun e këtij hadithi po flasim shkurtimisht për jetën e një prej dijetarëve më të shquar të umetit mysliman, që ka jetuar në ditët e sotme. Do të flasim për jetën plot dritë të dijetarit të shquar saudian Abdulaziz bin Baz (Allahu e mëshiroftë).

Dijetari i nderuar ka lindur në qytetin e Rijadit në vitin 1912. Qysh i vogël e mësoi të gjithë Kuranin përmendësh. Po ashtu mori dhe shumë mësime fetare nga dijetarët e kohës në qytetin ku lindi. Në kujtimet e tij, dijetari i shquar thotë, se nëna e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm, duke e nxitur që ai të mësonte sa më shumë.

Në fillim të jetës së tij shikonte, por në moshën 16-të vjeçare pati probleme me sytë. Shikimi sa vinte dhe i dobësohej, derisa më në fund kur ishte 20 –të vjeç u verbua plotësisht. Por humbja e syve, nuk ia pakësoi vullnetin e madh që kishte. Përkundrazi ai vazhdoi ta kërkonte dijen tek dijetarët e shquar të kohës së tij, duke përfituar shumë prej tyre. Nuk mund të lëmë pa përmendur se dijetari i shquar përfitoi shumë nga humbja e syve, ku mund të përmendim:

- Shpërblimin e madh të premtuar nga Allahu në hadithin kudsij: “Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) e ai bën durim, do t'ia kompensoj me Xhenet”.

- Memorien e fuqishme dhe inteligjencën e madhe. Mjafton që dikush ta pyeste për një hadith të Profetit (a.s.), që gjendej në gjashtë librat e mëdhenj të hadithit apo diku tjetër dhe dijetari i shquar kishte për detyrë që të përmendte zinxhirin e transmetimit dhe tekstin e tij pa gabuar aspak.

- Allahu e ruajti nga sprovat e dynjasë. Tregohet se dijetari i shquar ka qenë shumë i devotshëm, modest, i bindur plotësisht ndaj urdhërave të Allahut dhe mendjen e kishte vetëm në botën tjetër.

- Allahu i Lartësuar ia kompesoi dritën e syve me dritë në zemër, dashurinë për dijen, ndjekjen e Sunetit të Profetit (a.s) dhe forcën e mënyrës së argumentimit.

Në qoftë se do të flasim për personalitetin e dijetarit të shquar, ai ishte nga ata njerëz, që me moralin dhe sjelljen e tij ta impononte respektin. Nga goja e tij asnjëherë nuk dilnin fjalë të pahijshme, rrallëherë e gjeje që në mexhliset e tij të qeshte, përkundrazi mexhliset e tij mbusheshin me dhikrin e Allahut dhe meditim rreth botës tjetër. Megjithëse ai gëzonte një respekt të jashtëzakonshëm në mesin e njerëzve, ai ishte shumë i thjeshtë, kishte moral të lartë, kishte vullnet të paepur, i sinqertë, krenar dhe ishte shumë larg salltaneteve të kësaj bote.

Ndoshta ajo që e dallonte atë më shumë ishte asketizmi i tij në lidhje me këtë botë, megjithëse çdo gjë e kishte të shtruar me lule. Por ai u shmang tërësisht nga përfitimet materiale të kësaj bote, për t’i dhënë përparësi jetës së botës tjetër, duke marrë për shembull asketizmin e të parëve të umetit mysliman. Dijetari i shquar ka qenë modeli dhe shembulli më i mirë i asketizmit ndaj kësaj bote, devotshmërisë, larg lëvdatave dhe servilizmave. Shpeshherë ai thoshte: “Mjerë për ju që lëvdoni, sepse lëvdatat janë si therrja e kurbanit. O Zot më bëj më të mirë sesa ata kujtojnë se unë jam. O Zot më fal gabimet, që ata nuk i dinë për mua”.

Kishte një retorikë dhe elokuencë të qartë, njohës i mirë i gjuhës arabe dhe sintaksës së saj. Kjo dallohej shumë qartë në shkrimet, hytbet, ligjëratat dhe fjalët e mbajtura prej tij. Pavarësisht gjithë kësaj që cekëm më sipër, ai ishte mjaft i kujdesshëm për të përzgjedhur ato fjalë, që ishin më të thjeshta dhe më të kuptueshme për auditorin. Ai ishte nga ata njerëz, që fliste me fjalë të qarta e të thjeshta, larg fjalëve të vështira e të komplikuara.

Më lart përmendëm dhe folëm për memorien e tij, që ishte jashtëzakonisht e fortë. Në hytbet, ligjëratat dhe këshillat e tij të vyera, vërehet qartë memoria e tij e madhe, ku çdo gjë e argumentonte me ajete kuranore, hadithe të Profetit (a.s) dhe me citatet e dijetarëve të umetit. Këto argumente nuk ishin pak, por pëkundrazi ishin të shumta. Aq të fortë e kishte memorien, saqë kur përmendte ndonjë citat nga ndonjë dijetar, thoshte se ku është thënë kjo fjalë me saktësi në cilin libër, në cilin vëllim e në cilën faqe.

Memoria e tij ishte aq e fortë, saqë arrinte të dallonte edhe zërat e njerëzve të dashur, që nuk ishin të pakët në numër. Madje tregohet, se njëherë një njeri erdhi tek ai për ta përshëndetur. Ky njeri kishte vite pa e takuar. Sa e dëgjoi zërin e njeriut që e përshëndeti, dijetari ia ktheu menjëherë përshëndetjen, duke e thirrur edhe në emër.

Krahas ligjëratave, hytbeve e këshillave të panumërta, biblioteka islame është pasuruar me shumë libra të botuara prej tij në shumë lëmi, libra që flasin për akiden, shmangies nga risia, për jurisprudencën islame, për dhikrin..etj.

Tek dijetari i shquar vërejmë tre tipare dalluese:

1- Besimi i thellë dhe i rrënjosur në zemrën e tij, çka përkthehej në moralin dhe sjelljen e tij me Allahun dhe të gjithë njerëzit.

2- Dijenia e tij e madhe e bazuar tek Kurani dhe tradita profetike. Ai jo vetëm që e mësoi përmendësh Librin e Allahut, por përveç kësaj ai gjithmonë e lexonte dhe meditonte në ajetet e Tij. Jo vetëm që ishte njohës i mirë i traditës profetike, por edhe kishte një vizion të qartë rreth saj.

3- Tek ai mbizotëronte shpirti i këmbënguljes derisa arriti në gradën e ixhtihadit.

Tregohet njëherë, se një prej nxënësve të tij shkoi tek shtëpia e tij për të fjetur atë natë. Kur dijetari i shquar u zgjua natën për të falur namazin e natës, bëri një veprim që sot e kësaj dite ka ngelur në mendjen e nxënësit të tij. Dhoma ku nxënësi kishte rënë për të fjetur, ishte shumë larg nga vendi, ku kishte ujë për të marrë abdes. Si rrjedhojë, në shumicën e rasteve, njerëzit që flinin tek kjo dhomë përtonin që të zgjoheshin nga gjumi vetëm për shkak të largësisë. Dijetari i shquar, i i cili ishte zgjuar, mori një ibrik, e mbushi me ujë dhe e la tek dera e dhomës së nxënësit të tij, duke e ditur dëshirën e madhe që kishte nxënësi për të falur namazin e natës.

Ky ishte dijetari i shquar Abdulaziz bin Baz, që humbja e syve nuk e pengoi që ai të afrohej sa më shumë tek Allahu i Lartësuar.

E lusim Allahun e Lartësuar që humbjen e syve t’ia kompesojë me Xhenetin Firdeus. E lusim Allahun që të na bashkojë bashkë me të në Xhenet.

Amin. 

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free