Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Perdja gri e sproves

Nëse Ademi (a.s) nuk do kishte ngrënë frytin e ndaluar nuk do ishte ngritur jeta në tokë.

Nëse Jusufi (a.s) nuk do ishte hedhur në pus nuk do ishte bërë mbret.

Nëse Hizri nuk do të kishte shpuar varkën nuk do të ishin pasuruar pronarët e saj.

Nëse Hizri nuk do të kishte vrarë fëmijën e vogël, fëmija bashkë më prindërit e tij nuk do të kishin hyrë në xhenet.

Nëse Hizri nuk do kishte ndërtuar murin, jetimët e vegjël do të kishin shpërdoruar mirësinë e Allahut të dhuruar për hatër të gjyshërve të tyre.

Nëse Profeti Muhamed (a.s) nuk do të kishte dalë nga Meka nuk do ishte ngritur Islami në Medine.

Nëse nuk do të kishte ndodhur beteja e Uhudit nuk do të ishin pastruar radhët e myslimanëve dhe nuk do e kishin kuptuar se sa i dëmshëm është nifaku (hipokrizia).

Nëse nuk do të kishte ndodhur Hudejbija nuk do të ishte bërë as çlirimi i Mekës.

Problemi kryesor i sprovës nuk qëndron tek dhimbjet dhe vuajtjet materiale dhe shpirtërore që shkakton, por tek perdja gri që mund të vendosë mes besiras (syrit të brendshëm) dhe urtësisë së ngjarjes. Sa më e madhe të jetë sprova aq më gri e më e trashë rrezikon të bëhet kjo perde.

Pra ndodh shpesh që i sprovuari të preokupohet në varësi të peshës së ngjarjes, vetëm me elementët material të sprovës dhe zgjidhjen materiale të saj, e të harrojë urtësinë që fshihet pas saj.

Profeti (a.s) i tërhoqi vërejtjen rëndë Habab Ibnu Eretit tek pasoja që kishte shkaktuar sprova e politeistëve mekas, ngutja.

Dy elementë kryesor bien në sy tek përgjigja e Profetit (a.s) ndaj Habab Ibnu Eretit, përvoja e popujve të kaluar dhe ngutja. “Ata para ju groposeshin deri në fyt e me sharrë u hapej koka, e megjithatë nuk e braktisni fenë e tyre por ju jeni popull që nguteni”

Përse të dy këto elementë?

Duke pasur parasysh se çfarë fshihej pas kësaj sprove ia vlente të durohej. Mirëpo është urtësia e të Madhit Zot që urtësia e sprovës të kërkohet nga i sprovuari dhe jo t’i zbulohet. Sakaq qëndresa deri në pikën finale ka nevojë për inkurajim, e një nga inkurajimet më të mira është përvoja e të parëve me sprovën.

Ngutja, thotë Profeti (a.s) është prej shejtanit. Shejtani është simbol i të keqes dhe gabimit. Sakaq ngutja ka pasoja djallëzore. Për shkak të saj besimtari mund të privojë veten nga frytet e ëmbla të urtësisë së sprovës.

Përgjatë gjithë kësaj rruge të përjetimit të modelit të të parëve dhe durimit e qëndresës, veç arritjes së urtësisë, besimtari rëndon peshoren e veprave të tij të mira me sevapin e ndjekjes së rrugës dhe durimit e qëndresës.

Sa më sipër shpjegon qartë se pse Profeti (a.s) nuk u ndal gjatë tek pikat e gjakut që i rridhnin nga mjekra e nga veshët Habab Ibnu Ereti (r.a).

Ç’formë e veçantë ngushëllimi! Vetëm e tilla mund ta bëjë besimtarin e Zotit ta shijojë ëmbël edhe sprovën më të rëndë.

 Jusufi (a.s) u kurorëzua si mbret i Egjiptit pikërisht mu tek pusi ku e hodhën vëllezërit e tij. Madje u kurorëzua si i tillë mu tek kuvendi ziliqar i vëllezërve të tij ku u diskutua për ta vrarë, për ta syrgjynosur apo për ta hedhur në pus. Pikërisht mu aty u vendos guri i themelit të realizimit të ëndrrës që ia rrëfeu të atit. “Për ata që janë të interesuar ka argumente tek Jusufi (a.s) dhe vëllezërit e tij”. Këtë ajet kuranor e sjell i Gjithëdijëshmi e i Urti Allah menjëherë pas rrëfimit të ëndrrës që i bëri Jusufi (a.s) babait të tij. Pra realizimi i ëndrrës së Jusufit (a.s) filloi me mexhlisin komplotist e të egër të vëllezërve të Jusufit (a.s).

A mund të quhet robëria pushtet?

Jusufi (a.s) u shit në Egjipt si skllav me një çmim qesharak tek veziri i Egjiptit. Ndërkohë që Jusufi (a.s) është në këto rrethana Allahu i Madhëruar thotë: “E kështu i mundësuam Jusufit (a,s) pushtet në tokë dhe i mësuam interpretimin e ëndrrave. Allahu e ka në dorë çështjen e Vet por shumica e njerëzve nuk e dinë” Jusuf 21

Me të vërtetë shumica e njerëzve nuk e dinë se edhe sprova e skllavërisë mund ta bëjë njeriun mbret pavarësisht se natyrshëm askush nuk e kërkon dhe nuk duhet ta kërkojë materialisht skllavërinë.

Dijetarët mysliman (shiko: es-sunen el-ilahije fil-keuni vel-muxhtema, Abdul-Kerim Zejdan) thonë se në origjine fjala fitne (sprovë) është përdorur për procesin që bëjnë argjendarët për pastrimin e floririt dhe të argjendit nga elementë të huaj me anë të zjarrit. Por gjatë përdorimit të kësaj fjale u kufizua tek zjarri dhe djegia, pra tek vuajtja duke e shkëputur nga pasoja pozitive e ndarjes së floririt origjinal nga elementët e huaj dhe falsë.

Herë pas here Kurani na kthen tek kuptimi origjinal i fjalës fitne (sprovë): “A menduan njerëzit se do t’i lejmë ta pretendojnë besimin e nuk do t’i sprovojmë ( la juftenun)” Ankebut. Këtu ajeti nuk mund të ketë për qëllim vetëm djegien sepse besimtari nuk digjet por ka parasysh ndarjen e besimit te sinqertë nga ai fals përmes procesit të vështirë të sprovës.

Dështimi i vërtetë ndaj sprovës nuk konsiston tek mosdhënia e zgjidhjes materiale ideale ndaj elementëve material të ngjarjes apo objektit që përmban ajo. Por konsiston tek ngushtimi dhe kufizimi i kuadrit të besarit (shikimit të jashtëm) dhe basiras (syrit të brendshëm) tek kufijtë material të objektit të sprovës duke mos e shfrytëzuar sprovën si katapultë për tu hedhur tek frytet e urtësisë së saj.

Materialisht dhe momentalisht marrëveshja e Hudejbijes ishte dështimi dhe fyerja më e madhe që kishin pësuar ndonjëherë myslimanët gjatë përvojës së tyre si adhurues të një Zoti të vetëm. Për këtë nuk u mërzit Profeti (a.s) me kundërshtimin e Umerit (r.a) për këtë marrëveshje pavarësisht miratimit të Profetit (a.s).

Gjatë rrugës së kthimit për në Medine pas një tentative të dështuar për të vizituar shtëpinë e Allahut, Qaben, dhe për të shikuar vendin e mallit të tyre, Meken, zbriti surja Fet’h: “Ne të kemi dhuruar ty (O muhamed) një çlirim të vërtetë”. Umeri i habitur pyeti: “A është me të vërtetë çlirim Hudejbija o Profet i Allahut?!” Profeti (a.s) i përgjigjet: “Ai është çlirim dhe i qartë madje”

Dhjetë vjet armëpushim me mekasit do të thoshte dhjetë vjet liri për të ftuar në rrugë të Allahut pa pengesa nga mekasit të cilët deri në atë kohë kishin qenë pengesa kryesore e përhapjes së Islamit në gadishullin arabik.

Imam Gazaliu transmeton tek Ihjai i tij se Tusturiu ka thënë: “Dijetarët janë tre llojesh: dijetari i urdhrit të Allahut dhe jo i ditëve të Allahut. Këta janë myftinjtë që thjesht dinë të japin feta. Kjo dije nuk reflekton dashuri dhe droje karshi Allahut.Të dijshëm për Allahun – besimtarët e thjeshtë. Të dijshëm për Allahun, urdhrin e Allahut dhe ditët e Tij. Kjo e fundit është dija që të mundëson dashuri dhe droje karshi Allahut.”

Thotë Imam Gazaliu :”Me fjalën “Ditët e Allahut” ka parasysh mirësitë e Tij të brendshme, ndëshkimet e Tij të fshehta që ua ka lëshuar shekujve të largët e të afërt.

E në të vërtetë ai që e njeh Zotin e Tij, ditët e Tij dhe sjelljen e Zotit të tij me ata që kanë lënë përvojë në rrugë të Zotit, do të ketë të mundur që me basirën e tij (syrin e tij të brendshëm) dhe me besarin e tij (syrin e tij të jashtëm) të shikojnë përtej perdes gri të sprovës, urtësinë e Zotit të sprovës, që ka fshehur Zoti i sprovës për ashikët e Tij.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free