Dallimi mes të diturit dhe adhuruesit
Një mësues i mençur, u tha një ditë nxënësve të tij:”A e dini ku qëndron dallimi mes një të dituri dhe një adhuruesi?”Nxënësit u përgjigjën:”Jo mësues. A mund të na e thuash?!”
Mësuesi:”Po, ejani me mua!” Pasi u veshën me rroba të thjeshta, vajtën tek një person që e adhuronte Zotin shumë. Atë e gjetën duke u falur e lutur. Mësuesi i mençur e pyeti:”Më thuaj diçka rreth një pyetjeje e cila më ka lënë pa gjumë!”
Adhuruesi:”Pa hë një herë?”
Mësuesi:”A mundet Zoti të krijojë një tjetër si vetja?”
Adhuruesi filloi të mendohej, por asnjë përgjigje nuk i vinte në mendje. Duke mos ditur ç’ti thotë, iu përgjigj:”Eja nesër më mirë ta jap përgjigjen!”
Mësuesi buzëqeshi dhe u tha nxënësve të tij:”Kam frikë se do të heqë dorë nga besimi i tij nga një pyetje e vetme! Sikur të thoshte “jo” është njëlloj si të thoshte se Zoti nuk është i plotfuqishëm. Sikur të përgjigjej me “po” kjo do të thotë se pranon ekzistencën e më shumë se një Zoti. Le të shkojmë tek një i ditur tani të shohim çfarë përgjigje do na japë ai.”
Të gjithë u nisën drejt të diturit, të cilit mësuesi i mençur i tha:”Më thuaj nëse mundet Zoti të krijojë një zot tjetër si vetja!”
I dituri iu përgjigj:”Po të mendosh rreth pyetjes tënde, do e gjesh përgjigjen brenda saj.”
Mësuesi e pyeti:”S’po e kap dot.”
I dituri:”Po ja, le ta ndajmë pyetjen tënde në dy pjesë. Nëse më thua “A mundet Zoti të krijojë”, përgjigja do të jetë “Sigurisht që mundet të krijojë.” Pjesa e dytë e pyetjes “një tjetër si vetja”, përgjigja është se ky tjetër që do të krijojë, do të jetë i krijuar, pra krijesë dhe jo krijues. Ai krijoi një tjetër që ka fillim dhe gjithçka që ka fillim, ka dhe mbarim. Për rrjedhojë gjithçka që ka fillim dhe mbarim, është krijesë e jo krijues.”
Jo çdo adhurues është i ditur.