Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kam nevojë për ndihmë dhe këshillë

Pyetja: Së pari desha t’ju them që kam një kohë të shkurtër që i jam kthyer fesë. Kam qenë shumë injorante, po elhamdulilah, Allahu më ka ndihmuar dhe më ka udhëzuar. Ende nuk jam mësuar të falem, por jam duke mësuar dhe gjithë kohën lexoj, mësoj gjërat e reja që nuk i kam ditur dhe befasohem. Edhe pse kam gjetur veten dhe qetësin time, prapë kam shumë probleme në familje, punë dhe shoqëri. Gjithë kohën i lutem Allahut të më ndihmojë që mos të largohem nga rruga e drejtë në të cilën jam nisur. Problemet janë shumë të mëdha, sidomos në familje, prindërit i kam shumë të mirë, po më habisin pse nuk më kuptojnë, për çdo gjë më kanë kuptuar, por për këtë jo. Ata po më dhimbsen sepse po vuajnë pa arsye. Ju lutem, kam nevojë për ndihmë dhe këshillë, sepse ndonjëherë më ndodh që në disa momente vuaj shumë dhe mendoj të dorëzohem. Qaj pa arsye, nuk mund të bëj asgjë, çdo punë që e filloj të bëj, nuk mundem ta përfundoj, sepse gjithë kohën mendoj të gjej zgjidhje, po nuk gjej. Më falni që e zgjata kaq, ma bëni hallall. Allahu ju shpërbleftë! Përgjigja: Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit. Motër e nderuar! Lusim Allahun e Lartësuar t`ju ruaj juve dhe veprimet tuaja, t`ju furnizojë me dije të dobishme, punë të mira, të jeni fatlum dhe të suksesshëm! Në këto kohë të mbushura me plotë “kënaqësi”, sprovime dhe epshe, ku munden të rinjtë ta kalojnë kohën, vërtet është për t’u lavdëruar, që një vajzë t`i kthehet Krijuesit të Tij, të fillojë të interesohet për Islamin dhe të lexoj për të. Prandaj ju përgëzojmë juve dhe ato që janë sikurse ju, se vërtet jeni në rrugën e drejtë dhe se te ju është shkëndija e shpresës për përmirësimin dhe ardhmërinë e këtij populli. E themi këtë se për fat të keq, disa nga të parët e shoqërisë sonë favorizojnë dhe krenohen me videoklipet, lakuriqësinë, imoralitetin, shthurjen e natyrshmërisë së femrës sonë dhe krijojnë gara në atë se kush është më i shkathët në këto gjëra, krejt këtë duke e quajtur art, përparim, emancipim dhe hyrje në Evropë. Për të mos e zgjatur më shumë në këtë, vetëm dëshirojmë ta vërtetojmë se Islami është fe e lehtë dhe e mirë, pasi është fe në përputhje me natyrshmërinë e njeriut për shkak se është i zbritur nga Krijuesi ynë, i Cili është i Gjithëdijshëm për atë që është në dobi për ne, në këtë botë dhe në botën tjetër. Për superioritetin dhe mirësinë e Islamit kanë dëshmuar armiqtë e tij para miqve. Shumë nga perëndimorët e drejt dhe të paanshëm kanë shprehur admirim dhe mahnitje ndaj Islamit, disa të njohur nga ata edhe e kanë përqafuar atë. Pothuajse nuk shkon ditë dhe të mos dëgjojmë për konvertime të perëndimorëve në Islam. Ky është njëri nga argumentet më të qarta për vërtetësinë e kësaj feje dhe amanetin që e bartë ai. Në vazhdim do të mundohemi me anë të disa këshillave t`ju ndihmojmë në tejkalimin e problemeve dhe sprovave, të cilat ju sfidojnë pasi keni marrë këtë rrugë të hajrit dhe mirësisë. -Së pari ju këshillojmë që t`i jepni rëndësi mësimit të gjërave elementare të fesë, me anë të cilës do të mundeni t`i praktikoni obligimet fetare, namazin, pasi ajo është lidhja më e fortë ndërmjet Krijuesit dhe krijesës. Me anë të saj ju do të mobilizoheni me besim dhe bindje të sinqertë ndaj Allahut që ta tejkaloni çdo problem që do të ballafaqoheni në jetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, namazi ndalon nga të shëmtuarat dhe gjërat e këqija.” Ekzistojnë mjaft shkrime në gjuhën shqipe që flasin për vlerën dhe rëndësinë e namazit, prandaj nuk do të ndalem më shumë në këtë pikë. -Me falënderimin e Allahut ju keni tejkaluar një vështirësi mjaft të madhe, ajo është kthimi tek Allahu dhe kuptimi se nuk ka shpëtim dhe lumturi reale në këtë botë dhe në botën tjetër, vetëm se me dritën e imanit. Vërtet kjo është një mirësi me të cilën jeni veçuar nga shumë të tjerë, prandaj falënderoje Allahun gjithmonë. Është normale që shejtani juve nuk do t`ju lerë të lirë, por ai do të mundohet me të gjitha mundësitë, me vesvese të ndryshme dhe me krijimin, apo nxitjen e disa problemeve rreth jush, t`ju largojë nga rruga që keni zgjedhur, apo nëse këtë nuk e arrin, së paku ju bën të ngecni në këtë rrugë. Prandaj të jeni më të vendosur në vete, më serioz në qëndrimet që i ndërmerrni dhe më vigjilent e më të fortë para të tjerëve në ndryshimet që jeni duke i marrë në jetën tuaj. Pasiguria, hezitimi dhe mëdyshjet ju krijojnë shqetësime në veten tuaj dhe ju ulin personalitetin te të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: “... E kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.” Ali Imran, 159. -Problemet me të cilat ballafaqohesh me familje, shoqëri dhe punë, pothuajse janë normale, pasi deri më tani keni qenë një personalitet që ka menduar, vepruar, folur.., ndoshta edhe veshur ndryshe, kurse tani ju keni ndryshuar. Këtë ndryshim nuk e pranojnë të gjithë ata njësoj. Prandaj edhe sjellja e tyre është logjike, por ju duhet të tregoni kujdes, mirësjellje, respekt të shtuar ndaj tyre. Është më e qëlluar të tregoheni më shumë e arsyetuar dhe logjike ndaj tyre në qëndrimet tuaja, se sa të tregoheni e entuziazmuar, fanatike dhe e ashpër. Dhe ata me kalimin e kohës do të pranojnë dhe, padyshim, ju me lejen e Allahut do të bëheni shembull dhe model për të mirë dhe thirrës në këtë fe të Allahut të Lartësuar. -Është një dhunti për ju që thoni se prindërit i keni të mirë dhe nuk ju pengojnë në ato gjëra që ju po zgjidhni në jetën tuaj. E vetmja gjë që ju mundon është pamundësia e tyre që të pranojnë menjëherë ndryshimet tuaja. Kjo është normale dhe nuk duhet të habiteni shumë, posaçërisht pasi ata të njohin ty në një formë tjetër dhe u duhet kohë që të perceptojnë se ato ndryshime tek ju janë normale dhe në të mirë. Prandaj bëhu durimtar, kuptoji ata, sillu me ta më mirë se je sjellë më herët, bëhu e butë, e mirësjellshme dhe mundësisht e arsyeshme dhe e kuptueshme në qëndrimet që i ndërmerr. Me lejen e Allahut, me kalimin e kohës, ata do të kuptojnë dhe do të pranojnë ashtu si ti dëshiron. -Këshilla e fundit do të ishte që të jeni më optimiste, mos u dëshpëroni, tejkaloni momentet e vështira duke iu drejtuar Allahut të Lartësuar në lutje. Pastaj, gjë mjaft me rëndësi për ju është edhe ajo që ju keni nevojë për shoqëri të re. Mundohuni të takoheni me motra muslimane dhe të merrni pjesë në aktivitete që organizohen nga to, këshillohuni me to. Pasi njeriu ka nevojë për shoqëri dhe bashkëbisedues. Kaq ishin këshillat që arritëm t`i përmbledhim gjatë momenteve të kthimit të kësaj përgjigje, lusim Allahun e Lartësuar t’ju ruaj juve dhe familjen tuaj nga çdo e keqe, t’ju realizojë shpresat dhe t’ju bëj të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër! Amin! Alaudin Abazi


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free