Femija i mbare
Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin fisnik: “Pasuria dhe fëmijët janë bukuri të kësaj bote, ndërsa punët e mira kanë shpërblim më të mirë tek Zoti dhe kanë shpresë më të madhe”.
Fëmija është bukuria më e madhe, që mund të ketë prindi në këtë botë. Fëmija për prindin është si drita e syve. Fëmija ia mban gjallë emrin prindit edhe pasi ai të ketë ndërruar jetë. Por fëmija që është lumturia e prindit, mund të kthehet edhe në brengë të madhe. Ai mund të jetë bukuria e kësaj bote, por njëkohësisht mund të kthehet në hallin më të madh. Ai mund ta mbajë lart emrin e mirë të prindit, por edhe mund ta poshtërojë atë.
Përpara se fëmija të lindë, njeriu kërkon nga Zoti vetëm që të ketë fëmijë, duke menduar se do ta edukojë në formën më të mirë. Por pasi fëmija lind, të gjithë joshen nga bukuria, çiltërsia dhe naiviteti i fëmijës dhe harrojnë ta edukojnë atë. Dalëngadalë prindi thjesht kënaqet me fëmijën e tij, por harron ta edukojë atë.
Me rritjen e fëmijës rriten edhe kërkesat. Kështu prindit i shtohen hallet dhe brengat. Ndoshta ky fëmijë, për të cilin ti u lute që të vijë në jetë, një ditë bëhet brengë shumë e madhe për ty.
Fëmija i mbarë është dhurata më e madhe, që Zoti i jep njeriut pas besimit. Shumë njerëz luten që të kenë fëmijë, ndërsa njerëzit e mençur luten që Zoti t`iu japë fëmijë të mbarë.
Fëmija i mbarë është ai që kur e sheh të gëzon, kur i flet të dëgjon, ai që të ndihmon sa je i ri e kur të plakesh, ai përpiqet të t`i lehtësojë hallet. Është ai që kur ti vdes, të respekton me të gjitha mënyrat, kur je në varr lutet për ty. Fëmija i mbarë me lejen e Zotit mund të ndërmjetësojë për ty.
Çdo prind ka aq shumë halle dhe shqetësime për fëmijën e tij, sa nuk do të mjaftonin net të tëra dimri. Të gjithë kanë dëshirë që fëmija i tyre të jetë i mirë, por si mund të arrihet kjo?! Si mundet që kjo dhuratë që na ka dhënë Zoti të mos kthehet dënim kundër nesh?! Pas lejes së Zotit, duhen bërë disa punë dhe unë do të flas vetëm për tre prej tyre. Këto punë i bën Zoti shkak, që fëmija jonë të jetë i mbarë.
Detyra e parë është MODELI, sjellja jote, puna jote, ajo që fëmija sheh tek ti. Shumë prindër ankohen se djalin ia prishi shoqëria, shokët e këqij, por ndoshta vetë prindi nuk e ka bërë punën e tij, por e ka lënë fëmijën që të marrë atë rrugë që dëshiron, qoftë ajo e mirë apo e keqe. Fëmija imiton. Sidomos kur është i vogël, prindërit për të janë njerëzit më të mirë dhe nuk ka më të fortë dhe më të mençur sesa ata. Modeli i prindit instalon tek fëmija ose të mirën, ose të keqen. Këtu vlen shprehja “Çfarë do të mbjellësh, do të korrësh”. Nëse sot i thua: “Po i ra njeri telefonit, ti thuaj se babi nuk është në shtëpi”, nesër mos ia shkul veshin kur të gënjejë, se ia ke mësuar me gojën tënde. Nëse fëmija shikon babanë, që godet gruan e tij, mos u çudit nesër kur të shikosh, se ky fëmijë godet nënën dhe babanë e tij. Nëse fëmija sheh babanë e tij sesi falet, sesi komunikon urtë e butë në shtëpi, ai e merr si model prindin e tij edhe pse ndoshta ti nuk e ndjen diçka të tillë. Ashtu siç sillesh ti me fëmijën tënd, ashtu do të sillet edhe fëmija yt me njerëzit e tjerë. Dikush mund të thotë: “Kam dështuar në edukimin e fëmijës tim, nuk kam çfarë të bëj”. Atëherë mos i prit shpresat, por rregulloje veten tënde, se ndoshta Zoti do ta rregullojë fëmijën tënd. Investo tek vetja jote, që Zoti të investojë tek fëmija yt. Nëse prindi është munduar ta edukojë fëmijën e tij dhe gjithmonë është lutur për të, por fëmija nuk ka marrë udhën e drejtë dhe prindi vdes me shqetësim për fëmijën e tij, mund të kalojë një kohë dhe fëmija yt merr rrugën e drejtë, pendohet për çfarë ka bërë dhe fillon jetën sipas urdhrave të Zotit.
Kurani na tregon sesi Zoti dërgoi Musain (a.s) bashkë me Hizrin në një udhëtim shumë të gjatë. Dikur ata arritën në një qytet dhe panë një mur të shtrembër. Hizri e drejtoi murin dhe Musai u çudit për këtë gjë. Hizri ia shpjegoi këtë gjë dhe i tha, se ai mur ishte i dy jetimëve të atij qyteti dhe nën mur kishte një thesar. Hizri e kishte bërë atë veprim, sepse babai i atyre fëmijëve kishte qenë besimtar i mirë dhe Zoti deshi t`i ndihmonte ata fëmijë për hatër të babait të tyre. Nëse ne rregullojmë veten tonë, inshallah Zoti do t`i drejtojë fëmijët tanë. Fëmija nuk dëgjon shumë me fjalë, por ai sheh me sy. Prandaj baballarët tanë i kujtojnë prindërit e tyre për sjelljet e tyre edhe pse ka vite që kanë ndërruar jetë.
Detyra e dytë është KËSHILLIMI PËR MIRË DHE NDALIMI NGA E KEQJA. Shumë prindër kanë shqetësim vetëm që ta ushqejnë apo ta veshin fëmijën e tyre. Shumë prindër ndjehen keq, se s`kanë para t`i blejnë një celular, disa të tjerë duan t`i blejnë fëmijës së tyre një makinë, të tjerë duan t`i blejnë një shtëpi dhe vazhdimisht janë të shqetësuar për këtë. Shkurt gjithë shqetësimi i prindërve është tek aspekti material. Pak prindër e dinë që investimi më i madh është edukata që merr ky fëmijë. Sa përpiqen prindërit në këtë drejtim për fëmijët e tyre?! Këshilloje fëmijën për mirë, por me të mirë dhe me të butë. Ndaloje që të mos bëjë keq, por përsëri bëje këtë me të mirë dhe me të butë. Kurrë nuk do të arrish që ta edukosh një fëmijë me dhunë. Feja jonë na mëson që t`i edukojmë fëmijët që të falen edhe pse nuk kuptojnë asgjë nga ato veprime, të cilat për momentin u duken të pakuptimta. Prindi edukon dhe fëmija skalitet. Profeti (a.s) thotë: “Fëmija lind në natyrën e pastër, por janë prindërit ata që e bëjnë çifut, të krishterë apo zjarrputist”. Gjithashtu mësoje fëmijën tënd që ta thotë të vërtetën dhe të mos gënjejë kurrë. Mos u mërzit kur të thyen një gotë apo diçka më të madhe se ajo. Njeriu duhet të mërzitet, kur mëson se fëmija i tij gënjen dhe mashtron. Gotat blihen përsëri, por vesi është i vështirë për t`u hequr. Prandaj edukojë fëmijën që ta ketë zemrën e madhe. Të respektojë jo vetëm ty dhe nënën e tij, por edhe dajallarët, hallat, farefisin dhe të gjithë njerëzit e kësaj toke. Sot kemi shumë familje të ngushta, që nuk dalin jashtë portës së shtëpisë së tyre. Zoti na porosit në Kuran: “O ju që keni besuar! Ruani vetet tuaja dhe familjet tuaja nga zjarri i xhehenemit”. Në këtë ajet përmendet edhe familja, sepse në përgjithësi prindi është shkaktari kryesor, që familja e tij të shkojë në zjarrin e xhehenemit ose anasjelltas. Pra edukoje fëmijën tënd, se ky është investimi më i madh që mund të bësh për veten, për fëmijën dhe për gjithë shoqërinë.
Detyra e tretë është LUTJA për fëmijët e tu. Bëj dua` (lutje) për fëmijën tënd, se ai nuk është krijesa jote por është krijesë e Zotit dhe kur ta shohësh që ai ka devijuar, lutju Allahut (xh.sh) ta drejtojë e ta udhëzojë fëmijën tënd. Feja na mëson që të bëjmë dua` përpara se fëmija të lindë. Kur të lindë fëmija, duhet t`i thërrasim ezanin dhe ikametin. Të bësh dua` për të është shumë më mirë, sesa ta shash për diçka jo të mirë që ka vepruar. Prandaj profetët e Zotit luteshin gjithmonë për fëmijë të hajrit dhe Zoti na urdhëron për këtë në Kuran.
Por nëse nuk ke mundësi të lutesh për mirë, kij kujdes të mos lutesh për keq. Mos u lut kundër fëmijës tënd dhe mos e mallko atë, çfarëdo lloj gjëje që të ketë bërë. Mos e mallko, sepse ti je i pari që do ta paguash faturën e këtij mallkimi. Shumë njerëz i mallkojnë fëmijët e tyre dhe kur lutja e tyre plotësohet dhe fëmijët e tyre gjenden në hall, prindërit e tyre janë më në siklet se vetë fëmija i tyre, pasi e vuajnë këtë gjë, të cilën e kanë bërë me gjuhët e tyre. Pra bëni kujdes dhe lutuni për fëmijët tuaj në vend që t`i mallkoni ata. Profeti (a.s) thotë: “Lutuni për çdo gjë. Mos u lutni kundër veteve tuaja. Mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, mos u lutni kundër pasurisë tuaj”.
Shkon një prind më fëmijën e tij tek një dijetar i quajtur Muhamed Ibn Sirin dhe i thotë: “Ky fëmijë ma ka sjellë në majë të hundës. Çfarë mund të bëj unë me të”! Por dijetari e pyeti: “A je lutur ndonjëherë kundër këtij fëmije?” Burri tha: “Të them të drejtën po, jam lutur”. Atëherë dijetari i tha: “Shko se ti ia ke shkatërruar jetën këtij fëmije, përpara se ai të shkatërrojë jetën tënde”. Prandaj kurrë nuk duhet të lutemi kundër fëmijëve tanë, se vallahi ne do ta vuajmë shumë këtë gjë.
E lus Zotin që t`i bëjë fëmijët tanë të mbarë, t`i ruajë Zoti nga çdo e keqe, t`i bëjë këta fëmijë gëzim e lumturi për ne në këtë botë dhe në botën tjetër.
Shpresoj se këto fjalë që thamë do të jenë një tërheqje vëmendje për një investim shumë të madh, që pak njerëz e bëjnë e ai është Investimi tek fëmijët. Investimi më i madh është edukata, sjellja, vlerat e këtij fëmije. Për Zotin do t`ia shohësh hajrin në këtë botë dhe në botën tjetër. Historia që do të tregoj tani nxjerr në pah, se fëmija është gëzim dhe lumturi jo vetëm për prindin, por për mbarë shoqërinë.
Flitet për një zonë , ku njerëzit nuk ishin shumë besimtarë, nuk e kishin frikë Zotin, nuk e njihnin botën tjetër. Imami i xhamisë gjithmonë pas namazit të xhumasë merrte djalin e tij 11-vjeçar dhe dilnin të dy bashkë duke shpërndarë një libër të vogël që titullohej “Rruga për në xhenet”, duke shpresuar që dikush ta lexonte dhe t`i drejtohej zemra. Në një nga xhumatë po binte një shi i rrëmbyeshëm. Fëmija ishte veshur mirë, sepse ishte përgatitur që të dilte në rrugë, por kur ia tha të atit për të dalë, babai i tij iu përgjigj: “Nuk është kohë për të dalë sot, sepse po bie shumë shi dhe nuk ka as njerëz”. Fëmija i thotë: “Baba! Ti më ke thënë se ka shumë njerëz që nuk e njohin Zotin. Prandaj edhe pse bie shi, njerëzit përsëri kanë nevojë që dikush t`ua kujtojë Zotin”. Por babai i tij refuzon që të dalë. Atëherë djali merr leje nga i ati që të dalë vetë e të shpërndajë libra. Ky fëmijë Doli me çiltërsinë e tij duke shpërndarë broshura të gjithë njerëzve që po kalonin, derisa në fund i mbetet vetëm një libër, i cili ftonte për në xhenet. Nuk kishte më njerëz rreth e rrotull tij, por ai ishte betuar që nuk do të shkonte në shtëpi, derisa t`i kishte shpërndarë të gjithë librat. Atëherë mendoi të trokasë në derën e ndonjë shtëpie. Shkoi dhe trokiti në derën e një shtëpie. Trokiti një herë, dy herë, tre herë. Kur po bëhej gati të ikte, pasi askush nuk po i përgjigjej, një zë nga brenda i tha që të kthehej dhe të trokiste përsëri. Ai u kthye dhe filloi t`i binte fort derës, madje edhe vetë po çuditej që po e bënte një veprim të tillë. Kaluan gati 10 minuta dhe askush nuk po përgjigjej. Djali u bë gati të ikte, por në atë moment dikush e hapi ngadalë derën e shtëpisë. Doli një grua e përlotur. Dukej se kishte halle dhe probleme. Ajo pa këtë fëmijë me sytë që i ndrisnin, ndërsa shiu sa vinte e shtohej. Djali i zgjati librin dhe i tha: “O nënë! Zoti të do shumë ty. Lexoje këtë libër”. Pastaj iku si era. Çfarë ndodhi?! Pas një jave, imami pasi mbaroi mësimin që mbante për njerëzit u tha nëse kishin ndonjë pyetje. U ngrit një grua nga fundet e rreshtave të grave dhe tha: “I nderuar imam me siguri ti nuk më njeh mua e as këto shoqet e mia nuk më njohin. Ka pak kohë që më ka ndërruar jetë burri. Të gjithë njerëzit më braktisën sikur s`më njihnin. Kur e pashë veten në atë gjendje dhe kur e pashë motin e zymtë me shi dhe rrebesh, shkova në katin e dytë të shtëpisë time dhe vendosa të var veten time. Por çuditërisht filloi të binte dera. Kujtova se mos është ndonjë kalimtar i rastit dhe prandaj nuk e hapa derën për 5 minuta. Por kur dera filloi të binte me forcë, atëherë pyeta veten se kush interesohej për mua. Dola dhe pashë një fëmijë, që i ndriste fytyra dhe sytë nga gëzimi. Më zgjati një libër dhe më tha: “Nënë! Zoti të do ty”. Pastaj iku me të shpejtë. Mbeta vetëm me librin në dorë. Libri titullohej “Rruga për në xhenet”. Kur lexova atë libër, pashë që po bëja gjynahun më të madh, po vrisja veten time. E pashë që Zoti kishte menduar për mua dhe sot jam në këtë vend falë Zotit dhe shkak për këtë është ai fëmijë, që më dha atë libër”. Imami e dinte që ai fëmijë ishte djali i tij 11-vjeçar që insistoi të dilte atë ditë. Të gjithë njerëzit qanin nga gëzimi. Imami u ngrit, e puthi djalin e tij në ballë dhe tha: “Ty të bëri Zoti shkak për ta shpëtuar atë grua dhe jo mua. Unë them fjalët, por punën e bëre ti”. Kjo është kënaqësi dhe realisht fëmija i mirë është gëzim për prindin e tij, por është pasuri e madhe për të gjithë njerëzit e tjerë.
Prandaj Zoti na ndihmoftë që të bëhemi të mirë në veten tonë, që të ndikojmë sadopak tek fëmijët tanë. Atyre që Zoti nuk iu ka dhënë fëmijë, e lus Zotin t`iu japë fëmijë të mirë. Atyre që Zoti u ka dhënë fëmijë, inshallah Zoti i ndihmon që t`i edukojnë fëmijët e tyre. Atyre që Zoti i ka sprovuar dhe fëmijët e tyre kanë devijuar nga rruga e drejtë, Zoti me mëshirën e Tij i ktheftë në rrugën e hajrit dhe i largoftë nga shoqëria e keqe. Atyre që Zoti i ka sprovuar duke ua marrë jetën e fëmijëve të tyre, inshallah Zoti u jep durim dhe i bën ata fëmijë ndërmjetësuar për prindërit e tyre në botën tjetër, pasi profeti (a.s) ka thënë: “Kur Zoti ia merr robit të vet fëmijën, atëherë ky fëmijë bëhet ndërmjetësim për të në botën tjetër”.
Zoti i bëftë fëmijët tanë të mirë dhe të mbarë dhe ne na bëftë fëmijë të mirë për prindërit tanë, pasi edhe ata persona që janë me thinja në kokë, ta dinë se janë fëmijët e dikujt. Zoti na ndihmoftë gjithmonë.
A M I N