Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Kur'ani tregon per shkurtimin e kohes

Kur’ani në dy vende tregon për shkurtimin e kohës, dhe atë:“Atje ngjiten engjujt dhe Ruhi (Xhibrili) në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet.” (El Mearixh: 4)

“Ai i kordinon të gjitha çështjet prej qielli deri në tokë, e pastaj të gjithë Atij do t’i shkojnë në ditën e cila sipas llogaritjes tuaj zgjat një mijë vjet.” (Es Sexhde: 5)

Pse është shkurtuar koha? Pse vlerësimi i shkurtimit të kohës dallohet në dy ajetet e lartëpërmendura?

Në ajetin e parë kur’anor dita përmendet se është e gjatë pesëdhjetë mijë vjet, ndërsa në ajetin e dytë një mijë vjet; dhe pse Kur’ani në dy ajetet e lartëpërmendura e potencon “lëvizjen”, gjegjësisht të “ngjiturit”?

Përgjigje më të mirë në këtë pyetje, në frymën e komentimit shkencor të Kur’anit, do të na jep drejtori i katedrës së Shkencave Natyrore pranë Fakultetit të Femrave të Universitetit “Ein Shems” në Kajro, Dr. Mensur Muhammed Hasib En-Nebijj. Dr. Mensuri thotë: “All-llahu më së miri e di se përgjigje të drejtpërdrejtë dhe bindëse në lidhje me këtë çështje, përkatësisht problematikë, duhet kërkuar në parimet themelore të “teorisë së relativitetit” të Ajnshtajnit, dhe atëherë do ta kuptojmë elokuencën shkencore të Kur’anit, ku do të vërejmë se gjendemi para përsosshmërisë së madhe… me të cilën polemizojnë ata individë që veten e konsiderojnë të “mëdhenj”, e që në të vërtetë s’janë asgjë tjetër pos kokëfortë, të pandjeshëm, të verbër dhe të pavetëdijshëm”.



Dr. Mensuri vazhdon më tej: “Ajnshtajni e anuloi hapësirën dhe kohën në “teorinë e tij të njohur të relativitetit”, në vitin 1905 kur tha: “Nuk mundemi të bëjmë fjalë për kohën, e ta lëmë pas dore hapësirën, e as që mundemi të bëjmë fjalë për hapësirën, e të mos e marim në konsiderim kohën. Duke marë parasysh se gjithçka lëviz, ndërsa ajo gjithçka duhet ta ketë kohën e vet… e, meqë gjithçka lëviz shpejt, koha e tij e lëvizjes do të pakësohet në raport me kohën e lëvizjeve tjera dhe do të jetë më e ngadalshme se sa e tyre”.

Këtë shkurtim të kohës ne nuk e kuptojmë… Shtrohet pyetja: Pse? Sepse lëvizja jonë në tokë është e pamjaftueshme në raport me shpejtësinë lëvizëse, shpejtësia e së cilës është 300.000 kilometra në sekondë, përkatësisht 186.000 milja në sekondë, që njëherit është edhe absolutisht shpejtësia më e madhe. Sa për ilustrim, korpuskulat (trupthat) atomike lindin dhe zhduken, dhe pas një kohe të caktuar “jeta” u zgjatet, duke marë parasysh shkurtimin e kohës, kuptohet nëse lëvizin me shpejtësinë e dritës…

Për shembull, ta paramendojmë një raketë e cila lëviz me shpejtësi 10 nga shpejtësia e dritës në drejtim të planetit i cili është larg nesh 20 vite të dritës, d.t.th. në largësi prej 120 miliard miljash, dhe nëse kjo raketë arrin të kalon një distancë kohore prej 25 vjetësh sipas kalendarit tonë të të llogariturit, atëherë kjo e njëjta kohë shkurtohet në 15 vjet në raport me kosmonautët që gjenden brenda në raketë!!!

Kjo është gjithnjë sipas “teorisë së relativitetit” të Ajnshtajnit, që do të thotë se prindërit (etërit) që gjenden brenda në raketë mund të paramendojmë se pas kthimit nga udhëtimi astronautik janë bërë më të rinj me vjet se sa fëmijët e tyre të cilët i kanë lënë në tokë, ngase 30 vjetët e zgjatjes së udhëtimit të tyre të nisjes dhe kthimit nga hapësira i përgjigjen kohës prej 50 vitesh të jetuara në tokë…

Sipas kësaj “teorie”, rruga e cila zgjat me mijëra vite sipas llogaritjes tokësore të kohës, mundet të zgjat vetëm një ditë në raport me ekuipazhin në raketë, kuptohet nëse shpejtësia e lëvizjes i afrohet shpejtësisë së dritës.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Vallë si mund ta kuptojmë shkurtimin e këtillë të kohës në raport me ata anëtarë të ekuipazhit të cilët udhëtojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme? A mund të besojmë se mund t’i vizitojmë edhe pikat e fundit dhe më të largëta të kozmosit dhe të kthehemi në sipërfaqen e tokës para se të përfundojë jeta jonë? Si dhe, se kur do të kthehemi do ta gjejmë gjeneratën e dytë dhe ndryshime të shumta në tokë, ndryshime këto që na e bëjnë me dije dhe na tregojnë se kanë kaluar mijëra vjet në raport me banorët e tokës që nuk kanë udhëtuar…?

Mirëpo e gjithë kjo do të ndodhte me kusht që udhëtimi të zhvillohet me shpejtësi e cila është e përafërt me shpejtësinë e dritës, pa marë parasysh pamundësinë e bërjes së një udhëtimi të këtillë, ngase raketa e cila do të udhëtonte me këtë shpejtësi do të duhej të harxhonte lëndë djegëse (karburante) hiç më shumë e hiç më pak se dhjetë mijë herë më tepër se sa mbarë harxhimi i lëndëve djegëse për një vit në tërë rruzullin tokësor! E pamundshme apo jo!?

Ky është problemi i shkurtimit të kohës në rast të shpejtësive të mëdha të cilat i afrohen shpejtësisë së dritës, dhe të cilën e vë në dukje Ajnshtajni. Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja vetvetiu: A vërehet në mënyrë të dukshme përsosshmëria shkencore e shkurtimit të kohës, e përmendur në Kur’anin Fisnik në dy ajetet e lartëshënuara të sures El-Mearixh dhe Es-Sexhde? Disa pohojnë se ekziston kundërthënie, përkatësisht kontradiktë në përmbajtjen e këtyre dy ajeteve kur’anore, kjo duke marë parasysh dallimin e shkurtimit të kohës në të dy udhëtimet…”

“Mirëpo”, vazhdon Dr. Mensuri, “kjo nuk është kontradiktë, por përkundrazi, përsosshmëri shkencore. Sipas “teorisë së relativitetit”, koha shkurtohet duke u varur në shpejtësinë e shtuar. Sipas kësaj, ngjitja e melekëve dhe Xhibrilit [alejhis-selam] do të ndodhë në një ditë e cila është e barabartë me kohën “prej pesëdhjetë mijë vjetësh”, e që njëherit jep kufizim (ngushtim) më të madh kohor, përkatësisht shpejtësia e “të ngjiturit” është më e madhe… Por, “të ngjiturit” në ajetin tjetër do të përfundon “në një ditë” e cila është e barabartë “me një mijë vjet”, që d.t.th. kufizim (ngushtim) më të shkurtër kohor.

Mirëpo këtu nuk ka kontradiktë, përkundrazi, e gjithë kjo është plotësisht e kuptueshme, pasi që e dimë se melekët dhe Xhibrili [alejhis-selam] janë krijesa drite, të cilat ngjiten më shpejtë se krijesat tjera për të cilat bëhet fjalë në ajetin tjetër.

Shtrohet pyetja: A e ka lexuar Albert Ajnshtajni Kur’anin para shpalljes së “teorisë së relativitetit?”, apo Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] (për të cilin biografët pohojnë dhe vërtetojnë besueshëm se nuk dinte shkrim-lexim) e ka njohur “teorinë e relatitivitetit” para se të shpallej kjo “teori” një mijë e treqind vjet pas vdekjes së tij?!?!

Kjo vlen sa për informim për ata të cilët me padije dhe me kokëfortësi pohojnë se gjoja Kur’ani është vepër njerëzore (sic!)…”

“Përsosshmëria shkencore”, vazhdon më tej Dr. Mensuri, “nuk përfundon vetëm me shkurtimin e kohës. Folja “je’aruxhu”, e përmendur në dy ajetet e sipërpërmendura të Kur’anit, në apektin gjuhësor do të thotë: “Ngjitje shtegut të shtrembërt” e jo vijës së drejtë. “Shtegu i shtrembërt” është parimi themelor i “teorisë së relativitetit”, bashkim për të gjitha lëvizjet e materieve dhe forcave në vasionë (hapësirë), “teori” të cilën Ajnshtajni e elaboroi në vitin 1916 për ta shpjeguar baraspeshën (ekuilibrin). Pohimin e tij e plotësoi me pjerjen e dritës së planetit në kozmos dhe matjen e shtigjeve të shtrembërta.

Albert Ajnshtajni thotë: “I tërë kozmosi shtrihet në sipërfaqe, e cila sipërfaqe është në trajtë të sferës së mbushur si balonë, i mbyllur në vetvete, që d.t.th. se kozmosi nuk është brenda balonës, por me trupat e vet e formon sipërfaqen e balonës. Kështu që, për rrjedhojë, lëvizja e materieve në kozmos është pjertazi e jo drejtë”.

Lidhur me këtë pohim të Ajnshtajnit, Dr. Mensuri thotë: “Këtë më së miri e shpjegon folja “je’aruxhu” që është përdorë në ajetet e sipërpërmendura, e jo ndonjë shprehje tjetër, për shpjegimin e udhëtimeve vasionike, që shpie tamam në precizitetin shkencor, sikur që përdoret edhe në ajetet kur’anore vijuese:

“Edhe sikur Ne t’u hapnim atyre një derë në qiell dhe të ngjiteshin vazhdimisht lart në të (e të shihnin engjujt e fshehtësisë).” (El Hixhr: 14)

“E di se çka futet në tokë dhe çka del prej saj, dhe çka bie nga qielli e çka ngjitet në qiell…” (Sebe’ë: 2)

Është thënë se kozmosi ngjan sikur balonë. Ajnshtajni llogariti se gjysma e kozmosit është e barabartë me 35 bilion vite të dritës. Largësia e trupave të Kozmosit njëri prej tjetrit është vërtetuar dhe shkencërisht është argumentuar. Në lidhje me këtë tregon edhe ajeti kur’anor vijues:

“Ne kemi ngritur qiellin me forcën tonë, por me të vërtetë mundemi edhe më tepër.” (Edh Dharijatë: 47) D.t.th. All-llahu i Madhërishëm qiellin, respektivisht kozmosin, e ndërtoi (ngriti) me Fuqinë e Përsosshmërisë së Vet qysh në periudhën parahistorike, në gjërësi shumë të madhe; si dhe zgjerimin e qiellit, që është dukuri konstante, në përputhshmëri me zgjerimin e kozmosit, gjë që edhe kjo shkencërisht është vërtetuar, të cilën e vërtetoi (shpalli) Hebeli pas llogaritjes që filloi në vitin 1929 e që vazhdon gjer në ditët e sotme…

Pasi që Krijuesi, sipas Cilësive të Veta, dallohet nga krijesat e Tij, Ai është i Vetmi që nuk ka kufij, Ai është i Vetmi që është mbi hapësirën dhe kohën, siç na rrëfen ajeti kur’anor vijues:

“Ai është i pari dhe i fundit; I Dukshmi dhe i padukshmi. Ai është I Gjithdijshëm për çdo send!” (El Hadid: 3) dhe “…e Tij është ç’ka ka në qiej dhe ç’ka ka në tokë…” (El Bekare: 255)

“Sipas kësaj”, vazhdon Dr. Mensuri “All-llahu i Madhërishëm është Krijuesi i përhershëm. Ekzistenca e krijesave është e kufizuar me kohën, ndërsa ekzistimi i Krijuesit është i përhershëm për çdo kohë. Ai nuk ka të kaluar, të sotshme dhe të ardhme. Ai, I Madhëruar qoftë, është përherë i Përhershmi…

All-llahu i Madhërishëm krijesave të veta ua ka dhënë kohën, kurse Ai Vetë është mbi rrjedhat e kohës. Gjithçka që Atij i është e njohur, veçmë ka ndodhur. Argument për këtë është: All-llahu i Madhërishëm i përshkruan ngjarjet e Ditës së Gjykimit me foljen e kohës së kaluar, edhe pse ajo (Dita e Gjykimit) ka të bëjë me të ardhmen…

“Erdhi (është afruar) caktimi i All-llahut (kijameti), pra mos kërkoni ngutjen (ardhjen para kohës) e tij!...” (En Nahl: 1)

“… dhe do t’i fryhet (vërejtje: folja në perfekt) surit dhe të gjithë do t’i tubojmë.” (vërejtje: folja gjithashtu në perfekt) (El Kehf: 99)

All-llahu i Madhërishëm nuk është i kufizuar me kohën dhe hapësirën. Ai është prezent (gjendet) në tokë dhe qiej. Musa [alejhisselam] bisedoi me All-llahun e Madhërishëm në tokë (kodrinën Turi-Sina), ndërsa vulës së Pejgamberëve, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], në natën e Israsë dhe Miraxhit, ia zbuloi dhe tregoi shenjat e Tij më të mëdhaja në Mbretërinë Qiellore (Fronin e Tij, Arshin), ku koha dhe hapësira gjithashtu ishin të anuluara”.

Në fund, Dr. Mensuri thotë: “All-llahu i Madhërishëm deri diku edhe neve na ka dhënë aftësi që të lirohemi nga nocionet kohë dhe hapësirë, me anë të imagjinatës, ëndërrave etj. Me anë të imagjinatës, imagjinon vitet e shkuara sikur të mos kishin kaluar fare. Kurse nëpërmjet ëndrrave thyhet bariera e kohës dhe hapësirës, ngase kjo forcë (pra, thyerja e nocionit kohë dhe hapësirë, vërej. e përkth.) është shenjë e shpirtit të njeriut dhe dëshmi se shpirti është i pavdekshëm, i përjetshëm.

E njëjta gjë ndodh edhe me vetë shpirtin i cili del (largohet) nga gjymtyrët e trupit, dhe pa marë parasysh kohën dhe hapësirën, me anë të shpejtësisë së vet, shpejtësi kjo që vetëm All-llahu i Madhërishëm e din, mbërrin në botën tjetër - ahiret”.

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free