Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Qetësia

“Sa  më i thellë të jetë deti, aq më i qetë është.”

“Fuçia bosh, bën zhurmë më shumë se fuçia plot”.

Të gjitha thëniet e urta e nxjerrin qetësinë si një vlerë, dhe në fakt ashtu është.

Një i mençur luan e përmbush misionin e tij në një mot dhe klimë të hapur e të qetë. Por kur retë e nervozizmit dhe zemëratës mbulojnë qiellin, ai pëson eklips dhe ligështohet, duke rënë pre e emocioneve të stuhishme e të papërballueshme.

Hasmi dhe kundërshtari yt nuk ka armë më të fuqishme sesa kur ti reagon ashpër ndaj provokimit. Përkundrazi, kur i buzëqesh e xhindos dhe ia këput shpresat e fitores.

Thotë Zoti i lartësuar:”dhe që, kur i zemëron dikush, falin.” (Shura, 37)

Thotë profeti Muhamed a.s:”Nevrikosja është prush që ndizet në zemrën e birit të Ademit.” (Ahmed)

Në çastet e vdekjes së Ebu Talibit, i vajti Ebu Xhehli dhe Abdullah ibnu Ebi Ummeje. Profeti Muhamed a.s që i qëndronte tek koka i tha:”O xhaxha! Thuaj “La ilahe il-lallah!” që ta kem si argument para Zotit.” Menjëherë Ebu Xhehli ndërhyri dhe i tha:”A mos kërkon të heqësh dorë nga feja e Abdul Muttalibit?!” Profeti a.s tha:”Do të vazhdoj të kërkoj falje për ty përderisa nuk më është ndaluar.”

Atëherë iu shpall ajeti:” Nuk i takon të Dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre, pasi u është bërë e qartë se ata janë banorë të Xhehenemit.” (Teube, 113)

Ishte një moment tepër i vështirë, pasi Profeti a.s e donte fort Ebu Talibin dhe nuk mund ti harronte qëndrimet e tij të lavdishme. Ebu Talibi po jepte shpirt dhe ishte shansi i fundit që nuk do i përsëritej më. Sigurisht që është momenti më kritik për dikë, pasi ka të bëjë me besimin tek Zoti dhe i dërguari i Tij. Nga Ebu Talibi nuk kërkohej më shumë se të deklaronte shehadetin. Aq më tepër, që ai vetë thurrte vargje herë pas here duke deklaruar:

Jam i bindur që feja e Muhamedit

Është feja më e mirë mbi faqe të tokës

Mos të ishin gojët e njerëzve

Do i shkoja pas e do besoja

Si sinqertë je tregruar me këshillat e tua

E më parë je njohur si i besueshmi ynë

 

Të gjithë e dinë që biri ynë nuk gënjen

E as që merret me fjalë të kota

Pasha Zotin, sikur gjuhët e botës

Mos villnin vrer për të parët tanë

Do i shkonim pas gjithmonë

E nuk do të hiqnim dorë

 

Profeti Muhamed a.s e kuptonte se reagimet emocionale në ato çaste do i kompleksonin gjërat edhe më shumë, prandaj me qetësi tha:”O xhaxha! Thuaj “La ilahe il-lallah!” që ta kem si argument para Zotit.” Duke ia përsëritur herë pas here.

Profeti a.s nuk donte të hyjë në konflikt e të kacafytej me disa banditë që rrethonin xhaxhanë e tij në ato çaste. Ata orvateshin me mish e shpirt që Ebu Talibi të vdesë si pagan, duke i thënë:”Mos do të heqësh dorë nga feja e Abdul Muttalibit?!” duke i kujtuar të parët dhe fenë e tyre, e për rrjedhojë, duke e shantazhuar që ti qëndrojë fesë së tyre.

“Paria e tyre largohet, duke thënë: “Mos ia vini veshin dhe qëndroni të durueshëm pranë zotave tuaj! Kjo është puna që duhet bërë vërtet.” (Sad, 6)

Kjo na kujton profetin Nuh a.s, i cili orvatej natë e ditë tu vërtetojë njerëzve rëndësinë e besimit në një Zot të vërtetë, rëndësinë e monoteizmit.

“Ai tha: “O Zoti im, unë e thirra vërtet popullin tim natë e ditë, por thirrja ime edhe më tepër i largoi (nga e vërteta). Sa herë, që i thirrja për t’i falur Ti, ata shtinin gishtërinjtë në veshë dhe mbuloheshin me petkat e tyre, duke këmbëngulur me mendjemadhësi (në mosbesim). Pastaj i thirra me zë të lartë. Më pas ua shpalla edhe botërisht, edhe fshehurazi e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj! Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?” (Nuh, 5-14)

A lejohet ta justifikojmë veten kur zemërohemi dhe na hipin kacabujtë, me faktin se kemi të drejtë? A nuk është e drejta dhe e vërteta një motiv i mjaftueshëm për të ruajtur qetësinë dhe për të manifestuar zemërgjerësi? A nuk është inatosja dhe humbja e kontrollit një stuhi e cila prish kanalet e komunikimit dhe dëmton përqendrimin tonë?

Teksa lexon një tabelë të bukur mbi të cilën shkruhet “Urtësia është zotëria i gjithë moraleve” dhe mediton rreth kësaj thënieje, kupton se urtësia dhe maturia në momente konflikti, pajtimi, pranimi apo refuzimi, është një dekoratë nderi e cila hijeshon disa njerëz të përzgjedhur nga Zoti. Me këtë, Ai dëshiron t’ua shtojë vlerat dhe tu fshijë gjynahet. Edhe një zullumqar kur manifeston urtësi dhe maturi, gjen përkrahës dhe dashamirës.

Ç’ne kjo erë dhe frymë zemërake mes nesh, saqë barometri i forcës, guximit dhe pasionit është zemërimi dhe inatosja. Kjo, ndërkohë që profeti Muhamed a.s thotë:”Fuqia nuk matet me forcën fizike, por me aftësinë për të kontrolluar veten në çaste zemërate.”

Këtu nuk po kërkojmë të ndrydhim natyrën njerëzore, ta anashkalojmë apo ta ç’rrënjosim një herë e mirë ndjenjën e zemëratës. Jo. Kjo bie ndesh me dinjitetin dhe nderin e njeriut. Ajo që po themi është që të zbusim dhe reduktojmë sa të mundemi  gatishmërinë që ekziston tek disa popuj për të shpërthyer në valë zemërate të papërmbajtshme. Faktit që shkojmë pas natyrës tonë shpërthyese, s’kemi përse ti veshim rrobën e fesë dhe të besimit, i cili ka ardhur për ta pastruar dhe për ti vënë fre nefsit. Gjatë jetës në Mekë, myslimanët u edukuan me vetëpërmbajtje dhe durim ndaj keqtrajtimit dhe torturave, duke mos i lënë asnjë shteg egos së sëmurë. Pasi u dëlirësuan, u zhveshën nga egoja dhe u çliruan nga fanatizmi, iu lejua të triumfojnë dhe ndaj armikut.

Kur zemërata merret si baza dhe themeli i jetës, marrëdhënieve, ligjërimit, qëndrimeve dhe komunikimit, ky është një alarm për humbjen e kontrollit ndaj vetes.

 

Perktheu: Elmaz Fida
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free