Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Metodologjia islame në luftën kundër shkatërrimit në tokë

Pyetje:”Si e lufton islami shkatërrimin në tokë? Si i ndëshkon islami ata që vrasin të pafajshmit, myslimanë qofshin apo jomyslimanë?”

Dr. prof. Abdul Fettah Idris

Përgjigje:”Islami ka qenë dhe vazhdon të zërë numri e parë për sa i përket luftës ndaj ligësive, gjakderdhjes dhe shkatërrimit në tokë. Gjithmonë ai është vënë në mbrojtje të humanizmit dhe vendosjes së paqes në tokë, por pa servilizëm dhe lajka. Mësimet e tij deklarojnë forcën pa arritur në arrogancë dhe butësinë pa arritur tek dobësia. Islami u ka garantuar ithtarëve të tij jetën, ashtu siç ua ka garantuar ithtarëve të Librit, që jetojnë nën shtetin islam. Kushdo që lexon rreth islamit, e has diçka të tillë me lehtësi në literaturën islame.

Thotë doktori Abdul Fettah Idris, profesor i fikhut krahasues në Ez’her:

Sheriati islami i ka kushtuar rëndësi vendosjes së rendit dhe sigurisë në tokë për të gjithë krijesat që jetojnë mbi të. Kështu, ne gjejmë një sërë dispozitash të cilat dënojnë agresivitetin ndaj njeriut, kafshëve dhe ambientit. Islami e konsideron krim çdo lloj agresioni dhe dhune ndaj specieve të mësipërme. Thotë Zoti në Kuran:” Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli..” (Araf, 56)

“..dhe mos bëni çrregullime në tokë!” (Araf, 74)

“Ka ndonjë njeri, fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar. E, kur largohet, përpiqet të bëjë të këqija në tokë, duke shkatërruar të mbjellat dhe bagëtinë. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.” (Bekare, 204-205)

“dhe mos dëgjoni urdhrat e atyre që e teprojnë në të keqe e të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë e nuk sjellin përmirësim”. (Shuara, 151)

Sa i rëndë është shkatërrimi dhe përhapja e panikut në tokë, duket qartë në faktin se Zoti e ka konsideruar atë si luftë ndaj Tij dhe të dërguarit të Tij, paqja qoftë mbi të. Meqë vetë Zoti i lartësuar nuk mund të luftohet, për vetë cilësitë e Tij të përsosura, lufta me Zotin është me kuptim metaforik. Pra, Ai e ka konsideruar luftën me robërit e Tij, luftë me vetë Zotin dhe kjo për të treguar peshën e agresionit ndaj tyre.

Padyshim që shkatërrim në  tokë, është dhe terrori, mbjellja e panikut e frikës, si dhe vrasja dhe dhuna mbi njerëz, myslimanë qofshin, ithtarë Libri që jetojnë nën pushtetin islam, apo dhe jomyslimanë që kanë hyrë në tokat islame me lejen e autoriteteve. Zoti i lartësuar, i cili përfaqëson të drejtën absolute, e ka përcaktuar qartë ndëshkimin e kësaj bote dhe të botës tjetër për të gjithë ata që shkatërrojnë në tokë, qoftë duke vrarë, qoftë duke mbjellë frikë dhe panik, qoftë duke plaçkitur dhe vrarë, ose vetëm plaçkitur. Këtë e gjejmë në suren Maide ku thuhet:” Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ata do të ketë dënim shumë të madh.” (Maide, 33)

Thotë Abdullah ibnu Abasi, gjatë interpretimit dhe shtjellimit të këtij ajeti:”Nëse kanë vrarë dhe kanë plaçkitur pasuri, ata vriten dhe kryqëzohen. Nëse kanë vrarë pa plaçkitur, vriten dhe nuk kryqëzohen. Nëse kanë plaçkitur pasuri por pa vrarë, u priten duart dhe këmbët në zog. Nëse kanë terrorizuar njerëzit, pa i plaçkitur, syrgjynosen.”

Ky dënim i sanksionuar nga Zoti në ajetin e mësipërm, vlen për këdo që vepron ndonjë nga krimet e lartpërmendura, qoftë i dëmtuari mysliman apo jomysliman. Ky është gjykimi i shumicës së dijetarëve myslimanë. Në territoret islame, të gjithë njerëzve u duhet garantuar qetësia dhe rendi. Myslimanët, janë të garantuar nga dispozitat islame. Kurse ithtarët e librit që jetojnë në territoret islame, u garantohet rendi dhe siguria në bazë të marrëveshjes që është nënshkruar mes tyre dhe sovranit mysliman. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, ata gëzojnë të njëjtat të drejta me myslimanët, si dhe ndajnë të njëjtat përgjegjësi dhe detyrime. Sakaq, jomyslimanët që kanë hyrë me leje të autoriteteve në territoret islame, u garantohet jeta, pasuria dhe nderi, në bazë të lejes së dhënë nga autoritetet përkatëse.

Nga profeti Muhamed a.s transmetohen hadithe të sakta, sipas të cilave jomyslimanëve u garantohet jeta në bazë të marrëveshjes me autoritetet myslimane. Nga këto hadithe, mund të citojmë atë që transmeton Ibnu Mesudi se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush lëndon një dhimmij (jomysliman që jeton në territoret islame) unë do të jem kundërshtari i tij. Nëse unë jam kundërshtari i dikujt, do e mposht Ditën e Kiametit.”

Transmeton Amr ibnul Hamik, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush vret një person pasi i ka garantuar jetën, unë distancohem nga vrasësi, edhe nëse i vrari është jomysliman.”

Transmeton Abdullah ibnu Amr se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush vret një person që ka hyrë në territoret islame me lejen e autoriteteve, nuk do e shijojë aromën e xhenetit, edhe pse aroma e saj ndihet dyzet vite larg.”

Këto hadithe dhe shumë të tjera të ngjashme, tregojnë se jeta e jomyslimanëve është e garantuar nën hijen e pushtetit islam. Prandaj, çdo lloj sulmi dhe agresioni ndaj myslimanëve, duhet dënuar sipas ligjeve të lartpërmendura. Dënimi është në këtë botë dhe në botën tjetër. Ata që u shpëtojnë ligjeve në këtë botë, do të dënohen në botën tjetër.

Zoti e di më mirë.


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free