Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Mendjemadhësia në Islam

Nga Abdullah Ibn Mes'ud [radiallahu anhu] i cili transmetoi se i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] ka thënë: "Kushdo që ka në zemrën e tij mendjemadhësi [kibr] qoftë edhe sa atomi s'do të hyjë në Parajsë." Një njeri tha: Çka në lidhje me njeriun i cili e ka qejf [dmth është krenar me] veshjen e bukur dhe këpucat e bukura? Ai u përgjigj: "Vërtet, Allahu është i bukur dhe e don të bukurën. Mendjemadhësi [kibr] është të refuzosh të vërtetën dhe të përçmosh njerëzit."

Pra, Allahu, më i Larti, na informon se Zjarri është vendbanim i atyre që kanë kibr [mendjemadhësi dhe arrogancë]. Dhe në mësojmë nga hadithi i lartpërmendur se: "Kushdo që ka në zemrën e tij mendjemadhësi [kibr] qoftë edhe sa atomi s'do të hyjë në Parajsë." Kjo është dëshmi se kibri [mendjemadhësia] doemos kërkon hyrjen në Zjarr dhe e parandalon hyrjen në Parajsë. Dhe ky shpjegim i hollësishëm që Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] përmendi e sqaron domethënien e kibrit [mendjemadhësisë] në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra, ai e ndau kibrin në dy lloje:

Mendjemadhësia [kryelartësia] ndaj së vërtetës: Kjo nënkupton refuzimin e së vërtetës dhe mospranimin e saj. Pra, kushdo që e refuzon të vërtetën është mendjemadh dhe arrogant – në pajtim me atë që e refuzon nga e vërteta. Kështu që është obligim për çdonjërin që të përulet para së vërtetës me të cilën Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij [salallahu alejhi ue selam], dhe të cilën Ai e zbriti në Librin e Tij. Përsa u përket atyre mendjemadhësia dhe arroganca e të cilëve i parandalon ata tërësisht prej bindjes ndaj të Dërguarve [dmth nga Imani apo besimi në ta dhe porosinë e tyre], atëherë ata janë kufarë [pabesimtarë] të cilët do të banojnë në Zjarr përgjithmonë. Meqë e vërteta u vjen atyre përmes të Dërguarve, të cilët ua shpjegojnë atyre shenjat dhe dëshmitë e qarta, ndërsa ata i refuzojnë ato dhe parandalohen nga të pranuarit ato për shkak të kibrit që e ushqejnë në zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë:

"Vërtet, ata që polemizojnë lidhur me Shenjat e Allahut pa pasur ndonjë argument, në zemrat e tyre s'ka gjë tjetër përveç kibrit [mendjemadhësisë]. Ata kurrë s'do ta pranojnë Pejgamberin Muhamed." [Ghafir: 56].

Përsa u përket atyre mendjemadhësia dhe arroganca e të cilëve i parandalon ata nga nënshtrimi ndaj disa pjesëve të së vërtetës – ngase kjo i kundërshton opinionet e tyre apo dëshirat dhe epshet – atëherë njerëzit e tillë s'janë kufarë [pabesimtarë], por një veprim i tillë kërkon që ata të dënohen në pajtim atë që e kanë prej kibrit. Për këtë shkak Dijetarët kanë rënë dakord që kurdo që Suneti [udhëzimi dhe rruga] i Pejgamberit [salallahu alejhi ue selam] t'i jetë shpjeguar ndokujt, atëherë s'është e lejueshme për të që ta lë atë për thënien e tjetërkujt, kushdoqoftë ai dhe çfarëdo statusi që të ketë ai. Pra, është obligim për kërkuesin e diturisë që t'i jep përparësi të plotë dhe absolute thënies së Allahut dhe të Dërguarit të Tij [salallahu alejhi ue selam] mbi thënien e kujdoqoftë tjetër, dhe se ai duhet ta bëjë këtë bazë të cilës i kthehet, dhe fundament mbi të cilin ndërton; duke pasuar kështu udhëzimin e Pejgamberit [salallahu alejhi ue selam], duke u përpjekur që ta kuptojë atë që është menduar me të, dhe duke e pasuar këtë, së brendshmi dhe së jashtmi. Kur personi është në pajtim me këtë parim madhështor, ai me të vërtetë arrin mirësi dhe shkëlqesi, dhe të gjitha gabimet do t'i falen atij; meqë synimi kryesor i tij është që të pasojë atë që i është urdhëruar atij. Pra, gabimet e tija janë të justifikuara për shkak të përpjekjes së tij për të njohur dhe për t'iu përshtatur së vërtetës – dhe kjo është përulja e vetvetes ndaj së vërtetës.

Mendjemadhësia ndaj njerëzve: Ky lloj nënkupton përçmimin e njerëzve dhe përbuzjen e tyre. Ky qëndrim ngrihet kur personi është i mahnitur me veteveten e tij, ka mendim të lartë për vetveten e tij, dhe mendon se është më i mirë se të tjerët. Pra, kjo bën që ai të ketë kibr ndaj krijimit, që t'i përçmojë ata, t'i përqesh ata, dhe t'i degradojë ata përmes fjalëve dhe veprave. I Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] ka thënë: "Mjafton si e keqe për një person që ai ta përçmojë vëllain e tij musliman."

Për këtë shkak njeriu pyeti: "Çka në lidhje me njeriun i cili e ka qejf [dmth është krenar me] veshjen e bukur dhe këpucat e bukura?" Ngase, ai u frikësua se kjo bie nën kërcënimin me dënim. Kështu që Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] ia shpjegoi atij se kjo s'është prej kibrit, meqë ky person ishte prej atyre që i ishte bindur së vërtetës, dhe ishte modest ndaj njerëzve, dhe se kjo ishte prej bukurive të cilat i do Allahu, ngase vërtet, Allahu, më i Larti, është i bukur në Veten e Tij [Dhat], Atributet e Tija [Sifat] dhe Veprat e Tija [Ef'al], dhe se Ai e do bukurinë e brendshme dhe të jashtme.

Përsa i përket bukurisë së jashtme, kjo përfshin pastërtinë e trupit, veshjes dhe vendit. Kurse bukuria e brendshme është zbukurimi i karakterit. Për këtë i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] e kishte zakon të lutej: "O Allah! Më udhëzo në sjellje të mirë dhe cilësi të mira, askush s'mund të më udhëzojë në zbukurimin e tyre përveç Teje. Dhe, më largo nga veprat dhe cilësitë e këqija, askush s'mund t'i largojë këto prej meje përveç Teje."

Allahu e di më së miri!
 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free