Bëni mirë të shpëtoni
Zoti ynë thotë në Kurani famëlartë: “O ju që keni besuar, përkuluni para Zotit! Bini në sexhde para Tij, Adhurojeni Atë dhe bëni mirë nëse me të vërtetë doni të shpëtoni”.Zoti me drejtësinë e Tij ka caktuar, që njerëzit në këtë botë të jenë në poste dhe gjendje të ndryshme. Ai ka caktuar që të ketë njerëz të sëmurë, por edhe njerëz të shëndoshë, njerëz të varfër e njerëz të pasur, njerëz që kanë halle të shumta sa malet dhe të tjerë, që ju duket se nuk kanë halle. Në të vërtetë nuk ka njeri pa halle.
Sot ka njerëz që janë të njohur, që iu shkon fjala, iu dëgjohet urdhri e ka gjithashtu edhe njerëz të tjerë, që askush nuk i njeh.
Zoti i ka caktuar të gjitha këto me drejtësinë e Tij, që njerëzit ta njohin dhimbjen dhe vuajtjen e tjetrit. Ta provojnë njëherë ç’do të thotë të kesh hall, të kesh problem, që nesër t’i gjendesh afër dikujt që ka halle, se realisht ka nevojë për ty.
Sikur Zoti t’i bënte të gjithë njerëzit njësoj, ose të gjithë të pasur, ose të gjithë të varfër, nuk do të dihej halli, s’do dije ku të kërkoje që të të zgjidhej halli. Por Zoti me urtësinë e Tij, me drejtësinë e Tij i bëri njerëzit në gjendje të ndryshme.
Thuhet se nëse dikujt i duket sikur nuk ka asnjë hall, kjo është shenjë se Zoti është i zemëruar me të. Transmetohet se faraoni nuk është sëmurë asnjëherë, prandaj ky njeri u bë arrogant, u bë kryeneç e jo vetëm kaq, por doli mbi nivelin e njerëzve e tha “Unë jam zot”, madje tha “Unë jam zoti i vetëm i gjithësisë”. Por jeta e tij përfundoi si mos më keq.
Ndoshta është mëshirë prej Zotit, që robi ka halle dhe probleme, sepse ndoshta kështu atij do t’i zbutet zemra, do t’i ulet mendja e do të kujtojë se me të vërtetë ka nevojë për Zotin.
Zoti vetë na nxit, që t`i qëndrojmë afër atij që ka halle, të mundohemi t’ia lehtësojmë sadopak barrën, sepse të jemi të sigurt se Zotin do ta gjejmë gjithmonë afër kur t’ia kemi nevojën. Për këtë arsye profetët e Zotit, të cilët janë inspiruar nga vetë Zoti, i kanë njohur hallet e njerëzve. Ata nuk kanë jetuar në kulla të fildishta, as nuk kanë folur thjesht nga minberet, nga podiumet, por kanë jetuar me njerëzit, kanë hyrë në damarët e jetës. Vetë kanë vuajtur dhe e kanë ditur se çdo të thotë të vuajë dikush, prandaj të gjithë kanë pasur një vend ku prisnin njerëzit, ku dëgjonin hallet e tyre, ku mundoheshin t’ua zgjidhnin hallet atyre njerëzve.
Ibrahimi (a.s) ka qenë bujar. Çdo të thotë të jesh bujar? Bujaria e tij ishte e madhe, ishte jashtëzakonisht e madhe. Nuk kishte ditë që në shtëpinë e tij të mos kishte një mik. Ai jetonte me njerëzit. E dinte se çdo të thotë që robi të ketë halle dhe mundohej t’ua zgjidhte hallet këtyre njerëzve.
Musai (a.s) ishte mësuar nga Zoti, shpirti i tij ishte gatuar në mënyrë të tillë që ta dojë njeriun, ta zgjidhë hallin e robit, kur e ka mundësinë për ta zgjidhur.
Kishte udhëtuar më shumë se një javë dhe nuk ishte i pangrënë, ishte i lodhur, i rraskapitur, i trembur dhe i frikësuar. Kur vetë ishte në hall, pa dy motra të cilat nuk mbushnin dot ujë, nuk nxirrnin dot ujë nga pusi, që t’u jepnin për të pirë bagëtive të tyre. Menjëherë në mënyrë instiktive shkoi dhe i ndihmoi. Por Zoti ia shpërbleu, ndoshta më shumë sesa e mendoi vetë Musai (a.s).
Isai (a.s) ka qenë profeti, që kuronte të verbrit, sëmundjen e lebrozës, u rrinte afër hallexhinjve e të sëmurëve.
Ai që jeton me të verbrit, me të sëmurët, ai i di hallet e njerëzve dhe e di se çdo të thotë t’i heqësh hallin një personi.
Ashtu ishte dhe profeti i fundit, Muhamedi (a.s). Ai ishte i gatuar në këtë formë qysh para se të bëhej profet. Kush i trokiste në derë për t’i zgjidhur një hall, e kishte për borxh të mos e kthente duarbosh. Prandaj kur u tremb se mos vallë i ndodhi diçka e keqe në malin e dritës, bashkëshortja e tij, Hatixheja (r.a), i tha: “Mos ki frikë, Zoti ty kurrë nuk të bën keq, se ti i gjendesh afër hallexhiut, ti ndihmon jetimin, ti strehon rrugëtarin, ti e mban farefisin dhe nuk i këput lidhjen me të. Kush i ka këto cilësi, nuk ka për ta humbur Zoti i gjithësisë”.
Ashtu siç ishte vetë, i mësoi dhe shokët e vet, ta duan të mirën, t’i rrinë afër hallexhiut, njeriut që ka brengë, me shpresë se të paktën do t’ia lehtësojë brengën, prandaj u thoshte atyre dhe të gjithë njerëzve “Më i miri i njerëzve është më i dobishmi i tyre. Më i dobishmi nga njerëzit është më i miri tek Zoti i gjithësisë”. Gjithashtu u thoshte: “Bëni mirë, se punët e mira ju ruajnë nga një vdekje e keqe”.
Prandaj nga shokët e Muhamedi (a.s), dikush blinte një pus me sa para kishte, vetëm për t`u dhënë ujë njerëzve, megjithëse pronari i pusit e shiste shumë shtrenjt. Dikush tjetër mbante thasët me drith, natën dhe i çonte në dyert e fukarenjve e ata nuk e dinin se kush e sillte. Mendonin se e sillte shteti, por ishte një individ që e bënte këtë punë. Dikush tjetër e kishte për krenari të pastronte shtëpinë e një gruaje shumë të thyer në moshë e të vebër. Ia pastronte shtëpinë, ia rregullonte, i gatuante ushqimin dhe kjo grua nuk e dinte se ky person që vjen i pastron shtëpinë dhe i gatuan ishte Ebu Bekri (r.a), kalifi, presidenti, i pari suprem i të gjithë muslimanëve. Ebu Bekri (r.a) kishte dëshirë, që askush të mos e merrte vesh, por këtë e mori vesh Umeri (r.a), pasi e ndiqte nga mbrapa dhe i bënte përshtypje kjo punë.
Ashtu i rriti Muhamedi (a.s) shokët, prandaj të jeni të bindur për diçka, se këta njerëz nuk i kanë nënshtruar popujt dhe zemrat e njerëzve me shpatë, as me pushtet, as me forcë, por me mirësinë e tyre.
Ai njeri që të bën mirë, ai ta thyen zemrën. Atij nuk ke se si i reziston. E mira e robëron robin, kështu i robëruan muslimanët e parë të gjithë njerëzit, në kuptimin e mirë të fjalës ROBËRIM.
Kur flasim për këta shembuj, realisht duken larg, duken jashtëzakonisht larg, sepse jeta sot është shumë e vështirë. Ne flasim për këta shembuj, por të mos harrojmë se në krahun tjetër, sot njerëzit janë pre dhe viktimë e materializmit. Çdo gjë matet me para dhe njeriu dashje pa dashje ia bën pyetjen vetes: “Po e bëra këtë punë, sa fitoj? Çfarë do të kem unë prej kësaj pune”?
Pikënisja është cinike, është e ulët. Kjo do të thotë, se ky njeri nuk bën mirë, përderisa nuk sheh mirë të nesërmen, përderisa nuk sheh zarfin t’i vijë në dorë.
Sot interesi është bërë zot për disa njerëz. Robi bën gjithçka për interes.
Kur flitet për humanizëm, a thua se ti jeton në një botë tjetër, nuk jeton në këtë vend. Sot njerëzit janë viktima të egoizmit e të jesh egoist, do të thotë të jetosh i vogël e të vdesësh i vogël, madje të ringjallesh i vogël. Por një gjë të mos e harrojmë, ne jemi besimtarë.
Të jesh besimtar, do të thotë se ti e ke llogarinë me Zotin, do të thotë se ti je sipër njerëzve, sipër problemeve dhe halleve të tyre, do të thotë që kur ti e bën një punë, nuk pyet shumë: “Çfarë do të ndodhë me mua nesër? Sa fitoj unë nesër?”, por ke një Zot që të ka urdhëruar të bësh mirë e nëse ti bën mirë, dije se Zoti ka dy cilësi.
Cilësia e parë: Është “Shekur (Mirënjohës)”. Ti bën pak, ndërsa Allahu ta shpërblen shumë.
Cilësia e dytë: Është “Alijm (I Gjithëdijshëm)”. Kur ti ndihmon dikë dhe s’ta njohin njerëzit, dije se ta ka njohur Zoti. Zoti është mirënjohës, Zoti është i gjithëdijshëm e kush e bën një punë për Zotin, të jetë i sigurt se Zoti ka për t’ia shpërblyer shumëfish dhe s`ka për t`ia harruar edhe pse ai vetë mund ta harrojë atë që ka bërë.
Uthman Ibn Talha nuk ishte mysliman. Muslimanët ishin munduar që ta bindnin e t`ia zbusnin zemrën, por ai gjithmonë kishte refuzuar. Njëherë pa një grua bashkë me fëmijën e saj, Ummu Selemen e cila ishte nisur nga Meka për në Medine, mbi 400 km të cilat do t`i bënte në këmbë, sepse donte të shkonte të bashkohej me burrin e saj dhe me profetin (a.s). Uthmani e pyeti: “Ku po shkon o Ummu Seleme?” Ajo iu përgjigj: “Po shkoj në Medine, se nuk më pranojnë në Meke, prandaj jam nisur të shkoj vetë atje”. Uthmani tha: “Vallahi nuk bën për një njeri, ta lërë një grua të vetme të shkojë nga Meka në Medine. Hip në devenë time”. Pastaj u nis për në Medine, duke ecur vetë në këmbë e duke tërhequr devenë, mbi të cilën kishte hipur Ummu Seleme. Gjatë gjithë udhëtimit as nuk i foli e as nuk e provokoi. Kur u afrua afër Medines, tha: “Zbrit o Ummu Seleme, se ky është vendi ku është burri yt dhe profeti yt. Unë po kthehem për në Meke”. Askush nuk e mori vesh veprimin e këtij njeriu. Pas disa kohësh Zoti ia hapi zemrën këtij njeriu dhe ai e pranoi Islamin, pa i folur askush. Muslimanët, sa herë e përmendnin këtë shembull, thoshin: “U bë sebep ai veprim, që Zoti ia hapi zemrën dhe u bë mysliman”.
Punët e mira e zbusin zemrën e njeriut dhe është vërtetuar, që ka pasur njerëz me shumë problematika, por me një punë të mirë që kanë bërë, Zoti ua ka zbutur zemrën dhe ka futur dritë në zemrat e tyre.
Ahmen Ibn Hambel tregon: “Po shikoja një grua. Ishte lypëse dhe me vete kishte djalin e saj të vogël. E la djalin nën hijen e pemës, ngaqë ishte diell i fortë dhe doli të lypte në rrugë. Pasi i dhanë një copë bukë, ajo u kthye dhe djali, por nuk e gjeti aty, sepse ia kishin marrë. Vetëm atë djalë kishte pasur. Atëherë filloi të qajë me rënkim. Në atë çast i vjen dikush edhe më i varfër sesa ajo dhe i thotë: “Kam disa ditë që nuk kam futur gjë në gojë. A më jep diçka?” Ajo ia dha bukën dhe përsëri vazhdoi të qajë. Nuk kalon shumë kohë dhe një person vjen më fëmijën e saj përdore. Ajo e gëzuar u ngrit dhe tha: “Si është puna jote”? Ai i tha: “Unë e mora këtë fëmijë për ta shitur si skllav, por gjatë rrugës një zë i brendshëm më thoshte: “Si do të ndihesh ti, sikur të ta marrin fëmijën tënd e të ta shesin si skllav?” Prandaj erdha të ta sjell përsëri”. Kjo grua e njihte Zotin, prandaj tha: “O Zot ti je i Lavdishëm, je aq i madh, sa një kafshatë bukë e shpërblen me djalin e kthyer”. Realisht Zoti është shpërblyes i madh, është Mirënjohës dhe i Lavdishëm.
Ishte një tregtar nga Beni Israilët. Ai kishte një cilësi. Kur e shikonte, se njerëzit që i kishin marrë borxh, nuk kishin mundësi t`ia kthenin atë, ua falte borxhet. Kur vdiq, Zoti e pyeti: “Robi Im çfarë pune të mirë ke bërë”? Ai tha: “O Zot nuk më kujtohet asgjë, por një zakon e kam pasur. Kur e shikoja se borxhlinjtë e mi nuk kishin mundësi të ma kthenin borxhin, ua falja atë”. Allahu ia ktheu: “Ti je treguar bujar me krijesat e mia, ndërsa Unë jam Bujari i të gjithë bujarëve. Unë ti kam falur gjynahet e tua”.
Mund të tregojmë shumë shembuj, por mbani mend vetëm këto fjalë: “Nëse keni mundësi t`ia zgjidhni dikujt hallin, ndihmojeni atë se do ta shihni se Zoti do ta zgjidhë hallin tuaj. Po patët mundësi t`ia lehtësoni dikujt vuajtjen, bëjeni atë, sepse vetëm Zoti e di se në ç`gjendje është ai njeri. Nëse keni mundësi t`ia zbusni brengën dikujt me një fjalë të mirë, bëjeni këtë gjë, se ndoshta është i nevojshëm për një fjalë të mirë. Nëse duam që Zoti të jetë afër nesh, le të jemi afër halleve të njerëzve”.
Profeti (a.s) i mësonte shokët e tij, që të mos e shikojnë punën se sa e madhe apo e vogël është ajo, por ta bëjnë atë. Ai (a.s) thoshte: “Po të dha Zoti mundësi për të bërë një punë të mirë, bëje atë”. Dije se këtë mundësi mund t`ia jepte dikujt tjetër. Ndoshta nesër do të kesh dëshirë, por nuk të jepet mundësia për të bërë mirë. Prandaj profeti (a.s) u thoshte shokëve të tij: “Mos neglizhoni asnjë punë të mirë, sado e vogël qoftë ajo, madje edhe sikur njeriun që ka hall ta prisni me fytyrë të qeshur. Ndoshta kjo ia zbut dhe ia lehtëson vuajtjet atij”.
Në xhaminë e profetit (a.s) ishte një grua shumë e vjetër, e cila çdo ditë pastronte xhaminë, hiqte mbeturinat duke i futur në rrobën e saj. Shumë pak njerëz e njihnin atë. Ajo quhej Ummu Mihxhen. Kur ajo vdiq, profeti (a.s) nuk u informua për këtë. Por kaluan disa ditë dhe profeti (a.s) nuk e pa atë, prandaj pyeti: “Ku është Umu Mihxhen?” Shokët i thanë: “Ka vdekur o profet i Zotit, por nuk të lajmëruam, sepse menduam se je shumë i zënë me angazhime të tjera”. Profeti (a.s) kërkoi që t`i tregonin varrin e saj. Shkoi dhe u fal mbi varrin e saj dhe pastaj tha: “Varret janë të mbushura me errësirë dhe shpresoj që namazi im të jetë dritë për këtë grua, për punën që ka bërë”.
Këtë grua të panjohur e harruan njerëzit, por nuk e harroi profeti i Zotit. Pas kësaj që ndodhi, njerëzit thoshin: “Ah të kishim qenë sa gjysma e kësaj gruaje e të vinte profeti (a.s) e të falej mbi varrin tonë, apo të lutej qoftë edhe me një fjalë”, sepse ka shpëtuar ai njeri për të cilin lutet profeti (a.s).
Profeti (a.s) ka thënë: “Bëni punë të mira, nëse nuk keni mundësi të jepni para, ndihmoni me krahun tuaj, pastaj me një fjalë të mirë. Nëse nuk ke mundësi edhe për këtë, atëherë mos ia rëndo tjetrit hallet me gjuhën tënde”.
Allahu na mundësoftë ta njohim të mirën, ta duam atë dhe të bëjmë mirë për hir të Zotit, duke qenë të sigurt se Zoti është mirënjohës i madh dhe i gjithëdijshëm.
Shpresojmë se punët tona të mira, sado të vogla qofshin, të jenë shkak që të falen gabimet tona, të na falë Zoti kur jemi në varret tona e të na shpëtojë Zoti nga dënimi i zjarrit.
A M I N