Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Zoti pelqen persosmerine

Profeti (a.s) thoshte gjithmonë: “Zoti ka dëshirë, që kur dikush prej jush të bëjë një punë, ta përsosë atë”.
Nëse ke dëshirë të dish, sesi do të flasin njerëzit për ty, atëherë mos fol ti për veten tënde, por lëre punën të flasë për ty. Le të tregojë puna jote se kush je ti sa je gjallë dhe kush ishe ti pas të vdesësh.
Nëse doni të dini se si punon Zoti i gjithësisë, atëherë mjafton të ngremë sytë drejt qiellit e të shikojmë gjithë këtë hapësirë. A ka difekt apo boshllëk në të?!
Dielli lind në një vend të caktuar dhe perëndon në një vend të caktuar. Po ashtu edhe hëna, yjet dhe planetet lëvizin në mënyrë të përsosur. Krijimi që bën Allahu (xh.sh) është perfekt dhe i përsosur. Mjafton të shikosh veten tënde dhe do të bindesh për madhështinë e Krijuesit. Sikur të lihej krijimi i njeriut në dorën e vetë njeriut, ai nuk do të kishte mundësi të bënte as 1/10 e asaj që ka bërë Zoti i gjithësisë.
Nëse shikon një vegël që ka dhjetë mekanizma, të cilat me kalimin e kohës vazhdojnë të punojnë në mënyrë perfekte, a nuk do t`i ishe mirënjohësh atij, që e ka bërë këtë vegël, duke pohuar se ai është i përsosur në punën që ka bërë?!
Tani shiko krijesat e Allahut (xh.sh). Ato nuk janë 10, por janë me miliarda. Askush përveç Allahut nuk e di numrin e saktw tw krijesave tw Tij. Të gjitha janë të përsosura dhe nuk mund të gjesh asnjë të metë tek to. Universi ku jetojmë, është shumë i vjetër, madje ne nuk e dimë se sa është mosha e tij. Por megjithatë nuk arrijmë të shohim asnjë përplasje, asnjë defekt, asnjë mangësi në gjithë universin, i cili është krijesë e Allahut (xh.sh).
Njerëzit i ndërrojnë përditë makinat e tyre, telefonat e tyre dhe gjithçka kanë. Kjo do të thotë, se njeriu gjithmonë zhvillohet dhe e përmirëson punën e tij. Ndërsa njeriu si krijesw nuk ka ndryshuar dhe gjithmonë do të jetë i përsosur, sepse nuk ka difekt në krijesën e Allahut (xh.sh).
Allahu (xh.sh) thotë në Kuran: “Kjo është krijesa e Allahut, i Cili ka përsosur gjithçka”. Ngriji sytë drejt qiellit dhe mundohu të gjesh ndonjë boshllëk. Të jesh i sigurt, se do të të ulen sytë të lodhur dhe nuk do të kesh forcë për të shikuar përsëri, sepse nuk mund të gjesh mangësi në krijesën e Allahut (xh,sh). Allahu është i përsosur Ai është perfekt. Kur Ai krijon diçka, e krijon në formën më të mirë.
Këtë deshi edhe prej njeriut, krijesës së tij më të privilegjuar. Deshi që kur unë dhe ti si njerëz të bëjmë një punë, ta bëjmë atë në formën më të mirë të mundshme.
Zoti i do shumë ata që punojnë, por i do shumë më tepër ata, që kur punojnë, e bëjnë punën siç duhet. Zoti nuk i do ata njerëz, që e bëjnë punën e tyre shkel e shko.
 
Feja jonë asnjëherë nuk ka qenë fe e fjalëve, asnjëherë nuk ka qenë fe e librave apo e debateve. Ajo ka qenë fe e punës, fe e modelit, fe që e shikojnë njerëzit. Prandaj profetët kanë qenë njerëz, në mënyrë që t’i shohin të tjerët se si punon një besimtar.
Profeti Muhamed (a.s) thoshte: “Nuk matet besimi me fjalë të bukura, as me çfarë vesh ti, por besimi matet me çfarë ke në zemër dhe çfarë bën ti”. Besimin e vërteton puna. A ta vërteton puna atë që ke në zemër?!
A e dini si e ka emrin grada më e lartë në fenë tonë?
E ka emrin ihsan, që do të thotë ta bësh punën të përsosur.
Xhibrili (a.s) e pyeti profetin Muhamed (a.s): “Ç’është ihsani o Muhamed? Profeti (a.s) tha: “Ta adhurosh Allahun sikur po e sheh me sy e meqë ti nuk e sheh me sy Atë, të jesh i bindur se Ai të shikon ty”.
Kryeje adhurimin, bwje çdo punë prej punëve të dynjasë sikur po të shikon Zoti në çdo moment dhe ji gjithmonë i vwmendshwm pwr kwtw, sepse vetëm kështu do ta bësh punën perfekte dhe në formën më të mirë të mundshme. Këta janë muslimanët më të mirë, këta janë besimtarët më të mirë.
 
Feja jonë na fton, që namazin tonë ta bëjmë perfekt.
Kur të marrësh abdes, merre abdesin mirë, kur të vish në rresht, ta mbash rreshtin drejt, se Zoti nuk e pëlqen atë saf (rresht), që është i shtrembër. Feja të fton të dëgjosh imamin, ta respektosh veprimin e tij, të bësh siç bën ai deri në fund. Ky është namazi i besimtarëve, prandaj Zoti nuk thotë “Falni namaz”, por thotë “Kryejeni namazin”.
Ka ndryshim mes faljes, që e bën shpejt e shpejt për të kryer borxhin e mes kryerjes së namazit, gjatw tw cilit ti përqendrohesh dhe mundohesh tw jesh sa mw i pwrqendruar para Zotit.
 
Shihkoni agjërimin dhe zekatin. Gjithçka është në kohën e duhur, gjithçka ka rregullat e duhura.
 
Zoti i gjithësisë na fton të jemi njerëz perfektë me prindërit tanë.
Zoti nuk thotë thjesht respektoje prindin, thjesht jepi të hajë e të pijë e të mbushë barkun e tij. Allahu nuk kwrkon prej nesh thjesht tw mos i ofendojmw ata, por na urdhëron të jemi perfektë, të jemi të përsosur në sjelljen ndaj prindërve tanë. Për këtë ka forma nga më të ndryshmet. Mundohu t’i hapësh zemrën atij, të nxjerrë hallet e jetës së tij, të të tregojë vuajtjet e jetës së tij, t’i puthësh dorën, t’i marrësh hallallëkun, t’i marrësh bekimin. Kjo është të jesh i përsosur dhe i respektueshëm ndaj prindërve.
 
Zoti na fton, qw të jemi të përsosur në marrëdhëniet tona bashkëshortore.
Burri të mundohet jo vetëm të sigurojë ushqimin dhe strehën për gruan e tij, por t’i fitojë asaj zemrën, se mbi të gjitha është njeri. Por edhe gruaja të mundohet të fitojë zemrën e burrit dhe fëmijëve të saj. Ajo punon dhe gatuan gjithë ditën dhe kur vjen fundi, e servir ushqimin shkel e shko. Ky nuk është respekt, kjo nuk është përsosje e marrëdhënieve bashkëshortore.
 
Zoti na fton, që edhe në përshëndetje, të jemi më të mirët.
Allahu thotë “Kur të përshëndeteni me një përshëndetje, kthejeni në formën më të mirë”. Nëse dikush të thotë “Esselamu alejkum”, ti shtoje pak dhe thuaji “Ue alejkum selam ue rahmetullah”, sepse jemi urdhëruar ta bëjmë edhe më të mirë. Nëse dëshiron ta bësh edhe më të mirë se kaq, shikoje tjetrin në sy, jepi dorën, pyete si e ka hallin, si e ka punën. Bëji të gjitha këto, sepse Zoti ka dëshirë që kur dikush prej nesh bën punë, ta bëjë atë në formën më të mirë të mundshme.
 
Islami na mëson që të sillemi në mënyrë të përsosur edhe me xhenazen, me kufomën.
Profeti (a.s) ka thënë: “Kush lan xhenaze, le ta lajë në formën më të mirw. Kush qefinos xhenazen, t`a qefinosë mirë atë. Kush hap varrin, ta thellojë e ta përgatisë sa më mirë atë”.
Kur njëherë vdiq një djalë i ri, profeti Muhamed (a.s) u thoshte shokëve të vet: “Rregullojeni këtë pjesë, futeni në këtë formë etj” Kur vuri re, se njerëzit po e shikonin me habi dhe mendoi se ndoshta këta njerëz po krijonin përshtypjen, që kjo është kusht në varreza, tha: “O njerëz, varri nuk i bën as dëm e as dobi njeriut, por Zoti ka dëshirë, që kur dikush prej nesh bën një punë, ta bëjë atë në formën më të mirë”. Edhe këtu në këtë vend tregohet respekti dhe korrektesa ndaj krijesave, që kanë ndërruar jetë dhe janë tek Allahu (xh.sh).
 
Në çdo punë mundohu të jesh i përsosur, të jesh korrekt, ta bësh në formën më të mirë të mundshme, sepse profeti (a.s) thoshte: “Zoti ka obliguar të jeni të mirë e të përsosur në çdo punë që bëni. Edhe kur therni kurbanin tuaj, mpriheni mirë thikën tuaj dhe rehatojeni kurbanin tuaj”.
Ky është muslimani. Ai mundohet të jetë korrekt në çdo aspekt të jetës së tij, mundohet ta bëjë punën e tij në formën më të mirë të mundshme, që ajo të ketë vlerë dhe respekt tek Zoti, por të ketë vlerë dhe respekt edhe tek njerëzit.
 
Shikoni shembullin tonë, profetin Muhamed (a.s). Ai nuk ishte vetëm profet i madh, por ai ishte njeri i madh, ai ishte korrekt. Shikoje rininë e tij! Ai ka qenë ka qenë punëtor krahu, ka punuar bari, por të gjithë e përmendin për korrektesën e tij. Ai e bënte punën e tij në formën më të mirë.  Ai ka punuar tregtar, madje në fillim punonte për tregtarët më të mëdhenj, por të gjithë e përmendin si njeriun më besnik, njeriun më të shkathët e më të aftë. Për këtë arsye Hatixheja (Zoti qoftë i kënaqur me të) pranoi të martohet me këtë njeri, sepse njerëz të tillë ishin të rrallë.
Ai ishte bashkëshort i suksesshëm, njeri korrekt dhe prind i mirw. Kur u bë profet, ishte njeri që nuk priste mrekulli prej Zotit, por derdhte djersën e tij, jepte maksimumin e tij.
 
Shikoni hixhretin e tij!
Ai nuk tha: “O Zot më sill një melek t’i hipi në shpinë e të shkoj nga Meka në Medine, por vendosi një plan strategjik, që rrallë njerëz mund ta vendosnin, pikërisht për t’u thënë të gjithë atyre që besojnë në Zot: “Tregoje veten tënde, bëje punën tënde”.
 
Shokët e tij nuk kanë qenë dërvishë, kanë qenë njerëz shumë të shkathët, shumë të zotë, njerëz strategë.
Halid bin Uelidi ishte strategu i madh i muslimanëve. Në shumë raste ka dalw në pah aftësia e tij. Mjafton të përmendim një rast në betejën e Muttes ku, 3.000 muslimanë ballafaqohen me 200.000 nga ushtria kundërshtare. Bëje vetë krahasimin: 3.000 para 200.000.
Tre komandatët e ushtrisw myslimane u  vranë njëri pas tjetrit. Pas tyre komanda i kaloi pikërisht Halid Ubn Velidit. Ai e pa, se ishte e pamundur një fitore në kushte të tilla, kështu që mendoi t`i shpëtonte muslimanët. Kështu ai e kaloi krahun e djathtë të ushtrisë në anën e majtë, ndërsa të majtin në krahun e djathtë. Ata që ishin para i çoi mbrapa, ata që ishin mbrapa i nxorri para. Ndau 300 kalorës në gjashtë çeta dhe u tha: “Përplasni këmbët tuaja dhe të kuajve tuaj dhe ngrini pluhurin lart,  që armiku të mendojë se po na vjen ndihmë. Ndryshoni rrobat tuaja dhe bërtisni me tekbir”. Ushtarët fillaun të përplasin këmbët dhe kuajt filluan të ngrenë shumë pluhur. Në këtë moment ushtria armike u bind, se muslimanëve po u vinin ndihmat. Sapo e vuri re këtë gjë, Halidi u sul në fushën e betejës dhe zuri rob 1000 kundërshtarë. Kështu ai arriti t`i shpëtonte besimtarët dhe profeti (a.s) e falenderoi për këtë.
Këta ishin shokët e Muhamedit (a.s), njerëz që i përmend historia dhe sot çdokush e studion taktikën ushtarake të Halid ibn Uelidit.
 
Po ta shikojmë punën tonë dhe punën e pjesës më të madhe të njerëzve, do të shikojmë se ata nuk janë korrektë, nuk janë të ndërgjegjshëm, nuk kanë përgjegjësi në punën e tyre që bëjnë. Pse vallë? Kjo ndodh, sepse ka disa probleme dhe sëmundje në zemrat e tyre.
Sot ka pak besim tek Zoti dhe njeriu që nuk ka besim tek Zoti, nuk e bën punën me ndershmëri, pasi mendon se nuk e shikon askush. Ai që ka frikë Zotin, ai nuk e bën kurrë punën shkel e shko, sepse e di se mbi të gjitha është nën mbikqyrjen e Allahut (xh.sh).
 
Njerëzit sot punojnë keq, sepse nuk kanë ndërgjegje. Tregtari nuk turpërohet, nëse ia kthen mbrapsht mallin, i cili mund të jetë i prishur apo i skaduar. Madje edhe nëse i thua: “Turp të kesh për punën që ke bërë”, ai përgjigjet: “S’ka problem, se ia shes ndonjë tjetri”.
Njerëzit sot janë të pandërgjegjshëm dhe të papërgjegjshëm, sepse janë egoistë. Shumë njerëz i ngjajnë atij punëtorit, i cili thotë: “Çfarë fitoj unë duke u lodhur kaq shumë? Unë jam punëtor, pronari e merr fitimin, prandaj nuk duhet të lodhem shumë”. Kështu ai e bën punën e tij shkel e shko, sepse e mat punën e vet vetëm me paratë e tij.
Njerëzit sot janë të papërgjegjshëm, sepse janë të pangopur me pasuritë e kësaj dynjaje. Dikush e fillon punën në një vend dhe kur i del një variant tjetër, e bën të parën shkel e shko për të kapur punën e dytë. Por ai të jetë i sigurt, se do të marrë vetëm rrizkun e vet, madje nëse vepron kështu, përveç rrizkut të tij do të marrë turpin përpara njerëzve në këtë botë dhe dënimin dhe përgjegjësinë tek Zoti në botën tjetër.
 
Është një fakt i hidhur, që morali i papërgjegjshmërisë po shtohet dita – ditës në popullin tonë. Ne e shikojmë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë.
Ne shikojmë rrugë, që bëhen sot dhe pas një jave prishen dhe të duket se kjo rrugë është ndërtuar para 200 vjetësh.
Ne shikojmë ustain, që të vjen në shtëpi dhe rregullon njw mobilje, por sapo të dalë nga shtëpia, ajo prishet. Ne shikojmë pallate, për të cilët paguhen miliona e miliona, të cilët po t`i shikosh me vëmendje, gjen tek ta defektet më elementare.
Ne shikojmë njerëz me profesion, që nuk respektojnë profesionin e tyre, qofshin këta mjekë, inxhinierë, mësues e kështu me radhë.
Morali i papërgjegjshmërisë është nga moralet më të këqija që mund të ekzistojnë. Njerëzit që nuk kanë përgjegjshmëri dhe nuk e ndjejnë, se punën që po bëjnë, fillimisht po e bëjnë për veten e tyre e jo për të tjerët, kurrë nuk do të ecin përpara.
 
A dëshiron ta masësh punën tënde? A dëshiron ta masësh punën e popullit tënd?
Shikoje një mall, i cili thotë “Made in Albania” (prodhuar në Shqipëri). A do ta blije ti atë? A do ta preferoje atw apo njw mall tjetër që prodhohet në një vend tjetër? S’do ta preferoje.
Nëse në vendin tonë mbretëron neglizhenca e moskorrektesa, atëherë si do t’i bindim ne njerëzit e tjerë të blejnë prej nesh, të na marrin ne punëtorë e të drejtojmë ne punët e tyre?!
Unë i bëj një apel vetes time dhe gjithë muslimanëve që po më dëgjojnë, gjithë atyre që kanë për të dëgjuar, madje gjithë shqiptarëve, që ta shohin më ndryshe këtë punë, se kurrë s’do të bëjmë përpara, nëse nuk e bëjmë punën me ndershmëri e me djersën e ballit, që tjetri të thotë “Faleminderit prej filanit”.
Ndoshta ai vetëm një herë në jetën e tij do të ketë kontakt me ty, por në këtë kontakt ai e vlerëson punën tënde.
 
Unë e ftoj çdo njeri që fal namaz, të jetë korrekt me Zotin e gjithësisë në namazin e tij, të mundohet ta kryejë namazin në mënyrën më të mirë e të mos e falë atë shkel e shko. Mos e kryej namazin tënd si dhelpra, se je përpara Atij, i Cili është perfekt e i përsosur e t’i zbret të mirat e Tij një nga një. Ai nuk është neglizhent ndaj teje, kështu që edhe ti mos ji neglizhent ndaj Tij?
 
Nëse je punëtor, mundohu ta bësh punën tënde. Mundohu që kur të derdhësh djersën e ballit, të futësh edhe kënaqësinë tënde, në mënyrë që ai njeri që do të shijojë punën tënde, të marrë dhe bekimin dhe hallallin tënd.
Nëse je pronar, mundohu të jesh korrekt dhe stimuloje punëtorin që është korrekt, që është i përsosur në punën e tij.
Nëse je mësues, jep mësim me kënaqësi, se ndoshta një nxënës do të ketë kontakt me ty vetëm njëherë, por do të të mbajë gjithmonë mend për mirë.
Nëse je nxënës, jepi hakun punës tënde, thellohu, mëso, derdhe djersën, se Zoti nuk u jep atyre njerëzve që nuk mundohen.
Nëse je prind, ji korrekt ndaj fëmijëve të tu dhe mundohu t’i mësosh ata, që kur ta bëjnë një punë, ta bëjnë mirë atë, të mos e bëjnë shkel e shko.
Nëse je bashkëshort, mundohu të jesh korrekt, kushdo qofsh ti.
Mundohu të jesh korrekt në punën tënde, fundja fundit ti përgjegjësinë e ke me Allahun (xh.sh).
Njerëzit i neglizhojnë punët e vogla dhe thonë: “S’ka problem se punë e vogël është kjo”, por është vërtetuar, se e keqja e madhe ka ardhur gjithmonë nga punët e vogla.
 
Do tregoj dy ngjarje, që mendoj se kanë lidhje me këto që thamë.
E para bën fjalë për një fabrikë makinash shumë të madhe në Japoni, Ajo kishte qenë një fabrikë shumë e suksesshme, por me kalimin e kohës filluan të vijnë ankesa njëra pas tjetrës, filluan të ndodhin aksidente me këto makina dhe u ngritën shumë padi në gjyq.
Kur pronari i fabrikës analizoi situatën, pa që problemi ishte te njëra nga gomat e makinave, që dilte gjithmonë, kur makina arrinte shpejtësi të madhe. Ndodhnin përplasje dhe vdisnin njerëz. Ai analizoi dhe gjeti, se problemi ishte te një punëtor, puna e të cilit ishte shumë e thjeshtë. Ai duhet të shtrëngonte vetëm bullonat e njërës gomë. Mirëpo ai gjithmonë e neglizhonte punën e tij dhe thoshte: “Ç’problem ka? Aq e madhe sa është makina, çfarë problemi mund të shkaktojë një bullon?!
Pronari pa, që ky punëtor kishte marrë në qafë gjithë fabrikën me neglizhencën e tij. Ai nuk e dëboi atë nga puna, por i mblodhi të gjithë punëtorët dhe u shpjegoi gjendjen, në të cilën ndodhej fabrika, e cila rrezikonte të mbyllej. Atëherë ky punëtor u ngrit dhe tha: “Unë jam përgjegjës e kurrë s’e kam menduar, se puna ime kishte kaq shumw rëndësi”.
 
Ngjarja e dytë bën fjalë për një marangoz, i cili ishte mjeshtër dhe kishte punuar gjithë jetën e tij. Ai ishte njeri shumë i mirë. Kur erdhi koha që u plak, i tha pronarit: “Më jep leje, se dua të shkoj në shtëpi të rri me fëmijët, me nipërit e mbesat e mija. Pronari i lutet që të rrijë dhe i ofron më shumë para, por ai këmbëngul që të ikë.
Atëherë pronari i thotë për herë të fundit: “Kam vetëm një kërkesë përpara se të ikësh. Dua të ma bësh një shtëpi prej druri, ashtu siç të ka hije ty, siç i shkon dorës tënde”.
Mirwpo punëtori ishte lodhur dhe meqë kjo ishte puna e fundit, e bëri atë shpejt e shpejt. Ai zgjodhi një dru të kalbur, me qëllim që ta mbaronte punën sa më shpejt. Pasi e mbaron shtëpinë, i thotë pronarit: “Urdhëro çelësin, tani unë po iki”. Pronari ia kthen: “Unë dua të ta shpërblej dhe të të falënderoj shumë për këtë që ke bërë. Unë e kisha bërë nijet këtë shtëpi për ty, në mënyrë që të të falënderoj për punën që ke bërë deri tani për mua, prandaj merre se është e jotja”.
Ustai u mendua dhe tha me vete: “Ky paska qenë rrizku im, unë i tillë paskam qenë dhe të tillë shpërblim paskam merituar”.
 
Kur besimtari ta bëjë punën dhe të besojë se e bën atë si për veten e tij, atëherë kanë për të ndryshuar gjendjet tona.
 
Po e mbyll me një hadith të profetit Muhamed (a.s) i cili thotë: “Nuk ka për të besuar tamam askush prej jush, derisa të dojë për tjetrin, atë që do për veten e tij”.
Kur të arrish këtë nivel, atëherë hallall të qoftë puna jote, hallall mundi yt dhe vetëm atëherë muslimanët do të ndryshojnë.
 
E lus Zotin e gjithësisë të na ndihmojë për mirë, të na largojë nga e keqja, të na bëjë njerëz të përgjegjshëm, njerëz korrektë, njerëz me ndërgjegje, njerëz që kur e bëjnë punën e tyre përpara të tjerëve të presin fjalën e mirë, por edhe kur të dalin përpara Zotit, të shpërblehen nga Allahu (xh.sh).
O Zot na bëj njerëz, që me një punë të vetme japin shembullin e Islamit.
O Zot na bëj shembull për mirë dhe mos na bëj shembull për keq.


This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free