Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Udhëto me fantazinë tënde

Transmetohet nga Habab ibnu Eret, Zoti qoftë i kënaqur me të, të ketë thënë:”Iu ankuam të dërguarit të Zotit a.s, të cilin e gjetëm të mbështetur nën hijen e Qabes, duke i thënë:”A nuk kërkon ndihmë për ne! A nuk i lutesh Zotit?!” Profeti a.s u drejtua dhe na tha:”Nga popujt e mëparshëm, kishte njerëz që viheshin në një gropë, mbuloheshin pjesërisht me dhe, e mandej i çahej koka më dysh me sharrë. Të tjerëve u ndahej mishi nga kocka me çengelë hekuri. Megjithatë, kjo nuk i largonte nga feja. Pasha Zotin, kësaj çështjeje që i kemi hyrë do i shkojmë gjer në fund, derisa udhëtarët të bredhin lart e poshtë, pa u frikësuar nga askush përveç Zotit dhe frikës për delet nga egërsirat. Por ju jeni popull që nxitoni!” (Buhari Muslim)

Një përshkrim historik, i cili shkund fantazinë e kujtdo që e dëgjon dhe e furnizon me energji jetësore. Frymëzimi profetik e fokuson objektivin tek e ardhmja dhe portretizon imazhin e ndryshimit pozitiv, në formën më joshëse dhe magjepsëse. Rendi dhe siguria do të dominonin në rajonin më të destabilizuar dhe të frikshëm të botës. Njerëzit do të ndiheshin të sigurt në liritë dhe të drejtat e tyre, sepse askujt nuk do i shkonte mendja t’ua cenojë, pasi nga qielli furnizoheshin natë e ditë me energji të besimit në Zot. Nuk është rendi që të konfiskon dhe të zhvesh nga të drejtat e tua, me pretekstin për të të mbrojtur, por rendi mbron dinjitetin dhe nderin, edukon dhe kultivon krenarinë njerëzore. Kështu, robi nuk i frikësohet tjetër kujt përveç Zotit.

Është sfiduese teksa lexon këtë tekst profetik dhe të mos projektosh menjëherë në mendje imazhin e bariut beduin, i cili i hipur mbi devenë e tij të preferuar, bredh oazë më oazë dhe kodër më kodër, duke kullotur bagëtinë dhe duke i mbrojtur nga egërsirat. Apo qoftë dhe imazhin e ujkut që është gati tu hidhet deleve, ujkut i cili është burimi i vetëm i frikës mbi tokë.

Gjatë betejës së Hendekut, profeti Muhamed a.s goditi fort shkëmbin me kazmën e tij, goditje e cila bëri të fluturojnë shkëndija në ajër. Menjëherë, Profeti a.s thirri gëzueshëm:”Zoti është më i madhi! Më janë premtuar çelësat e Shamit! Pasha Zotin i shoh pallatet e kuqe që këtu ku jam!” Mandej, pëshpëriti:”Bismilah” dhe goditi sërish shkëmbin, duke shkërmoqur një pjesë të tij. Gëzueshëm thirri sërish:”Zoti është më i madhi! Më janë premtuar çelësat e Persisë! Pasha Zotin, i shoh që këtu qytetet dhe pallatet e bardha!” Mandej, qëlloi sërish duke bërë “Bismilah” dhe duke e shkulur nga vendi pjesën e mbetur të shkëmbit. Për herë të tretë tha:”Zoti është më i madhi! Më janë premtuar çelësat e Jemenit! Pasha Zotin i shoh që këtu portat e San’asë.” (Ahmed Ibnu Xherir)

Profeti Muhamed a.s kishte kontakte dhe komunikonte me qiellin, sakaq shokët e tij nuk shihnin ato që shihte ai. Megjithatë, besimi i tyre i bëri të qëndrojnë mbi momentet kritike që përjetonin ato çaste, për të cilat mynafikët patën thënë:” Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, përveç mashtrimit”! (Ahzab, 12)

Ndërkohë që besimtarët thanë:”Kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij; sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua!” Kjo ua forcoi atyre besimin dhe përuljen.” (Ahzab, 22)

Kur i burgosuri i ndjen me imagjinatë hekurat ti zgjidhen, portat të hapen, familja të mblidhet etj... e kalon ditën gjithë dinamikë, vendosmëri dhe aktivitet, duke u bërë ballë të gjitha sfidave. Ai qëndron mbi çdo poshtërim që i  bëhet në burg dhe jeton me besimin e patundur tek Zoti dhe dita e afërt e lirimit.

Kur përhumbet në lutjet dhe përgjerimet e tij plot lot, del nga kjo gjendje plot besim dhe shpresë tek Zoti. Lutja është katalizator i fantazisë. Poeti arab thoshte:

Unë e lus Zotin sikur

Atë që do bëjë Zoti, e shoh në pikturë

Për fantazinë dhe imagjinatën, nuk kemi lexuar në shkolla, as kemi dëgjuar në vatrat e edukimit dhe as nuk kemi parë të flitet në familje dhe shoqëri. Si përvojë personale, unë vetëm kohët e fundit e kam zbuluar dhe kuptuar rëndësinë e saj, ndikimin e madh për arritje dhe trajtimin e devijimeve.

Vallë në sa trajnime ke marrë pjesë për aktivizimin e fantazisë? Sa libra ke lexuar rreth kësaj bote magjepsëse?

“Fantazia është më e rëndësishme se informacioni” thoshte Ajnshtajni.

Por, a është e vërtetë kjo?

Në shumë raste po. Informacioni që kemi marrë, është i kufizuar në gjithçka që kemi mësuar gjer tani. Sakaq, fantazia e kapërcen të tashmen dhe na sinjalizon për atë që mund të eksplorojmë në të ardhmen. Fantazia sjell në të tashmen përvojat dhe imazhet e të shkuarës, për të ndërtuar dhe strukturuar diçka të re, kreative dhe konstruktive. Fantazia është mekanizmi që e shndërron informacionin në aktualitet dhe në diçka të prekshme.

Anglezi Herbert George Wells, hodhi në letër pritshmëritë e tij për vitin 2000, ku parashikoi makinat dhe trenat që transportojnë njerëz nga rrethinat në qytete, parashikoi ndryshimin e modeleve të sjelljeve sociale, përhapjen e shfrenimit dhe krijimin e Unionit Evropian.

Jo vetëm kreativëve dhe gjenive u lipset fantazia

Shpikjet dhe zbulimet, fillimisht thureshin në mendjet e shkrimtarëve dhe gjenive, më pas hidheshin në libra dhe kultivoheshin në mendjet e lexuesve, para se të shndërroheshin në realitet të prekshëm.

Aeroplani, telefoni, kompjuteri, televizori, makina etj... kanë ekzistuar vetëm si imazhe të një fantazie të ndezur, para se të ekzistojnë si mjete në duart dhe shtëpitë tona.

Vështrimi i zogjve teksa fluturojnë dhe ideja e qilimit fluturues, ngacmuan dhe frymëzuan Abas Ibnu Firnas fillimisht dhe më pas dy vëllezërit Right, për të shpikur aeroplanin.

 Tomas Edison thoshte shpesh: Që të shpikim, na lipset fantazi pjellore dhe një pirg vogëlsirash!

Nuk ishte vetëm shpikja e llambës elektrike, por ishte shpikja e metodave dhe rrugëve të suksesit, gjenealitetit dhe ndryshimit në jetë.

Fantazia është minierë e pashtershme, nga e cila njerëzit e ditur nxjerrin lëndën e parë, të cilën me duart e tyre të arta e shndërrojnë në kryevepra të paharrueshme nga historia.

Shkencëtari gjerman Johan Kepler (1571 – 1630) shkroi një histori fantastiko shkencore, rreth një udhëtimi në hënë. Ai e përshkruante hënën, mënyrën si ishte shkëputur nga toka dhe e kishte thithur hëna etj... Subjekti i tij fliste rreth forcës tërheqëse të tokës.

Lojtari që ka një fantazi të gjerë, është ai që thyen rekorde në olimpiada.

Ai që ndiqet nga  iluzioni i rrëzimit, nuk e shmang dot atë.

Kur zhvillon një intervistë apo një test vlerësues, edhe pse je përgatitur paraprakisht por në horizont të është valëvitur flamuri i dështimit, rezultati është fatal. Në këtë rast, fantazinë dhe ligjin e tërheqjes, e ke përdorur si një armë kundër vetes. Fatkeqësia është e lidhur me logjikën. Thotë Zoti në një hadith kudsij:”Unë jam tek pritshmëritë që robi ka për Mua.”

Nëse ëndërron suksesin, duke humbur kohën me videogames, qëndrimit natën vonë me shokë, udhëtimet lart e poshtë etj... ajo që do të arrish, është një falimentim i madh, edhe pse fantazia në këtë rast është e natyrshme. Egjiptianët thonë:”Të uriturit ëndërrojnë furrën e bukës.”

Kur yt shoq vonohet, vallë çfarë imagjinon në ato çaste? Do të imagjinosh që mund ti ketë ndodhur diçka e keqe? Apo do të mendosh se e ka vonuar ndonjë takim i një lidhjeje jashtëmartesore? Sipas asaj që sillet në fantazinë tënde, do ti rezervohet dhe pritja kur të mbërrijë më në fund të pragun e derës.

Kur fantazon momente të integrimit tënd me vogëlushët dhe vogëlushet e tu, në një atmosferë të ngrohtë emocionale, përjeton ndjenja sikur ndodhesh realisht mes tyre.

Kur fantazon rreth një të keqeje që mund të ndodhë, sheh që fëmijët pas teje vuajnë për kafshatën e gojës, ndërkohë që sa ke qenë gjallë kanë jetuar në mirëqenie falë teje, ndjen që të rrjedhin lot dhe të rreh fort zemra.

Kur kthehesh pas në kohë dhe fantazon rreth momentit kur të gjithë engjëjt u përulën para Ademit a.s, njeriut të parë, një ndjenjë fisnikërie të pushton gjithë qenien tënde. Ti mbushesh plot mirënjohje sublime për Krijuesin që të solli në këtë jetë, të dha këtë formë dhe të zgjodhi për misionin plot vlera. Prandaj, mos e ul kokën para askujt përveç Tij dhe komunikimi yt me krijesat e tjera të boshatiset nga arroganca dhe tirania.

Fantazia forcon virtytin dhe shton tolerancën. Kur e vë veten në pozicionin e tjetrit, përjeton të njëjtat ndjesi dhe e justifikon, do të thotë se e ke fantazuar këtë më parë.

Kur fantazia vihet përballë vullnetit, zakonisht triumfon fantazia. Por nëse është e mundur që fantazinë ta vësh në shërbim të vullnetit, të përgatitesh për testin apo për intervistën, e njëkohësisht të pajisesh me fantazinë pozitive, gjithçka do të flasë vetëm në interesin tënd.

Në këtë rast, ti ke shanset më të mëdha. Fantazia zhvillon shkathtësitë e tua gjuhësore, jetësore dhe mendore, ajo përforcon të menduarit dhe kreativitetin.

Për fëmijët, librat me fotografi dhe vizatime e përforcojnë fantazinë. Për ta, është e këshillueshme loja “Udhëto me fantazinë tënde” apo “Vizatoje fantazinë tënde”. Lojërat e kompjuterit, nëse përzgjidhen mirë, janë të dobishme për fëmijët. Ata mund të ndërtojnë një shtëpi të mrekullueshme me kompjuter, mund të dizenjojnë një zyrë, lulishte, qytet apo makinë, duke dalë nga modelet e zakonshme.

Një student universitar mund të lexojë një libër, i cili i hap sytë në drejtim të këtij thesari të humbur. Por mund të marrë pjesë dhe në një trajnim për aktivizimin e fantazisë dhe nxitjen e saj.

Pjesëzat letrare, poezitë e bukura dhe plot jetë e fantazi, heqin perden dhe nxjerrin në dritë këtë pjesë të panjohur tonën.

Sa libra me poezi ke në librarinë tënde? Sa prej tyre ke lexuar? Sa prej tyre ke mësuar përmendësh? Sa prej tyre i ke recituar para publikut?

Vetëm aktualiteti nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton edhe vetëm fantazia. Fantazia, mund ti thyejë kufijtë e logjikës, duke u shndërruar në një ëndërr me sy hapur pa asnjë lidhje me realitetin.

Nëse fantazia hyn tek funksionet e hemisferës së djathtë të trurit, perceptimi është funksion i hemisferës tjetër. Injorimi i njërës nga këto të dy hemisfera, është një humbje dhe çuarje dëm e kësaj pasurie të vyer, me duart e tua.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free