KTHEHU TEK ALLAHU
Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “O robtë e Mi që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos i këputni shpresat nga mëshira e Allahut. Ai i fal të gjitha gjynahet tuaja, Ai është Mëkatfalës dhe i MëshirshëmTë gjithë e dimë që Allahu (xh.sh) ka cilësitë më të larta, ai kujdeset për ne qysh kur jemi në barkun e nënave tona. Ai na ushqen edhe aty ku nuk na shkon mendja. Ai drejton dhe udhëzon kë të dojë, por habia më e madhe është me ata njerëz, të cilët Allahu (xh.sh) i ka krijuar, i ruan dhe u jep rrizkun, iu jep jetën dhe jua merr atë, por megjithatë këta njerëz i largohen çdo ditë Allahut, Zotit të botëve.
Ku po shkojnë këta njerëz. Pse po i largohen Zotit të gjithësisë?!
Iu drejtohem të gjithë atyre që mendojnë se janë larg Allahut (xh.sh), se nuk mund të kthehen përsëri tek ai dhe mendojnë se nuk mund t`ua falë kush gjynahet. Dijeni se mëshira e Tij është e pakufishme. Allahu (xh.sh) e pret robin e Tij që të pendohet, derisa shpirti nuk i ka dalë prej trupit. Allahu (xh.sh) e ka të hapur gjithmonë derën e mëshirës, për të gjithë ata që e duan mëshirën dhe faljen e Tij.
Shejtani i mallkuar me strategjinë e tij është shumë i specializuar sesi ta humbë njeriun. Në fillim i pëshpërit njeriut: “Ti je njeri i mirë. Nuk ka problem nëse bën disa gabime të vogla, sepse ke shumë të mira”. Kështu njeriu futet çdo ditë e më tepër në rrugën e gjynahut, derisa vjen një ditë, që rrjetat e djallit e kanë rrethuar nga të katër anët. Atëherë ai dëshiron të kthehet tek Allahu (xh.sh) e ndjen se vetëm Zoti mund t`ia falë këto gabime. Por shejtani i thotë: “Po të doje të ktheheshe, të ishe kthyer sa kishe kohë, sepse tani është shumë vonë. A e shikon sa gjynahe ke bërë. Ato nuk i mban as qielli e as toka, prandaj nuk ka kush të t`i falë gabimet e tua”.
O njeri! Ti që bëre një gabim dhe shkove e re në kurthin e shejtanit, mos bëj një gjynah akoma më të madh, duke menduar se nuk ka kush që mund t`i falë gjynahet e tua. Nëse mendon kështu, dije se këtu ka filluar rruga jote për xhehenem. Allahu (xh.sh) që të ka krijuar ty, ka mundësi dhe fuqi t`i falë gjynahet e tua, sepse të krijoi gabimtar, por të ka dhënë mundësinë që të përmirësohesh dhe të kërkosh falje. Prandaj mbaje gjithmonë të ndezur optimizmin dhe shpresën tek falja e Allahut (xh.sh).
Ka njerëz që thonë se gabimet e tyre janë të shumta dhe se nuk mund t`i falë kush. U themi këtyre njerëzve, se edhe ne besimtarët që falim namaz dhe agjërojmë, i mbështetemi shpresës dhe mëshirës së Allahut (xh.sh). Ne nuk kemi besim tek punët tona, por tek falja e Allahut (xh.sh). Prandaj edhe ju o njerëz që e ndjeni gabimin e mëkatit, kthehuni tek Allahu (xh.sh) se do të gjeni falje dhe mëshirë të madhe.
Një njeri shkon tek profeti (a.s) duke i rënë me grushta kokës së tij dhe duke thënë tre herë rresht: “I mjeri unë për mëkatet e mia”. Profeti Muhamed (a.s), i cili e dinte fare mirë se ku e ka problemin ky njeri, e kap fort për krahu dhe i tha: “O njeri mos fol kështu , por thuaj: “O Zot! Falja Jote është më e madhe se mëkatet e mia. Tek mëshira Jote shpresoj më shumë sesa tek punët e mia, prandaj më fal muaNgrihu tani, se Zoti t`i fali gjynahet
Sikur falja të llogaritej me peshore njerëzore, sa herë të përmendej dikush që ka vrarë dikë, menjëherë do na shkonte mendja se në ç`vend të xhenehemit do ta ketë vendin ai person. Dijeni se nuk ndodh kështu me Allahun (xh.sh). Sikur i gjithë njerëzimi të heqë dorë prej dikujt dhe të mos kishin besim tek ai njeri as prindërit e tij, atë person nuk e lëshon Allahu (xh.sh) sepse është krijesa e Tij.
Një njeri nga popujt e kaluar arriti të vrasë 99 vetë. Imagjinoni se çfarë zemre ka pasur ky njeri, si nuk i është dridhur dora dhe ka vrarë 99 njerëz, sikur po vriste 99 zogj. Një ditë prej ditësh e ndjeu se këto mëkate mund t`i falte vetëm Allahu (xh.sh), e ndjeu se jeta nuk mbaron me kaq. Shkoi dhe takoi një dijetar, që po falej në majën e një mali dhe i tha: “Unë kam bërë shumë gabime, por dua të pendohem. Të lutem më trego se çfarë duhet të bëj”. Kur ky dijetar merr vesh, se çfarë ka bërë ky njeri, i thotë: “Si paske mundur të bësh diçka të tillë? Nuk t`i fal njeri këto krime”. Atëherë ky njeri i zemëruar nga përgjgja e dijetarit, i zemëruar se po i mbyllej dera e pendimit, e vret edhe dijetarin dhe thotë: “Le të bëhen 100, le të bëhet ç`të bëhet”.
Por përsëri në zemrën e tij ekzistonte shpresa, se Allahu (xh.sh) mund t`ia falte gabimet dhe kërkon dikë që t`i tregojë se si mund të pendohet tek Allahu (xh.sh).
Një besimtar i thjeshtë i thotë: “Në qoftë se ti dëshiron të pendohesh, dije se derën e ke të hapur, derisa nuk të ka dalë akoma shpirti, por largohu prej këtij vendi, se këtu ka njerëz të ligj, shko më mirë në fshatin tjetër”.
Ky njeri me dëshirën e madhe për t`u penduar, niset drejt fshatit tjetër, duke menduar nëse Allahu (xh.sh) do t`ia falte gjynahet, do t`ia falte vrasjen pa të drejtë të 100 përsonave. Por duke ecur në drejtim të fshatit ku kishte besimtarë, atij i vjen exheli, i vjen vdekja.
Melekët e mëshirës dhe melekët e dënimit vijnë për ta marrë dhe nisin të debatojnë mes tyre se kush do ta merrte.
Melekët e dënimit thanë: “Do ta marrim ne, sepse ka bërë shumë gjynahe”.
Melekët e mëshirës thanë: “Do ta marrim ne, sepse ka dashur të pendohet”.
Atëherë Allahu (xh.sh) u dërgon një melek tjetër, i cili u thotë: “A t`ju tregoj si të veproni? Mateni rrugën që ka bërë ky njeri nga fshati që është larguar dhe rrugën që ka mbetur për të arritur tek fshati ku ishte nisur. Nëse gjendet më afër fshatit me njerëz të këqinj, ai është njeri i keq. Nëse është më afër fshatit me njerëz të mirë, ai është njeri i mirë”.
E matën melekët gjatësinë e rrugës. A e mendoni vallë se si dolën gjatësitë? Ky njeri kishte kaluar mesin dhe i ishte afruar fshatit me besimtarë vetëm një pëllëmbë
Kur profeti Ibrahim (a.s) pa një njeri që po bënte imoralitet, u lut kundër tij dhe ai person vdiq si jobesimtar. Pas disa ditësh Ibrahimi (a.s) sheh një njeri duke vrarë një tjetër. Përsëri lutet kundër tij dhe ky person vdes si jobesimtar. Kur sheh përsëri një njeri që po vidhte, ai lutet edhe kundër këtij personi. Ai lutej kundër këtyre njerëzve, sepse vjedhja, vrasja dhe imoraliteti janë nga mëkatet e mëdha.
Atëherë Allahu (xh.sh) i thotë: “O Ibrahim. Lëri të qetë krijesat e mia. Mos u lut kundër tyre. Këta njerëz për të cilët u lute, që t`i mallkoj dhe ata vdiqën jobesimtarë, Unë ose do t`i falja, ose do t`ua merrja shpirtin, por do të bëja që trashëgimtarët e tyre të ishin besimtarë, ose do të ishin jobesimtarë dhe do të meritonin xhehenemin, prandaj nuk është nevoja t`i mallkosh ti”. Kjo është mëshira e Allahut (xh.sh), mëshirë tek e cila duhet të shpresojmë të gjithë.
Ti mund të sëmuresh, sepse je njeri, por nxiton të marrësh mjekime sepse dëshiron të shërohesh. Kur ecën rrugës, rroba jote mund të bëhet pis, por ti nxiton ta pastrosh rrobën tënde. Ti je njeri dhe sado të mundohesh, do të bësh gabime, prandaj nxito për tek falja e Allahut (xh.sh). Është e papranueshme, që ti të mos kthehesh tek Allahu (xh.sh) pas gjynahut që ke bërë.
Babai ynë, Ademi (a.s) bëri gabim. Kur Zoti e futi në xhenet, në mes gjithë të mirave, i tha: “Adem ke të drejtë të shkosh ku të duash, vetëm atë pemë mos e prek”. Ai duke treguar dobësinë njerëzore, shkoi dhe preku pikërisht atë pemë, të cilën ia ndaloi Allahu (xh.sh), por menjëherë e ndjeu gabimin dhe tha: “O Zot! Unë kam bërë gabim prandaj më mëso se si duhet të pendohem”. Allahu (xh.sh) i tha: “Thuaj: O Zot! Ne i bëmë padrejtësi vetes tonë. Nëse nuk na fal e nuk na mëshiron, ne do të jemi nga të humburit”. Ku do të futesh vallë nëse nuk të fal Zoti?! Prandaj gjithmonë kij shpresë tek falja e Allahut (xh.sh).
Allahu (xh.sh) thotë në një hadith kudsij: “O robi Im! Në qoftë se ti më lutesh Mua dhe kërkon falje tek Unë, Unë do të t`i fal gabimet të gjitha e tua, sepse askush nuk më ndalon për këtë. O robi Im! Nëse do të vije tek Unë me gabime që kanë arritur sa retë në qiell dhe do të kërkoje falje tek Unë, Unë prapë do të t`i falja gabimet, sepse nuk ka gjë që më ndalon. O robi Im! Sikur të bëje gabime që do të mbulonin gjithë rruzullin tokësor, pastaj të vije tek Unë, duke e mbajtur të pastër fjalën LA ILAHE IL ALLAH, duke mos më vënë shok Mua, të gjitha këto gjynahe do të t`i ktheja në sevape”.
Prandaj gjithmonë duhet t`i kthehemi Allahut (xh.sh). Dera e pendimit është e hapur për të gjithë ata, që shpresojnë tek falja e Allahut (xh.sh).
Ajeti kuranor: “O robtë e Mi që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos i këputni shpresat nga mëshira e Allahut. Ai i fal të gjitha gjynahet tuaja, Ai është Mëkatfalës dhe I Mëshirshëm
Ai i çon një letër profetit (a.s), ku i thotë: “O profet i Zotit! Unë dua të pendohem por ia kam frikën një ajeti në Kuran, ku thotë se ai që i ka vënë shok Allahut (xh.sh), që ka bërë imoralitet dhe që ka vrarë tjetrin pa të drejtë, do ta marrë dënimin e tij. Unë kam vrarë Hamzain, kam bërë imoralitet dhe i kam vënë shok Allahut (xh.sh), prandaj kam frikë se Zoti nuk m`i fal gjynahet”.
Atëherë zbret një ajet kuranor ku thotë: “..përveç atyre që u penduan, besuan dhe bënë punë të mira. Këta njerëz Allahu ua kthen gabimet në punë të mira
Vahshiu tha: “Allahu (xh.sh) ka vënë kusht që të bëjmë punë të mira, mirëpo unë jam dembel dhe nuk bëj punë të mira, prandaj kam frikë se Allahu (xh.sh) nuk do të më falë”. Atëherë zbret ajeti: “O robtë e Mi që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos i këputni shpresat nga mëshira e Allahut. Ai i fal të gjitha gjynahet tuaja, Ai është Mëkatfalës dhe i Mëshirshëm
Le ta dijë çdo njeri se e ka një Zot, ka Allahun (xh.sh), i Cili nëse dëshiron, nuk pyet për gabimet e njerëzve edhe sikur të arrijnë kupën e qiellit, por i fal të gjitha. Ke një Zot, që ta ka hapur derën e pendimit dhe pret me padurim, që t`i kthehesh Atij. Nëse të duket sikur je me mijëra kilometra larg Allahut (xh.sh) dhe se për t`u kthyer duhet të bësh përsëri mijëra kilometra, dije se shtë shumë më e thjeshtë se kaq.
Allahu (xh.sh) kërkon prej teje një pendim të sinqertë, kërkon vetëm një levizje zemre dhe në atë moment do ta gjesh Allahun (xh.sh) pranë teje. Ky është Allahu (xh.sh), Zoti ynë, prandaj ktheju fuqishëm Allahut (xh.sh).
A nuk është turp për ty, që me mijëra njerëz pendohen dhe kërkojnë falje tek Zoti dhe Zoti i fal ata, kurse ti akoma nuk po pendohesh? Deri kur do të presësh?
Zoti nuk na mëson që për t`u penduar, duhet të shkosh e të rrëfesh gabimet e tua përpara dikujt, sado i madh qoftë ai. Nuk është nevoja as të ngrihesh në mes të xhamisë dhe te deklarosh se je njeri i keq.
Allahu (xh.sh) kërkon prej teje një dhimbje zemre për gjynahun që ke bërë, një pendim shpirtëror dhe pas kësaj Ai t`i kthen gabimet e tua në sevape.
A nuk mund ta bësh diçka të tillë?! A e di se Allahu (xh.sh), i Cili me pushtetin e Tij drejton qiellin dhe tokën, drejton diellin dhe hënën, gëzohet pa masë kur robi i Tij pendohet.
Profeti (a.s) tregon: “Një njeri ka dalë në një rrugë të gjatë në mes të shkretëtirës me devenë e tij. Në këtë deve ka ushqimin dhe pijen e tij. Atë e kap gjumi dhe kur zgjohet, shikon se deveja e tij ka ikur. Nuk i ka ikur vetëm deveja, por i ka ikur jeta e tij. Ai tashmë nuk as bukë e as ujë, çfarë do të bëjë ai në mes të shkretëtirës! Atëherë kur bindet se nuk ka nga të shkojë, ai shtrihet nën hijen e një peme, duke pritur vdekjen. Kur zgjohet, shikon se ai nuk ka vdekur. Jo vetëm kaq, por ai shikon se deveja e tij është kthyer bashkë me ushqimin dhe pijen e tij. Atëherë nga gëzimi i madh ai në vend që të thotë: “O Zot! Ti je Zoti im e unë jam robi Yt”, ai thotë: “O Zot ti je robi im e unë jam zoti yt”. Zoti kënaqet me pendimin e robit të Tij, më shumë se ç`kënaqet robi i Tij në këto momente
Ky është Allahu (xh.sh). Ai pret prej nesh vetëm një rikthim shpirtëror, vetëm një lëvizje të zemrës dhe Ai i fal gabimet tona.
Nëse ia ke frikën një kafshe apo një njeriu, ti largohesh prej tij dhe shkon në një vend më të sigurtë. Por nëse ke frikë nga gjynahet e tua, ku do t`i fshihesh Allahut (xh.sh).
Prandaj profetët thoshin: “Vraponi drejt Zotit tuaj, se nuk keni ku të shkoni tjetër. Unë jam lajmëtar i qartë për ju”. Nëse ia kemi frikën Allahut (xh.sh), nuk kemi se ku të shkojmë, por përsëri tek Ai do të kthehemi.
Prandaj ju që i lexoni këto rreshta. Tregojuni njerëzve se në çdo moment mund t`i kthehen Allahut (xh.sh) dhe të mos i humbin kurrë shpresat nga mëshira e Zotit, sepse Ai i fal të gjitha gabimet.
Duhet patur parasysh edhe diçka tjetër!
Duhet të kemi shpresë tek mëshira e Allahut (xh.sh), atëherë kur të dhemb zemra nga bredësia e saj. Nëse bën gabim pas gabimi dhe thua: “Zoti i fal gabimet tona”, dijeni se kjo është prej shejtanit dhe jo prej Allahut (xh.sh)”.
Kur Ademi (a.s) bëri gabim, e ndjeu gabimin e tij. A që vrau 100 vetë, e ndjeu gabimin e tij edhe ai fshatari që shkoi tek profeti (a.s), e ndjeu gabimin e tij.
Ti do të mëshirohesh prej Allahut (xh.sh), nëse e ndjen gabimin tënd dhe pendohesh për të. Nëse vazhdon me mëkate, duke menduar se Zoti e paska mëshirën e madhe, mund të arrish deri aty, sa të të ngurtësohet zemra. Pas kësaj zemra nuk ndjen nevojën për pendim, ashtu siç nuk ndjen trupi I vdekur dhimbjen kur i bëjnë gjilpërë. Prandaj në momentin që e ndjen gabimin dhe pendohesh për të, dije se atëherë ke fituar faljen e Allahut (xh.sh) dhe shpërblimin e tij.
Është edhe një pikë që duhet theksuar!
Nëse i ke hyrë dikujt në hak, duhet t`ia kthesh hakun atij njeriu. Allahu (xh.sh) fal të gjitha gabimet që janë mes teje dhe Atij, kurse gabimet që bëjmë me njëri – tjetrin falen, duke i kërkuar hallallin personit që i ke hyrë në hak.
Ata që e ndjejnë se kanë shumë gabime, le të marrin abdes dhe të falin dy rekatë namaz për Allahun (xh.sh). Pastaj të luten me një pendim të sinqertë, që Zoti t`i falë. Vetëm kaq mjafton për t`u kthyer tek Allahu (xh.sh).
Ne kemi shumë gabime dhe e ndjejmë peshën e tyre, prandaj lus Zotin të na bëjë që ta ndjejmë nevojën për faljen e Tij.
Të gjithë ata njerëz që i kanë rrethuar mëkatet nga të katër anët, le ta dinë se ka një Zot, që i fal të gjitha gabimet, ka një Zot, i Cili pret pendimin e robërve të Tij, përderisa nuk u ka dalë shpirti nga trupi.
I lutemi Allahut (xh.sh) të na bëjë të ndjeshëm ndaj mëshirës hyjnore. Lus Zotin t`i falë gabimet tona, ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë. Ato që nuk i dimë janë shumë më tepër se ato që i dimë. I lutemi Allahut (xh.sh), të na falë ne, prindërit tanë dhe të gjithë ata që e duan faljen e Allahut (xh.sh). I lutemi Zotit, të na japë shpresë dhe optimizëm, të na bëjë nga ata që kanë besim dhe i mbështeten mëshirës së Allahut (xh.sh) më shumë seç mbështeten tek punët e tyre, se vetëm ajo na fut në xhenetet e Allahut (xh.sh). I lutemi Zotit, të fusë në zemrat tona dashurinë për xhenet dhe për çdo punë që të çon drejt tij, të fusë në zemrat tona urrejtjen për xhehenem dhe për çdo punë që çon drejt zjarrit të xhehenemit.
Allahu (xh.sh) na mëshiroftë të gjithëve.
A M I N