Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

A je i vetëdijshëm për mrekullinë?!

Çdo komb ka një mrekulli, një burim krenarie dhe një thesar leksikor nderimi. Mrekullia dhe krenaria jonë është Kurani; nëse s’do ishte Kurani, feja jonë do tjetërsohej, gjuha do zhbëhej, identiteti do shuhej, argumenti do shpërbëhej dhe fakti do rrëzohej.

Kurani është jeta e kombit, gjeneratori i civilizimit, kushtetuta e jetës, regjistri i nderimeve dhe volumi i meritave.

Ai që s’le pa lexuar asnjë nga librat e dynjasë dhe nuk e lexon Kuranin është meskin. Vocërrak është ai, i cili mediton mbi çdo produkt njerëzor dhe nuk mediton mbi mrekulin m të madhe, mbi Kuranin.

Tek Kurani gjendet ndjesa e të bindurit, ngritja e asketit, madhështia e liderit, iniciativa e të paepurit, lavdia e dëshmorit, bukuria e së drejtës dhe shpalosja e meritës.

Në Kuran janë sloganet e dekretimit, themelet e shtetit të së drejtës, karta e konsultës, dokumenti i paqes dhe shkëlqimi i dominimit.

Në Kuran gjenden shënjimet e besimit, dashuria e vatanit, filtrimi i politikës, strukturimi i ekonomisë, këshillat e njohurisë, eksperiencat e historisë, lëndinat e natyrës humane dhe historia e eposit.

Në Kuran janë përshëndetjet e dëlira, të kthjellëta dhe të begata; Kurani përshëndet dhe i jep jetë dijetarit të devotshëm, qeveritarit të drejtë, punonjësit këmbëngulës, donatorit dorëdhënë, pasanikut falënderues, të varfrit durimtar, të lënduarit që pret shpërblimin prej Zotit. Kurani përshëndet luftarakun nismëtar, arsyetuesin e matur, njeriun e moralshëm e modest, hulumtuesin meditues, gruan e dëlirë, besimtare dhe të ndershme.

Kurani disponon mësymje etike kundër padrinove të ateizmit, piramidave të idhujtarisë, djajve të politeizmit, simboleve të zullumit, bashibozukëve të tiranisë dhe dhunimit, vasalëve militantë, trilluesve të korruptuar dhe fajdexhinjve manipulues; në Kuran shpërthejnë dhe asgjësohen bastionet e manipulimit, lojërat e injorancës, strofullat e inkriminimit, qendrat e marrëzisë dhe kotësisë; në Kuran vjen kritika e rreptë dhe kërcënimi i prerë kundrejt qejflinjve të ekstravagancës dhe shpërdorimit, dashnorëve të fasadave false, ekspozeve të shtirura dhe pretendimeve të gënjeshtërta.

Kurani jehon kushtrimin e zemërimit fabrikuesve të agresionit, militantëve të shejtanit, të apasionuarve pas rrengut dhe shpifjes; Kurani sulmon pa kompromis dhunuesit, tiranët, ekstremistët, përçmon arrogantët, kryeneçët, dështakët që nuk bëjnë asgjë, neglizhuesit gdhë dhe injorantët e vrazhdë.

Kurani u bën një ekzaminim të detajuar dhe zbulim të thellë sekreteve të unit, të fshehtave të ndërgjegjes, skutave të kraharorëve, mistereve të qëllimeve; Kurani nxjerr në pah erozionin e koprracisë së pasanikut, abuzimin e protestuesit, arrogancën e tiranit, labirintin e mburravecit të marrosur, nervin e të shthururit, turpin e të drobiturit, helmet e të ligut dhe maskat e hipokritit; në Kuran vjen biseda elitare mbi informacionet e kombeve, historikun e popujve, ngjarjen e shteteve, lajmet e epopeve.

Kurani na njofton mbi karvanët e tregtarëve, anijet e marinarëve, armatat e luftëtarëve, jetën e nomadëve dhe historinë e civilizimit; në Kuran përjeton lotin e adhuruesve, lutjen e asketëve, mbrëmjet e mbretërve, zërat e barinjve, ligjëratat e këshilluesve, mesazhet e leksikografëve, hulumtimet e politikanëve, llahtaritë e luftërave, artet e paqes, paktet ndërkombëtare dhe aktet historike.

Në Kuran gjen një kronikë të mrekullueshme për diellin dhe hënën, leksione rreth yjeve dhe planetëve, orë mësimore mbi orbitat dhe gjallesat; në të hidhet dritë mbi buçimën e bubullimës, kontrastin e vetëtimës, zvarritjen e reve, mrekullinë e shiut të dendur, përshkrimin kuptimplotë dhe mbresëlënës të kopshteve të pasura dhe të lulëzuara, bahçeve kundërmuese dhe të hijeshuara.

Në Kuran vjen penda e piktorit, pena e të urtit, froni i pushtetarit, sixhadeja e përdëllimtarit, podiumi i lektorit, ligjërimi i myftiut, trajnimi praktik i seriozit dhe inspirimi i gjeniut.

Në Kuran qëndron përpjekja dhe sakrifikimi, rezistenca dhe heroizmi, çiltërsia, kthjelltësia, sinqeriteti, dedikimi, sfida dhe gara, preokupimi dhe përparimi, përpikëria dhe përsosja, durimi dhe vlerësimi, drejtësia dhe përdëllimi, dituria dhe puna, shpirti dhe trupi, e fshehta dhe e dukshmja, dynjaja dhe Amshimi, eprori dhe vartësi, ekspozeja dhe informacioni, jeta dhe vdekja.

Në Kuran gjendet liria e mendimit, merita e dëgjimit, kritika e dhunimit, urrejtja e zaptimit. Në Kuran gjen ftesë për mbarëvajtje shoqërore, vëllazëri humane, ndërtim të gradaçelës së njohurisë, elozhe thurur arsyetimit, lavde të çiltërta, frenim të hakmarrjes së paarsyeshme, ekstravagancës së neveritshme dhe mospërputhjes së dënueshme; Kurani është dekreti hyjnor i përvijuar në piedestalin e koncepteve, qëllimeve fisnike, ideve madhështore, mësimeve të mirë-orientuara, këshillave të urta, porosive të arrira, shënjimit udhëzues dhe faktit ndriçues.

Turp e faqja e zezë për këdo, që i dredhon Kuranit!  

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free