Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Lutja

Meqë këtë temë po e përgatis gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, ditëve të pranimit të lutjeve, ditëve të çlirimit nga zjarri i xhehenemit, mendova t’ia kushtoj vlerës së lutjes dhe të duasë. Temën e lutjes, do ta filllojmë me një ngjarje që ka ndodhur mes Zekerias (a.s.) dhe Merjemes (a.s.). Është pikërisht historia e tyre, boshti i kësaj teme. Sa herë që Zekeria (a.s.) hynte në faltoren dhe tempullin ku gjendej Merjemeja, gjente tek ajo fruta dhe ushqime të ndryshme. Kjo ishte një mrekulli nga ana e Zotit, tregues i vlerave dhe i përkushtimit të Merjemes. Këtë mrekulli të saj e besojnë si të krishterët ashtu dhe myslimanët. Zoti thotë në Kuran: “Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e saj, gjente pranë saj ushqim dhe e pyeste: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Allahu, se Allahu e furnizon kë të dojë, pa kufi”. (Al Imran, 37)
Në këtë kohë, Zekeria (a.s.) ishte i shtyrë në moshë dhe koka i ishte mbushur me thinja. Gjëja që e kishte shqetësuar gjithmonë ishte pamundësia për të lindur një fëmijë, pasi e shoqja ishte sterile. Me kalimin e viteve dhe ardhjen e pleqërisë, Zekeria sikur i ishte dorëzuar këtij fati, sikur e kishte pranuar tashmë që nuk do të bëhej ndonjëherë baba. Por kur hynte tek Merjemeja dhe gjente ushqime nga më të ndryshmet, u ndikua shumë. Kur e pyeste se nga i vinte ai furnizim dhe ushqim, Merjemeja ia kthente se vinte nga Zoti, i cili furnizonte robërit e Tij pa masë.
“Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!”(Ali Imran, 38)
Edhe më parë ai e kishte lutur Zotin që t’i jepte një fëmijë, por këtë herë u lut me përgjërim dhe pasion. Ky përgjërim, forcë dhe pasion i erdhi kur konstatoi mrekullitë e Zotit, madhështinë dhe fuqinë e Tij. Në ato çaste atij i lindi dhe iu ndez shpresa, se Zoti mund t’i jepte një fëmijë. Lutja e kësaj radhe ishte e fuqishme dhe plot bindje e siguri në pranimin e saj. Nga fuqia e lutjes, Zoti ia pranoi atë dhe e përgëzoi me një djalë.
“E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain.” (Al Imran, 39)
Gjatë një vizite timen në xhaminë e Profetit (a.s.), ndodhesha ulur në xhami dhe pranë meje gjendej një burrë tek të pesëdhjetat nga Siria. Pasi ishim prezantuar, në një çast ai më thotë: “Unë e dua shumë këtë vend ku jemi ulur tani. Kjo, jo se ky vend ka diçka të shenjtë, por sepse këtu jam lutur para dhjetë vitesh dhe Zoti ma pranoi lutjen. Asokohe punoja këtu në Medinë, vitet kalonin dhe e kisha të vështirë të gjeja një nuse për t’u martuar. Sa më shumë muaj të kalonin, aq më shumë i humbisja shpresat për një jetë familjare. Dhjetë vjet më parë, në këtë vend dhe gjatë muajit të Ramazanit, fillova t’i flas vetes që Zoti i pranon lutjet. Gjatë gjithë muajit të Ramazanit dhe në këtë vend, lutesha me përgjërim që pa mbaruar ai muaj të kisha krijuar familjen time. Për Zotin, pa përfunduar muaji i Ramazanit, unë u martova dhe kisha një shtëpi. Ky vend ku qëndrojmë ne tani, për mua është shumë i dashur, pasi këtu e kam lutur Zotin dhe Ai m’i ka pranuar lutjet.”
Po ti, o vëlla dhe oj motër, a të janë pranuar lutjet ndonjëherë? A të kujtohet kur je lutur për diçka dhe të është realizuar?
Unë besoj dhe jam i sigurt që secili prej nesh, ka një ditë kur i është pranuar lutja. Ajo që ndodh, është se ne i harrojmë këto lutje të pranuara, ose më saktë na bën shejtani t’i harrojmë. Me të na u pranuar lutja, ne harrojmë se ajo na është pranuar nga Zoti. Kjo, pasi shejtanit i intereson ta harrojmë Zotin. Përndryshe, ne do të përjetonim çastet më të lumtura për sa u përket lidhjeve tona me Zotin. Ne do ta ndjenim sa pranë nesh është Zoti dhe sa shumë na do. Rrjedhimisht, do t’i forconim lidhjet me Zotin, do ta lusnim akoma më shumë dhe do ta adhuronim pa ndarë.
Një miku im më tregoi se e shoqja e tij kishte qenë e sëmurë. Pasi nuk kishin lënë spital pa vizituar, në Kanada, doktorët ia kishin prerë shpresat dhe i kishin dhënë jetë maksimalisht gjashtë muaj. Pas kësaj, i shoqi niset për në Mekë, për të kryer një umre, ndërkohë e shoqja qëndron në Egjipt. Gjatë qëndrimit në Mekë, atij i vjen një telefonatë, ku i kërkohej të nxitonte për në Egjipt, pasi e shoqja ishte rëndë dhe mund të vdiste nga çasti në çast. Tregon i shoqi: “Menjëherë u nisa të bëj një rezervim në udhëtimin më të afërt për në Egjipt. Pas disa peripecish, pashë që fluturimi më i afërt ishte të nesërmen në drekë. Duke mos pasur asnjë mundësi tjetër, mendja më shkoi të bëj një tavaf para se të nisem. Gjatë tavafit, lutesha me fjalët: “O Ti që i përgjigjesh nevojtarit kur të lutet! O Zot shëroje gruan time!” Për Zotin ndjeja sikur këto lutje i bëja duke ulëritur, por me ulërima që vijnë nga shpirti e zemra, jo nga gjuha. Fjalët “O Zot” që i përsërisja herë pas here, më dukeshin sikur kishin pushtuar hapësirën mes qiellit dhe tokës. Kur mbërrita në Egjipt, e gjeta gruan të qetë dhe gjendja e saj shëndetësore ishte përmirësuar. Më pas, ajo iu nënshtrua një operacioni dhe falë Zotit doli me sukses. Vetëm mrekullia e Zotit bëri që ime shoqe të shpëtojë.”
Shkoi një njeri te Profeti (a.s.) dhe e pyeti: “O i dërguari i Zotit, a larg është Zoti ynë dhe duhet ta thërrasim, apo afër dhe ta lusim me zë të ulët?” Atëherë u shpall ajeti i mëposhtëm i Kuranit:
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” (Bekare 187)
Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush nuk i lutet Zotit, zemërohet me të.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Zoti i pëlqen ata që janë këmbëngulës në lutje.”
“Nuk ka gjë më të vyer te Zoti sesa lutja.”
“Me të vërtetë Zotit i vjen zor dhe është Bujar, nëse njeriu i ngre duart dhe i lutet, e Ai t’ia kthejë duart bosh.”
“Zoti juaj ka thënë: “Mu lutni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!” (Gafir, 60)
Profeti (a.s.) ka thënë: “Lutja është vetë adhurimi.” Kjo pasi teksa i lutesh Zotit, ti ndjen nevojën që ke për Të. Teksa i lutesh Zotit, ti i je përulur dhe nënshtruar vetëm Atij.
Mund të mos e ndjesh nënshtrimin dhe përuljen ndaj Zotit teksa falesh apo agjëron, por teksa lutesh e ndjen. Prandaj, në çastet kur ke arritur përkushtimin maksimal ndaj Zotit, lute Atë sa më shumë, pasi janë çaste kur të pranohet lutja.
Në Kuran, Zoti i lartësuar ka cekur lutje profetësh, të cilat janë pranuar. Ato u referohen ngjarjeve dhe situatave nga më të ndryshmet, me qëllim që ti o besimtar ta kuptosh se lutjet e tua do të pranohen prej Zotit.
Junusi (a.s.), edhe pse gjendej në barkun e balenës, në mes të oqeanit dhe në errësirën e natës, iu lut Zotit:
“(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 87-88)
Profeti Ibrahim (a.s.) i lutej Zotit që emri i tij të kujtohej me respekt nga brezat e ardhshëm. Zoti ia pranoi këtë lutje dhe emri i Ibrahimit (a.s.), është emër që kujtohet me respekt si nga hebrenjtë, të krishterët, ashtu edhe myslimanët.
Zekerija (a.s.), iu lut Zotit për një fëmijë, edhe pse ishte i shtyrë në moshë dhe gruaja e tij ishte sterile. “(Kujtoje) Zekerijan, kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, mos më lër vetëm (pa fëmijë), e Ti je trashëgimtari më i mirë.” Ne iu përgjigjëm atij dhe i dhuruam Jahjain, duke ia bërë gruan të aftë (për lindje).” (Enbija, 89)
A të ka ndodhur t’i lutesh Zotit sikur me gjithë zemër dhe duke e ndjerë se Ai të dëgjon dhe së shpejti do ta pranojë këtë lutje? Në Qabe, janë me miliona njerëzit që e lusin Zotin e lartësuar me përgjërim e përkushtim. Ai i dëgjon të gjithë zërat, përshpirtjet e tyre, pa ngatërruar askënd.
Nëna e Ebu Hurejres refuzonte të bëhej myslimane dhe e shante profetin (a.s.), gjë e cila e dëshpëronte shumë Ebu Hurejren. Një ditë ai vendosi të shkojë te profeti dhe t’i tregojë mbi hallin që kishte. Profeti (a.s.) ngre duart lart dhe thotë: “O Zot, udhëzoje nënën e Ebu Hurejres në fenë islame!” Pas kësaj, Ebu Hurejre kthehet në shtëpi. Pa hyrë brenda dëgjon zërin e nënës, e cila i thërret duke i thënë: “Qëndro aty ku je!” Del jashtë dhe i thotë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij”.” Ebu Hurejra, kur e dëgjoi këtë, u gëzua shumë dhe shkoi e ia tregoi Profetit që Zoti ia kish pranuar lutjen. Pasi i tregoi, i tha që ta luste përsëri Zotin që ta bënte Ebu Hurejren dhe nënën e tij t’i donin besimtarët e tjerë dhe t’i bënte besimtarët t’i donin ata. Profeti (a.s.) u lut dhe thotë Ebu Hurejre: “Çdo njeri që dëgjonte mbi mua dhe nënën time, pas lutjes së Profetit (a.s.), na donte .”
“Mu lutni Mua, se do t’ju përgjigjem!”
Ky ajet, më bëri të mendoj se ata njerëz të cilët janë në hall, janë jetimë pa prindër, nevojtarë pa përkrahje, gra të veja pa njeri që u gjendet etj... Nëse dikush i afërt u thotë: “Nuk dua t’i përuleni kujt për çfarëdo shkaku! Gjithçka që t’ju nevojitet, ejani dhe ma kërkoni mua!” Të jini të sigurt se do t’u gjendem në çdo situatë...” Pa dyshim që kjo i bën kryelartë dhe krenarë, i bën të ndihen të sigurt. Nëse premtimet e një robi të falin siguri, çfarë mendoni mbi premtimet e Zotit të njerëzve!
A të ka ndodhur ndonjëherë që të bësh një umre për hatër të Zotit, dhe gjatë gjithë kohës ta lusësh me përgjërim që t’i pranojë lutjet? A të ka ndodhur që gjatë një muaji Ramazan, të lutesh për diçka të vetme? A të ka ndodhur të nisesh për Haxh, vetëm që ta lusësh Zotin për diçka të caktuar? A të ka ndodhur që në një çast përkushtimi ndaj Zotit, ku të kanë rrjedhur lot dhe ndjen mall për Zotin, je lutur me përshpirtje? Nëse ndjek këtë metodë në lutjet e tua, dije se do të jetosh i lumtur. Kjo i ngjan shembullit të lartpërmendur, ku një i dashur të premton ndihmë sa herë ke nevojë. Allahu i madhëruar jo vetëm që na ka premtuar se do t’i pranojë lutjet dhe kërkesat tona, por na ka kërkuar që t’ia parashtrojë Atij. Vallë çfarë i kërkon Zotit ti o vëlla dhe oj motër?
Gjatë gjithë muajit të Ramazanit, shokët e Profetit (a.s.) përqendroheshin në katër ose pesë lutje. Në çdo sexhde dhe në çdo iftar ata e lusnin Zotin që t’ua plotësonte dëshirën. Tregojnë vetë sahabët: “Për Zotin, kur vinte Ramazani tjetër, Zoti na i kishte pranuar të gjitha lutjet tona.”
Një ndër cilësitë e Zotit është dhe El-Muxhibu (Lutje pranuesi).
 
Kushtet e pranimit të duasë
Nëse do të plotësohen katër kushte, të jesh i sigurt në pranimin e lutjes.
 
1- Siguria dhe besimi që Zoti do t’ia pranojë lutjen. Sipas sigurisë dhe bindjes se Zoti do ta pranojë këtë lutje, ashtu pranohet dhe lutja. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse dikush prej jush lutet, të mos thotë o Zot përgjigju nëse dëshiron, por le të këmbëngulë në kërkesën e tij.” Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:” Kur t’i luteni Zotit të jeni të sigurt që do t’ua pranojë lutjen.” Nëse e lut Zotin me dyshim dhe skepticizëm, dije se e ke humbur kushtin e parë të pranimit të lutjeve.
Zoti Thotë në një hadith kudsij: “O robët e Mi! Sikur të gjithë njerëzit dhe xhindet të grumbulloheshin në një vend e të më kërkonin gjëra të ndryshme dhe Unë secilit prej tyre t’ia jepja atë që ka dashur, kjo nuk do ta pakësonte pasurinë Time, ashtu siç nuk e pakëson maja e gjilpërës detin kur futet në të.”
 
2- Përgjërimi, përshpirtja dhe lutja me zemër. Dy persona e lusin Zotin për të njëjtën gjë, njërit i pranohet lutja, kurse tjetrit jo. Këtu, sekreti qëndron në përkushtimin dhe përshpirtjen e secilit. Kjo i ngjan shumë litarit të harkut. Nëse litari është i tendosur mirë, shigjeta fluturon me shpejtësi drejt shënjestrës. Në të kundërt, nëse litari është i lirë, shigjeta nuk merr vrullin e duhur. Nëse zemra jote është e përkushtuar, lutet me përshpirtje dhe është e sigurt në pranimin e lutjes, ajo do të pranohet.
Imam Hanbeli thotë: “A e dini se si duhet të lutet myslimani?” “Si o imam?” – e pyetën. Ai u tha: “Si një njeri që ndodhet në mes të një deti të trazuar, i kapur pas një dërrase dhe teksa e sheh veten se po mbytet fillon dhe thërret: ‘O Zot më shpëto, O Zot më shpëto!’ Vetëm duke u lutur në këtë formë, besimtarit i pranohet lutja.”
Mos thuaj: “O Zot ma jep këtë dhe atë…” pa e pasur mendjen fare në ato që thua. Por lutu me gjithë zemër dhe përkushtim.
Abdullah ibnu Umeri thoshte: “Kur përkushtohet zemra, kur loton syri dhe të dridhet trupi, atëherë të pranohet lutja. Në çaste të tilla lutem sa më shumë.”
Përkushtimi nuk ka tregues të aparencës, ai nuk bëhet me ulërima, britma e qarje. Jo. I përkushtuar mund të jetë dikush që gjendet në dhomë, i shtrirë mbi krevat, me kokën nën jastëk, por që përjeton çaste besimi dhe nevojë për Zotin. Drejtoju Zotit me përulje, të të pajisë me krenarinë e Tij. Drejtoju Zotit me dobësinë tënde, të të pajisë me fuqinë e Tij. Drejtoju Zotit me varfërinë tënde, të të japë nga pasuria e Tij. Thuaji me përshpirtje: “O i Plotfuqishëm, kush mund t’i gjendet të dobëtit përveç Teje? O Sundues i gjithçkaje, kush mund t’i gjendet hallexhiut, përveç Teje? O Ti që ke në dorë gjithçka, kush mund t’i gjendet fukarait përveç Teje?” Lute Zotin sikur nuk ke askënd tjetër që të të ndihmon për hallin që ke.
Nëse je i papunë, kërkon të martohesh, nuk ke ku të futësh kokën etj... lute Zotin, sidomos gjatë Ramazanit. Profeti Musa (a.s.) ndodhej në të njëjtën situatë. Ai ishte i përndjekur nga faraoni, s’kishte ku të fuste kokën, ishte pa përkrahje dhe i papunë.
Në një situatë të tillë, ai u lut: “Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë
jam nevojtar!” (Kasas, 24)
Musai (a.s.) nuk e filloi lutjen me ankesa për gjendjen ku ndodhej, por e filloi me mirësitë dhe dhuntitë e shumta që i kishte dhënë Zoti. Menjëherë pas kësaj lutjeje, Musait (a.s.) i garantohet streha, punësim për dhjetë vite dhe martesa.
 
3 - Mosnxitimi gjatë lutjes. Ka njerëz, të cilët hedhin farën e një bime dhe vazhdojnë të përkujdesen e ta vadisin për një kohë të gjatë. Duke parë se kjo farë nuk po mbin, ata mërziten dhe heqin dorë nga përkujdesja. Në fakt, fara ishte gati për të mbirë dhe për të dalë mbi tokë. Asaj thjesht i lipsej koha e nevojshme për të qëndruar nën tokë.
Nëse lutesh dhe sheh që nuk po të pranohet, mos hiq dorë, por vazhdo. Nëse kjo nuk ndodh për një muaj, vazhdoji lutjet gjatë gjithë vitit. Nëse nuk të pranohet për një vit, sërish mos u mërzit, por vazhdo vitin tjetër. Kurrë mos u mërzit nga lutja. Ka njerëz që janë lutur dhe nuk u është pranuar veçse pas dhjetëra vitesh. Për këtë, pyesni më mirë ata që kanë lindur fëmijë pas dhjetëra vitesh martesë. Kam dëgjuar raste të shumta mbi pranimin e lutjes. Kam dëgjuar njerëz të pohojnë: “Kishim me vite të tëra që luteshim që Zoti të na jepte fëmijë. Një herë, ndodheshim në xhami gjatë muajit të Ramazanit. Ndiheshim shumë pranë Zotit, na lotonin sytë dhe zemra gati sa nuk pa na shpërthente nga gjoksi. Në ato çaste, iu përshpirtëm Zotit dhe iu lutëm me përgjërim. Një vit më vonë, ishim bërë prindër.”
Profeti (a.s.) ka thënë: “Secilit prej jush do t’i pranohet lutja përderisa nuk do të nxitohet.” E pyetën shokët: “Si është nxitimi o Profet?” Ai u tha: “Duke thënë që u luta dhe nuk m’u pranua lutja dhe e ndërpret lutjen. Kështu, nuk i pranohet lutja.”
 
4- Ushqimi hallall. Ushqimit që gatuhet nga amvisat, i mjafton një sasi e vogël kripe që t’i japë shije e lezet. E njëjta gjë ndodh edhe me lutjen dhe ushqimin hallall. Nëse njeriu ushqehet me hallall, i mjaftojnë lutje të pakta, që t’i realizohen dëshirat. Ata njerëz të cilët lakmojnë pasurinë e shumtë, duke mos pyetur nga u vjen, bashkë me pasurinë do të marrin dhe vuajtjet, stresin dhe dëshpërimin. Ashtu siç do t’u mbyllet porta e pranimit të lutjeve.
Profeti (a.s.) përmend një njeri të lodhur, të pluhurosur që i ngre duart lart drejt qiellit dhe thotë: “O Zot, o Zot!” Po si t’i pranohej lutja atij, kur ishte ushqyer dhe ishte veshur me haram?!”
Nëse e di që ke futur haram në shtëpi, sidomos gjatë Ramazanit, jep lëmoshë dhe sadaka. Menjëherë pas saj, lute Zotin, pasi sadakaja e pastron pasurinë.
Lidhur me kushtet që përmendëm, Ibnul Kajjimi thotë: “Kush lutet duke i plotësuar këto katër kushte, nuk ka lutje që të mos i pranohet, edhe pas një farë kohe.”
Pasi ta lexosh këtë temë, merr abdes dhe fillo ta lusësh Zotin me përgjërim e përshpirtje. Zgjidhi disa lutje e kërkesa të domosdoshme dhe lute Zotin me vendosmëri e siguri që këto lutje të të pranohen.
Thotë Umer ibnul Hattabi: “Mua nuk më shqetëson aspak nëse duaja do të pranohet, pasi është diçka e garantuar nga vetë Zoti. Ajo që më shqetëson është vetë duaja, lutja. Nëse mbarësohesh për t’u lutur, paralelisht do të pasojë pranimi i lutjes.”
Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kujt i janë hapur portat e lutjeve, i janë hapur portat e mëshirës.”
E lusim Zotin t’u përgjigjet lutjeve tona! Amin!
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free