Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Qeni i zgjuar dhe Luani

Një qen humbi udhën e tij nëpër xhungël. Atë e kishte mbërthyer paniku se mos e shihte luani, i cili po ecte në qejfin e vet drejt tij. Me vete, qeni mendoi:”Aha, kaq e pata dhe unë. Ku të fal luani!” Diku aty pranë, sytë i zunë disa eshtra. Menjëherë, ai mori një eshtër, i ktheu kurrizin luanit që po afrohej dhe duke e lëpirë e gomësitur thoshte:”Ah çfarë luani i shijshëm paska qenë. Po të gjeja dhe një luan tjetër do e kullufisja në çast. Vetëm kështu do e plotësoja racionin për sot.”
Luani e dëgjoi dhe me vete mendoi:”Ky qenka një qen që gjuan luanë! Më mirë po ia mbath e të shpëtoj kokën.” Dhe ia mbathi me të katra larg qenit të tmerrshëm.
Mbi një pemë qëndronte një majmun, të cilit nuk i kishte shpëtuar asgjë nga ato që kishin ndodhur mes luanit e qenit. Me vete mendoi:”Ky është një shans i artë për mua, që të vendos ura miqësie me luanin duke i treguar të vërtetën. E kujt do ia mbajë të më ngacmojë mua pastaj!”
Me vrap e arriti luanin dhe nisi ti pëshpërisë në vesh atë që kishte ndodhur në të vërtetë. Lëvizjet e dyshuara të majmunit nuk i shpëtuan as syrit të qenit.
Me të dëgjuar luani versionin e majmunit, lëshoi një ulërimë të madhe e cila u dëgjua anembanë xhunglës. Mandej, i kërkoi majmunit të ngjitej në shpinën e tij dhe ia dha vrapit drejt qenit.
Kur i dalloi nga larg, qeni përdori një hile dhe marifet tjetër. Ai i ktheu shpinën luanit dhe me zë të lartë thirri:”Po çfarë majmuni i pacipë paska qenë. Sa po vonohet xhanëm? Unë e dërgova ti ngrejë kurth luanit, e ai kushedi nga bredh. Ah ç’më hahej dhe një luan tjetër!”
Me ti dëgjuar këto fjalë luani, e përplasi përtokë majmunin dhe e shqeu si ndëshkim për kurthin që i kishte ngritur.
Urtësia: Nëse nuk i shpëton dot vdekjes, të paktën mos vdis si frikacak!


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free