Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Jeta e varrit, për njerëzit e ndershëm

Siç dihet, varri është stacioni i parë i udhëtimit në Botën tjetër. Nga vetë natyra, njeriu e urren varrin dhe jetën në të. Por, gjatë kësaj teme, ne do të zbulojmë gjëra të cilat e bëjnë jetën e varrit të bukur për besimtarin.
Edhe pse në fund të fundit ai është varr, Zoti e kthen atë në një kopësht parajse për ata që i janë frikësuar Zotit, e kanë ruajtur veten nga harami dhe kanë vepruar punë të mira.
Profeti a.s i këshillonte besimtarët e parë, njëkohësisht dhe neve, që varret t'i vizitojmë shpesh. Vetë gruaja e tij, Aisheja, tregon që Profeti a.s i vizitonte të vdekurit e varrezave "Beki" shumë shpesh. Kjo varrezë, ndodhej shumë pranë shtëpisë ku banote Profeti a.s.
Sa herë që shkonte të vizitojë varrezat, Profeti a.s u drejtohej të vdekurve me këtë fjalë përshëndetëse:"Paqja e Zotit qoftë mbi ju, o banorë besimtarë të këtij vendi. Ju keni keni ardhur këtu para nesh dhe në dashtë Zoti, edhe ne do u bashkangjitemi."
Me këto fjalë, sikur Profeti a.s kërkon të na dërgojë një mesazh: Edhe pse janë të vdekur, ata janë njerëz si ne, jetonin dhe kënaqeshin me të mirat e kësaj bote. Ndryshimi është se ne jemi të gjallë, ndërkohë që ata kanë vdekur. Prandaj nuk ka përse të kemi frikë prej tyre.
Në fund, Profeti a.s shtonte:"O Zot! Na fal neve dhe banorët e varrezës Beki!"
Rreth jetës së varrit, thotë dijetari i njohur Hasan El-basri:"Krijesat kurrë nuk kanë parë si dy netë: Nata e parë është nata kur do të ngrysesh në varr. Kurse nata e dytë është nata e nesërme, nata e ringjalljes në Ditën e Kijametit."
Kështu, sipas Hasan El-basri, nata e parë është ajo natë kur do të befasohesh me takimin e dy melekëve të llogarisë në varr. Ndërkohë që nata e dytë fillon me ringjalljen dhe marrjen e librave në dorën e djathtë ose të majtë.
Padyshim që njerëzit e mirë dhe të ndershëm, do të jenë në shoqërinë e melekëve, të cilët i përgëzojnë me xhenet dhe kënaqësi të përhershme.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:"A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet." (Zumer 21)
"O ju që besuat, ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë." (Hadid 28)
"A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë." (En'am 122)
Nata e parë në varr, do të jetë nata më e bukur për besimtarët dhe njerëzit e ndershëm, pasi do të jenë në zijafetin e Allahut të madhëruar.
Në një hadith, Profeti a.s thotë:"I vizitoni varret, pasi ato u kujtojnë jetën tjetër."
Sa herë që të shohësh një xhenaze, është mirë që t'a shoqërosh, t'i falesh xhenazen dhe të presësh derisa të përfundojë varrimi. Shpërblimi i një vepre të tillë, është shumë i madh. Profeti a.s thotë:"Kush shoqëron një xhenaze derisa varroset, do të kthehet me shpërblim sa dy male."
 
Disa fakte dhe njohuri rreth të vdekurve në varre.
1 – Të vdekurit në varre i dëgjojnë të gjallët. Një ndër argumentet për këtë, është se Profeti a.s na ka urdhëruar që kur të vizitojmë një varrezë, të themi:"Paqja qoftë mbi ju banorë të këtij vendi!"
Pasi muslimanët fituan në betejën e Bedrit, Profeti a.s u foli kufomave të jomuslimanëve të vrarë, duke u thënë:"A e gjetët të vërtetë premtimin e Zotit, pasi unë e gjeta të tillë..."
Umeri ndërhyri dhe e pyeti:"A të dëgjojnë o i dërguar i Allahut?!"
Profeti a.s ia ktheu:"Për Zotin ti nuk më dëgjon më mirë se ç'më dëgjojnë ata!"
Në një hadith tjetër të transmetuar nga Buhariu, thuhet se kur familja e të vdekurit shkojnë në varreza për të vizituar të afërmit e tyre, të vdekurit i dëgjojnë hapat e tyre.
 
2 – I vdekuri ngushëllohet dhe gëzohet kur të afërmit e tij të gjallë e vizitojnë varrin e tij dhe luten për të.
Para se të vdesë, Amr ibnul As, i porositi familjarët e tij:"Pasi të më keni varrosur, qëndroni afër varrit tim, pasi e kam qejf t'ju ndjej pranë."
 
3 – Veprat e të gjallëve, u tregohen dhe të vdekurve nga familjarët. Veprat tona të mira, i gëzojnë të vdekurit, ndërkohë që veprat e liga i zemërojnë dhe dëshpërojnë.
 
4 – Shpirtrat e njerëzve të mirë dhe të ndershëm, e vizitojnë njëri-tjetrin në varr. Prandaj, i dërguari i Zotit i varroste njerëzit e dashur pranë njëri-tjetrit, ashtu siç bëri me Amru ibnul Xhemuh dhe Abdullah ibnu Hiram.
 
5 – Profetët janë të gjallë dhe falen në varret e tyre. Tregon Profeti a.s rreth natës së Miraxhit:"Kalova pranë Musait a.s, dhe e gjeta duke u falur në varrin e tij."
Përderisa Musai a.s ishte i gjallë dhe falej në varr, edhe profeti Muhamed a.s është i tillë.
Seid ibnu Xhubejr, nxënës i Abdullah ibnu Abasit, tregon:"Kur u varros Thabit ibnu Enes El-benanij (nxënës i Enes ibnu Malik, shërbëtorit të Profetit a.s) mua më ra diçka brenda varrit. Kur zbrita t'a marr, e dallova Thabit-in duke u falur."
Që para se të vdesë, Thabit ibnu Enes lutej:"O Zot! Nëse dikujt ia ke bërë rizk që të falet edhe në varr, atëherë të lutem ma jep edhe mua këtë mirësi!"
Këtë mirësi, Allahu i madhëruar ia dha Thabit ibnu Enes, pasi ai ishte nga njerëzit e mirë dhe e luste vazhdimisht që Zoti t'ia japë këtë mirësi.
 
Thotë Profeti a.s rreth xhenazes së njerëzve të mirë:"Kur xhenazeja vendoset në tabut dhe e mbajnë njerëzit në krahë, nëse ka qenë njeri i mirë thotë:"Më shpejtoni më shpejtoni për në varr."
Kjo, pasi ky njeri, menjëherë pas vdekjes ka filluar të shohë dhe konstatojë nderimet që i janë pregatitur nga Zoti.
Personi që e vendosi imam Buhariun në varr, tregon:"Kur e vendosa në varr, ndjeva që era misk (lloj parfumi) kishte mbushur varrin."
Disa njerëz të mirë thonë që varri flet!!! Por si mund të flasë varri dhe çfarë thotë?
Kur një njeri i mirë ndërron jetë dhe varroset, varri i thotë:"Edhe kur ishe gjallë, ti ke qenë një ndër njerëzit më të dashur për mua. Tashmë që je brenda meje, je akoma më i dashur."
Varri i don njerëzit e mirë, pasi ata i don vetë Zoti i madhëruar.
Në fakt, varri i një njeriu të mirë dhe të dashur tek Zoti, nuk do të jetë ajo gropë që ne e shohim, por do të jetë pallat.
Vetë Profeti a.s e përshkruan varrin e njerëzve të mirë si lulishte nga lulishtet e xhenetit.
Kur i vdekuri vendoset në varr, ai i dëgjon zhurmat e hapave të njerëzve që largohen. Atëherë i vijnë dy melekë, Munker dhe Nekir, të cilët e pyesin rreth Zotit, fesë dhe profetit që ka besuar.
Nëse është njeri i mirë, ai do të përgjigjet pa u hezituar:"Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe profeti im është Muhamedi a.s."
Është mirë që secili prej nesh t'a lusë Zotin dhe të thotë:"O Zot! Më bëj të qëndrueshëm në dashurinë që kam për Ty, për fenë Tënde dhe për profetin Muhamed a.s. O Zot! Më bëj të vdes duke zbatuar dhe respektuar sheriatin Tënd!"
Kur robi i mirë u përgjigjet pyetjeve të dy melekëve, ata do i thonë:"Ne e dinim që ti do të përgjigjeshë drejt. Ti ke jetuar me Zotin dhe ke respektuar ligjet e Tij dhe kështu ke vdekur."
Atëherë do dëgjohet një zë nga lart: “Robi Im tha të vërtetën, prandaj ia shtroni varrin me shtresat e xhennetit dhe i hapni një dritare ku të shikojë vendin e tij në xhennet. Prej aty ai do të shijojë aromoën dhe pamjet e mrekullueshme të xhenetit.
Më pas i vjen një burrë me rroba të bardha dhe fytyrë të bukur, të cilin e pyet: “Kush je ti, pasi nga fytyra ngjan sikur je njeri i mirë?” “Unë jam puna jote e mirë” -do t’i përgjigjet- Për Zotin ke qenë i shpejtë në bindje dhe adhurimin e Zotit dhe i avashtë në thyerjen e urdhërave të Tij.
 Më pas do fillojë t’i lutet Zotit, duke thënë: “O Zot! Shpejtoje kiametin, që të takohem me familjen dhe fëmijët.”
 
Vepra që i bëjnë dobi të vdekurit.
Duke qenë se secili prej nesh ka të afërm që i kanë vdekur, është mirë që të kemi njohuri rreth atyre veprave që mund t'ju bëjnë dobi në varr.
Një ndër këto vepra është edhe lutja e sinqertë. Sa herë që të lutesh për dikë, melekët luten për ty duke thënë:"Zoti të dhashtë edhe ty si kjo që lutesh."
Është mirë, madje është detyrë, që nëse i vdekuri ka lënë ndonjë ditë pa agjëruar nga ramazani, të afërmit e tij t'a agjërojnë dhe t'ia shlyejnë. Gjithashtu, nëse ai ka ndonjë borxh të pashlyer, duhet t'ia shlyejnë.
Një vepër tjetër e mirë është edhe dhënia sadaka, mësimi i të paditurve, dhurimi i Kuranit, dhënia ujë të eturve etj...
Thotë Profeti a.s:"Kur një njeri ndërron jetë, i ndërpritet shpërblimi i veprave që punonte, përveç tre gjërave:"Një sadaka rrjedhëse, një dije nga e cila përfitojnë të tjerët dhe një fëmijë i cili lutet për të."
Mes dijetarëve ka mosmarrëveshje rreth leximit të Kuranit për të vdekurit, nëse i arrin shpërblimi të vdekurit apo jo. Kështu, disa dijetarë si Ibnul Kajjim, Ibnu Tejmije dhe të tjerë mendojnë se nuk i arrin. Ndërkohë që disa të tjerë mendojnë se i vdekuri përfiton nga leximi i Kuranit për të.
Në fund të kësaj teme, unë dua t'ju këshilloj që të shkoni shpesh dhe t'i vizitoni varret. Teksa qëndroni atje, është mirë të kujtoni Ditën kur do të ndaheni nga kjo jetë, të kujtoni jetën e varrit, ditën e ringjalljes dhe paraqitjen para Zotit të madhëruar.
Vizita e varreve e pastron zemrën e njeriut dhe e afron atë me Zotin. Vizita e varreve ia shton njeriut dëshirën për vepra të mira, për të ndihmuar të vobektët etj...
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free