Sillu me njerëzit sipas vlerave të tua, jo sipas vlerave të tyre
Një burrë i moshuar dhe i urtë ishte ulur pranë bregut të një lumi. Ai shihte i mahnitur hijeshinë që rrethonte ambientin përreth dhe herë pas here pëshpëriste diçka me vete. Në një moment, ai vëren një akrep që kishte rënë në ujë. Akrepi orvatej të shpëtojë nga mbytja por pa fajde. Burri vendosi ti gjendej këtij insekti të mjerë dhe i zgjati dorën ta shpëtojë nga kthetrat e vdekjes. Por me ta prekur, akrepi e pickoi fort. Burri e tërhoqi dorën dhe lëshoi një piskamë për shkak të dhimbjes. Por pas pak, sërish zgjati dorën drejt akrepit që ta shpëtojë dhe sërish insekti mosmirënjoës e pickoi. Burri lëngoi sërish, e megjithatë e zgjati për të tretën herë dorën që ta shpëtojë. Këtë skemë e kishte ndjekur një person tjetër i cili nuk duroi dot por i thirri:”Mos vallë të janë tharë trutë?! Si nuk zure mend as herën e parë dhe as të dytën?! Dashke ta provosh për herë të tretë pale!”Burri i mençur nuk i ktheu përgjigje, por vazhdoi përpjekjet për ta shpëtuar akrepin, derisa ia arriti. Pastaj, bëri disa hapa në drejtim të burrit tjetër dhe pasi i rrahu supet i tha:”O mik! Natyra dhe instinkti i akrepit është të pickojë, kurse natyra dhe karakteri im është të sillem butësisht. Përse dashke të lejoj që të dal nga natyra dhe karakteri im?! Sillu me njerëzit sipas natyrës dhe karakterit tënd, jo sipas natyrës së tyre, cilatdo qofshin sjelljet dhe veprat e tyre! Mos u kushto rëndësi zërave që të kërkojnë të dalësh nga vetja! Mos ua var atyre që të thonë hiq dorë nga karakteri dhe natyra jote, sepse pala tjetër nuk e meriton mirësjelljen!”
Na ndodh që të pendohemi për trajtimin që u bëjmë njerëzve për të cilët mendojmë se nuk e meritojnë mirësjelljen tonë. Në fakt, ky pendim është i pavend. Ne duhet ti trajtojmë njerëzit sipas moraleve tona, jo sipas moraleve të tyre.
Kur kalifi Memun i thirri shërbëtores së tij gjatë kohës së pushimit, ajo u inatos dhe manifestoi neveri nga kjo sjellje. Dikush që e dëgjoi, i tha kalifit Memun:”A nuk e edukon?!” Kalifi ia ktheu:”Mirësjelljen tonë e keqinterpretuan dhe na e kthyen me arrogancë. Pasha Zotin, nuk do e prishim mirësjelljen tonë që të ndreqim sjelljet e tyre. Nëse do i trajtojmë njerëzit sipas moraleve dhe vlerave të tyre, do të prishet dynjaja.”
Thotë profeti Muhamed a.s:”Fale atë që të ka bërë padrejtësi, shkoji atij që nuk të vjen, trajtoje me mirësjellje atë që është sjellur keq dhe thuaje të vërtetën qoftë dhe kundër vetes tënde!”