Problemi i pare, njeriu
“Kur mendja njerëzore të jetë plotësisht e vetëdijshme, problemet e njeriut zhduken si errësira në agim”. OshoPër shkencën në tërësi ekzistojnë me miliona probleme. Për jetën në tërësi, po ashtu, ekzistojnë me miliona e miliona probleme. Për jetën dhe për shkencën, sa herë të DUKET se po zgjidhen e po tejkalohen shumë probleme, po aty lindin dhe krijohen probleme të tjera, të reja, të panjohura deri në atë çast. Dhe, kështu, fillim e mbarim, jetën njerëzore e përcjellin përpëlitjet, lufta e përhershme për zgjidhjen e tejkalimin e problemeve dhe, prapë, kacafytja e re me zgjidhjen e tejkalimin e problemeve të reja, që paraqiten me shumicë, të salduar njëri pas tjetrit, si hallkat e zinxhirit.
Për shpirtëroren ekziston vetëm një problem: NJERIU! Shpirtërorja nuk thotë se njeriu ka shumë probleme, por thotë se: njeriu vet është problem, ai është prodhuesi i të gjitha problemeve që krijojnë zhurmën, shqetësimin dhe pakënaqësinë e pafund në jetë.
Pse është njeriu problem?
Shtazët nuk janë problem. Shtazët jetojnë të pavetëdijshme, të lumtura në mosdijen e tyre, kështu që nuk ekziston mundësia që të trazohen e shqetësohen.
Problemet janë aty, madje janë me shumicë të madhe, por shtaza nuk është e vetëdijshme për praninë e tyre.
Hyjnitë, po ashtu, nuk janë problem. Pse? Sepse janë dritë, janë vetëdije e tërësishme, prandaj as nuk janë as nuk krijojnë kurrfarë problemi.
Njeriu është në hall të madh. Vetë qenësia e njeriut, vetë ekzistenca e tij, është problem. Pse? Për shkak se njeriu gjendet në mes dy ekstremeve skajore: botës shtazore dhe botës hyjnore!
Njeriu është sikur URË mes këtyre dy ekstremeve të pakufishme skajore: në njërën anë është bota e pakufishme e MOSDIJES dhe, në anën tjetër, bota e pakufishme e DIJES. Njeriu, i këtillë siç është, nuk është as shtazë as hyjni, apo më saktë: është edhe shtazë edhe hyjni.
Njeriu është PROCES, e procesi derisa të përfundojë nuk e krijon tërësinë. Sepse njeriu është larguar shumë nga bota e mosdijes, por ende nuk ka arritur të hyjë plotësisht në botën e dijes, dhe, prandaj, pikërisht ky shkak e bën jetën e njeriut të tensionuar, të shqetësuar, luftë të pafund ku gjithmonë shumëzohen humbësit e kurrë nuk regjistrohen fitimtarët.
Ekzistojnë dy mënyrë, vetëm DY mënyrë, që jeta e njeriut të ndërtohet pa asnjë problem, pa asnjë shqetësim, pa asnjë luftë. E këto dy mënyra janë: E para – regresioni, njeriu të zbret poshtë, në botën e shtazës, në botën e mosdijes së plotë dhe të jetë i lumtur. E dyta – të transcendentohet, të ngritët, të rritet, të bëhet pjesë e hyjnores dhe vërtet të jetë tërësisht i lumtur.
Rënia në botën e shtazës është e lehtë, por nuk mund të qëndrosh gjatë në atë gjendje, sepse ajo që ke mësuar, ajo shkëndijë e vetëdijes që e ke ndërtuar, do të kthejë prapë këtu ku je. Sa njerëz përdorin mjetet e harrimit, të kthimit prapa në pavetëdijes, si alkoolin e drogën, por kot! Një ditë, dy, tri, ndoshta edhe një muaj, por në ndërkohë problemet janë shtuar dhe të presin të vetëdijesohesh e t’i përballosh. Kjo nuk është kurrfarë rruge.
Alternativa e dytë është jashtëzakonisht e vështirë: të ngritesh, të rritesh shpirtërisht, të kthehesh me fytyrë kah qenësia, kah vetëdijesimi i plotë, total, kjo është rrugë e vështirë, rrugë që kërkon mund e sakrifica, vetëmohim e vendosmëri, por është e vetmja rrugë e sigurt, plotësisht e sigurt që njeriun e ndihmon të bëhet njëmend NJERI.
Prandaj edhe është mirë ta nënvizojmë edhe njëherë thënien e fillimit: “Kur mendja njerëzore të jetë plotësisht e vetëdijshme, problemet e njeriut zhduken si errësira para dritës së agimit”
Falemnderit !