Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ji ambicioz

Vallë cilat janë ëndrrat tuaja? Vallë sa prej të rinjve tanë ëndërrojnë?
Nëse njeriu nuk ka ëndrra dhe ambicie në jetë, vjen duke u zvogëluar dhe sfilitet. Vallë sa orë flenë të rinjtë tanë sidomos gjatë verës? Ka prej tyre që nuk shtrihen në shtrat, veçse pas orës tre ose katër të mëngjesit. Ora e zgjimit është në dy ose tre pasdite dhe zakonisht, menjëherë pas zgjimit shohin dy tre klipe nga hitet e verës. Pastaj vjen radha e daljes me shoqëri nëpër kafene. A mund të quhet jetë kjo? A për këtë jemi krijuar? Mos je krijuar thjesht për të ngrënë, për të pirë, martuar, lindur dhe në fund për të vdekur? Njerëzit që jetojnë një jetë të tillë janë me qindra miliona. Është e pamundur të jetosh i lumtur, nëse nuk ke një ëndërr për ta realizuar dhe nuk ke ambicie. Kjo vlen dhe për të rinjtë e të rejat që janë fetarë. Mund të jesh i sinqertë, mund të falesh, agjërosh dhe të veshësh hixhabin, por nuk ke ëndrra dhe ambicie. Lumturia e plotë nuk vjen nëse nuk plotësohen të gjitha ngjyrat dhe konturet e saj.
Umer ibnu Abdul Azizi thoshte: “Unë kam një shpirt ambicioz. Ëndërrova të martohem me Fatimen, vajzën e Abdul Melikut (halifes) dhe u martova. Ëndërrova të bëhem guvernatori i Medinës dhe ia arrita të bëhem. Ëndërrova të bëhem Kalif i myslimanëve dhe këtë e arrita. Kurse sot ëndërroj diçka më të madhe se kalifati, ëndërroj xhenetin dhe shpresoj ta fitoj.”
Kur njeriu ka sukses dhe e realizon një ëndërr të tij, ai pajiset me energji dhe fuqi të reja, të cilat sikur i injektohen me anë të një vaksine, që quhet “vaksina e ambicieve”.
Caktoji vetes një ëndërr – pasi ëndrrat janë falas – dhe përpiqu ta realizosh atë. Por mos harro sinqeritetin dhe nijetin.
Nëse je ambicioz dhe ke ëndrra, ku qëllimi kryesor është kënaqësia e Zotit, dije se destinacioni i fundit të tyre është vetë xheneti. Këto fjalë unë jua drejtoj të rinjve dhe të rejave, edhe pse ëndrrat nuk kanë moshë. Ato nëna që kanë mbushur të gjashtëdhjetat mund të ëndërrojnë edhe të kenë ambicie. Ëndrrat dhe ambiciet e tyre mund të jenë të lidhura me fëmijët apo nipërit e mbesat e tyre. Sado të mëdha të jenë vështirësitë dhe problemet e tua, mos jeto kurrë pa një ëndërr dhe ambicie. Në të kundërt do të jetosh një jetë plot vuajtje dhe trishtim.
 
Kristina Onasis, ka qenë vajza e vetme e një miliarderi grek. I ati i vdiq dhe ajo trashëgoi një pasuri të pallogaritshme, kompani ajrore, flota detare, ishuj etj… Megjithatë, e bija pohonte se ishte njeriu më i palumtur në botë. Kjo, pasi babai i saj i kishte siguruar gjithçka dhe nuk i kishte lënë ëndrra për t’i realizuar. Në fund, ajo vetëvritet.
 
Adij ibnu Hatim Taij, ishte djali i Hatim Taij, njërit nga simbolet e bujarisë arabe. Por i biri nuk i kishte ngjarë të atit, pasi nuk kishte ambicie si i ati. Ëndrrat e tij ishin shuar për shkak të situatës politike dhe ekonomike të Gadishullit Arabik. Ai shihte se vendi i tij nuk ishte i sigurt për shkak të kusarëve dhe banditëve, të cilët ishin përhapur në rrugët tregtare. Ai shihte se populli i tij jetonte në një skamje dhe mjerim të paimagjinueshëm. Veç kësaj, konstatonte se arabët ishin nën sundimin e persëve dhe të Bizantit, dy perandoritë më të mëdha të kohës. Këto tre fatkeqësi, e kishin bërë Adij të humbasë shpresën dhe të mos ketë ambicie. E çfarë ambicie dhe ëndrrash mund të ketë njeriu, kur është rob i një tjetri, është në kulmin e fukarallëkut dhe nuk ndihet i sigurt nga kusarët e banditët?!
Kur shfaqet profeti Muhamed (a.s.) dhe fillon të hedhë themelet e shtetit islam në Medine, Adij largohet për disa kohë, por pastaj kthehet sërish dhe shkon të takojë Profetin (a.s.).
Tregon vetë Adij mbi këtë takim dhe thotë: “Nuk kishte njeri prej arabëve që e urrente Muhamedin (a.s.) siç e urreja unë. Asokohe unë isha i krishterë dhe isha kryetar i fisit. Kur profeti Muhamed (a.s.) erdhi në Medinë, unë u largova në Bizant. Atje u mërzita dhe me vete mendova: “Përse të mos shkoj ta takoj vetë këtë njeri që pretendon se është profet?! Nëse është mashtrues nuk ka ç’të më bëjë, nëse thotë të vërtetën, të paktën ta dëgjoj. Kështu u ktheva në Medinë. Me të më dalluar njerëzit, filluan të thërrasin: “Ky është Adij ibn Hatim, ky është Adij ibnu Hatim. Vajta tek Profeti (a.s.) në xhami dhe me të më parë më tha: “Adij ibnu Hatim?!” Unë iu përgjigja: “Adij ibnu Hatim.”
Profeti (a.s.) u gëzua me mua dhe më mori për dore për në shtëpinë e tij.
Përgjatë rrugës ndodhin tre gjëra, që kishin të bëjnë me situatën e përgjithshme të Gadishullit Arabik. Fillimisht shohim një grua, e cila lëshoi një piskamë: “O i dërguari i Allahut! Kam një hall të madh.” Profeti (a.s.) u veçua me të, e dëgjoi dhe në fund e këshilloi dhe ajo u largua.
Unë që isha takuar me mbretër dhe kushedi sa vezirë, krahasoja moralet e tyre me të këtij burri dhe me vete thashë: “Jo për Zotin! Këto nuk janë sjelljet dhe moralet e një mashtruesi, por të një profeti.”
Pasi bëmë disa hapa, vjen një burrë dhe i ankohet Profetit (a.s.) për fukarallëkun dhe gjendjen e mjerë ku jetonte. Profeti (a.s.) qëndroi pak me të, e dëgjoi dhe në fund i tha diçka dhe burri u largua.
Mandej vjen një i tretë dhe ankohet për kusarët dhe banditët, të cilët zinin pusi njerëzve dhe karvanëve në rrugët kryesore.
Të gjitha këto ia shtonin lëkundjen dhe hezitimin Adij ibnu Hatimit. Ai ishte i pari i fisit dhe nuk kishte armiq dhe as që ia kishte frikën kujt. Përse duhej të pranonte fenë e këtij burri dhe të bëhej me armiq?
Kur mbërritën në shtëpi, Adij dalloi vetëm një shilte në mes të dhomës, të cilën Profeti (a.s.) ia ofroi të ulej. Ai i tha: “Jo, ti duhet të ulesh mbi të.” Por Profeti (a.s.) insistoi dhe Adij nuk e zgjati. Menjëherë Profeti (a.s.) fillon t’i thyejë barrierat që ekzistonin mes Adij dhe Islamit, duke i thënë: “O Adij! Prano Islamin të shpëtosh! Prano Islamin të shpëtosh! Prano Islamin të shpëtosh!”
Adij ia ktheu: “Unë e kam një fe.”
Profeti (a.s.) i thotë: “O Adij, unë e di se ç’të pengon ty të pranosh Islamin.”
Prej nga ky çast, Profeti (a.s.) fillon t’i flasë mbi një ëndërr dhe ambicie të tij, e cila do ta bënte Adij ibnu Hatimin ta pranonte Islamin në fund.
Adij e pyet: “E çfarë është ajo?!”
Profeti (a.s.) i përgjigjet: “ Ti thua që mua më kanë ndjekur njerëzit më të dobët, të varfër, të përbuzur dhe të frikësuar.” Adij heshti dhe nuk foli, pasi ato fjalë ishin të vërteta. Mandej, Profeti (a.s.) i tha: “ A e di ku ndodhet Hira –qytet në Irak - o Adij?”
Adij i përgjigjet: “Kam dëgjuar, por nuk kam qenë ndonjëherë”.
Profeti (a.s.) i thotë: “Për Zotin, o Adij, kjo fe do të triumfojë dhe bashkë me të do të përhapet qetësia dhe siguria. O Adij, do të vijë dita që do të dalë gruaja e vetme, do të udhëtojë nga Hira deri në Mekë, pa pasur frikë gjë tjetër veç Allahut.”
Me këtë, Profeti (a.s.) i fliste mbi ëndrrën e sigurisë dhe të qetësisë që do të dominonte në Gadishullin Arabik pas triumfit të Islamit. Siguria e jetës dhe e pasurisë ishte inekzistente asokohe në Gadishullin Arabik.
Adij tregon: “Kur e dëgjova këtë, mbeta pa fjalë. Si do të mund të udhëtonte një grua e vetme nga Hira për në Mekë, pa pasur frikë asgjë tjetër, përveç Zotit?! Po banditët dhe kusarët që janë përhapur në katër anët?! Megjithatë nuk fola.”
Profeti (a.s.) vazhdoi dhe i tha: “O Adij! A ke dëgjuar për Kisran?”
Adij përgjigjet: “Sigurisht, është Kisra ibnu Hurmuz, mbreti i persëve.”
Profeti (a.s.) vazhdon: “Do të vijë një ditë kur pallatet e Kisras do t’i marrin myslimanët dhe thesaret e tij do të sillen në këtë vend ku qëndroj unë.”
Duke mos u besuar veshëve, Adij pyet gjithë habi: “Cilit Kisra, mbretit të Persisë?!” Profeti (a.s.) i përgjigjet:“Po, mbretit të Persisë. Nëse do të kesh jetë të gjatë o Adij, do të shohësh burra që dalin me duart plot flori dhe argjend, kërkojnë ndonjë fukara për t’ia dhënë , por nuk gjejnë njerëz të varfër që të pranojnë lëmoshën”.
Pas gjithë këtyre, Profeti (a.s.) më thotë: “O Adij! E ç’të pengon të dëshmosh se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut?! Apo ke ndonjë zot tjetër më të madh se Allahu?!”
Nga forca e atyre që sapo kisha dëgjuar, menjëherë thashë: “ Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se ti je i dërguari i Zotit.”
Për Zotin i kam jetuar vetë ato vite kur gruaja nisej e vetme nga Hira për në Qabe, pa pasur frikë gjë tjetër përveç Zotit. Myslimanët jo vetëm që i morën pallatet e Kisras dhe thesaret e tij, por unë isha pjesë e asaj ushtrie që e realizoi këtë. Për Zotin do të rritet mirëqenia saqë nuk do ta pranojë kush lëmoshën, sepse i dërguari i Zotit (a.s.) e ka thënë këtë.”
Adij, jo vetëm që i besoi fjalët dhe ëndrrën e profetit Muhamed (a.s.), por u bë edhe pjesë e realizimit të saj. Thjesht se i foli për një ëndërr, Profeti (a.s.) e bindi Adij të pranojë islamin dhe të vdesë si mysliman.
Mendja e njeriut i përngjan një xhindi të fuqishëm, i cili ka fuqi të mbinatyrshme. Por nëse e mbyllim në një qyp të vogël, ai shndërrohet në diçka të pavlerë. Nëse mendjen tonë e izolojmë, nuk e përdorim dhe nuk ëndërrojmë, ajo ndryshket dhe fishket. Një poet thotë në disa vargje:
Në një enë më hodhën dhe më thanë: Ambientohu!
Po unë nuk jam ujë! Unë jam nga balta e qiellit.
Nëse ena ngushtohet nga zhvillimi im, do të thyhet ena, ose do të thyhem unë.
 
Mos e izolo veten dhe kapacitetet e tua në një vorbë të vogël dhe të thuash që nuk ia vlen.
Njeriu është qenia e vetme, e cila planifikon dhe e parashikon të ardhmen pas njëzet vitesh. Ne njerëzit e dimë se çfarë do të na ndodhë pas njëzet apo tridhjetë vitesh, pra i kuptojmë ciklet e jetës, madje kemi aftësi që edhe të planifikojmë. Ne e kemi aftësinë që ta imagjinojnë të ardhmen dhe të planifikojmë për të. Është pikërisht ky tipar ai që të dallon ty o njeri nga një mace, apo çdo gjallesë tjetër. Ti e ke aftësinë të ëndërrosh për ditën e nesërme, ndërsa ajo nuk e ka këtë aftësi. Ti ke aftësi të mendosh si ta rritësh cilësinë e jetës, ndërsa ajo nuk e gëzon këtë cilësi. Macja do të vazhdojë thjesht të hajë dhe të pijë, pa menduar më shumë. Ka shumë njerëz që u ngjajnë gjallesave të tilla, thjesht hanë, pinë, martohen dhe riprodhohen. Mos prano të jesh nga kjo kategori njerëzish, o vëlla dhe oj motër! Si mund të jetë i tillë, dikush që ka besuar Allahun dhe ka profet Muhamedin (a.s.)?! Mos lejo ta humbasësh tiparin më të vyer me të cilin Zoti e dalloi njeriun nga kafshët e tjera! Mos lejo të zbresësh nga një qenie humane në diçka tjetër! Njeriu ka ëndërruar të banojë në pallate shumëkatëshe, të udhëtojë me makina etj... dhe sot i gëzon këto privilegje. Kurse kafshët, sado të jetojnë në luks e të mira, nuk janë si njerëzit, pasi nuk mund të ëndërrojnë dhe të kenë ambicie. Ato do të vazhdojnë të mbeten kafshë.
Përderisa njeriu ka një ëndërr, të cilën kërkon ta bëjë realitet, ai ndihet i angazhuar pozitivisht, nuk e humbet kohën kot. Historia e njeriut mbi tokë nuk është gjë tjetër, veçse një seri ëndrrash. Po të lexojmë librin e shpikjeve, do të shohim që gjithçka ka zënë fill nga një ëndërr dhe ambicie.
Nëse nuk ke një ëndërr, për të cilën ia vlen të sakrifikosh, do të jetosh i trishtuar dhe i dëshpëruar. Nëse nuk e ke akoma një ëndërr, ulu dhe gjeje një të tillë, ulu dhe hidhe në letër se çfarë dëshiron të bëhesh në të ardhmen dhe si e sheh veten pas njëzet vjetësh. Përse të mos ëndërrosh të bëhesh projektuesi më i mirë në vendin tënd? Përse të mos bëhesh projektuesi më i mirë në botë?
Profeti (a.s.) nuk u turpërua t’i tregojë Adij që synon të marrë perandorinë perse, edhe pse ai dhe myslimanët e tjerë bënin një jetesë të mjerë. Përse të mos ëndërrosh ti o motër që të bëhesh stilistja më e mirë në botën islame për veshjet e myslimaneve? Përse të mos ëndërrosh të shkruash tregimin më të bukur në botë, për të cilin do të shpërblehesh në rang ndërkombëtar? Përse të mos ëndërrosh të fitosh medalje të arta në lojërat olimpike të ardhshme? Të gjitha këto ëndrra dhe të tjera, shoqëroji me nijetin për hatër të Zotit dhe që të tjerët të shohin myslimanë të suksesshëm.
 
Kur Egasi, lojtari i tenisit fitoi kupën, e intervistoi një gazetar dhe e pyeti: “Si ndiheni tani që e fituat këtë kupë për herë të parë?” Lojtari u përgjigj: “Në fakt, kjo nuk është hera e parë, kjo është hera e dhjetë që e fitoj.”
Të gjithë qeshën, pasi menduan se ai po bën shaka, por ai ua ktheu: “Unë e kam me të vërtetë që është hera e dhjetë që e fitoj. Unë kam dhjetë vite që e ëndërroj fitoren e kësaj kupe. Që prej dhjetë vitesh unë e ëndërroj edhe fanellën që kam veshur sot, kam ëndërruar edhe duartrokitjet e publikut teksa merrja në duar kupën.”
 
Ëndrra e Maradonës ishte të mbante kupën e botës në duart e tij. Me ta realizuar këtë ëndërr, ai u dha pas lëndëve narkotike, pasi tashmë nuk kishte ëndërr.
 
Profeti (a.s.) nuk linte rast pa i stimuluar shokët e tij dhe myslimanët që të ëndërronin dhe të ishin ambiciozë. Një ditë, ai u tha: “Hyra në xhenet dhe pashë një pallat shumë të bukur. I mrekulluar pyeta se kujt i përkiste ai pallat dhe më thanë se është i një burri nga kurejshët. Te pragu i derës, ndodhej një grua, e cila merrte abdes nga një burim që buronte te pragu. Pyeta sërish se i kujt ishte ai pallat dhe më thanë se është i Umer ibnul Hattabit. Kur m’u kujtua xhelozia jote o Umer, e largova shikimin nga gruaja që merrte abdes.”
Me këtë, Profeti (a.s.) ia tregonte ëndrrën krejt të qartë dhe të kthjelltë Umerit, i cili kur e dëgjoi i tha: “A për ty të xhelozohem o i dërguari i Allahut?!”
Po ti o vëlla dhe oj motër, a e sheh ëndrrën tënde kaq të qartë dhe me detaje?
 
Çfarë do të thotë të ëndërrosh?
 
Të ëndërrosh, do të thotë të krijosh imazhe në imagjinatë, mbi gjëra që kërkon t’i realizosh në të ardhmen. Ka njerëz të cilët nuk e dinë si ëndërrohet. Ka të tjerë të cilët krijojnë një imazh në tru, sidomos kur dëgjojnë ose shohin dikë të suksesshëm, por shumë shpejt ftohen dhe e harrojnë. Ka njerëz që imazhi u përsëritet sa herë që dëgjojnë një ndodhi të re, sa herë që dëgjojnë ose lexojnë historinë e Profetit (a.s.) entuziazmohen, por jo më shumë.
Ka të tjerë që ëndërrojnë, por nuk bëjnë asnjë hap më tutje. Ata thjesht kalojnë kohën duke fantazuar dhe imagjinuar edhe gjëra të pamundura. Një lloj të tillë ëndërrimi Profeti (a.s.) e ka ndaluar. Ai e ka quajtur atë lundrim në detin e imagjinatës dhe të fantazisë.
Kurse lloji tjetër i ëndërrimtarëve janë ata, të cilët ëndërrojnë dhe kjo i shtyn të planifikojnë dhe ta realizojnë ëndërrimin e tyre. Ata e shohin ëndrrën e tyre, duke u realizuar sikur të shihnin një film tredimensional.
Imagjinoni një njeri në mes të malit me një mot shumë të ftohtë. Atij i duhet që të ngrohet për ta përballuar të ftohtin, por me vete nuk ka asgjë tjetër përveç rrobave, syzeve dhe një letre nga shoku i tij. Për t’u ngrohur – ëndrra – atij i duhet të përdorë syzet, të përqendrojë rrezet e diellit tek letra dhe të ndezë një zjarr më pas.
Truri i njeriut ndahet në dy pjesë: vetëdija dhe pavetëdija. Kjo e fundit – pavetëdija beson gjithçka që i thuhet, duke mos bërë dallim mes të vërtetës dhe fantazisë. Nëse pavetëdija e beson diçka si të vërtetë, nuk lë gur pa lëvizur, derisa ta realizojë.
 
Çfarë i bën njerëzit të mos ëndërrojnë?
 
Krizat dhe problemet i bëjnë shumë njerëz të mos ëndërrojnë ose t’i harrojnë ëndrrat e tyre. Ata kanë frikë se mos nuk e realizojnë ëndrrën e tyre dhe problemet u shtohen më shumë.
Në betejën e Hendekut, myslimanët vendosën të hapnin një hendek për të mos i lejuar mekasit të depërtonin në qytetin e Medinës. Gjatë hapjes së llogores, myslimanët ndeshin një shkëmb të fortë, i cili nuk po thyhej. Menjëherë vjen Profeti (a.s.) dhe e godet fort. Nga goditja dalin disa shkëndija dhe Profeti (a.s.) thërret: “Zoti është më i madhi! Triumfuam ndaj persëve.” Ai godet sërish dhe pasi dalin shkëndija thërret: “Zoti është më i madhi! Triumfuam dhe ndaj Bizantit.”
Mynafikët e shihnin me habi dhe me vete mendonin: Ne kemi frikë të kryejmë nevojat tona personale, kurse ti na thua se triumfuam kundër persëve dhe Bizantit?!
“Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, pos mashtrimit!” (Ahzab, 12)
 
Një faktor tjetër që i pengon ambiciet dhe ëndrrat, është vlerësimi i ulët për veten. Shumë njerëz i shohin të tjerët të mëdhenj, ngaqë e shohin veten shumë të vogël. Thuhet që u pyet një mal i lartë: “Nga të erdhi ty kjo lartësi, o mal?” Ai u përgjigj: “Nga niveli i ulët i luginës.”
Përse të mos ëndërrosh që të shpikësh ilaçin kundër kancerit dhe jo vetëm, por të fitosh dhe çmimin Nobël për këtë? Përse të mos ëndërrosh o nënë që djali yt të bëhet faktor zhvillimi për të gjithë umetin?
Poeti arab thotë:
 
Kushdo që e sheh të pamundur ngjitjen e malit,
jeton gjithë jetën në llucën e moçalit.
 
Në Andaluzinë e hershme, kur sundohej nga myslimanët, jetonte një hamall, i cili e siguronte jetesën duke transportuar mallra me gomarin e tij. Emri i tij ishte Muhamed ibnu Ebi Amir. Një ditë, ai u kërkon shokëve të tij – hamallë – të ëndërronin, por dikush iu kthye: “E çfarë mund të ëndërrojë një hamall si puna ime dhe e jotja?!”
Muhamedi u thotë: “Atëherë unë po u tregoj ëndrrën time: ‘Unë ëndërroj që një ditë të bëhem sundimtari i Andaluzisë’.” Shoku i tij që gjendej pranë i tha: “Nëse ti bëhesh sundimtari i Andaluzisë, të më hipësh së prapthi në një gomar dhe të më shëtisësh nëpër qytet anë e mbanë.” Disa kohë më vonë, ai e la zanatin e hamallit dhe hyri në ushtri, ku u ngrit në detyrë, derisa arriti të bëhej sunduesi i vërtetë i Andaluzisë dhe u quajt “Haxhib Mensuri”. Me ta arritur këtë post, e thirri mikun e tij, e hipi së prapthi në një gomar dhe e shëtiti në qytet.”
 
Profeti Muhamed (a.s.) i mësonte shokët e tij si të ëndërronin dhe si të ishin ambiciozë.
Ai i pyeti shokët një ditë: “Cili prej jush e ka parë xhenetin”, të gjithë ulën kokat dhe heshtën, kurse Abdullah ibni Umer çohet dhe thotë me siguri: “Unë, o Profet!”
Profeti (a.s.) i pyeti përsëri: “Kush nga ju ka ngrënë nga frutat e xhenetit?”
- Unë, o Profet!- u përgjigj përsëri Abdullahu.
- Kush prej jush ka pirë nga lumenjtë e xhenetit?- i pyeti Profeti.
- Unë, o Profet!- përgjigjet Abdullahu. Atëherë Profeti (a.s.) i drejtohet Abdullahut, duke i thënë:
- Na e trego atëherë se si i ke parë të gjitha këto?
“O Profet i Zotit,- i thotë Abdullahu - e kam parë xhenetin, pasi e ke parë vetë ti, kam ngrënë nga frutat e xhenetit, pasi i ke ngrënë ti dhe kam pirë nga lumenjtë e xhenetit pasi ke pirë ti!”
 
Një herë, ai ndodhej shtëpinë e Al Milhan dhe ishte mbështetur duke fjetur. Në një çast, ai zgjohet duke buzëqeshur. Umu Hiram e pyet: “Çfarë të bëri të qeshësh, o i dërguari i Allahut?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Pashë njerëz nga umeti im duke lundruar në det, me qëllim që të luftojnë për hir të Zotit. I shoh në xhenet, si mbretërit në frone.”
T’u flisje arabëve që jetonin në shkretëtirë për lundrimin në det, ishte njëlloj sikur t’u tregoje filma horror. Megjithatë, ai ua përshkruante ëndrrat sikur t’i kishin para syve dhe fuste elementë stimulues.
Kur e dëgjoi këtë Umu Hiram i tha: “O i dërguari i Allahut! Lute Zotin që të jem nga ata njerëz!”
Ajo nuk kishte asgjë të përbashkët me luftëtarë të tillë, ajo ishte një grua që banonte në shkretëtirë, nuk kishte parë det kurrë, nuk kishte luftuar dhe nuk e dinte se çfarë është sakrifica. Megjithatë, kur dëgjoi Profetin (a.s.) që ia përshkroi ëndrrën, ajo shpresoi të ishte bashkë me ata ushtarë.
Profeti (a.s.) nuk e demoralizoi duke i nxjerrë pengesa para, por ia shtoi akoma më shumë dëshirën dhe e stimuloi duke i thënë: “Ti do të jesh nga të parat.”
Kjo jetë është e lodhshme dhe nëse nuk lodhemi duke ëndërruar dhe duke realizuar ëndrrat tona, do të thotë shkatërrim. Ndërkohë që po të lodhemi në realizimin e ëndrrave tona, ndjejmë kënaqësi dhe qetësi shpirtërore. Ti o njeri do të lodhesh në këtë botë, por të paktën lodhu në realizimin e ëndrrave të tua dhe shijoje kënaqësinë që të fal kjo ndjenjë.
Pasi vdiq profeti Muhamed (a.s.), vdiq dhe Ebu Bekri me Umerin, vihet në krye të umetit Uthmani, i cili bëri thirrje për mobilizim për të sulmuar ishullin e Qipros. Ëndrra për të marrë pjesë në këtë ushtri, nuk ishte shuar aspak tek Umu Hiram. Edhe pse ishte tek të gjashtëdhjetat asokohe, ajo kërkoi të marrte pjesë në ushtri. Meqë ishte e moshuar, teksa ushtria zbarkonte në ishull, Umu Hirami rrëzohet dhe më pas ndërron jetë. Kështu, ajo bëhet gruaja e parë që merr pjesë në çlirimin e Qipros dhe njëkohësisht dëshmorja e parë. Varri i saj gjendet sot e kësaj dite në Qipro dhe vizitohet nga myslimanët. Jeta e saj ishte e vështirë dhe plot vuajtje, por ishte e lumtur se kishte një ëndërr për të realizuar.
 
Profeti (a.s.) ka thënë: “M’u paraqitën popujt dhe pashë profetë me një popull pas. Pashë të tjerë me dhjetë njerëz, të tjerë me pesë, të tjerë me dy, të tjerë me një dhe të tjerë me asnjë njeri. Më pas m’u shfaq një turmë e madhe dhe thashë: ‘O Xhibril! A ky është umeti im?’ Ai më tha: ‘ Jo, ky është umeti i Musait (a.s.), por shiko në horizont’. Atëherë pashë një turmë dhe më të madhe se e para dhe thërrita: Ky është umeti im, ky është umeti im. Po - më tha dikush - ky është umeti yt. Prej tyre shtatëdhjetë mijë do të hyjnë pa llogari në xhenet.”
Një nga myslimanët, Ukashe, ngrihet në këmbë dhe i thotë Profetit (a.s.): “Lute Zotin të jem një prej tyre o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) i tha: “Ti je një prej tyre.” Menjëherë një burrë i dytë u ngrit dhe i tha: “Lute Zotin që edhe unë të jem një prej tyre, o i dërguari i Allahut.” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ta mori Ukashe.”
 
Profeti (a.s.) i mësonte shokët e tij dhe na mëson neve që kur të ëndërrojmë, të ëndërrojmë gjërat më të fisme. Një ditë, ai u tha shokëve të tij: “Kur t’i kërkoni Zotit, kërkojini xhenetin Firdeus, pasi ai është xheneti më i lartë. Sipër tij gjendet Arshi i Allahut dhe që atje burojnë lumenjtë e xhenetit.”
“Unë i garantoj një shtëpi në rrethinat e xhenetit kujtdo që distancohet nga vetëpëlqimi. Unë i garantoj një shtëpi në mes të xhenetit, kujtdo që distancohet nga gënjeshtra qoftë dhe në shaka. Unë i garantoj një shtëpi në pjesën më të lartë të xhenetit, kujtdo që përsos moralin.”
 
Kur të ëndërrosh dhe të kesh ambicie, zgjidh diçka jetëgjatë që shtrihet përtej jetës së kësaj bote. Ibrahimi (a.s.) e luste Zotin që privilegjet që gëzonte ai, t’i gëzonin edhe pasardhësit e tij. Zoti thotë në Kuran:
“Kur Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi, Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” - “Po pasardhësit e mi?” - pyeti ai.” (Bekare, 124)
 
Si të jem ambicioz dhe të ëndërroj për diçka?
 
1 – Ulu me veten për një javë, duke menduar mbi dhuntitë e tua. Këtë mund ta bësh duke ecur përgjatë bregut të detit apo kudo tjetër. Ndryshoje ritmin e jetës për një javë, mjaft me facebook dhe chat çdo ditë, bëj diçka ndryshe.
 
2 – Mendo për diçka të bukur dhe të dobishme që do të doje ta realizoje, shkruaje dhe rrëfejua të tjerëve pa të ardhur turp. Kurrë mos të të vijë zor nga ëndrrat e tua, edhe pse mund të qeshin të tjerët.
 
3 – Lexo shumë mbi subjektin e ëndrrës që dëshiron të realizosh. Lexo dhe konsultohu me ekspertë të asaj fushe.
 
4 – Bëj një plan pune njëvjeçar, mbi mënyrën dhe format si mund ta realizosh ëndrrën tënde.
 
5 – Lute shumë Zotin që kjo ëndërr të bëhet realitet. Përveçse lutjet pranohen nga Zoti, lutja e përforcon idenë në tru, pasi përsëritet shpesh ideja. Prandaj Profeti (a.s.) thotë: “Zoti i do ata që e lusin me vendosmëri.”
Lute Zotin, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, që ëndrra jote të realizohet ashtu siç dëshiron. Ti ke provuar shumë gjëra dhe nuk të janë realizuar, përse të mos e provosh dhe këtë? Në këtë rast, të paktën nuk humbet asgjë.
Kënaqësia e fitores së kupës në çfarëdo lloj kampionati nuk zgjat më shumë se gjysmë minute. Ëmbëlsia dhe kënaqësia më e madhe gjendet përgjatë rrugës gjer tek kupa, gjatë ndeshjeve, stërvitjes, lodhjes dhe mundit. Një kupë që fitohet pa mund dhe djersë nuk përmban kënaqësi dhe gëzim. Prandaj rruga për në xhenet është e mbushur me vështirësi.
Cila është ëndrra jote???
 


 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free