Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Çështje besimi, asgjë më tepër

Ai ishte biznesmen, por për fat te keq, i zhytur në borxhe. Duke mos ditur ç’të bëjë dhe nga t’ia mbajë, një ditë ai ishte ulur në një stol tek lulishtja publike dhe i dëshpëruar në kulm nga gjendja në të cilën ndodhej, pyeste veten nëse do ta shpëtojë kompaninë e tij nga falimentimi apo jo. Në një çast, para syve i shfaqet një burrë i moshuar i cili i thotë:”Zotëri! Të shoh të mërzitur dhe besoj se diçka të shqetëson.”
Ai filloi menjëherë ti rrëfejë gjendjen kaotike në të cilën gjendej dhe pasi i moshuari e dëgjoi mirë, i tha:”Besoj se mund të të ndihmoj të dalësh nga kjo situatë.” Mandej futi dorën në xhep, nxori një çek dhe mbi të shënoi emrin që i dha personazhi ynë. Mandej, ia drejtoi dhe i tha:”Besoj se me këtë shumë do ia dalësh mbanë. Të pres në këtë vend pas një viti që të më shlyesh borxhin.” Pastaj vazhdoi rrugën krejt i qetë.
Biznesmeni ynë i hodhi një sy çekut që i moshuari i la në dorë dhe menjëherë fërkoi sytë. Ishte e pabesueshme. Ai sapo i kishte dhënë një çek me një gjysmë milioni dollarë, i firmosur nga Xhon Rokfeler, një nga pasanikët më të mëdhenj në botë. Plot entuziazëm tha me vete:”Me këtë shumë mund ti fshij të gjitha hallet dhe shqetësimet.” U mendua pak dhe vendosi që këtë shumë ta ruajë si garanci, nga ana tjetër ndërmori dhe ekzekutoi të gjitha masat që kompania të mos falimentonte. Ai çek i falte siguri, energji dhe fuqi për të ndërmarrë hapa konkretë. Ai zhvilloi bisedime të shumta me kreditorët, me qëllim shtyrjen e afatit të shlyerjes së kredive, derisa të mbyllte marrëveshjet e shitjeve. Për disa muaj ai arriti ti shlyejë kreditë dhe filloi të fitojë.
Një vit më vonë, në të njëjtën ditë dhe orë, siç e kishte lënë me të moshuarin, shkoi në lulishten fatbardhë dhe drejtua për tek i njëjti stol, ku e priste burri i moshuar. Zemra i rrihte me shpejtësi për shkak të emocioneve, ngaqë do të takohej me personin që i kishte hequr lakun nga fyti.
Në një çast, shfaqet një infermiere e cila nxitonte drejt tij të moshuarit dhe me të mbërritur i tha:”Shyqyr Zotit qenkeni mirë zotëri!” Mandej e mori për dore dhe u nisën në një drejtim të caktuar. Biznesmeni ndërhyri dhe infermierja i tha:”Është një pacient i spitalit psikiatrik këtu pranë. Gjithmonë arrin t’ia mbathë dhe e gjejmë tek ky stol. I shkreti pretendon se është Xhon Rokfeler.”
Biznesmeni ngriu në vend. Përgjatë një viti ai kishte besuar se çeku që i kishte dhënë ai i moshuar ishte i vërtetë. Ai kishte arritur ta shpëtojë kompaninë e tij nga falimentimi. Kishte zhvilluar kushedi sa bisedime dhe i kishte bindur kreditorët për shtyrjen e shlyerjes së kredive, vetëm ngaqë besonte se kishte çekun me një gjysmë milioni dollar. Asokohe, ai kuptoi se nuk ishin paratë ata që i kishin ndryshuar jetën atij dhe kompanisë së tij. Ai zbuloi se kishte qenë besimi tek vetja ai që i gjeneruar energji të fjetura dhe i kishte mundësuar të kapërcejë gjithë ato vështirësi.
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free