Kjo është e vërteta
Kurani eshte Univers i heshtur,ndersa Universi eshte Kurani qe flet!

Ebu Hurejre

Ebu Hurejre është një nga shokët e nderuar të profetit Muhamed a.s. Emri i tij i vërtetë është Abdurrahman ibnu Sakhr Deusij, kurse emri para islamit ishte Abdu Shems (robi i diellit). Pasi pranoi islamin, ishte Profeti a.s ai që i vuri emrin Abdurrahman.

Nëna e tij është sahabije dhe quhej Umejme bintu Safih ibnul Harith.

 

Nofka e tij:

Nofkën Ebu Hurejre (babai i koteles së vogël) ai e mori për shkak se mbante dhe luante me një kotele. Kjo nofkë u përhap aq shumë saqë të gjithë njerëzit e harruan emrin e tij të vërtetë.

 

Islami i tij:

Ebu Hurejre e pranoi islamin nëpërmjet Tufejl ibnu Amr Deusij. Ai qëndroi në tokën e farefisit deri gjashtë vite pasi Profeti a.s dhe myslimanët ishin vendosur në Medine. Ai bashkë me fisin Deus, vajtën dhe takuan Profetin a.s dhe që atëherë, Ebu Hurejre iu përkushtua shërbimit të Profetit a.s dhe shoqërimit me të. Vendi ku banonte ishte xhamia, kurse mësuesi dhe edukuesi i tij ishte vetë Profeti a.s.

 

Jeta e tij:

Për shkak se iu përkushtua nxënies së dijes, Ebu Hurejre vuajti nga kushtet e vështira të jetës. Ai tregon për veten dhe thotë:”Ndonjëherë më kaplonte një uri e papërballueshme, saqë u kërkoja shokëve të Profetit a.s të më tregojnë ndonjë ajet Kurani, ku Zoti urdhëron për bujari, edhe pse unë e dija, me qëllim që ta kuptonin se jam i uritur dhe të më marrin në shtëpi të më ushqejnë. Një ditë, isha aq i uritur, saqë lidha një gur në stomak, pastaj u ula buzë rrugës. Aty kaloi Ebu Bekri, të cilit i kërkova të më tregojë një ajet mbi vlerat e bujarisë dhe ushqimit të fukarenjve. Për Zotin unë i dija të gjithë ajetet, por doja të më ftojë në shtëpinë e tij, por ai nuk e kuptoi qëllimin tim.

Mandej, kaloi Umer ibnul Hattabi, por edhe ai nuk e kuptoi hallin tim. Më pas, kaloi i dërguari i Allahut a.s, i cili e kuptoi problemin tim dhe më tha:”O Ebu Hurejre!” Unë iu përgjigja:”Lepe peqe o i dërguar i Allahut!” dhe i shkova pas derisa hymë në shtëpinë e tij. Ai pa një enë me qumësht dhe pyeti familjen:”Kush e ka sjellë këtë?” Ata u përgjigjën:”E solli filani biri i filanit.” Profeti a.s mu drejtua dhe më tha:”Shko tek fukarenjtë (diku tek 100 veta) që qëndrojë përbri xhamisë dhe thuaju të vijnë!”

Menjëherë mu varën veshët dhe me vete mendova:”E çfarë do u bëjë një enë me qumësht gjithë fukarenjve të Suffes?!” Goja më shkonte lëng për atë qumësht, tek i cili shihja shpresën e vetme për shuarjen e urisë. Vajta tek banorët e Suffes dhe i ftova në shtëpinë e Profetit a.s. Me të mbërritur, Profeti a.s u kërkoi të rreshtoheshin dhe pasi më dha enën me qumësht, më tha:”Jepu të pinë o Ebu Hurejre!”

Fillova ti jap çdo njërit prej tyre, të cilët pinin derisa ngopeshin. Pasi përfunduan të gjithë, ia dorëzova enën Profetit a.s, i cili më pa në sy duke buzëqeshur dhe më tha:”Kemi mbetur vetëm unë e ti o Ebu Hurejre.” Unë i thashë:”Po, o i dërguar i Allahut.”

Ai më tha:”Pi o Ebu Hurejre!” Unë piva dhe ia zgjata enën Profetit a.s, por ai më tha sërish:”Pi o Ebu Hurejre.” Vazhdova të pija derisa i thashë:”Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën, s’kam ku ta çoj më.” Mandej, Profeti a.s piu atë që kishte mbetur.”

 

Memorja dhe kujtesa e fortë:

Nga radhët e sahabëve kemi shumë heronj luftrash, ftues, mësues dhe fakihë, por shkrimtarët ishin të paktë. Pasi pranoi islamin, Ebu Hurejre nuk kishte as tokë për ta punuar dhe as biznes për tu marrë. Talenti i tij i vetëm ishte kujtesa dhe memorja e fortë. Me ta dëgjuar diçka, ai e mësonte menjëherë. Kështu, për të kompensuar të shkuarën, mori përsipër përgjegjësinë e memorizimit të trashëgimisë profetike, me qëllim që t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.

 

Vdekja e tij:

Ebu Hurejre jetoi edhe 47 vite pas vdekjes së Profetit a.s. Teksa ishte i sëmurë për vdekje, vizitohet nga kalifi Mervan ibnul Hakem, i cili i thotë:”Zoti të shëroftë!” Kurse Ebu Hurejre ia ktheu:”O Zot! Unë e pëlqej takimin me Ty, prandaj pëlqeje dhe Ti takimin me mua!” Kur Mervani doli, pa arritur tregun i erdhi lajmi se Ebu Hurejre kishte ndërruar jetë.

Ai ua varros në varrezën e Medines, në Baki dhe ishte 78 vjeç kur vdiq.

Hadithet e tij i kanë transmetuar mbi 800 burra nga shokët e Profetit a.s dhe brezi i tabi’inëve.